Nga Leonard Veizi
Truri ynë është aq i aftë sa e çon trupin për kontroll mjekësor. Bëjmë analizat e gjakut, kontrollojmë kolesterolin, sheqerin, tensionin, mëlçinë, veshkat. Bëjmë EKG-në për të parë nëse zemra punon siç duhet. Bëjmë skaner, rezonancë, ekografi. Me një fjalë, përpiqemi të dimë çfarë po ndodh brenda trupit, përpara se një shqetësim i vogël të kthehet në sëmundje.
Por ka një pjesë të njeriut që vazhdon të mbetet jashtë këtij kontrolli: truri dhe shëndeti ynë mendor e emocional. Dhe pikërisht këtu kemi boshllëkun më të madh. Sepse njeriu nuk sëmuret vetëm nga ajo që i ndodh zemrës. Sëmuret edhe nga ajo që i ndodh mendjes. Nga stresi i zgjatur, nga ankthi, nga depresioni, nga traumat e pambyllura, nga zemërimi i akumuluar, nga pagjumësia, nga izolimi, nga paaftësia për të menaxhuar konfliktin. Ka njerëz që ecin në rrugë me një trup krejtësisht funksional dhe me një botë të brendshme që është bërë rrënojë.
Por ne këtë nuk e kontrollojmë.
Presim që dikush të ketë një problem serioz me zemrën për ta çuar te kardiologu. Por kur dikush është i irrituar prej vitesh, shpërthen për gjënë më të vogël, nuk kontrollon dot agresivitetin, nuk fle, konsumon gjithnjë e më shumë alkool, jeton në ankth ose mbyllet krejtësisht në vetvete, shpesh i themi: "Kështu e ka karakterin".
Ndoshta jo.
Ndoshta kemi mësuar të quajmë "karakter" atë që në mjekësi quhet çrregullim i patrajtuar. Kemi normalizuar patologjinë.
Krimet e shumta, dhe veçanërisht ato të kryera me një brutalitet të pakuptimtë, duhet të na detyrojnë të mendojmë edhe për këtë anë të errët të shoqërisë. Jo për të gjetur një diagnozë pas çdo krimi dhe as për të justifikuar një vrasës me sëmundjen mendore. Shumica dërrmuese e njerëzve me probleme të shëndetit mendor nuk janë të dhunshëm - përkundrazi, janë më shpesh viktima sesa autorë.
Por një shoqëri që prodhon kaq shumë stres, konflikt, pasiguri ekonomike, varësi, vetmi dhe zemërim, duhet të pyesë veten me ndershmëri: çfarë po ndodh me shëndetin psikologjik të njerëzve të saj? Sa ngarkesë mban një njeri përpara se të këputet? Sa net pa gjumë? Sa poshtërime në punë? Sa borxhe që nuk mbyllen? Sa konflikte familjare që trashëgohen? Sa humbje që nuk u vajtuar kurrë? Sa zemërim i mbledhur në heshtje?
Sa kohë mund të jetojë një njeri me një bombë emocionale brenda vetes dhe ne të presim prej tij që të sillet gjithnjë me qetësinë e një laboratori?
Ndoshta kemi ardhur në një pikë ku nuk mjafton më të pyesim sa e kemi sheqerin në gjak. Duhet të pyesim edhe: Si po fle? A ke ankth? A ke humbur dëshirën për të jetuar? A shpërthen shpesh? A ndihesh i pafuqishëm? A ke mendime që nuk i kontrollon dot? A ke nevojë të flasësh me dikë?
Këto pyetje nuk janë luks perëndimor. Janë pjesë e kujdesit parësor shëndetësor. Në Shqipëri, ku ende e konsiderojmë psikologun si "për të çmendurit" dhe ku sistemi i depistimit mendor në shkolla është formal, ne po humbasim mundësinë për të kapur në kohë tragjedinë.
Dhe kjo duhet të nisë që në shkollë, të vazhdojë në sistemin shëndetësor dhe të bëhet pjesë normale e kontrolleve periodike. Jo si një etiketë për t'i shpallur njerëzit "të sëmurë", por si një mënyrë për të kapur në kohë problemet përpara se ato të bëhen kronikë e lajmeve.
Është absurde që një shoqëri të kontrollojë me kujdes zemrën e njeriut, por të mos interesohet fare se çfarë po ndodh në kokën e tij.
Një shoqëri serioze nuk pret gjithmonë krimin, tragjedinë apo viktimën për të kuptuar se dikush kishte nevojë për ndihmë.
Ndoshta duhet të fillojmë ta bëjmë "check-up" edhe aty ku nuk shkon zakonisht stetoskopi: në mendjen e njeriut.

No comments:
Post a Comment