Friday, April 22, 2022

Kur problemet e shqiptarëve kthehen në protestën paqësore të një kleriku


Nga 
Leonard Veizi

A është Shqipëria një vend i pabanueshëm?
Pyetjes mund t’i japësh lloj-lloj përgjigje por një përkufizim e ka dhe himni i një spektakli humori që thotë mes të tjerash: Këtë vend në breg të detit kam vendos ta bëj shtëpi,/ menjëherë e shpall dekretin dhe e quaj Shqipëri. Sipas kësaj logjike, ky truall ka qenë fort i lakmuar për çfarë i ka falur Natyra ose Zoti. Por si ka mundësi që nga një vend i lakmuar, - për të cilin janë vrarë e therur mijëra e mijëra ushtarë, që kanë dashur ta kenë nën zotërim të gjitha perandoritë e botës, - tani është kthyer në një vend ku shumëpak dëshirojnë të qëndrojnë, sepse një pjesë e madhe kanë ikur me kohë, e ca të tjerë vazhdojnë të plotësojnë formularë për t’u bërë qytetarë të vendeve të tjera, por gjithsesi larg Shqipërisë?! Ndaj jemi katandisur në një vend që kërkojmë fuqi punëtore se nuk ka kush na i bën punët e na mban me bukë.
Përkundër gjithë këtyre që sa thamë më sipër, në këtë rast do të doja të evidentoja duke perifrazuar disa shprehje të një fjalimi brilant që ditët e fundit më ka mbetur fort në kujtesë.
Padyshim, ka fjalime të rralla, bërë nga oratorë të shquar, të cilët janë si gurë kilometri dhe bota e të gjallëve u referohet sa herë e ndjen nevojën të vetpastrohet nga ndotja e llumi me të cilin janë përlyer. Një fjalim disaminutësh mund të thotë shumëçka, e për më tepër nëse bëhet në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.
Një fjalim në Vigjilje Pashkësh, është gjithashtu inspirues, për njerëzit që besojnë në fe sidomos, por dhe ata që nuk e kanë në praktikë një gjë të tillë, sigurisht.
Nëse gjithkush prej nesh, që flasim e shkruajmë shqip, kërkon të marrë qetësinë e nevojshme, atë që i ka munguar prej kohësh, të ndërpresë për pak çaste marrëdhënien frymore me njerëzit e tjerë dhe paranë, e të lidhet drejtpërdrejtë me Zotin e tij, për të qenë pjesë e një bote hyjnore, nuk duhet ta humbë meshën e Pashkëve, dhe vetë fjalimin e Imzot Arjan Dodajt, Kryeipeshkvi në Arqidioqezën Metropolitane Tiranë – Durrës. Dhe është një fjalim i jashtëzakonshëm, bërë nga Katedralja e Shën Palit, në një natë të madhe si ajo e Pashkës Katolike, teksa kremtohej Ringjallja e Krishtit.
Me shumë gjasë, nëse të njëjtat fjalë do të thuheshin nga foltorja e Kuvendit, e do të dilnin nga goja e njërit prej 140 deputetëve të tij, asgjë nuk do të merrte kaq shumë vlerë. Sepse ne të gjithë jemi mësuar me fjalimet bombastike e shfaqjet bumerang të hedhura nga i njëjti vend. Por në altarin e një kishe është ndryshe, sepse nuk ke të bësh më me inflacionin e akuzave që mbeten veç të tilla dhe që nuk e kapërcejnë derën e sallës plenare për të shkuar prej Kuvendit deri në SPAK.
Kur ky fjalim mbahet në një vigjilje Pashkësh, nga një klerik katolik që për më tepër mban pozicionin e lartë të arkipeshkvit, çdo fjalë merr kuptim të veçantë.  Dhe pasi t’i zbërthesh të gjitha me kujdes, do të gjendesh përballë një humbelle, që tenton të të thithë në thellësinë e kraterit të saj, por që t’i me besimin tënd ia del të mos biesh brenda e të mbijetosh.
Ndaj unë do të doja që në këtë shkrim të shkurtër të mund të përcillja sadopak nga fjala e tij. Nëse mundem ta bëj një gjë të tillë, dhe nëse dikush arrin t’i përthithë ato qoftë dhe nga përcjellësi i dorës së dytë.
Imzot Dodaj, në fjalimin e tij mbresëlënës tha aq sa do të duhej të thuhej, dhe çdo orvatje për ta veshur me të përngjashme nuk do të bënte gjë tjetër veçse do t’i prishte bukurinë. Sepse siç tha vetë ai: “Ata që besojnë në Krishtin e ringjallur e çojnë kokën lart, shkëputen nga interesat e tyre banale, mediokre e kalimtare. Nuk kanë frikë ta shpallin bukurinë e së vërtetës. E vërteta pa bukurinë është vrastare. Bukuria me të vërtetën manifeston mëshirën dhe dashurinë hyjnore”.
Ne jetojmë në një periudhë krizash. Kriza politike, kriza financiare, dhe mbi të gjitha kriza idesh. Gjithçka ka kaluar në stanjacion. Asgjë nuk po lëviz. Dhe nëse nuk lëviz, padyshim kriza do të bëhet më e thellë. Ndaj kjo ka sjellë dhe një degradim moral. Këtu më vjen në ndihmë një nga sentencat e fjalimit të imzot Dodajt i cili tha: “Jo rrallëherë jeta dhe dinjiteti i njeriut vuajnë çekuilibrin, kur janë shkelur të drejtat e punëtorëve në kategori të ndryshme nga fermerët e thjeshtë tek punëtorët e fasonerive, nga pensionistët me të ardhura të pamjaftueshme tek ata persona me aftësi të kufizuara të cilëve iu mungon një mbështetje më e përshtatshme, nga studentët me premtime të pambajtura tek të rinjtë, pre e krimit të organizuar dhe e përdorimit të substancave narkotike, nga familjet që shpeshherë nuk arrijnë të plotësojnë nevojat dhe ëndrrat e fëmijëve të tyre, e më keq akoma, tek dimri demografik të shumë lindjeve të munguara, shpeshherë si pasojë e varfërisë edhe në vendin tonë”.
A jemi të gjithë në një mendje se çfarë u tha është mëse e vërtetë? A mund të ketë opozitë më të fortë se kjo? Më e fortë se ajo që u shua me gazin lotsjellës, dhe nga çfarë pretendohet se “luftohet” në Kuvend? A ka të vërteta më të hidhura të thëna me shumë elegancë në një vigjilje feste, por që nënkuptojnë tone të ashpra e me dinjitet. Sepse duhen vetëm kaq pak rreshta për ta thënë në mënyrë sintetike atë që vlon përbrenda, që derdhet në tryeza kafenesh, por nuk arrin dot të shpërthejë.
Shtëpia jonë e përbashkët është si anija që po mbytet. Titaniku jep sinjale alarmi, por “Kalifornia” bën sikur s’e dëgjon sinjalin SOS”, ndërsa “Karpatia” është ende larg për t’i dhënë një dorë shpëtimi. Katastrofa është në prag. Ndaj njerëzit po ia mbathin nga rreziku. Hipin nëpër varka duke iu turrur... Gjermanisë, se Italia e Greqia nuk kanë më vende bosh.
Pra kemi nevojë vëllezërit e mi për Pashkë, për ringjallje, për rilindje, për risi, në shoqëri, në politikë në sipërmarrje dhe në edukim, për të rimëkëmbur një popull që përballë sfidave i dorëzohet tundimit të emigrimit, përballë mosrealizimit të premtimeve i dorëzohet indiferencës, përballë padrejtësisë i dorëzohet heshtjes” – do të citoja sërish një pjesëz nga fjalimi i Kryearqipeshkvit të Arqidioqezës. Dhe sërish jemi tek të vërtetat e hidhura, që po t’i thotë një deputet do të duket si tallje.
E në fund të fundit Arjan Dodaj, nuk është politikan dhe si njeri i fesë natyrisht ka optikën e tij të të perceptuarit të fenomeneve kur thotë se: “Krishti është shpresa jonë... Këtë mbrëmje ne nuk po bëjmë një shfaqje, nuk po zhvillojmë një teatër, nuk po manifestojmë një shou. Ne me të vërtetë takojmë Krishtin e ringjallur”.
Ndërkohë që për shumë shqiptarë të tjerë, shpresa e tyre nuk mund të jetë kurrsesi Krishti, sepse për ta është... është kryetari i partisë së rrethit, deputeti i zonës, ministri apo vetë kryeministri ynë.
Vëllezërit e mi, duhet ta pyesim veten: a besojmë akoma në forcën e dashurisë? A dimë akoma të dashurojmë? A lejojmë akoma të dashurohemi dhe a presim që dikush të na dashurojë? Kemi humbur “Abc”-në e jetës. Kemi humbur atë që është forma më klasike dhe më e thjeshtë e fillimit të jetës”.
Ja, kjo është ajo që na bën me dije ky klerik i lartë, detyra e të cilit është të kujdeset për grigjën e tij e t’ua thotë në sy atë çka nuk shkon në jetët e tyre. Dhe pas kësaj, ai do të bënte një tjetër thirrje: “Ta ndërtojmë së bashku jetën me shumë përgjegjësi në vendin tonë. Ftoj bashkëkombësit e mi shqiptarë që së bashku të marrin përgjegjësinë që ta mundin errësirën që gllabëron shoqërinë në rrugën pa dalje ku është futur e që është korrupsioni... Të çlirohemi nga borxhi që ndjejmë përmes ryshfetit kur kërkojmë një vend pune... Të çlirohemi nga borxhi për të dhënë një bakshish përballë të drejtës që çdo njeri të ketë një kurë mjekësore...”.
Jemi vërtetë në ditë të hallit përderisa një natë e madhe feste që i duhet kushtuar besimit hyjnor, merremi gjerësisht me perversitetet tokësore që na kanë mbuluar tërësisht. Dhe kjo është trishtuese, po aq sa njerëzit që me torba mbi shpatulla nisen të kërkojnë “eldoradon”.
Ndaj të gjithë ne si shqiptarë, të krishterë e jo të tillë, nëse duam të dimë se nga se vuan shoqëria sot e të marrim ca mesazhe kuptimplota, le ta ndjekim fjalimin e Imzot Arjan Dodajt, Arqipeshkvit të Tiranës dhe Durrësit bashkë, dhënë në Vigjiljen e Pashkës Katolike. Është lehtësisht e gjetshme. Është lehtësisht e dëgjueshme.


No comments:

Post a Comment