Nga Leonard Veizi
Vera e vitit 1934 nuk solli vetëm
një valë të re nxehtësie politike në Gjermani, por shënoi çastin brutal kur
diktatura hoqi edhe maskën e fundit të ligjshmërisë. Në atë kohë, Adolf Hitleri
mbante titullin Kancelar, por nuk ishte ende perandori absolut i jetës dhe
vdekjes së gjermanëve. E majta politike ishte shtypur me dhunë, ndërsa sallat e
parlamentit ishin zbrazur tashmë nga çdo zë kundërshtar. E megjithatë, makthi
më i madh i Hitlerit nuk po lindte jashtë mureve të Reishtagut, por po rritej
kërcënueshëm brenda vetë radhëve të tij. Rreziku më i madh i kanosej nga djemtë
e SA-së, nga ata milicionë me këmisha të kafenjta që kishin shërbyer si
"muskujt" dhe grushti i hekurt që e kishte ngjitur në fron. Kur
besnikëria e tyre filloi të kthehej në një pretendim për pushtet, Adolf Hitleri
nuk hezitoi. Ai zgjodhi zgjidhjen më të vjetër dhe më të pamëshirshme në
historinë e tiranëve: tradhtinë ndaj shokëve të tij të armëve...
...Ajo që ndodhi
mes 30 qershorit dhe 2 korrikut 1934 nuk ishte "spastrim". Ishte një
masakër e ftohtë, e llogaritur, që i dha emrin e përgjakshëm: Nata e
Thikave të Gjata. Me atë natë, Hitleri nuk eliminoi vetëm rivalët. Ai vrau
idenë se në Gjermani ekzistonte ende ligj.
Prapaskena
Thelbi i krizës
ishte i thjeshtë dhe cinik. Ernst Rom dhe 3 milionë anëtarët e SA-së donin
"Revolucionin e Dytë". Donin të zëvendësonin ushtrinë aristokratike
me turmën e tyre të dhunshme. E donin pushtetin që u ishte premtuar në rrugë.
Por Hitleri kishte
plane lufte, dhe për luftë duhen gjeneralë, jo rrugaçë me këmisha kafe. Elitat
ushtarake dhe presidenti plak Hindenburg e urrenin SA-në. Dhe Hitleri,
pragmatist deri në krim, zgjodhi gjeneralët.
Himmler dhe Gering,
arkitektët e terrorit që do të vinte, i dhanë pretekstin: raporte të sajuara
për një "grusht shteti" të Rom-it. Hitleri e dinte që ishte
gënjeshtër. Por e vërteta nuk i duhej. I duhej një justifikim.
Spastrimi
Ajo që pasoi ishte
skena e një shteti që kthehet në bandë mafioze. Vetë Hitleri, në mëngjesin e 30
qershorit, shkoi në Bad Wiessee dhe i arrestoi ish-shokët e tij në gjumë. Një
gjest që tregon jo forcë, por frikë dhe poshtërsi.
Rom-it iu la një
pistoletë në qeli. "Nëse do të më vrasë Adolfi, le ta bëjë vetë,"
tha. Dhe Hitleri e bëri përmes dy oficerëve të SS-së. Dhe ky detaj nuk është
anekdotë. Është thelbi moral i nazizmit: frikacakë që vrasin nga pas.
Lista u zgjerua
shpejt. Nuk ishte vetëm SA. Ishte çdo zë që mund të bëhej problem:
ish-kancelari fon Shlajher,
rivali Gregor Shtrasër,
Gustav fon Kar që i kishte
prishur puçin në 1923. Regjimi foli për 85 të vrarë. Historianët numërojnë deri
në 200. E vërteta është se numri nuk ka më rëndësi kur vritet vetë ligji.
Pasojat
Më 13 korrik,
Hitleri doli para Raishtag-ut dhe shpalli veten "Gjykatës Suprem i
popullit gjerman". Parlamenti, i tmerruar, e ligjëroi vrasjen. Në atë çast,
Gjermania vdiq si shtet ligjor.
Ushtria
duartrokiti eliminimin e SA-së. Dy javë më vonë, kur vdiq Hindenburgu, e kuptoi
gabimin: Hitleri bashkoi postet dhe u bë “Führer”. Dhe ushtria u betua jo në
kushtetutë, por për të. Betim që e çoi drejt Stalingradit dhe ferrit.
SA-ja u tret.
SS-ja e Himmlerit mori fronin e terrorit. Makineria e Holokaustit sapo kishte
gjetur motorin.
Mësimi
“Nata e Thikave të
Gjata” nuk është histori gjermane. Është manual për çdo autokrat: Krijo një
armik të brendshëm. Vriti miqtë kur nuk të duhen më. Shpalle krimin
"vetëmbrojtje të shtetit". Bëj parlamentin të duartrokasë vrasjen.
Hitleri atë verë
tregoi se nuk kishte vijë të kuqe. As miqësi, as besnikëri, as ligj. Kishte
vetëm etje për pushtet absolut. Dhe bota, që e pa dhe heshti, e pagoi çmimin
pak vite më vonë.
Kjo është arsyeja
pse e kujtojmë ende: sepse çdo herë që një lider e vendos veten mbi ligjin në
emër të "shpëtimit të kombit", jehona e atyre thikave dëgjohet
sërish.

No comments:
Post a Comment