Wednesday, May 4, 2022

Shna Ndou, vendi i shenjtë që i pranon të gjithë mëkatarët

 Shënime udhëtimi
 
 

Nga Leonard Veizi

“Shna Noi ju ndihmoftë!”. Kjo është shprehja unike të cilën besimtarët urojnë njëri-tjetrin tek shkëmbehen brenda territorit të Kishës së Shna Ndout. Është një rit që të bën të ndihesh mirë e lehtë, tek një vend tek i cili ke besimin e patundur se do t’i dëgjojë lutjet. Nëse ke një hall e s’e zgjidh dot, a nëse për një mëkat të bërë je penduar. Sepse njeriu, do apo nuk do, është mëkatar në çdo ditë të jetës së tij...
 
...Nuk është e thënë se patjetër duhet të zgjedhësh një nga 13 të martat apo vetë të martën e madhe përmbyllëse, për t’u lutur a për të kërkuar ndihmë, në Kishën e famshme të Laçit. Aty mund të shkosh në çdo ditë të javës dhe sërish pelegrinët do t’i gjesh aty. Dhe ata nuk janë vetëm nga zonat përreth, por nga çdo rreth e fshat i Shqipërisë, dhe padyshim do të ndeshësh edhe shumë të huaj. Sepse një vend i shenjtë e mbart shenjtërinë e tij në të gjitha ditët e vitit. Duke qenë se Kulti i Shna Ndout është mjaft i përhapur në Shqipëri, sipas disa studiuesve kjo e ka kthyer kishën me emrin e tij, në Mekën e shqiptarëve.

 
Udhëtimi
Kisha e Shna Ndout mbetet një nga atraksionet më të rëndësishme në vend, me vlera fetarë, historike e kulturore nga më të rrallat. I vetmi që e rivalizon po aq fort është Teqeja Abaz Aliut në Malin e Shenjtë të Tomorit. Por nëse për të shkuar në majën e Tomorit do të të duhen rreth 3,5 orë që të udhëtosh në 141 kilometra rrugë, Kisha e Shna Ndout është më afër e arritshme, gjithmonë nga kryeqendra. Në vijë ajrore, qyteti i Laçit ndodhet 11 km larg nga bregdeti i Adriatikut.
Në enciklopedi thuhet se Laçi është 45 kilometra larg nga Tirana. Por guida elektronike tregon se rruga që të çon nga Tirana në Laç është në kuotën e 52 kilometrave, e cila bëhet përafërsisht për 58 minuta. Por nga qendra e kryeqytetit deri në zemër të Manastirit dhe Kishës së Shna Ndout janë 56 kilometra, që mesatarisht përshkohen për 65 minuta. Pra distanca mes qytetit të Laçit dhe territorit të Kishës është vetëm 4 kilometra rrugë malore e cila përshkohet në rreth 7 minuta. Dhe thuhet se nëse ke vendosur të shkosh në Kishën e Laçit, nuk duhet ta kthesh mendjen por të nisesh e ta kryesh atë çfarë ke menduar më parë.
 

Në Laç
Pasi ke lënë pas autostradën dhe ke marrë daljen në të djathtë, ecën mbi rrugën që të çon në qytetin e Laçit. Ky qytet është dhe qendra më e madhe administrative e rrethit të Kurbinit. Deri para viteve ’90, Laçi konsiderohej si qytet i ri. Dhe vazhdon të jetë i ri nëse jeta e tij do të ndahej në mes, 30 vite në komunizëm dhe 30 të tjera në demokraci.
Përpara se të hysh në qytet, të duhet të kalosh mbi shinat e trenit, të një treni që tanimë është fantazmë e ka dalë nga qarkullimi, po aq sa dhe oxhaqet dhe ndërtesat e industrisë së rëndë që dikur ishte pjesë e jetës së qytetit.
Enciklopedia thotë se Laçi ka ekzistuar që në kohët e lashta me emërtimin Sebaste, pasi shtrihej në kodrën përballë kishës së Shna Ndout, ku sot ndodhen rrënojat e kalasë së Sebastës.
Qyteti ka një shtrirje në 13.5 kilometra katrorë, ku jetojnë të paktën 30 mijë banorë, po t’i referohesh censusit të vitit 2011. Qyteti u ngrit si një vepër socialiste, brenda skematizmit të pallateve 5-katëshe dhe një qendre ku si në të gjitha qytetet e tjera ishin ngritur godinat e Komitetit të Partisë, Komitetit Ekzekutiv dhe të Pallatit të Kulturës.
Sot, skematizmin e ndërtimeve socialiste kanë arritur ta prishin prurja e ndërtimeve të shumta moderne si dhe e një lagjeje me 524 apartamente, ndërtuar së fundmi me fondet turke, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Mes kontrasteve të zakonshme për qytete të projektuara nën regjimin komunist, në sy bie godina e vjetër e Komitetit Ekzekutiv, tanimë e lyer me bojë vishnje të thellë e ca të verdhë për kombinacion, ku sot janë strehuar zyrat e qeverisë vendore. Sheshi qendror mban emrin “Gjin Pjetri”. Aty, projekti i rilindjes urbane ka vendsur ca pllaka e ca stola  dërrase, që bashkë me nja dy palma përbëjnë dekorin e një lloj pedonaleje. Por në tërësinë e tij Laçi është një qytet jashtë vëmendjes dhe investimeve. Ndaj krenaria e vetme mbetet shumë vite pas, në fabrikat tanimë të dala nga përdorimi, ku në majën e investimeve me teknologji të ardhur nga Kina, listën e kryesonte uzina e superfosfatit, e cila u inaugurua në vitin 1967. Qyteti i Laçit, në të cilën erdhën punëtorë, teknikë të mesëm dhe inxhinierë e kuadro të tjera nga shumë rrethe të Shqipërisë, sot vazhdon të ketë një shkollë të mesme si dhe disa shkolla 9-vjeçare. Por familjet më së shumti, ashtu si dhe kudo tjetër në Shqipëri, më fort se sa prodhimi vendas i mban puna në emigracion.
 
Kisha dhe Manastiri
Pasi je futur në qendër të qytetit do të kthehesh majtas, derisa një tabelë kafe me mbishkrimin “Kisha e Shna Ndout” të jep drejtimin nga duhet të shkosh. Si ke marrë përpjetën, mbi qytet, duhen vetëm pak minuta derisa të arrish në majë, ku një tjetër tabelë të orienton të futesh në parking, i cili gjithashtu është i paralajmëruar me tabela se është falas nga Kisha. Në tmerrin e Tiranës, ku Bashkia nuk të toleron vende parkimi por të mbyt në gjoba dhe për gabime elementare, oferta që të bën Kisha për një parkim të paqtë e pa gërvishtur telajon kund, duket sikur është falja e parë që ajo i bën natyrës makute njerëzore.
Përballja e parë me elementët që përbëjnë Kishën dhe Manastirin është një kryq me Krishtin e kryqëzuar, e pak metra më tutje ndodhet statuja e Maries me Jezusin në krah poshtë së cilës është shkruar “Ave Maria”. Ndërsa në majë të kodrës një kryq madhështor i bardhë dhe i rrethuar me llamba, - të cilat funksionojnë natën për ndriçim, - duket sikur zotëron gjithçka përreth.
Këtu jemi në kuotën e 300 metrave mbi nivelin e detit.
Natyrisht, shumë nga pelegrinët zgjedhin që një pjesë të rrugës ta bëjnë në këmbë, duke u ngjitur përmes shkallëve nga ana e rrëpirës, ku si ke aritur në ballkonin e Kishës qyteti i Laçit shihet në pëllëmbë të dorë, madje nga ajo pikë shquhet lehtësisht dhe kaltërsia e Adriatikut. Po nga kjo kuotë mund të sodisësh lehtësisht edhe uljen e avionëve për në pistën e Rinasit.
Kisha e Laçit mban emrin e meshtarit françeskan Shën Antonit të lindur në Lisbonë në vitin 1195. Ajo është e njohur si kishë paleokristiane, në përbërje të së cilës është edhe një manastir dedikuar Shën Antonit të Padovës. Sipas Radio Vatikanit: “Françeskanët erdhën në Shqipëri rreth vitit 1241, dhjetë vjet pas vdekjes së Shën Antonit. Ndërmjet disa Kishave kushtuar shenjtit, ndërtuan edhe atë të Shna Ndout, në Sebaste, kishë që u ngrit rreth vitit 1300 dhe u rrënua më 1971”.
Tanimë pelegrinë të shumtë i drejtohen këtij vendi të shenjtë, duke drejtuar lutjet e tyre për qetësi, shëndet, harmoni e begati e për më shumë ngrohtësi shpirtërore.
Kisha e Shën Antonit të Padovës është dhe emërtimi zyrtar i saj sepse “Shna Ndou” është një shkurtim dialektor siç vjen në shqip emri Anton.
Historia e krishterimit thotë se Shën Antoni, vdiq në moshën 36-vjeçare, pas një jete shenjtore dhe për numrin e shumtë të mrekullive që i njihen. Një vit pas vdekjes, ai u kanonizua nga Papa Gregori IX.  Ndaj dhe sot mendohet se lutjet në këtë vend të shenjtë dëgjohen nga Shna Ndou, i cili vazhdon të bëjë mrekulli.
Vizitorët e Shna Ndout kanë  dy pika të rëndësishme referimi: kishën dhe shpellën e Shën Vlashit. Do të të duhet të zbresësh shumë shkallë që të mbërrish në shpellë. Dhe gjatë gjithë kësaj rruge besimtarët me të cilët ndeshësh të thonë pa pushim: “Zoti ju ndihmoftë” ose “Shna Ndou ju ndihmoftë”. Historia thotë se Shën Vlashi ka qenë ipeshkëv dhe jetonte në qytezën e lashtë të Sebastes, por paganët e ndoqën deri tek kjo shpellë ku u strehua dhe të pafetë e gjetën dhe e mbytën.
Në kthim mund të ndalesh edhe tek vendi ku ndizen qirinjtë e të bësh lutjet e tua.

 
Epilogu
Në territorin e kishës ndodhet edhe një dyqan ku nëse je lodhur nga rrugëtimi, hipja dhe ngjitja e shkallëve, mund të pish një kafe e të çlodhesh, por mund të blesh gjithfarë suveniresh me simbolin e kishës, atë të Shën Antonit, të Krishtit në kryq, madje dhe të shenjtores shqiptare Nënë Terezës. Dhe pas kësaj mund të zbresësh në këmbë përmes shkallëve, apo me makinën që ke parkuar "free". Sërish do të të duhet të kalosh mes përmes qytetit të Laçit, i cili nuk e ka më ngjyrën gri të dikurshme, pasi fasadat e reja e me ngjyra i japin një tjetër dimension këtij qyteti i cili vazhdon të jetë i ri.


No comments:

Post a Comment