Nga Leonard Veizi
Nuk është hera e parë që më bie
në sy, dhe nuk është se s’kam dashur të shkruaj edhe më parë për një gjë të
tillë, por këtë herë vendosa ta ngre si shqetësim. Dhe kjo me siguri ka të bëjë
me një vetëkontroll, drojë apo autocensurë, kur autori kërkon të publikojë
diçka që ka të bëjë me një problem shumë delikat, siç është: pedofilia. Dhe që
të jem i sinqertë deri në fund, as që do të kisha marrë guximin të shkruaja për
diçka të tillë, nëse vërtet nuk do të përballesha në mënyrë tangenciale me të, por
që në thelb është një përplasje e drejtpërdrejtë, nëse nuk do t’i bësh bisht
problemit.
Plazhet shqiptare janë mbushur
me fëmijë të zhveshur. Kur them të zhveshur, për ata që s’e kuptojnë, kam
parasysh fjalën “nudo”. Janë po aq të zhveshur, sa dhe kur i vendosin në
inkubator pak çaste pasi kanë lindur. Nuk kanë as pampersa në rastin më idiot
të mundshëm, gjë që gjithsesi shkakton jo pak neveri te një pjesë pushuesish,
që në mënyrë komode kërkojnë për syrin estetik që çdo fëmijë i çdo lloj moshe,
nëse për rrethana të caktuara ndodhet në plazh, që të ketë dhe një veshje të
përshtatshme. Fenomeni i fëmijëve nudo besoj tanimë është vënë re nga të gjithë
ata që zgjodhën t’i kalojnë pushimet në vijën bregdetare. Nënat e reja, në
bashkëpunim me baballarët vendosin njëzëri që fëmija dy, tre vjeç, apo dhe ca
më shumë, të bëjë paradën nudo midis pushuesve që kanë marrë masat për të pasur
rroba banje, të cilat fshehin pjesët intime. Kjo modë e shfrenuar është e
përballueshme kur rastet janë sporadike, por jo kur ato bëhen masive dhe
shqetësimi rritet. Madje shtrohen dhe shumë pikëpyetje që kërkojnë përgjigje,
ku më e zakonshmja prej tyre është: Pse??? Dhe jam dakord kur bie fjala,
prindërit bien dakord që djalin pasardhës ta nxerrin me “bile” jashtë, për të
treguar se trashëgimia nuk do humbasë dhe se ai do bëhet i zoti për pushkë
përpara pubertetit, kur dhe “bilja” fillon e këndon më shumë se pushka. Po për
fëmijët vajza... çfarë vlere merr ky konsensus prindëror? Apo “të voçkla janë,
s’përbëjnë problem”. Dhe falë këtij konsensusi indiferent ato shëtisin nëpër
çadrat e plazhit dhe në breg të detit po aq sa dhe femrat shumë më të mëdha
dalin nëpër pasarela, herë për të ekspozuar veshjet e koleksionit e herë për të
ekspozuar hiret e trupit me të cilat rrisin pazarin.
Të jetë kjo një logjikë popujsh
ballkanikë??? Sepse kam përshtypjen se në Perëndim një gjë e tillë është e
tejkaluar tashmë. U referohemi studimeve, shtypit, të dhënave të fundit:
alarmet për pedofinë. Maniakët seksualë nuk njohin moshë. Ata janë të gatshëm të
kryejnë dhunë seksuale mbi çdo fëmijë, dhe mosha nuk ka rëndësi fare për ta.
Ndërsa ti si prind ua çon ushqimin në gojë. Sepse të është tekur t’i nxjerrësh
fëmijët lakuriq në plazhet masive, ku në shezlonge ngrohen në diell gjithëfarë
lëtyrash, njerëz të shfazuar, që ligësinë e tyre hërë e mbulojnë me syze dielli
e herë me veshje firmato, por që në thelb asgjë s’u ndryshon gjë. Dhe ja çfarë
thuhet në manualin ku kërkohet ndihmë për fëmijët e abuzuar: “Do të ishte shumë
mirë, nëse pedofilët do të dukeshin njësoj, kjo do ta bënte më të lehtë
identifikimin e tyre. Pedofilët duken njësoj si çdo pjesëtar tjetër i
komunitetit. Pedofili mund të jetë një person i besuar i familjes, një lider në
komunitet, miku juaj, fqinji juaj, babai i shokut/shoqes së fëmijës tuaj”. Në
një material të bërë publik nga “Medialook” thuhet se: gjatë 10 viteve të
fundit në Shqipëri, 98 persona kanë kryer krime seksuale me të mitur. Mirëpo
duhet ditur se kaq janë të zyrtarizuar dhe keqbërësit janë kapur e dënuar sipas
ligjit, sepse ka dhe plot të tjerë të padenoncuar. Prandaj vëmendja duhet të
jetë shumë më e madhe. Mirëpo prindërit shqiptarë marrin parasysh rrezikun për
të luajtur me të ardhmen e fëmijëve të tyre, duke i nxjerrë lakuriq ata në një
paradë të pacipë nudosh. Sepse vetë fëmijët janë në një moshë kur perceptimi
për të qenë lakuriq para qindra sysh herë është i mangët, por herë-herë mungon
krejtësisht. Dhe nuk po flasim për ata fëmijë që, edhe pse në të njëjtën moshë
me “nudistët”, nuk pranojnë të dalin lakuriq, duke u druajtur të zbulohen, gjë
që do të thotë se funksioni psikomotor i trurit të tyre arrin të dallojë
idiotësinë nga normaliteti. Po herë-herë, një mendje më thotë se nudizmi duke u
praktikuar në vazhdimësi, bëhet traditë, nga e cila nuk ke më as drojë dhe as
ndonjë shqetësim tjetër që lidhet me anën seksuale.
Mos ndoshta jam unë konservator
i pakuptimtë dhe nuk duhet të jem lehtësisht i pranishëm në një botë të hapur
dhe pa komplekse?! Në një material të publikuar prej saj Ela Wamsler shkruan se
fenomeni i pedofilisë në Shqipëri është një fenomen i hershëm në formë të
fshehur dhe relativisht i ri në aspektin e publikimit të rasteve në media.
Kërkoj materiale. Më rezulton se për pedofilinë kanë shkruar gjithfarë
psikologësh të mëdhenj, ku si gjithmonë kryeson Zigmund Frojd, por nga më
cilësorët në trajtimin e problemit mbetet Alfred Adler. Shqetësimi në rritje
për fëmijët që bredhin nudo bregut të detit ka të bëhë dhe me fotografimin e
tyre dhe hedhjen e fotografive nëpër faqet pornografike të destinuara për
pedofilët. Nisur nga gjithçka parashtrova më sipër, më duhet të them se edhe
psikologët në Shqipëri duhet të merren më shumë me këto feneomene dhe të vënë
alarmin.
Në një shkrim të botuar nga New
York Times me titull “Preja e fëmijëve: Psikologjia në zhvillim e pedofilëve”,
thuhet se imazhet e abuzimit seksual të fëmijëve kanë arritur një pikë krize në
internet, duke u përhapur me ritme të paprecedenta pjesërisht, sepse platformat
e teknologjisë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit nuk kanë arritur të ecin me
hapin e problemit. Por më pak kuptohet për çështjen që qëndron në themel të të
gjithave: Çfarë i shtyn njerëzit të abuzojnë seksualisht me fëmijët? Shkenca në
vitet e fundit ka filluar të japë disa përgjigje. Një gjë e kanë të përbashkët
shumica e pedofilëve: ata zbulojnë, zakonisht si adoleshentë, që preferencat e
tyre seksuale nuk janë pjekur si të gjithë të tjerët. Shumica ngecin në djem
ose vajza të së njëjtës moshë që i tërhoqin për herë të parë në fillim të
pubertetit, megjithëse disa kanë interes për fëmijët shumë më të vegjël.
"Njerëzit nuk e zgjedhin atë që i zgjon – ata e zbulojnë atë", thotë
Dr. Fred Berlin, drejtor i Klinikës Gjinore dhe Seksuale Johns Hopkins.
"Askush nuk rritet duke dashur të jetë pedofil." Gjatë gjeneratës së
kaluar, psikologë, specialistë të forenzikës dhe të tjerë kanë studiuar
pedofilinë, një çrregullim i karakterizuar nga "fantazi të përsëritura,
nxitje ose sjellje që përfshijnë aktivitet seksual me një fëmijë para
moshës", sipas manualit diagnostik të psikiatrisë. Këta ekspertë kanë
intervistuar pacientët në thellësi, duke bashkuar historitë e jetës dhe duke
kryer një sërë matjesh psikologjike dhe anatomike. Ndërsa asnjë studim nuk
ofron një pamje të plotë, po shfaq një portret – ajo që ndihmon, është ai për
sqarimin e dinamikës mendore prapa rritjes së imazheve abuzuese dhe shthurjes
së thelluar që ato përshkruajnë. Këto zbulime gjithashtu sfidojnë stereotipet e
zakonshme rreth asaj se çfarë është pedofilia dhe cilat janë rreziqet për t'u
përfshirë në abuzim fizik. Një shumicë e shkelësve të dënuar janë burra që zënë
pre fëmijët e moshës 6 deri në 17 vjeç. Por gratë gjithashtu kryejnë vepra
penale; vlerësime të përafërta e vënë normën e tërheqjes pedofile në 1 deri në
4 për qind si te burrat ashtu, edhe te gratë. Studimet sugjerojnë që një
nëngrup i vogël pedofilësh meshkuj dhe femra kanë interes për të vegjlit, apo
edhe foshnjat. Ndërsa shkencëtarët kërkojnë të kuptojnë se si zhvillohet
çrregullimi, ekziston një konsensus në rritje që origjina është kryesisht
biologjike. Kjo pikëpamje bazohet pjesërisht në studime që tregojnë tipare
delikate fizike që kanë një incidencë më të lartë te pedofilët. "Të dhënat
biologjike të lidhura me pedofilinë tregojnë se rrënjët e saj janë para
lindjes", thotë James Cantor, drejtor i Qendrës së Seksualitetit në
Toronto. “Këto nuk janë gjenetike; ato mund të gjurmohen në periudha specifike
të zhvillimit në mitër”. Faktorët psikologjikë dhe mjedisorë gjithashtu mund të
kontribuojnë, megjithëse nuk është ende e qartë se cilat janë ato ose si
ndërveprojnë me kushtet e zhvillimit. Në të kundërt, supozimi i zakonshëm që
pedofilët vetë u abuzuan si fëmijë, tani ka më pak mbështetje. Viktimat fëmijë
janë në rrezik shumë më të madh të abuzimit të substancave në të ardhmen,
depresionit, stresit traumatik të vazhdueshëm ose agresionit kriminal sesa të
bëhen keqtrajtues. Shumica dërrmuese e shkelësve të ligjit mohojnë çdo abuzim
seksual në fëmijërinë e tyre, edhe pse ata mund të fitojnë simpati në gjykatë
duke bërë kështu, thonë ekspertët. "Një fëmijëri kaotike rrit gjasat e një
moshe madhore kaotike, të çdo lloji," thotë dr. Cantor. Marrëdhënia midis
të parit ose mbledhjes së imazheve dhe kryerjes së abuzimit praktik është një
çështje e debatit të vazhdueshëm midis disa ekspertëve, dhe një çështje që
është kritike për të vlerësuar rrezikun që paraqet një shkelës i ligjit. Deri
kohët e fundit, mendimi mbizotërues ishte se vetëm një pakicë e njerëzve të
kapur duke parë imazhe të tilla, midis 5 dhe 20 për qind, gjithashtu kryen
abuzim fizik. Ky perceptim filloi të ndryshojë më 2007, kur një palë
psikologësh në Byronë Federale të Burgjeve raportuan se 85 për qind e shkelësve
të dënuar në internet pranuan në terapi se kishin përdhunuar ose abuzuar
seksualisht me fëmijë. Ky zbulim qarkulloi gjerësisht para se studimi të botohej
zyrtarisht, duke krijuar një trazirë midis terapistëve, studiuesve dhe
specialistëve të zbatimit të ligjit. Byroja e burgjeve nuk pranoi ta botonte
fare dhe e tërhoqi atë nga një revistë e vlerësuar nga kolegët para datës së
botimit.
No comments:
Post a Comment