Friday, April 29, 2022

Tmerri i kahershëm i shqiptarëve, qokat, dorovitjet dhe një funeral biznes


Nga 
Leonard Veizi
 
-Dolën lekët e varrimit, - thotë hallexhiu me zë të ulët mos e dëgjojë kush.
Kartmonedhat lihen teposhtë filxhanit të kafesë, me delikatesë, që të duket sikur nuk i shikon kush: “U ardhshim për të mirë”. Në fakt, sytë të gjithë aty i kanë. Kështu ikën 20-çja. “Epo ia kisha taksur, se më erdhi kur më vdiq babai. Tani ai një dhjeçe më hodhi, por unë ia lash kopilin në derë. E dyfishova dorën”.
-Më duket se dolën dhe lekët e drekës, - ia pret hallexhia tjetër, e po të njëjtit hall.
Kjo do të thotë se familjarët e xhenazes nuk do ta fusin dorën në xhep as për arkivolin dhe as për rakinë që është pirë në drekën e përmortshme.
Epo halle-halle kjo dynja...  Ku ta kesh mendjen më parë. Të qash të ndjerin, apo të merresh me llogaritjen e qokave.
 
***
Shqiptarët jetojnë në një makth të madh. Janë ftesat e dasmave që janë kthyer në terror. Janë lajmërimet e vdekjeve. Le më kur flitet për synetllëqet.
-Kam sebep sot... ia preva atij të madhit. Ftesat janë me konfirmim në numrin e celularit 0900... Lëre fare se u ngatërruam, më duket.
Burrë e grua në hall.
-Sa do t’i hedhim mor aman? S’kemi marrë as rrogat.
-Ja të shoh shënimet, sa na ka hedhur ai, se nuk e mbaj mend.
Të keqen e llogarive. Dasmat në një anë të fletores, vdekjet nga ana tjetër. Nga mesi, që të mos ngatërrohen si zorrët e barkut janë lindjet, ditëlindjet, fejesat dhe sëmundllëqet. Se ato e kanë dorën më të vogël. I shkova, - më erdhi. I hodha një 50-çe, - po aq ma ktheu.
Birinxhi.
-Lefka, hë moj ajo që ishte në dasmën e sat motre, Florës. Që na solli ato gjashtë pjatat e që thanë njerëzia se i kishte të përdorura. Por dhe unë, kur martoi Pilon, ato i çova...
Ja, kjo ishte strategjia e Ollgës nga qyteti. Por në fakt ky është koncentrim i përvojës popullore. Çfarë më sjell do të jap. Dalim jek e jek.
Zakoni e do të shkosh tek tjetri por jo pa gjë në dorë. Shyqyr thuaj që iku koha kur shkonim tek komshiu me një pako llokumesh, a me një pako biskotash, se kishte blerë... televizorin. Tani rrethi është më i ngushtë, por më i shtrenjtë.
Po hidh a derëbardhë sa e ke takatin, pse e mundon veten.
Mirëpo takati nga një anë, e inati nga ana tjetër. Po turpi... jallah, do bëhemi me turp.
-Ç’do thonë bota...?
Shqiptarët i ka zënë tmerri. Shkon në vaki dhe dorovit, shkon në dasmë dorovit, shko në spital, lë paratë tek komoja e të sëmurit...
-Sa lekë i hodhe filanit?
Çlirohuni nga ky makth o vëllezër, se nuk jemi në garën me kooperativën fqinje.
-Aaaaa, po i hëngra bukën do t’ia paguaj. Se e kam në fyt.
Ja, kjo është logjikë e drejtë, e pastër... restoranti. Supë, byrek, patate me mish dhe në fund hallvë. Pastaj nis llogaria: Bjeri një çikë lapsit, sa vete. Fut edhe një dopjo raki, se desh e harrove.
Kaq shpenzuam, kaq fituam.
Biznes. Edhe në dasma edhe në morte. Vetëm se TVSH nuk paguan dhe fitimi është i pastër fare. Kësaj i thonë të punosh me paratë e të tjerëve.
Në zhargonin e përditshëm nuk ka shqiptarë që të mos thotë: - Lëre-lëre, më ka ardhur një fletë gjobë kësaj radhe që, ç’të të them.
-Ke parkuar keq makinën?
-Nuk e gjete. Makinës ia bëj hallall, se një dhjetëmijë lekësh të vë policia. Po atë që ta bën shoqnia s’ta bën as perëndia. Më ka ftuar një mik se marton djalin. Iku 100-çja.
Po mos shko o vëlla, pse rraskapitesh kaq shumë. Ti 300 ke rrogën. I bie ta shtysh muajin me bukë thatë. E sidomos tani që u rritën çmimet, as me bukë thatë nuk ia del dot. Ndaj kur kalamajtë të kërkojnë ndonjë pare xhepi u thua: Jemi ca ngushtë të keqen babai se ato që kishim i lamë në një sebep.
-Epo më ka ardhur kur martova vajzën. E kam në fyt.
Para do kohësh takova një mik. Nuk dinte ku të fuste kokën. Sezoni i dasmave më kaloi me 11 ftesa e gjoba të rënda. Më tha: – Lashë leshtë duke kërcyer “Napolonin”. Të gjitha paratë që kisha mbledhur për të bërë një palë pushime të hajrit, i sakrifikova. Tani do shëllehem në diell me gruan te ballkoni i shtëpisë, se shyqyr diellit nuk i kanë vënë akoma taksë.
 
***
Shqiptarët jetojnë nën terror të vërtetë. Janë ftesat e dasmave me konfirmim. Janë lajmërimet e vdekjeve pa konfirmim, por edhe pa parapajmërim. Dhe janë synetllëqet o ta marrsha sa për të gjitha bashkë. Vetëm mos harro të blesh zarfe, se tani paratë nuk hidhen hapur mbi tabakanë me llokume as te filxhani i kafesë. Tani ato lihen në zarf. Me emër e mbiemër sipër. Dhe adresën e shtëpisë po pat mundësi. Se jemi njerëz të qytetëruar.
 

No comments:

Post a Comment