Friday, September 11, 2026

Mendimet kriminale që mbushin mendjet tona të pastra

 

 
Nga Leonard Veizi
 
Me sa duket, edhe mendimet më kriminale gjejnë vend në mendjet tona më të pastra.
Psikologjia kognitive e ka dokumentuar prej kohësh: mendimet e padëshiruara, agresive, të çuditshme, janë krejt normale. Çdo njeri i shëndetshëm përjeton në ditë impulse për dhunë, për shkatërrim, për tabu. Kjo nuk na bën kriminelë. Na bën njerëz.
Por këtu fillon problemi.
Në labirintin e pafundmë të mendjes, aty ku drita e arsyes ndërthuret me hijet e instinktit, fshihet një e vërtetë e pakëndshme që e kemi heshtur me shekuj. Njeriu, kjo qenie e vetëshpallur e civilizuar, me kodet e tij morale dhe ligjore, mban thellë brenda një bishë të lashtë që refuzon të zbutet plotësisht. Dhe sa herë këto kode, si litarë të shtrënguar, i marrin frymën, mendja shpik krimin si rrugëdalje. Jo si akt, por si fantazi çlirimi.
Le të mos shtiremi. Po të na jepej qasja në trurin e tjetrit, pa filtra dhe pa turp, do të tmerrësoheshim. Për çdo fjali të butë që shqiptojmë, tri të tjera, më të errëta, kanë lindur më parë në mendje. Janë ndalur aty dhe janë djegur në heshtje, si letra të ndaluara në një regjim censurimi të brendshëm.
Një e katërta e mendimeve tona është kriminale. Jo se veprojmë. Thjesht mendojmë. A mjafton kjo për të na bërë fajtorë?
Gjatë ditës, në rrjetin tonë nervor kalojnë impulse për një grusht, një ofendim të ulët, një sabotim të heshtur. Për një hakmarrje të vogël. Ndoshta edhe më shumë. Por ne, si pjesë e një shoqërie që ka shpikur etikën, zgjedhim të mos veprojmë. Dhe këtu fillon absurdi ynë i madh: morali nuk vjen para krimit, por pas tij. Vjen si frenë, jo si origjinë.
 
Mendja si laborator i fshehtë
Neuropsikologjia thotë diçka shqetësuese: truri nuk bën dallim të madh mes të imagjinuarës dhe të vërtetës. Një vrasje e vizualizuar, një poshtërim i endur në heshtje, shkakton të njëjtat shkarkesa kimike, të njëjtin rrahje zemre, si akti i kryer.
Mendja jonë është një laborator ku eksperimentohet pa leje. Pa dëshmitarë. Shpesh, pa pasoja.
Por a mbetemi ende të pafajshëm?
Shoqëria nuk ka ligj për mëkatin e mendimit. Feja e ka. Filozofia e ka. "Nëse mendon për të vrarë, je veçse një vrasës që s'ka pasur guxim", thotë një zë i brendshëm që nuk mban uniformë, por që nganjëherë flet më fort se çdo prokuror.
Në fakt, mendimet tona kriminale nuk janë asgjë tjetër veçse pasqyra. Pasqyra e dëshirave të parealizuara, e fyerjeve të papërtypura, e frikës që maskohet si urrejtje. Ato nuk kanë armë. Nuk kanë thikë. Por a nuk është çdo krim, më parë, një mendim i fshehtë që pret të gjejë portën nga e cila të dalë?
 
Qytetet që ecin mbi krime të pakryera
Në realitet, çdo qytet i madh ecën mbi miliona krime të pakryera. Tirana, Parisi, Las Vegasi. Qytetaria jonë nuk ndërtohet mbi faktin që nuk mendojmë keq, por mbi aftësinë për t'i lënë ato mendime të vdesin në kokë, si embrione të pa frymëzuara.
Ironikisht, ndoshta nuk na shpëton as ligji, as morali i lartë. Na shpëton frika. Frika nga ndëshkimi. Ose turpi. Sepse asnjë nga këto mendime nuk është aq i fshehtë sa besojmë. Sytë e të tjerëve lexojnë. Ne nuhasim aromën e një mendimi të keq te tjetri. Dhe në këtë nuhatje kolektive, jemi të gjithë pak kriminelë në përmbajtje, por të pafajshëm në dalje.
Dhe ndoshta kjo është ajo që na mban njerëzorë.Jo fakti që nuk mendojmë krimin. Por fakti që e mendojmë, e peshojmë, e ndjejmë deri në fund në laboratorin tonë të errët, dhe pastaj zgjedhim të mos e kryejmë.
Mendja është arena ku njeriu e fiton çdo ditë luftën kundër vetvetes.
Për këtë fitore nuk ka medalje.
Ka vetëm heshtje.

No comments:

Post a Comment