Friday, September 25, 2020

Flutura Açka dhe “Biri”, një libër për të gjallët


Nga Leonard Veizi


Përtej asaj që është e mundshme, në krejt pamundësinë e saj, me një sforco gërryese, ethëse, të brishtë dhe shpërbërëse hera-herës, ajo arriti të ngrihej me plagën e pambyllur. Mori pak letër..., dhe mori një penë. E nisi të shkruajë...

“Nuk është e lehtë për prindin ta lyejë bojën me të zezë...” kishte shënuar më parë se kaq, në faqen e ftohtë të ekranit, teksa në një çast përhumbjeje, në mosbesimin e vazhdueshëm për të mos pranuar fatin deri në skajin më ekstrem, vendosi t’u japë miqve lajmin e trishtueshëm, se djali i saj i vetëm, në një pamundësi jete shkoi përtej, atje ku askush nga të gjallët nuk e di, në është ferri i frikshëm dhe djalli ndëshkues, apo parajsa e pretenduar, shtruar me bardhësinë hyjnore.

Tashmë, e gjithë jeta e saj është e lexueshme, faqe pas faqesh, në një libër me titullin aq të shkurtër, por të gjithëkuptimtë: “Biri”.

Ngushëlluese dhe po aq njerëzore. Sepse është një libër i shkruar për më të dashurin, pjesë e trupit dhe e gjakut; pra vetvetja. E, pa dyshim, është dhe një ngarkesë emocionale, e cila nis të shkarkohet për të të krijuar një lehtësim të përkohshëm, të çuditshëm e, hera-herës, indiferent. Kjo është jeta, dhe ne nuk kemi në dorë asgjë, edhe pse luftojmë aq fort për të qenë mbi dhe, pjesë e një cikli sa të bukur, aq edhe absurd.

Mendimet vijnë e ikin, hidhen mbi letrën e bardhë e bëhen të palexueshme nga lotët që rrëshqasin pa dashur. Dhe të duhet gjithçka ta rishkruash, vetëm se këtë herë në një tjetër mënyrë rreth të njëjtit bosht. 

Prandaj vjen një çast kur gjithçka kërkon ta ndash me të tjerët, miq e shokë, por dhe të panjohur gjithashtu. Sepse duhet që historia jote të depërtojë, për të dhënë një mesazh universal.

Në 6 maj 2018 në postimin e saj informues Flutura Açka do të shkruante: “Miq. Mbrëmë, në një orë të vonë të natës, u nda nga jeta Biri ynë i vetëm, Jerin van den Brink, në të tetëmbëdhjetat e tij, prej një sëmundjeje shumë të rrallë, nga e cila vuajti kohët e fundit. Nuk është e lehtë për prindin ta lyejë bojën me të zezë për të tillë lajm, as ta pranojë humbjen e qenies më të dashur që patëm, dhe kemi, mbi këtë dhe. Me drojën se nuk do të mësohemi kurrë me mungesën e tij, urojmë të dëgjojmë vetëm lajme të mira prej jush... Flutura & Richard”.

Më shumë se dy vite pas këtij çasti, ajo ndan një tjetër emocion: botimin e një libri, me jetën e tij e të sajën bashkë. “Ky është libri im, që nuk kam pasur as dëshirë as nevojë ta shkruaj, por fati më shtyu”, – shprehet shkrimtarja, e cila shton gjithashtu se ndihet më e qetë, pas mjegullës ku i është dashur të ecë me plot tension psikik. Sepse, në fund të fundit, dhe gjithmonë bëhet fjalë për një bir, fizikisht të munguar, por që me forcën e fjalës së shkruar do ta mbash në shtrat a poshtë nënkresës për ta lexuar në një vazhdimësi marramendase e torturuese.

 




Nga "Biri" (fragment)

"...Shpesh unë mbyll sytë dhe e përfytyroj tim bir në ceremoninë e diplomimit, tek zë thinja, tek ngre fëmijën e tij në krahë, tek më kujton pas ikjes sime të mbrame, siç e pandeh Oriana Fallaci te “Letra...” e saj magjike fëminë e saj të palindur që rritet dhe i vjen deri te supi, që e zë për dore për të ngjitur shkallët....

Ç’ishte kjo botë kaq e madhe që donte ta përfshinte në trupin e tij të brishtë e të kufizuar njerëzor?! Ishte joshja e dinamikës së jetës së shkurtër?

Që të jem e ftohtë në këtë rrëfim timin, shpesh e “vras” nënën dhe ia lë me bujari shkrimtares radhën që të tregojë dhe ashtu do të doja të gjykohej edhe ky libër, si një rrëfim ku shpesh nëna dhe shkrimtarja kanë bërë hara-kiri për të sjellë një histori përtej personales, dhe që pavarësisht qenieve reale që e popullojnë jetën që përshkruhet në të, mund të lexohet edhe si një histori njerëzore të panjohurish, jetë njerëzish të zakonshëm, substancë nga rrjedh vetë letërsia. Emrat e përveçëm në këtë histori, ndonjëherë janë vetëm konvencione për t’iu afruar më lehtë së vërtetës njerëzore dhe blatimit hyjnor..."



No comments:

Post a Comment