Nga Leonard Veizi
Në rrugët e Manhattanit dhe nën dritat e Times Square, mes reklamave
gjigante dhe turmave të botës moderne, u shfaqën ata: pasardhësit simbolikë të
vikingëve. Tifozët norvegjezë, të veshur si luftëtarët e dikurshëm të Veriut,
zbarkuan në Shtetet e Bashkuara me rastin e Kampionatit Botëror të Futbollit,
duke i kujtuar botës se fryma e vjetër skandinave nuk ka vdekur. Me helmeta,
gërsheta të verdha dhe flamurin norvegjez në duar, ata rikthyen në imagjinatën
kolektive figurën e atyre burrave që një mijë vjet më parë futnin frikën në
brigjet e Evropës.
Kjo nuk ishte thjesht një koreografi tifozësh. Më shumë ështe një kujtesë dhe afirmim identitet, si dhe një rikthim simbolik i asaj trashëgimie që nuk mund të
harrohet.
Prej dekadash, Norvegjia njihet si një nga shoqëritë më të qëndrueshme dhe
më të begata të botës. Institucionet funksionojnë, mirëqenia është e lartë dhe
bashkëpunimi mes qytetarëve dhe shtetit është bërë model për shumë vende. Por
nën kostumin e qytetarit modern, të qetë dhe të arsyeshëm, vazhdon të jetojë
hija e vikingut.
Miti dhe tehu i historisë
Vikingët nuk ishin vetëm grabitësit e pamëshirshëm që përshkruajnë kronikat
mesjetare. Ata ishin eksploratorë, tregtarë, detarë dhe kolonizatorë që arritën
në brigjet e Amerikës së Veriut shumë kohë përpara Kristofor Kolombit. Anijet e
tyre përshkonin detet e veriut me një shpejtësi dhe guxim që i bënte të duken
të pathyeshëm.
Forca e tyre fizike, disiplinimi luftarak dhe kodi i tyre i ashpër i
besnikërisë u dhanë një reputacion të jashtëzakonshëm. Aq sa Perandoria
Bizantine i përzgjodhi si Gardën Varangiane, truprojën elitare të vetë
perandorit.
Mbi të gjitha figurat e epokës vikinge qëndron emri i Ragnar Lothbrokut.
Gjysmë histori dhe gjysmë legjendë, ai mbetet simboli më i njohur i guximit dhe
ambicies skandinave. Për shumë njerëz, Ragnar nuk është vetëm një luftëtar i së
kaluarës, por personifikimi i shpirtit të pavarur të Veriut.
Një kujtesë për Evropën
Sot vikingët janë rikthyer në skenën globale jo me anije të gjata dhe me
shpata në duar, por si simbol kulturor i një force që nuk mund të shuhet. Në
një Evropë të tronditur nga luftërat në kufijtë e saj, nga pasiguritë
ekonomike, nga debatet për identitetin dhe nga një ndjenjë e përgjithshme
lodhjeje qytetëruese, norvegjezët duket se po i kujtojnë kontinentit një të
vërtetë të vjetër.
Evropa nuk është vetëm një bashkim tregjesh, bankash dhe institucionesh.
Ajo është gjithashtu trashëgimtare e popujve që për shekuj luftuan për të
mbijetuar, për të mbrojtur tokat e tyre dhe për të ndërtuar qytetërimin që
gëzon sot.
Vikingët e sotëm nuk mbajnë shpata por flamuj. Nuk pushtojnë
qytete por vëmendjen e njerëzve kudo.
Ndërkohë mesazhi i tyre shkon përtej spektaklit. Kur helmetat vikinge shkëlqyen
në Times Square, dukej sikur nga thellësia e shekujve vinte një kujtesë e
vjetër: Evropa nuk ka mbetur pa burra. Nuk i mungojnë ende popujt që dinë të
mbajnë mbi supe barrën e historisë së saj dhe që, nëse koha e kërkon, janë të
gatshëm t'i dalin zot qytetërimit të tyre.
Ragnar Lothbroku nuk u rikthye për të pushtuar botën. Ai u rikthye si
metaforë. Si kujtesë se qytetërimet nuk mbijetojnë vetëm falë pasurisë,
teknologjisë apo rehatisë. Ato mbijetojnë edhe falë karakterit, vendosmërisë
dhe përgjegjësisë së njerëzve që janë të gatshëm t'i mbrojnë kur kohët bëhen të
vështira.
Një qytetërim që harron luftëtarët e vet rrezikon të harrojë edhe vullnetin
për të mbrojtur lirinë që ata i lanë trashëgim.

No comments:
Post a Comment