Friday, April 15, 2022

Shqiptarët, ky popull qiradhënës e qiramarrës


Nga 
Leonard Veizi
 
Ne jemi nga ata që e përballojmë krizën me sukses. Rriten çmimet e ujit, bukës, karburantit..., rriten dhe çmimet e qirave.
-Po jeta po shtrenjtohet përditë mor baba, një frangë kripa, - i thoshte të atit djali i tij, që kërkonte të punonte hamall, një me Hodo Leckamanë, pikërisht te depot e pushtuesve italianë.
Por i ati ishte shqiptar i vërtetë. Duke i bërë hyzmetin tokës ku prodhonte zarzavatet e stinës ia pret shkurt të birit:
-Lene atë muhabet. Bukë e hije në shtëpi. Le të shtrenjtohet kripa, le të shtrenjtohen edhe barishtet.
Batutat janë shkëputur nga filmi "Në fillim të verës" prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, i vitit 1975, me regji të Gëzim Erebarës, e skenar nga Peçi Dado.
Por atëherë flitej për vitet e Luftës së Dytë Botërore. Sot jemi në mijëvjeçarin e ri. Shqiptari i ri ka të tjera terbjete.
Jeta është shtrenjtuar vërtetë, se nuk mjaftoi Covidi, por ia plasi dhe lufta në Ukrainë. Mirëpo veç panikut të dy ditëve të para dhe tre demonstratave në katër ditët pasardhëse, shqiptarët e morën veten dhe i thanë krizës tutje. Padyshim, në ndihmë erdhi dhe shtesa sociale prej 30 mijë lekësh të vjetra për pensionistët në nevojë. Dhe një bord i ngritur nga Qeveria u kujdes për mbajtjen e çmimit të karburanteve... në nivele katastrofe.
Mirëpo, çuditërisht dhe fare papritur, kriza u zbut.
Po si u zbut, do pyesni ju?
Ja ashtu, si me marifet.
Ne si shqiptarë, tani dhe më parë se kaq, kemi jetuar dhe jetojmë si pashallarët. Se për punë pak ia thekim.
-Burrat nën hije lozin kuvendojnë...
Edhe në të kaluarën, më qejf kishim të shkruheshim xhandarë, të kapardiseshim me gradat e kapterit nëpër qytet e të merrnim një rrogë shteti se sa t’i futeshim parmendës.
-Unë ç’është e vërteta punën mund të mos e kem shumë qejf, - do të thoshte Jovan Bregu i Adelina Balashit tek komedia “Pallati 176”, - por për sa e njoh veten kështu, unë për të ndershëm e njoh.
Ja, kështu sintetizohet marrëdhënia e shqiptarit me mjetet prodhuese, sa me pak fjalë përmblidhet në një batutë komedie.
Por ne si shqiptarë, edhe kur nuk punojmë vetë, dimë të vëmë të tjerët të punojnë për ne. Domethënë, do apo nuk do, një pjesë e shqiptarëve do të punojnë sa do t’u kullojë djersa në ulluk, e t'u bjerë bretku që pjesa tjetër e shqiptareve të jetojnë si pashallarë. Dhe kjo vjen vetëm ngaqë dimë të japim gjithfarë gjërash me qira.
Shkurt, ne jemi një popull qiradhënës e s’kemi lënë gjë pa dhënë me qira.
Puna e një shqiptari është të bëjë paratë sa të blejë dy shtëpi se pastaj zgjidhet vetë çështja. Një shtëpi e mban të nakatoset me gruan, e shtëpinë tjetër e jep me qira. Edhe pensioni i shtetit nuk i hyn në punë fare. Le po të ketë pasur shtëpinë në kat të parë e ta ketë kthyer në lokal, as rroga e xhandarit nuk i bën fajde. Tani, jo se nuk jemi punëtorë, si shqiptarë. Por ne punojmë e sërish të fundit në Europë kemi mbetur. Kjo me sa duket do të thotë që nuk punojmë dhe aq fort, ose nuk kemi teknika pune shumë frytdhënëse. Kështu që, i kemi dhënë karar. Japim me qira çdo gjë të dhënshme. Dhe po u rritën ëmimet e produkteve të shportës, hop, ngrihet dhe qiraja. Kriza nuk ndihet fare.
-Sa e mban cjapin or mik?
Dialogu mund të jetë si stisur, e i montuar me batuta filmash, por ngjarja është e vërtetë.
-S’e kam për ta shitur. E jap me qira. Cjap i mirë, cjap race. E kam të Gjokës së Bardhë. Ma ka lindur tri vjet më parë. E kam pritur ke këto dy duar. Kush nuk ma kërkon për të mbarsur dhitë. Fshat më fshat shkoj.
Të keqen e cjapit. Bëj qejf vëlla, bëj... Se kisha dëgjuar për kuaj race, edhe për dema race, si puna e Nuredinit.
-Nuredini është dem.
-Ça thua ore, Nuredini dem?
Me të drejtë, Nuredinit i vareshin poturet, si kokosh i ngordhur, kërkonte të bënte dhe demin. Por, në fakt, një të drejtë e kishte, se kur e jepte me qira, dem bëhej vërtet.
-Demek e paske cjapin zhigolo?
-Jo a derëbardhë, se cjap është.
Le më ne si shqiptarë, kur i futemi gjyqeve e marrim ndonjë pronë të majme. Atëherë po, e vëmë festen mbi sy. Shtëpi me qira, lokale me qira, tokën me qira, kafshët e oborrit me qira... Ja kështu vete kjo punë. Një pjesë punojnë e u del xhani të paguajnë të gjitha detyrimet me faturë, të tjerët rrinë e trashen duke pritur lekët e qirasë.
-Ore, kaloi ora e s'më ke dhënë lekët e qirasë, - të mbin qiradhënësi te pragu i shtëpisë.
Pjesa më e madhe e Shqipërisë është dhënë me qira. Edhe pyjet, edhe deti, edhe ajri... se kalojnë avionët jo për gjë. Ka konventa për këtë punë.
Po të pyesësh shqiptarët që rrinë tërë ditën e ditës o në kafe o në mejhane të thonë se e kanë një pronë të dhënë me qira, se nuk duan të punojnë vetë si banakierë te lokali, edhe tokën nuk duan ta lërojnë se u bëhen duart me kallo. Ka hallexhinj plot që vijën e punojnë në tokat tona.
Dhe ja kështu...
-Do thoni ju: turp. Turp sa s’ka ku të vejë, se ne jemi dhe me biografi të mirë...
Por ne si shqiptarë kemi dhe një gjë tjetër të mirë, kur e kemi në përdorim atë pak pronë që na takon. Në një lokal 15 metra katrorë, punojnë banakierë e kamerierë,.. edhe pastruese, por pronari vetëm sa vëzhgon punën dhe del të bëjë ndonjë xhiro me makinë. Pse pronari do punojë?! Gjithë ai lokal, i bën a s’i bën 10 kafe në ditë. Po del për të gjithë, dhe për pagat e punonjësve dhe për sigurimet shoqërore e mjekësore, dhe për taksat e tatimet, edhe për qiranë, por, dhe pronarit i mbeten ca pare në xhep, që kafenë ta pijë te lokali përkarshi, ku me ymër të Zotit mund t’i lërë dhe një bakshish të mirë kamerierit.
"Sa të rrojmë do mësojmë", - është një fjalë e urtë e popullit tonë qiradhënës.
E popull, popull, sa shumë gjëra bëhen nën emrin tënd... Bile dhe Lartmadhnia flet në emrin tënd...
 

No comments:

Post a Comment