Leonard Olli dhe Leonard Veizi gjatë promovimit të romanit "Lora" |
Të zbulosh rrënjët e tua, thelbin e komunitetit, me të cilin bashkëjeton e bashkëvepron është një mision i vështirë që kërkon jo vetëm njohuri shumë disiplinash, por edhe bashkëpunëtorë. Ende sot e kësaj ditë vijojnë debatet juridike, sociale e politike nëse kombi është “komunitet njerëzor i karakterizuar nga ndërgjegjja e identiteti historik e kulturor dhe shpesh prej unitetit të gjuhës dhe të fesë” (fjalori francez Hachette) apo “akti i dëshirës për të jetuar së bashku, vullnetit për të ndjekur trashëgiminë e vlerave shpirtërore” (Ernest Renan). I pa shqetësuar për sa më sipër, Leonard Veizi, sjell para nesh në këtë publicistikë kaq të spikatur, individin shqiptar, pjesë e një kombi, duke i dhënë mundësinë kujtdo të përzgjedhë definicionin e tij.
Sarkazma për ‘katandisjen’ e nivelit të politikës në vend ose bëmat e baballarëve të kombit, vijnë para lexuesit me humor të hollë, qesëndisje elegante, e të ndërthurur këndshëm, për aq sa duhet, me një fjalor “banal”, që i jep lezetin një gatimi mbresëlënës, ku shija “djegëse” është qershiza mbi tortë....
Gjuha e një skenari të përsosur e një Blac Comedy (komedi e zezë), e cila fshikullon pa mëshirë problematika sociale, paradokset absurdë qeverisës “zbutet” me elementë dialektizmi të gjetur e humorin fin.
Po kaq befasues është vëzhgimi i tij i thellë në realitetin e përditshëm të shqiptareve, nga “tallavaja” e zgjedhjeve si dështimi më i suksesshëm i demokracisë tranzicionale shqiptare, politizimi i tejskajshëm i shqiptarëve që janë gati të bien theror për partinë e zemrës (xhepit), duke harruar veten dhe familjet e tyre, e deri te tavolina e famshme e ndërrimit të viteve. Udhëtimi i Veizit në jetën e shqiptarit është pa as më të voglin dyshim tre dimensionalësh, duke fshikulluar demagogjinë qeverisëse, apo elitën drejtuese, thelbin e mendësive tona e deri në transformimet urbane e bjerrjen e vlerave të trashëgimisë sonë shpirtërore e kulturore. Por, mos u frikësoni! Humori i hollë që do të ndeshni në çdo paragraf jo vetëm do ta “lehtësojë ndjeshëm dhimbjen” për çka vuajmë ne shqiptarët e rinj, sikundër na dallon autori, por dhe do t’ju bëjë ta “përtypni” më lehtë, duke qeshur, edhe fort në mjaft raste....
Veizi si një “patolog” i kujdesshëm e shtrin “vizitën” edhe më tej, duke dëshmuar ekspertizë edhe në disiplina të tjera. Ai sjell para publikut, me një gjuhë të shkathët e trajtim plot ngjyra, realitete urbane, fizike e shpirtërorë, si bashkësi instilacionesh, duke na kujtuar se ne këtë mjedis të gjithë lemë gjurmët tona.
Autori në këtë zinxhir publicistikash nuk mbetet thjesht e vetëm në stadin e konstatimit, por mjeshtërisht parashtron vëzhguesin e vëmendshëm edhe në detaje që ndodhin para syve tanë, por që i anashkalojmë me apo pa ndërgjegje.
Në ironinë therëse të Veizit nuk mungon as vëmendja ndaj rolit dhe peshës që i është dhënë fushës së edukimit e figurës së intelektualeve në fundshekullin e XX dhe fillimit të atij të XXI-të.
Lidhja e së tashmes me të shkuarën e diktaturës, nëpërmjet një retrospektive tejet interesante, dëshmon atë që sociologët pohojnë me forcë se, ndryshimi i mendësive qoftë të krijuara qoftë të imponuara kërkojnë kohë dhe mundim të ndryshojnë. Teksa lexon se çfarë kërkon shqiptari i ri, edhe pse në një lloj paralelizmi konceptual me poemën “kadareane” apo përkufizimet “koniciane”, gjithkush ka mundësinë të bashkudhëtoje me të, sa para e pas në kohë, në gjithë skutat e jetës praktike e shpirtërore të çdo njërit prej nesh.
Nuk është aspak qëllimi i Veizit të shpalosë dimensionin e tij si një njeri me njohuri komplekse e aftësi vëzhguese kaq të mprehta, as nuk dëshiron që udhëtimin e tij ta konsiderojë si të pacenueshëm. Ai është thjesht vetvetja, duke fiksuar çdo gjë, si një aparat digjital, me mijëra shkrepje në fraksione sekonde, për të sjellë po aq organikisht në vëmendjen tonë. Shoqëria jonë heziton të njohë vetën, ka frikë nga sarkazma e autosarkzmës, pasi ende nuk jemi të gatshëm të përballemi me të vërtetën apo të shohim veten tonë thellë në sy para pasqyrës.... Këtë e bën Veizi, sa thjesht aq edhe të detajuar, sa hidhur në pasqyrim, aq “ëmbël” në përshkrim plot humor e ironi, sa dhimbshëm aq edhe shërues, pasi e vërteta shëron!
Koha është gjykuesi më i mirë për gjithçka, por kam bindjen se shqiptari i së ardhmes do të kuptojë pa as më të voglin shqetësim se kush ishte shqiptari i ri i së tashmes sonë, ku “kërkesa e dytë, e rrëzon gjithmonë të parën.....”
No comments:
Post a Comment