Friday, May 13, 2022

Shokë fshatarë, shisni Benzat e blini nga një gomar!


Nga Leonard Veizi

 
Në Marenën e Melit, teto Ollgës dhe të sekretarit Salë, fshatarët kishin shitur gomerët e kishin blerë biçikleta. Por përsëri njerëzia punonte në ara dhe asnjë pëllëmbë toke nuk mbetej pa mbjellë. Ishte koha kur kërkohej medoemos që buka të prodhohej në vend, e të mos i shtrinim dorën armikut. Dhe siç mbillej gruri për njerëzinë mbilleshin dhe foragjeret për bagëtinë.
Kjo do të thoshte se mirë apo keq, ia dilnim që stomakun ta mbushnim me forcat tona. Për të tjerat, llafosim.
Ca vite më vonë njerëzit u turrën në emigracion, e fushat, - që dikur dukeshin nga ekrani si det me dallgë ngjyrë kafe prej grurit me kallinjtë që i mbani kryet poshtë, - u kthyen në djerrë. Djemtë e rinj i hodhën në kazanin e plehrave biçikletat se kishin blerë nga një “Benz” me të cilin vinin vërdallë aty në fshat me qëllimin e mirë, që t’i prishnin mendjen ndonjë vajze. Por Benzi kishte vlerë dhe kur dilje shëtitje në qytet. Prandaj i thanë vetes: ku paskemi qenë. Dhe bashkë me propagandën dhe mënyrën e drejtimit të shtetit, nxorën nga qarkullimi dhe punën agrare dhe idenë hipotetike se ndoshta kishte ndikuar në sloganin: Toka i takon atij që e punon. Ndaj për ta hequr qafe jetën prej argati shpejtuan që tokën bujqësore ta kthenin në truall. Aty të ndërtonin shtëpi e pallate, sa po të ngrije kokën përpjetë të binte kapela.
Dhe kjo u kthye në trend. Sepse dora kishte zënë ca para dhe gjërat që nuk kishin vlerë, - si parmenda fjala vjen – u çua për skrap.
Tanimë në fshat ka shumë e më shumë Benza dhe fare pak traktorë. Dhe për çudi tani fshatrave të Shqipërisë as gomerë nuk gjen dot. Ajo kafsha e vogël shtëpiakë me samar, të cilën e përdornin dhe për të mbajtur ujë në dasma por dhe për të transportuar shkarpa, qereste e gjithfarë gjërash të tjera. Se gomarin, pavarësisht se e trajtojnë për budalla, të paktën barrën di ta mbajë.
Në fakt njerëzit e fshatit donin të kapnin kohën, atë që nuk kishte arritur ta bënte as sistemi i kaluar edhe pse e kishte si moto parullën: “Ta bëjmë fshatin si qytet”.
Ca kohë ishte turp të bëje punë fshati. Fjala vjen: të milje dhitë, të tundje dybekun për dhallë apo të korrje grurin me drapër. Le që nuk ke si e korr po nuk e pate mbjellë. Toka e bukës nuk kishte vlerë se vinte gruri e mielli rifuxho nëpër hambarët e anijeve, sa të hanin derrat e dosat bashkë. Çfarë nuk prodhon bota. Edhe qumësht dallëndysheje po të kërkosh ta sjellin me avion çarter. Ndërsa në treg lakmohej ai lloji tjetër i tokës, që quhej: truall.
Investimi më i madh sot është tek tabelat, për t’i bërë sa më të dukshme buzë rrugës që të mund të shihen lehtësisht nga ata që udhëtojnë me makina. “Toka shitet”, pak më poshtë njoftimi vazhdon “me letra”, ose versioni tjetër “me hipotekë”.
Alamet okazioni.
Po pa letra?
Jo, se ka dhe treg të zi.
Njerëzit e fshatit mblidhen te lokali me vetrata e kolltukë meshini dhe pinë uiski nga shishja me etiketë, prodhuar kush e di në çfarë bodrumi me alkool të pakontrolluar, sepse nuk kanë mbjellë mjaftueshëm rrush e kumbulla aq sa të bëjnë rakinë e tyre të paktën, pa hile e që të mos u dhembi koka kur të ngrihen nga gjumi.
Pse të rrish e t’i futesh punëve plot mundim të fshatit, kur mund të bësh jetën e qytetit.
Ndaj ikën dhe stallat e bagëtive. Kur ua mori Enveri s’lanë gjë pa thënë. Tani s’ka nevojë, se i dorëzojnë vetë me qejf në “kooperativë”, mjafton që me paratë e bagëtive të blihet një Benz.
Mirëpo majat janë rripa-rripa e me kthesa. Erdhi kriza. Dhe ajo t’i kthen përmbys të gjitha planet. Ndaj kush nuk ka arritur që tokën bujqësore ta kthejë në truall është e mira ta mbajë ashtu siç është. Në kohët e këqija, një ngastër me grurë vlen më shumë se një pallat.
Para pak ditësh më tërhoqi vëmendjen një lajm. Telat Xhaferri, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, pas një vizite në Ukrainë kishte dhënë një deklaratë për mediat ku mes të tjerash ishte shprehur. “Çështja e parë që më ra në sy ishin tokat bujqësore të punuara dhe të mbjella. Nuk kishte pjesë të tokës pa punuar dhe pa mbjellë.”
Pikë e zezë. Këta ukrainasit dhe në luftë edhe me toka të mbjella. Se ne kujtonim se tokat asaj ane do kishin mbetur të shkreta.
Por njerëzit do jetojnë, edhe në luftë.
Shokë fshatarë, kriza që na ka mbërritur me rritje çmimesh duhet zgjidhur në njëfarë mënyre. Ndaj ka ardhur koha: Shisni Benz-at e blini ndonjë gomar e ndonjë pendë qè, se u duhet për punë, për të lëruar arat e për të transportuar qereste, e jo për të bërë xhiro “bulevardit” të fshatit.

No comments:

Post a Comment