Friday, September 25, 2020

Inteligjenca artificiale, si do t’i marrë në dorë frenat e botës

 

Nga Leonard Veizi
 
Kush e ka parë filmin “Odise hapësinore”, një produksion hollivudian i vitit 1968, do të kujtojë se në bordin e anijes kozmike “Discovery One”, që udhëtonte drejt Jupiterit, veç dy astronautëve, një kompjuter shumë inteligjent i quajtur “Hal 9000”, me një personalitet njerëzor, ishte ai që informonte mbi gjithçka ndodhte me pajisjet elektronike të anijes dhe parashikonte rreziqet që eliminoheshin në kohën e duhur. Me këtë dua të them se me anë të kinemasë është lançuar, të paktën, 50 vite më parë se bota duhet përgatitur për një revolucion tjetër, ai që ka të bëjë me inteligjencën artificiale. Por vetë filmi, i regjisorit të madh Stenli Kubrik, paralajmëroi se edhe një kompjuteri inteligjent dhe të pagabueshëm, si “Hal 9000”, nuk i duhet zënë besë. Sepse në një çast të caktuar ai nuk ishte më një robot në dobi të njeriut, por një mekanizëm i cili u kthye në vrasës të tij. Pra, mekanizmi doli jashtë programimit dhe personaliteti i tij njerëzor bëri që ai të vepronte si i pavarur.
A mund të ndodhë kjo, përveç se në film?
Nëse do t’i besojmë asaj çfarë ka thënë profesori i njohur britanik, Stefën Hauking, duhet të risjellim në vëmendje një intervistë të tij për BBC-në, ku u shpreh se zhvillimi i makinerive inteligjente të pavarura dhe në gjendje të mendojnë vetë, mund të rezultojë me fundin e njerëzimit. Shkencëtari i famshëm, i cili për një kohë të gjatë vuajti nga një sëmundje që i kishte prekur neuronet, u trembej pasojave të ndërtimit të një inteligjence të tillë artificiale të krahasueshme me atë njerëzore.
Po pse mora guximin për të shkruar mbi këtë temë?
Gjithçka nisi teksa lexoja një shkrim të Alex Rodriguez-it, të botuar në gazetën prestigjioze spanjolle “LaVanguardia” ku flitej për inteligjencën artificiale dhe mundësinë e zotërimit të saj, gjë e cila pa dyshim ka sjellë një tjetër garë të re mes superfuqive, po aq sa dhe më parë, kur “Sputnik”-u përfundoi misionin e tij hapësinor.
Me siguri, inteligjenca artificiale do të sjellë zhvillime të papritura dhe do të vendosë ekuilibra të rinj në botën tonë të brishtë.
Fill pas këtij definicioni, aspak të panjohur, i hodha një sy “Artificial Intelligence”, një filmi hollivudian, por këtë herë i prodhuar në vitin 2001, nga regjisori po aq i madh, Steven Spielberg, ku një ndër rolet kryesore e luan i mirënjohuri Xhud Lo. Edhe në këtë rast, filmi jep mesazhin se inteligjenca artificiale, e cila do të përsoset aq shumë sa nuk do të dallohet më nga një njeri prej mishi e gjaku, do t’i kundërvihet prodhuesit të tij, për të bërë një jetë të re e të pavarur. Dhe në këtë përplasje, njeriut do t’i duhet ta luftojë fort krijesën e tij me qëllim mbijetesën.
A janë këto thjesht truke kinematografike, apo mesazhe që duhen marrë në konsideratë?
Jo vetëm këta dy filma që përmenda më sipër, por dhe disa materiale të tjera të sugjeruara përmes platformës Google, më dhanë një mundësi më të madhe për të qartësuar idenë se ku do të shkojë Toka, duke pasur nën kontroll “inteligjencën artificiale”.

Pa dyshim, ajo që po çudit botën në mijëvjeçarin e ri dhe që do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë edhe më thellësisht, është inteligjenca artificiale.
Një robot mund të bëhet i rrezikshëm për jetën tokësore. Sipas të dhënave shkencore, truri i njeriut përmban 100 miliardë neurone. Inteligjenca artificiale është shumë e shumë larg kësaj shifre, e me një numër të papërfillshëm neuronesh elektronike. Por shkencëtarët thonë se për disa dhjetëra vjet situata do të ndryshojë tërësisht. E nëse kjo do të jetë e vërtetë, një roboti nuk do t’i duhen më 16 vjet shkollë për të nxënë e për të dalë në jetë si një inxhinier, matematikan, apo jurist, sepse gjithçka i jepet si dhuratë në memorie dhe ai do të jetë funksional e i gatshëm që në çastin e parë që vihet në punë.
Kur shkencëtarët amerikanë nisën punën për ndërtimin e platformave të armëve, të cilat mund të përzgjedhin objektivin e tyre në fushëbetejë, vunë dhe një pikëpyetje të madhe: a duheshin lënë robotët të vetëvepronin apo duhej qenia njerëzore t’i kontrollonte ata përpara se të tërhiqnin këmbëzën? Si përfundim, fitoi e dyta, duke mos i besuar thellësisht së parës, ndoshta sepse mekanizmi mund të gabojë “pa dashje” e të ngatërrojë objektivin, por ndoshta edhe pse ai mund të marrë komanda personale dhe të qëllojë atje ku nuk duhet, qoftë dhe duke vënë në shënjestër objektivat të cilave u shërben.
Ndërkohë inteligjenca artificiale mendohet se do t’i sjellë një komoditet të jashtëzakonshëm njerëzimit. Pikërisht, për ta zotëruar atë ka nisur dhe lufta e re mes të fortëve të globit: Shteteve të Bashkuara, Kinës por dhe Evropës.
Pa dyshim inteligjenca artificiale ka qenë me ne prej një kohe të gjatë, por kurrë më parë nuk ka qenë kaq e pranishme në jetën tonë në fusha të tilla, si shëndetësia, siguria, transporti... Inteligjenca artificiale përkufizohet gjerësisht si teknologjia që u mundëson makinerive të kryejnë funksione që vetëm njerëzit i kanë bërë në të shkuarën.
Disa vite më parë lajmet andej e këtej publikuan faktin se “AlphaGo”, një program kompjuterik i hartuar nga Google që në 2016, arriti të mundë në lojën elektronike “Go” të shkallës së lartë të vështirësisë, Lee Se Dol-in e Koresë së Jugut, e gjithashtu pas tij mundi dhe kinezen Ke Jie, të dy kampionët e saj. Fitorja në një lojë të lindur në Kinë në vitet e para të mijëvjeçarit të ri, nuk është se po qarkullonte si ndonjë anekdotë. Kjo bëri që Kina të nxiste programin për inteligjencën artificiale, duke nisur dhe një rivalitet të ethshëm, po aq sa dhe kur u ndez shkëndija për të nisur “luftën e yjeve”.
Për më shumë se kaq, një mekanizëm i ri i quajtur “Al” me cilësinë e një mjeku, është në gjendje të analizojë imazhet mjekësore me saktësi mbinjerëzore. Me gjasa kjo teknikë e re do të nxjerrë nga funksioni shumicën absolute të mjekëve, sepse Al, i cili sot është në gjendje të diagnostikojë, nesër do të jetë në gjendje të operojë.
Ky mund të jetë një lajm sa i gëzueshëm, po aq dhe i frikshëm. Të paktën në qoftë se mekanizmin Al, nuk do ta asistojë njeriu nga afër.
Për momentin po jetojmë kohën kur një kompjuter mund të bëjë biseda telefonike, mund të përgjigjet në pothuajse të gjitha pyetjet që mund t’i bësh, mund të mposhtë njeriun në shumicën e lojërave me shkallë të lartë vështirësie, mund të dallojë një fytyrë të paracaktuar në një turmë njerëzish, mund të diagnostikojë shumë më shpejt sesa një mjek i specializuar, apo mund të ngasë makinën krejt i vetëm. Mbikëqyrja video, sistemet e njohjes së fytyrës, ushtarët e së ardhmes do të bëhen veçse nëpërmjet robotëve të specializuar... Inteligjenca artificiale do ta thellojë praninë e saj. Do të jetë motori i ekonomisë dhe do të shkaktojë ndryshime më të thella se ato që shkaktuan në kohën e tyre shpikjet e mëdha, si rrota apo elektriciteti.
Të gjitha këto do të mundësohen nga teknologjia e njohur si inteligjencë artificiale. Dhe nëse do të ecë me ritmin e pretenduar, një ditë në planetin Tokë do të gjenden po aq mekanizma robotë sa dhe trupa njerëzorë.
 

No comments:

Post a Comment