Friday, October 2, 2020

Bukë me vete


Nga Leonard Veizi
 
Nuk mund të qëndroja indiferent ndaj një titulli gati-gati dramatik, që vinte si “dhuratë” nga mediat on line, e ku në rastin konkret thuhej se zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, kishte surprizuar publikun duke thënë në një emision televiziv se shefi i tij, por dhe i gjysmës së kombit shqiptar, e merrte bukën me vete dhe hante në zyrë.
U çudita fort.
Të ketë përfunduar në këtë farë derexheje një alamet kryeministri, zyra e të cilit mund të jetë sa një gjysmë fushe futbolli. Se ne këtej nga Shqipëria Republikë e kemi ca si ndryshe. Zyra është për punë, dhe për të gostitur ndonjë mik me xhin apo uiski. Për të ngrënë kemi restorantet. Përse Hoti ka zgjedhur të ushqehet në tavolinën e punës?
M’u ngritën ca pikëpyetje.
Tani dy mundësi ka, ose Avdullah Hoti është hollë nga paratë dhe s’ia mban xhepi të drekojë si njeri ku t’i shkojë e t’i shërbejë një kamerier me papijon, por dhe ta ruajnë nja dy-tre badigardë pas shpatullave, ose Prishtina është keq me restorantet e gatimet dhe kryeministrit i duhet të sorollatet andej-këndej deri sa të gjejë një mejhane të hairit.
Media on line nuk po e tepronte me titujt.
Kjo është vërtet dramatike.
Prandaj Hoti i bie shkurt: merr bukë me vete. Edhe paratë i kursen në këtë mënyrë. Se ç’është e vërteta, restoranti të vret ca, sidomos po të zbrazësh ndonjë shishe verë të vjetër, kush e di sa kripë merr fatura.
Megjithatë, kjo nuk duhet ta tutë një burrë shteti. Se ka të bëjë dhe me prezencën në sy të njerëzisë. Ka ndonjë që ma kundërshton këtë që po them...?
Po mor, si në kohën e xhaxhit akoma ne, kur hipnim në autobus “Shkodra” me dy feta buke të lyera me vaj e kripë, ca djathë e ndonjë domate, por dhe ndonjë presh të shkurtuar nga fletët e gjata, e të mbështjella me gazetën “Bashkimi” se me “Zërin e Popullit” të zinte belaja dhe e ec të gjeje vrimë ku të futeshe, nëse fotografia e komandantit ndyhej me gjësendi.
Përpos shakasë, apo ironisë pa vend.
Kultura e “bukës me vete” ka humbur te shtresat e larta të shoqërisë, por dhe tek ato të mesme. Vetëm punëtorët e ndërtimit dhe ata të minierave kanë mbetur me të kaluarën. Njerëzit që e kanë kapur disi veten, tanimë nuk e kthejnë më kokën pas. Iku koha e bukës 50-lekëshe. Madje, shumë prej tyre nuk njohin më as gjellën e shtëpisë. Menyja ka ndryshuar rëndshëm. Për mëngjes nuk ka më trahana, por briosh e kakao. Në drekë është sikterisur pjata e fasuleve dhe qepa e Bozhigradit dhe vjen: pjatë e parë, pjatë e dytë pjatë e tretë, sipas midesë dhe menysë së restorantit. Darka duhet ca e lehtë, që të flihet mirë, ndaj në vend të përsheshit me kos preferohet ca salmon i tymosur me garniturë e ndonjë shishe “Chardonnay”. E shëndetshme sa më s’ka. Jo si tek ai filmi i Kinostudios: “Kur hapen dyert e jetës” ku doktor Bardhylin e pritën në majë të malit me dy kokrra vezë e pak djathë, “gjellë e shpejtë dhe me shumë kalori”. Me çfarë do ta mundte ai të ftohtët e borës? Kalori i thënçin. Të binte barku në tokë. Tani po, janë bërë shtresat e dhjamit palë, aq sa nuk hyn dot as plumbi e jo më i ftohti.
Prandaj nuk ka më bukë me vete. Se buka me vete të kondicionon, maksimumi mund të marrësh dhe një vezë të zierë, po karkaleca apo ndonjë pjatë të ftohtë me fruta deti s’ke ku e gjen.
Pastaj si mund të marrësh bukë me vete?!
Se të jesh me kostum e kollare, e të hash sipër tastierës së kompjuterit, kjo sikur nuk shkon. Pa mund të të pikojë vaji në pantallona e dukesh keq.
Lëre fare më mirë.
Dhe sërish dalim te mundësia, sa të mban xhepi e sa të mbajnë shpatullat t’ia fusësh mëngjes drekë darkë në restorant. Apo... ka para shteti. Se derisa anëtarët e kabinetit dhe sa të tjerë me poste jo të pakta, ky shtet e ky buxhet i mban me benza të modelit të fundit dhe karburant pa triskë...
Dhe dolëm tek transporti. Kësaj i thonë të hidhesh nga dega në degë. Domethënë “nga ndërzimi artificial tek amerikanët në Vietnam”.
Dhe vjen pyetja e radhës: sa burra shteti preferojnë të marrin transportin urban për të shkuar në zyrë?
Mos more, ç’na the. Se u bëmë si këmbët e dhisë. Nuk ndajmë dot të parin nga i dyti.
Po sa të tjerë dalin të bëjnë shpenzimet e ditës me ndonjë shportë me vete, të shkojnë tek tregu fshatar e të zgjedhin domatet e kungujt, apo të ngarkojnë mbi supe ndonjë thes me patate e ta çojnë në shtëpi?
Ja, tani e djallose fare më duket. Do të na duken ministrat si hamej.
Ndërkohë shfletojmë azhanset përtej kufirit shtetëror.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është fotografuar duke shëtitur nëpër supermarket me karrocën e ushqimeve.
Edhe Boris Xhonson i Anglisë është fotografuar duke bërë pazar me biçikletë.
Kryeministri suedez, Stefan Loven, gjithashtu përdor transportin publik për të shkuar në zyrën shtetërore. Domethënë i hipën autobusit dhe bën ca rrugë në këmbë. Edhe për këtë ka fotografi e video sa të duash.
Dhe nuk po vazhdojmë më tej, se po kështu janë dhe drejtuesit e lartë të Danimarkës, apo Norvegjisë.
Po në Shqipëri???
Harroje. Vetëm kur është fjala për ndonjë fushatë publicitare. Ne nuk jemi nga ata. Shyqyr që na u hapën sytë. Kollaj ta harrojmë autobusin fizarmonikë ku mblidheshin me kuç e maç gjithfarë robsh që shkonin të punonin në Kombinat, te NISH Kimikja apo te Poligrafiku.
Po “bukë me vete”, a ka zyrtar të rëndësishëm nga ata të shtetit, i cili bashkë me letrat e punës, të fusë në çantë edhe pak bukë të përgatitur nga gruaja, me shumë dashuri, në tryezën e shtëpisë së tyre???
Ky, me siguri, është ndonjë fenomen që ndodh rrallë. Sepse edhe në rastin e pandemisë, kur u mbyllën kafenetë e restorantet u gjet zgjidhja: ushqimi i preferuar ishte një telefonatë larg. Dhe ta binte mu të hunda një motoçiklist që garonte nëpër rrugë me shpejtësi marramendëse.
Tani po jetojmë kohë të tjera, mijëvjeçari i ri, teknologjia e lartë. Të qenët i thjeshtë shihet si kompleks inferioriteti. Të dalësh në pazar me gruan e të mbash çantat e mbushura me oriz e makarona të paketuara, dukesh si katundar i zbritur në qytet. Të marrësh bukë me vete dukesh edhe më keq: si punëtor komunaleje apo si saldator me kategori të tretë.
E ç’të mbetet pas kësaj...
 

No comments:

Post a Comment