Friday, June 23, 2023

Shqiptarët, si konet që rendin pas kockës


Nga 
Leonard Veizi
 
Shqiptarët janë turrur të ngopen duke parë një video porno. Nuk ishte një video dosido e doçkado. Sepse një zyrtar i lartë shteti dhe një çupëlinë në moshë të mesme që ofronte tërë asetet, dolën në ekran të gjerë e me ngjyra. Lajmi mori dhenë. Por komentet ishin ku e ku më lart se vetë aktiviteti. Anatemim masiv. Domethënë, shanin e mallkonin të gjithë ata që objektivi i kamerës nuk ka arritur t’i kapë. E ia kanë hedhur paq. Por do vijë dhe radha e tyre.
-Kini mendjen, se shakatë e rënda mbarojnë keq, - i këshillonte zoti Ali të ftuarit në dasmën e djalit të Safa Ymerit. Ishte ai, Aliu, që e pyeste me nënkuptim Safain nën zë: A s’më thua të kam rixha ç’kërkon fëmra në mal? Dhe ishte po ai vetë që i jepte përgjigje pyetjes së tij: Të ta them unë, punë të liga bëjnë.
Po në zyrat e shtetit... kur nuk janë pjesë e administratës...?
Por kjo është tjetër çështje. E kishim fjalën për një çast pornografik magjepsës.
Eh, çfarë bën qejfi. Thonë që ha dhe kumbulla të tharta. Natyrisht, ata që e kanë provuar thonë.
Po faqe pornoje ka sa të duash. Pse gjithë kjo tallava vetëm për njërën prej tyre? Mund të ngresh këmbët mbi tavolinë e të shohësh sa të shqepesh. Megjithëse ekspertët e fushës të shpjegojnë se edhe gjuha është pjesë e rëndësishme e erosit. Se kur video është në gjuhë të huaj sikur nuk shkon. Të lezeton shumë kur e ke në gjuhën e nënës. Shqip domethënë. Dhe videot porno shqip kanë filluar të shpeshtohen ca si shumë kohët e fundit. Ndërsa diskursi rreth tyre bëhet edhe më i nxehtë. Zjarr e flakë. Ndaj i vihet dhe një pullë e kuqe. Si paralajmërim që të mos digjesh.
Pasi është shijuar pjesa e seksit, nis analiza në gjerësi e thellësi të saj: Jo kush është ajo, jo kush është, si. Jo po favore, jo po disfavore.
Pas shpërthimit të videos dhe shpërndarjes së saj në rrjete, me shpejtësinë e energjisë elektrike, ditët po kalojnë mirë. Shqiptarët u zunë me punë. Sepse ata vazhdimisht kërkojnë punë. Dhe kur nuk gjejnë në Shqipëri ia mbathin në Gjermani ose në Angli. Dhe merren me punë. Ata që mbesin në vend, u duhet gjetur një punë. Se papunësia është modeli më i keq për shoqërinë.
Plazhi nuk ka filluar mirë ende. Big Bradhëri e mbylli siparin. Dhe Big-u ishte një alamet fronti pune. Dy herë në javë me kohë të plotë, e ditët që mbeteshin me kohë të pjesshme. Mirëpo çdo fillim e ka një fund. Kështu dhe Big-u. Shqiptarët mbeten pa punë.
Por ka nga ata që mendojnë dhe për këtë shtresë. Se me çfarë do të merren shqiptarët që të largojnë vëmendjen edhe nga lufta në Ukrainë, edhe nga incidentet në Tajvan, por edhe nga përplasjet në Mitrovicë?! Ndaj doli një video. Ja, u hodh një kockë dhe ata, si qentë u turrën pas saj. Kap ça të kapësh.
Kështu harrohen edhe krimet e shpeshta, edhe aksidentet e përditshme, madje edhe rritja e çmimeve bie nga rendi i ditës. Sepse në vend të parë është pornografia.
Doli ushqimi. Thashethemet. Se shqiptarët nuk qëndrojnë dot në kafe pa pak muhabet erosi e bari që ngre tymin përpjetë. Po pse për çfarë do të bisedojnë, për Artur Shopenhauerin dhe Emanuel Kant. O pikaaaa.... Jeta është e thjeshtë për t’u marrë me gjëra të përbëra. Ndaj më mirë me ndonjë kockë, sa për t’u lëpirë.
Ne duam gjëra të thjeshta. Fjala vjen: Si bëhet një “punëdore” për dy minuta. Si fitohet një tender për 13 minuta. Si fitohen milionat për 3 muaj.
-Të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka! – do të shkruante në vargjet e tij Ali Asllani.
Na duhet një ngjarje ku të flitet për të futme e të nxjerrme. Ndryshe nuk ka kripë muhabeti. Dhe kafeja nuk shtyhet poshtë gurmazit. Le rakia.
-Xha Safa, mos na lër në errësirë se nuk na shkon as buka e as rakia. Ç’ka bërë vaki?
Po që çmimet rriten përditë nuk ka reagim. Këtë e përballojmë ne. Me trimëri. Jemi apo nuk jemi popull heroik. Që shumë nga ushqimet që konsumojmë janë jashtë standardit, edhe kjo nuk na bën fort përshtypje. Që shumë nga aparaturat diagnostikuese nëpër spitalet shtetërore nuk punojnë, edhe këtë e marrim me zbritje, madje me optimizëm.
Ditë më të mira do të vijnë.
Ore... çështja është tek kocka. Aty merr vlerë dhe Leva e Arkimedit. Do lëvizur bota.
Video ka sa të duash vëllezër, varet kush hidhet në treg e kush digjet. Por do kemi dhe kocka të tjera. Tregu po lëviz. Rrjeti gjithashtu. Do plasin skandale të tjera në themel të të cilave do të ketë me se s’bën një aferë seksuale.
Hajde ç’vete hajde!
-Tani do bëhet ahengu tamam. Hë ç’do të pimë, jo. Do të kërcasë dollia me dhallë... – u thosh xha Shahini shoqeve të Valit që do shkonte me punë në Komitetin e Rinisë së rrethit.
Por dhe kocka do ketë. Do hamë e do lëpihemi pas tyre. Kështu do harrojmë “fukarallëkun që po na mbyt, e malarien që po na pi të gjallë”.
Lepe zotrote...
-Por qeveria po shet kinina si për mushkonjat anafele që trazojnë në shtrat, ashtu dhe për ato të llojit koleks. Mirëpo mileti nuk do t’i blejë. Ç’faj ka pastaj qeveria?
Unë them ta mbyllim...
Dhe së fundi: gjithmonë e më shumë vlerë ka kocka.

No comments:

Post a Comment