Tuesday, September 22, 2020

Marie Logoreci, zonja e rëndë e skenës dhe e sheshxhirimit

Në 100-vjetorin e lindjes. Pas pjesëmarrjes në 12 filma dhe dhjetëra role të vëna në skenë, ajo mori emrin e “Lokes”, të personazhit që e identifikoi aq shumë aktoren e madhe shqiptare
 
Nga Leonard Veizi
 
Sharmante dhe fort skenike e, për më tepër, me një diksion karakteristik, të padublueshëm, ajo do të dinte të fitonte simpatinë e trupës. Pak më shumë këngëtare, disi më pak aktore dhe me plot telajo pikturash në fond, do ta niste jetën skenike si e plotësuar në të gjitha dimensionet e saj artistike. Dhe pas kësaj do të vinte suksesi i (pa)pritur, ndoshta i (pa)kërkuar, por gjithsesi emocionues e triumfal...
 
Marie
Marie Logoreci

...Ajo dinte të luante plot finesë e ojna femërore një personazh që ishte shkruar nga dora e një shkrimtari që kishte jetuar diku në Perëndimin e Evropës dhe e ndonjë tjetri vështrimi i të cilit tretej në stepat ruse. Por po aq karakter dinte t’i jepte edhe një malësoreje të moçme shqiptare, që ruante me fanatizëm nderin e familjes, duke qenë njëkohësisht e mirëkuptueshme e fisnike.
E shtruar, e butë me një timbër zëri që të ngulitej thellë në kujtesë, ajo diti t’u japë personazheve të saj një energji të jashtëzakonshme. Dhe në përfundim të shfaqjes ishte po e njëjta grua. Të skalitura prej saj, aspak në gur e as në mermer, por në të njëjtin trup e fytyrë njerëzore, ato gjenden lehtësisht në gjithfarë platformash digjitale me pagesë dhe “free” në disa të tjera për konsum masiv.
-“Biri im i shkretë, nuk di as varri ku i ndodhet. Të gjithë thoshin se do të bëhej gjeni në çështjet ushtarake. Ai që në atë moshë ishte komandant i një batalioni. Ju lutem gjeneral, m’i ktheni eshtrat...
Me kostum elegant, syze me skelet të hollë e një kapele me lule mbi kokë, ajo ishte kontesha plakë te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Dhe në antipodin e këtij personazhi vjen një tjetër, ai i nënës së verbër të “Cucës së maleve”. Por Lokja tek “Toka Jonë”, me shami të bardhë rreth kokës dhe një shall të zi mbi ballë, do t’i jepte një tjetër dimension. Mund të harrosh shumëçka nga kinematografia shqiptare, por Loken e Lekës, Files, Murrashit e Tuç Makut, nuk besoj se e ka harruar njeri, edhe në qoftë se e ka parë një herë të vetme atë film.
-“Shikjo Marë, sa e bukur asht fusha jonë, toka jonë”, do të ishin fjalët e saj në përmbyllje të këtij prodhimi kinematografik, pas së cilës do të shfaqej sigla “Fund”.
Kjo ishte Marie Logoreci. Dhe është ndërkohë një divë nga më të mëdhatë e skenës dhe të ekranit shqiptar. Një ikonë e kësaj skene apo emblemë e saj, nëse mund ta quajmë kështu, rreth së cilës kërkonin të përfitonin sa mundnin dhe shumë aktore të tjera më të reja në moshë. “Pa dyshim që kjo figurë ka lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën e spektatorit, por këto mbresa u përforcuan dhe krijuan kurorën e Lokes-Marie kur aktorja luajti edhe Marën te “Përkolgjinajt” e Kolë Jakovës, Tringën te “Shtatë shaljanët” e Ndrek Lucës, Prendën te “Cuca e maleve” e Loni Papës, Gjelën te “Përmbytja e madhe” e Kolë Jakovës etj.”, shprehet në kujtimet e saj një aktore po aq e madhe, si Margarita Xhepa.
Marie Logoreci u lind në Shkodër në vitin 1920. Mbiemri i vajzërisë e kishte Çurçia. U largua nga Shkodra kur ishte 17 vjeç. Në Tiranë u martua me Kolë Logorecin, një ekonomist i lartë, i diplomuar në Vjenë. E më pas lindi Pjerini, djali i tyre. E filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante në teatër, vizatonte dhe këndonte. Jeta artistike e saj nisi si këngëtare në Radio Tirana, në vitin 1945, ku interpretoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon. Në kujtimet e saj ajo thotë se këndonte në aktivitetet e rëndësishme që bëheshin përkrah të mirënjohurve Gjyzepina Kosturi, Marie Kraja, Kristaq Antoniu, Jorgjie Truja, Hysen Pelingu etj., të shoqëruar nga Lola Gjoka e nga Mario Ettore. Mund të ishte njohur po aq si soliste, por fama si aktore do ta eklipsonte butësisht talentin e saj prej këngëtareje.
Më 1947 nis punën në Teatrin Popullor, ndërsa interpretimi i parë në skenën e këtij teatri ishte Elmira në komedinë “Tartufi” të Molierit.
Në kinema e nisi me filmin “Skënderbeu”, në vitin 1953.
-“Mëso t’i fshehësh ndjenjat moj Donikë. S’i ka hije vajzës së Arianitit t’i shikojë kështu burrat”, - shprehet ajo në një nga batutat e këtij filmi, bashkëprodhim i aktorëve shqiptarë me studion sovjetike “Moskfilm”.
Pra, në të gjitha institucionet ajo ka qenë që në fillesat e tyre, ka vendosur tullën e saj të rëndë, dhe më pas është lartuar ngrehina. Dhe t’ia nisësh nëpër rrugët e pashkelura nuk është fort e lehtë, sepse përveç talentit, pa dyshim të duhet dhe shumë guxim e intuitë artistike. Dhe, me sa duket, Marie Logoreci i ka pasur të gjitha këto, përderisa edhe sot, nga shumëkush kujtohet si “gruaja e madhe e skenës shqiptare”.

Ishte po Marie Logoreci ajo që do të merrte rolin kryesor në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër “Fëmijët e saj”, të regjisorit Hysen Hakani. Por dhe "Tana" që ishte i pari film me metrazh të gjatë, gjithashtu ruan në pelikul imazhin e Marie Logorecit.
Gjithsej në arkivin e filmit ruhen 12 filma ku aktorja e madhe ka pasur role. Ajo ka interpretuar dhe një rol episodik te filmi “Nga mesi i errësirës” ku me shumë ekspresion, jetëson një nënë shqiptare që quhej Mine Peza, në protestën e saj të pakompromis për të ndaluar italianët e fashios të dërgonin në internim djemtë dhe vajzat shqiptare të rezistencës. Një rol i vogël për një aktore të madhe, por regjisori ia ka besuar asaj, sepse në pak sekuenca, pakush si ajo do të mund të jepte në portret maksimumin e një nëne plot dhimbje e të revoltuar.
Për më tej Marie Logoreci ka interpretuar dhe në filmat “Oshëtimë në bregdet”, më 1966, “Detyrë e posaçme”, më 1963, “Njësiti gueril”, më 1969, “Operacioni Zjarri”, më 1973, “Dollia e dasmës sime”, më 1978, “Çeta e vogël”, më 1979.
Në shumicën absolute të rasteve ajo është paraqitur në rolin e një nëne, ndaj dhe emri “Loke” do të ishte aq i përshtatshëm si një emër i dytë i saj.
Një sërë rolesh të tjera të suksesshme të saj në skenën e teatrit, ku ka luajtur më shumë se 40 personazhe, janë: Gertruda te “Hamleti”, Ledi Milford te “Intrigë dhe dashuri”, Zabelina te “Orët e Kremlinit”, Mara te “Përkolgjinajt”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Manushaqja te “Drita”, Fatimja te “Halili dhe Hajria” etj. Por pa dyshim, në galerinë e personazheve të saj do të bënte vend dhe një kryerol, Bernarda Alba, e të famshmit Federiko Garcia Lorka.
Ishte një atak kardiak ai që do t’i merrte jetën aktores së madhe shqiptare, pikërisht në 19 qershor të vitit 1988, në Tiranë. Ishte 68 vjeç. Dhe do të ishte 100, nëse do të mund të jetonte si jo pak të tjerë. E, megjithatë, edhe me vdekjen e saj të shpejtë ajo do të fitonte shumë. Një emër të pashlyeshëm dhe një pasuri maramendëse: karrierën artistike prej 40 vitesh. Prandaj puna e saj nuk u la në harresë asnjëherë. Në vitin 1995 u nderua me “Çmimin e Karrierës" në Festivalin e Filmit Artistik. Në vitin 1997 dekorohet me “Çmimin e Madh të Nderit”. Përveç urdhrave dhe medaljeve të ndryshme, Marie Logoreci kishte marrë më parë edhe titujt e lartë “Artiste e merituar”, “Naim Frashëri” dhe “Artiste e Popullit”. E për së fundi, me rastin e 95 vjetorit të lindjes, në vitit 2015, presidenti Bujar Nishani e vlerësoi me titullin më të lartë që akordohet në Republikën e Shqipërisë, “Nderi i Kombit”.

No comments:

Post a Comment