Wednesday, May 11, 2022

Në kalanë e Prezës, me themele ilire e mure osmane


Shënime udhëtimi
 
Nga Leonard Veizi
 
Ajo është element i pandryshuar i qëndresës historike të shqiptarëve. Dhe jo vetëm i arbërorëve të mesjetës. Sepse më parë se kaq, muret e saj kanë përballuar luftërat e ilirëve vendas me të huajt, në krye të të cilëve ishin romakët...
 
...Nëse nuk do të largohesh shumë prej Tiranës, por kërkon që të paktën në fundjavë t’i largohesh zhurmave të saj dhe ambientit me akustikë shurdhuese, mund të zgjedhësh një atraksion turistik që të ketë edhe një kala si objekt qëndre. Sepse treva e Tiranës ka disa kala, malore dhe fushore. Në hartën dixhitale pulsojnë me të kuqe Petrela dhe Preza. Por janë edhe disa të tjera, që natyrisht nuk e kanë figuracionin e plotë por më së shumti janë mbetje të fortesave të dikurshme. Të tilla janë:
-Rrënojat e Kalasë së Dajtit në lartësi prej 1100 metra mbi nivelin e detit e që i përket antikitetit të vonë.
-Kështjella e Dorëzit -5 kilometra në lindje të fshatit Pezë - që është dhe më e vjetra në zonën e Tiranës, e që i takon shekujve IX-IV para Krishtit.
-Kalaja e Ndroqit, 387 metra mbi nivelin e detit, e cila ndodhet në periferi të Tiranës në anën e majtë të luginës së lumit Erzen.
Për Tiranën ka më shumë të dhëna se kaq, por që nuk përbëjnë kureshti për shkak se ato e kanë humbur krejtësisht funksionin edhe si elementë muzealë.
 
Të thëna enciklopedike
E meqë në Petrelë për herë të fundit kisha shkelur një vit më parë, në Prezë nuk isha ngjitur prej të paktën 20 vitesh. Përveç vlerave historike, nga Kalaja e Prezës të ofrohet një pamje mahnitëse e fushave të Tiranës, e sidomos prej saj shihet qartë edhe aeroporti ndërkombëtar i Rinasit i cili mban emrin “Nënë Tereza”.
Kalaja e Prezës është një kala e vogël, por gjithsesi cilësohet se është më e madhe se Kalaja e Petrelës. Enciklopedia të informon se ndërtimi i kalasë nisi në shekullin e XIV dhe përfundoi në fillim të shekullit të XV. Ajo i përkiste familjes feudale Topias. Kalaja ka formën e një pesëkëndëshi të çrregullt me kulla të rrumbullakëta në katër qoshe dhe me një kullë drejtkëndëshe rreth mesit të murit që shtrihet në drejtim Perëndim-Lindje. Padyshim, gjithçka thuhet me shkrim, tanimë mund të vërtetohet jo vetëm me fotografi, por dhe me pamje videoje.
Kalaja ka gjatësi 80 metra dhe gjerësi 50 metra. Pjesa e brendshme është e mbushur me një bar jeshil e shumë çlodhës.
Për mbrojtjen e kalasë shërbenin frëngjitë, të cilat janë të pranishme në të gjitha kullat. Me anë të tyre kontrolloheshin muret si dhe hyrja e saj. Sepse kalaja ka pasur vetëm një hyrje. Ajo ndodhet në mes të faqes jugore të murit rrethues, midis kullave 1 dhe 2. Për të bërë sa më të sigurt hyrjen, ajo është e mbrojtur nga një kullë katërkëndëshe. Porta e kalasë mbyllet nga sipër me qemer cilindrik të shtrirë.
Pusi në Kalanë e Prezës është ndërtuar nga osmanët të paktën 200 vjet më parë.
Kjo kala është Monument Kulture dhe mbrohet nga shteti.
Të gjitha çfarë cituam më sipër janë të njohura tashmë, sepse ato janë të bëra publike në çfarëdo faqe enciklopedike që si fjalë kyçe ka emrin: Prezë.
 
Rrugëtimi
Marr rrugën për në Prezë-Qendër. Udhërrëfyesi elektronik tregon se nga Kryeqyteti deri në Kala janë përafërsisht 24 kilometra, të cilët bëhen për 30 minuta me makinë. Por nga qyteti i Vorës, që është dhe qendra urbane më e afërt, deri në Prezë janë 7.4 kilometra rrugë që me makinë bëhen përafërsisht për 14 minuta. Kjo sepse një pjesë e terrenit është malor dhe natyrisht shpejtësia e makinës nuk i kap dot më 90 kilometra në orë, sa në autostradë.
Preza është një nga fshatrat më të lashtë të Tiranës. E njohur si qyteti Feniks për shkak të rrënimit dhe rindërtimit përgjatë shekujve. Kjo do të thotë se aty janë zhvilluar në vazhdimësi luftime për mbrojtjen e territorit apo për marrjen e tij nga të huajt. Në fakt, sipas të dhënave Preza-Qendër, në pesë shekujt e fundit ka pasur karakteristikat urbane të një qyteze. Pra nuk mund ta klasifikojmë thjesht si një fshat.
 
***
Rruga për në Prezë duket si një fortifikatë gjigante, sepse të gjitha muret rrethuese, të rrugës apo lokaleve buzë saj kishin zbatuar të njëjtën strategji, atë të mureve të kalasë. Ullinjtë ishin gjithashtu një tregues tjetër i vendbanimit të zonës që prej lashtësisë. Një pjesë e këtyre ullinjve me siguri datojnë nga epoka e Skënderbeut, i cili në ligjet e tij kanunore, përcaktonte që çdo çift i sapomartuar duhej të mbillte dy rrënjë ulliri. Sepse kjo pemë që në lashtësi është konsideruar e shenjtë, simboli i paqes, por dhe simbol i pavdekësisë.
Megjithatë, vendasit të thonë se ka dhe ullinj më të vjetër se sa ata të epokës së Skënderbeut.
 
Në destinacion
Vendasit, apo prezjanët, njihen si njerëz të butë e fort miqësorë. Nuk përtojnë të më ndihmojnë të parkoj makinën dhe më sigurojnë të vazhdoj agjendën time pa merak sepse aty askush nuk ngacmon asgjë. Nuk marr të përpjetën që të çon më afër kalasë, pasi qëllimi im nuk ishte të shtrohesh në restorant me mish qengji, tavë dheu e raki fshati, por të rinjihesha me zonën përreth, vend në të cilin kisha shkuar për të bërë një reportazh televiziv në vitin tashmë të largët 2001. Aty mësova për herë të parë se kalaja e Prezës ishte e lashtë, me themelet e mbetura nga epoka ilirike, por e rindërtuar nga osmanët pas vdekjes së Skënderbeut. Dhe këtë ma tha për mikrofonin e televizionit një burrë i mençur e shumë i lexuar, që në moshë ishte 87-vjeçar. Nuk e mbaj mend emrin e tij dhe pse në arkivën time të detajuar, ky reportazh mungonte në një kasetë VHS-je.
 
***
Është ditë pushimi por turistët janë të paktë. Rruga që na dikton drejt hyrjes në kala, është e shtruar me kalldrëm. Një pjesë e territorit të brendshëm të kalasë është kthyer në një kantier ndërtimi. Kulla e Sahatit, por që sigurisht ka shërbyer edhe si një kullë vrojtimi, është rrethuar nga skelat dhe i është nënshtruar rikonstruksionit. Tërmeti i nëntorit të vitit 2019 preku rëndë kalanë historike te Prezës e cila u dëmtua në disa pjesë të saj. Qeveria shqiptare përmes VKM Nr. 213 vendos të financojë për restaurimin e pasurive kulturore ku përfiton edhe Kalaja e Prezës. Veç kullës, ndërtesa tjetër dominuese brenda kalasë është edhe xhamia prej guri.
Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb i cili zgjatet duke u ulur në drejtim të veri-jugut. Ana lindore e kalasë është e mbrojtur nga vetë terreni, kurse ana perëndimore përbën një territor të sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqendruar pikërisht në këtë pjesë.
Përmasat e vogla e klasifikojnë këtë kala si një objekt që ka shërbyer për vëzhgimin e rrugëve të rëndësishme ekonomike dhe ushtarake, që kalonin nëpër fushën e Tiranës. Duke u nisur nga sipërfaqja,  specialistët mendojnë se ajo nuk duhet të ketë shërbyer për banim, por ka pasur vetëm funksion ushtarak. Kalaja në fjalë përbën edhe një pikë komunikimi vizual ose të përcjelljes së mesazheve nëpërmjet sinjaleve me zjarre ndërmjet kalasë së Petrelës e të Krujës.
Në një pikë strategjike, - në territorin e një restoranti, nga ana perëndimore që sheh mbi fushë Prezë, - janë vendosur një palë dylbi ushtarake, me të cilat mund të vëzhgosh terrenin përreth, pa hedhur monedha, e pa shpenzuar asnjë qindarkë, ashtu siç ndodh në të gjitha pikat e vrojtimit të qyteteve evropiane, ku të duhet të sodisësh terrenin.
Nga kjo pikë e Kalasë së Prezës të ofrohet një pamje e mrekullueshme e fushave të Tiranës dhe sidomos e aeroportit, ku mund të shohësh uljen dhe ngritjen e avionëve civilë, për të cilit kohët e fundit raportohet se bëhen më shumë se 100 fluturime në ditë.
 
Epilogu
Jeta në Prezë, ka ndryshuar tanimë, po ashtu si në të gjithë Shqipërinë. Ndërtimet e reja e shumë më komode dominojnë mbi ato të ndërtuara prej vitesh e më arkaike, e në disa raste gjysmë të rrënuara. Rruga që të çon deri në qendër të Prezës përgjithësisht është e mirë dhe mund të udhëtosh me lehtësi.  Pranë murit të kalasë fiksoj një lapidar që i është kushtuar dëshmorit Vesel Xhebexhiu, i çetës partizane të Prezës. Aty pranë është dhe shkolla e mesme e bashkuar “Shaban Sheshori”, e cila gjithashtu të jep përshtypjen e një fortifikate me gurët e përdorur në murin rrethues. Gjatë zbritjes mund të ndalosh për t'u freskuar edhe në dy burime me ujë të ftohtë, të cilat gjithashtu janë punuar me elementë guri.
Dhe kështu je larguar nga Preza e gurtë e qëndresës shqiptare.

No comments:

Post a Comment