Lufta në Ukrainë po
vazhdon. Jo me zjarr të hekurt, jo më asgjësime masive dhe tokë të djegur, dhe
as me kampe përqendrimi e shfarosjeje. Duket se Rusia e ka marrë qetësisht këtë
punë, sipas një shprehjeje, sinonimi i të cilës për popullin tonë si
flamurmbajtësi i saj është: “as e qep e as e shqep”, por që në thellësi të saj
është edhe më sinjifikative se kaq.
Lufta në Ukrainë po
vazhdon. Kjo do të thotë se situata e tensionuar do të vazhdojë gjatë. Dhe meqë
plasi, avazi duhet t’i shkojë deri në fund. Deklaratat dhe rezolutat zyrtare
janë njëra anë e medaljes dhe shkelja e syrit për flirtim është e njëjta
medalje, por nga ana e kundërt. Sepse të gjithë e nga pak, kanë përfitime nga
kjo luftë. Edhe depot me armatime kanë filluar të çprazen, edhe ushqimeve gati
për skadencë u gjendet vendi, edhe paraja qarkullon më shumë kur ka
intensifikim të jetës dhe shpenzim energjish të akumuluara.
Mjafton të themi se
një vendi si ky i yni, - që tanimë e kemi zhbërë bindjen si “shkëmb graniti
buzë Adriatikut”, sepse jemi të ndërgjegjshëm se ka përfunduar si kusur për
kamerierin, - përfiton nga lufta, në dukje e largët, qoftë dhe nga rritja
artificiale e çmimeve.
I keni parë çmimet në
markata? Doemos. Edhe vaji vegjetal, - të cilin mund ta përdorësh fare mirë për
motorin e makinës, - ia ka hipur kalit mbrapsht, ç’pret nga të tjerat?! Fjala
vjen, mielli që na vjen nga Serbia.
Por e kotë të qahesh,
kur dhe një fshatar që shet i palicensuar te cepi i rrugës, të thotë se meqë
është rritur karburanti, qepujkat e majdanozin do ta shesë ca më shtrenjtë.
Atëherë çdo presësh nga grosistët që furnizojnë supermarkatat.
Ne si shqiptarë, në
tre vitet e fundit na ka ecur mbrapsht, aq sa jemi bërë për t’u lutur, gjysma
në Teqenë e Abaz Aliut e gjysma tjetër në kishën e Shna Ndout. Se vetëm Zoti po
vuri dorë, pa shpresë tek të tjerët.... harrojeni.
Këto tre vitet e
fundit kanë qenë thagmë fare, më të vrullshme se vitet e revolucionit
demokratik 1990-1992, dhe më të errëta se revolucioni i vitit 1997. E filluam
me tërmetin, e vazhduam me pandeminë dhe tani po rrimë e bëjmë sehir ndeshjen
Rusi-Ukrainë.
-Plasi në Kuçovë.
Punëtorët po zihen me sipërmarrësit.
-Dua ta shoh me sytë
e mi katrahurën.
Meqenëse u bënë ca vite
që jemi atashuar në sistemin global të gjërave tutje-tu, edhe tek ne tanimë
mbërrijnë teoritë e konspiracioneve njëlloj me pjesën tjetër të botës, që thonë
se tërmetin na e bënë enkas me sistemin “Harp” që të na shkundnin ca, virusin
pandemik na e hodhën nga ajri që të na vaksinojnë e çipojnë e të na vënë në
rresht, dhe lufta në Ballkan, për hir të fuqizimit të sllavëve në Evropë, mund
të nisi nga Bosnja për t’u zgjeruar atje ku toka vazhdon të jetë e nxehtë këtu
e më shumë se 100 vite më parë.
Po teori konspirative
janë gjithsesi, bëjnë vaki dhe nuk dalin.
Për momentin jemi të
shtrënguar të mbushim hambarët me grurë, miell e vaj dhe t’u japim ndonjë leckë
me ujë e sapun tuneleve antiatomikë që na la Enveri e nuk arritëm t’i
shkatërronim dot. Përkundër të gjithë fasadës, politika jonë vazhdon të bëjë
groteskun, kur shtrin kabllin për lidhje “live” me qendrën e luftës duke i
dhënë fjalën Zelenskit të Ukrainës për një fjalim në Kuvendin Shqiptar. Dhe
presidenti në luftë veç ca këshillave gjysmë ultimative na kërkoi dhe ndihmë.
Domethënë ndihma humanitare.
-Na ka dërguar shtabi
i çetës. Partia ka nevojë për ushqim, veshmbathje dhe për pare. Prandaj erdhëm
që t’i marrim.
-Ju s’keni pse i
merrni, ne ua japim vetë. Mbledhim fshatin, i themi dhe...
Domethënë, ne i
kërkojmë Evropës ndihmë për rindërtimin nga tërmeti, të tjerët na kërkojnë ne
ndihmë. Kjo do të thotë se edhe nëse do të çojmë ndonjë kamion miell në
Ukrainë, na duhet ta blejmë te Serbi, e ta nisim bidivi.
-Po ti s'ke për vete
bre Kovi...
Ja të themi që e
shtrënguam ca më shumë rripin dhe nisëm për në Ukrainë një karvan me batanije
dhe fasule për ushtarët... po armatimet ku t’i gjejmë? Se Zelenski kërkoi dhe
armë. Ne depot i kemi sprazur me kohë, dhe në kohë paqeje madje. Se edhe si
popull jemi ca anapulla.
-S’di nga t’ia mbajë
i ziu njeri.
Kjo do të thotë se ne
vazhdojmë të jemi të papërgatitur për një ditë të zezë.
Por kur tjetri të
kërkon ndihmë, vihesh në siklet dhe mundohesh ta gjesh një zgjidhje.
Ne do japim ndihmën
tonë, se ca do kruajmë buxhetin edhe ca do t’i marrim borxh. Pavarësisht se
fatura shkon në kalimin e borxhit të jashtëm aty ku samari ynë nuk e mban. Por
me botën nuk do turpërohemi. Sepse përmendja e emrit “Albania”, në tregun
ndërkombëtar, për çështje humanitare, na vlen shumë në pjesën e bërjes së
propagandës, qoftë dhe që Evropa të na hapë derën e korridorit të cilën na e ka
premtuar.
-Përshëndete
bamirësen!
Dhe dora e dhunshme
shtyn kokën që të përkulet.
-Sigurisht që gazeta
do të ketë mirësinë të përmendi gjestin tuaj. Ne nuk do të harrojmë ta
informojmë...
Por fatura do të
rrëndojë po sërish mbi atë fëmijën e uritur, që pret të hajë një drekë më me
shumë proteina tek tryeza e zonjës së kamur.
Por zgjidhje ka
gjithmonë. Mjafton të vrasësh mendjen.
Ja për shembull:
Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm gjatë muajit Mars 2022, qeveria shqiptare
arkëtoi 29.94 miliard lekë ose rreth 299 milion dollarë më shumë sesa në muajin
Mars të një viti më parë, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2022, janë
arkëtuar 58.57 miliard lekë ose rreth 580 milion dollarë më shumë sesa në
tremujorin e parë të vitit 2021.
Është e dukshme që
pjesa më e madhe e tejkalimit të të ardhurave buxhetore ka ardhur prej rritjes
së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.
Ja ku dolën paratë.
Prandaj shqiptarë
shtrëngoni rripat, sepse një bord fantazmë do ta mbajë çmimin e karburantit aq
të lartë sa të dalin paratë e buxhetit dhe të proceseve humanitare ku Shqipëria
kërkon të jetë pjesë përbërëse me dinjitet e kokën lart. Dhe bordi në fjalë për
çudi kujtohet çdo fundjavë t’i fusë nga një rritje çmimit të naftës e benzinës,
edhe pse vendet e tjera të rajonit që furnizohen po nga e njëjta dorë, kanë të
njëjtat çmime si para luftës.
Epo natyrisht, atyre
nuk u ka kërkuar njeri ndihma në ushqime, veshmbathje, armatime, e sidomos në
pare.
No comments:
Post a Comment