Tuesday, November 26, 2024

O ma... po iki në shkollë!


Nga 
Leonard Veizi
 
-O ma... po iki në shkollë!
Me çantën e librave mbi shpinë doli nga dera e shtëpisë dhe rendi i shqetësuar të kapte autobusin e linjës sepse nuk donte të ishte asnjë minutë me vonesë në orën e parë të mësimit. Por nuk u kthye më aty. Ishte 18 nëntor i vitit 2024. Ditë e hënë. Java duhet të fillonte e mbarë. Por jo për Martinin.
Pikërisht në një ditë të tillë ai u nda nga jeta. Rrugën ia prenë, po ashtu si ajo rrugica qorre pas shkollës “Fan Noli”, ku ndodhi krimi e ku nuk ke nga të shkosh më. S’ka rrugë shpëtimi. Fill sapo kishte dalë nga shkolla. Rreth orës 13.06 minuta. E vranë. Me thikë.
-Kanë therur Martinin, - ishte lëshuar piskama mes nxënësish. Oshtima e thirrjes dukej sikur çante mes dallgësh, ku e pabesueshmja tentonte të bëhej sa më e besueshme dhe ajo që mund të mos dëgjohej dobësohej sepse nuk duhej dëgjuar. Por diçka tjetër ngrihej rrëmbimthi për t’u dëgjuar në fakt.
-Martini... ka vdekur.
Llahtar. Sa i largët duket ky koncept a veprim metafizik për një 14 vjeçar.
Klithma frenetike e të qara pa zë. Përballja me të panjohurën e bëri situatën edhe më kaotike. Asgjë s’mund të ishte ngushëlluese. Vetëm tmerruese. Sepse nuk mund të ketë dot ngushëllim. Ai ishte 14 vjeç.
Autoambulanca me sirena ndezur, makina që kishin marrë rrokopujën e nuk ndaleshin, thirrje për ndihmë... dhe pulsi që binte ngadalë. Situata vazhdonte të ishte kaotike, në oborrin e shkollës, nëpër klasa, në rrugë e spital.
-Pse Martini...?
Ngrinin supet nxënësit e mavijosur. Asgjë s'kish kuptim. Dukej si një ëndërr e ligë ku pritej zgjimi. Por askush nuk zgjohej dot. Dhe ëndrra i kish mposhtur.
-Ku është vrarë Martini im? – kish pyetur babai sapo kishte mbërritur në spital që edhe pse e ndjente se punët nuk ishin aspak mirë, përsëri kishte shpresë se asgjë nuk ishte e vërtetë. Por askush nuk guxonte t’i thoshte se tehu i thikës i kishte copëtuar zemrën. Ndërsa mjekët e sapodalë nga salla e operacionit ia thanë të vërtetën drejtpërdrejt.
-Martini nuk ia doli.
Djaloshi dergjej në krevatin spitalor, ndërsa vrasësi mburrej në rrjete sociale se kishte ngulur thikën në mish. Ishte “trim” vrasësi edhe pse ndante të njëjtën moshë me viktimën e tij. Pra as më shumë e as më pak por 14 vjeç edhe ai. E pakuptueshme, E pakonceptueshme. Gjithë ky mllef, gjithë ky maraz, për t’u shfryrë me nguljen e thikës në mish.
Martini kishte mbetur i vdekur në kohë prej këtij epshi shtazarak. Dhunë dhe gjak.
Kjo ishte dita e parë dhe askush nuk kuptonte asgjë.
Në ditën e dytë të krimit botova një shkrim, ku ende i panjohur më shumë nga detajet e rrethanës shkrova pak a shumë se Martini ishte nisur në mëngjes si çdo nxënës normal, me pak bukë me vete e një bidon ujë, me përqafimin e nënës dhe me urimin e saj: Mirëardhsh! Por nuk dija një detaj tjetër, që diku në një nga xhepat e Martinit ndodhej dhe një dymijë lekësh i dhënë nga babai, të cilën ai ia kishte kërkuar që në darkë. E ç'mund të blesh me një dymijë lekësh? Pyetjes së butë vetëm ai mund t’i përgjigjej po aq butësisht: Sa për të blerë një tost. Dhe këto qenë fjalët e fundit që shkëmbyen bashkë babë e bir. Sepse një ditë më pas e në vazhdimësinë e përjetshme, bisedat e tyre do të zhvillohen në një tjetër dimension.
Vetëm një kërkesë e tillë nga djali e ka bërë babain të binte i qetë në gjumë. Të mendonte se i biri ishte krejt i qetë dhe asgjë nuk mund të ndodhte, sepse asgjë nuk e shqetësonte. Një tost në pushimin e madh dhe në drekë në shtëpi sepse pasdite si gjithmonë do të duhej të shkonte në stërvitje me klubin sportiv ku prej kohësh luante futboll. Por nuk besoj se Martini ka konsumuar një ushqim të tillë. Sepse gjatë gjithë ditës ka qenë në ankthin e përballjes me një sherr të mbetur në tentativë ku një nxënës i klasës tjetër paralele thuhet se i kishte sharë vëllain e vogël, pikën e dobët, ku Martini nuk duronte dot. Mund të ishin sqaruar me fjalë. Mund të shkëmbenin dhe ndonjë grusht si në një lojë fëmijësh. Por “loja” doli jashtë kontrollit.
"Po t'ngacmoj ndonjoni, mu m'thuj ti. Po vdiqa unë do t'rafin. Po nuk vdiqa s'do t'bojnë gjo", ishin fjalë e Martinit para sherrit që do t'i merrte jetën, në një video të postuar në rrjetet sociale, por që nuk kuptohet se për kë ishte fjala. Por kjo u cilësua si një ndjesi për vdekjen e afërt të tij.
-Eh Martin, sikur ti ishe shmangur atij sherri.
Por jeta nuk bëhet me "sikure". ndaj thuhet se fatit nuk i shpëton dot. Ai qëndron mbi kokën tënde. Ti nuk e sheh asnjë herë, por gjithsesi e ndjen.
Në ditën e tretë pas krimit, ndjeva se isha përfshirë thellësisht në këtë ngjarje makabre. Nuk kishte të bënte thjesht me të qenit prind, por me të qenit njeri. Dhe njeriu në thelbin e tij është social. Përndryshe do bënte mirë ta linte qytetin dhe të shkonte të jetonte në xhungël apo në savanë.
Më mungonte Martini dhe pse nuk kisha asnjë lidhje me të. Por po njihesha gjithmonë e më shumë me historinë e tij, me pasionet, me familjen. Lajmet vërshonin në media audiovizive e portale online.
Në ditën e katërt të krimit, Martinin e kisha adoptuar. Nuk mund të qëndroja dot pa të. Bëja hamendësime me veten time dhe nuk arrita ta kuptoja në asnjë çast se çfarë djallin donte një djalë si ai tek sherri? Çfarë e kishte shtyrë drejt thikës? Ndoshta vetë Djalli. Sepse fytyra e tij engjëllore dukej aq e pafajshme.
Nisa të kërkoja në internet gjithçka thuhej për të. Dhe materialet nuk rreshtnin. Ishte si një dhimbje kombëtare, për një djalë krejt të panjohur. Detajet që po merrja njëra pas tjetrës ishin si një thikë që do të më futej gjithmonë e më thellë. Dhe pasi mora gjithë informacionin e mundshëm memoria ime u stakua në pesë fragmente. Ishin pikërisht këto pesë detaje që ngritën tek unë kultin e Martinit.
Fillimisht ishin fotot e tij që më bënë të qëndroja dhe të analizoja atë çfarë dhuronte portreti gjithë jetë i një djali pa jetë.
Tanimë thika ishte drejtuar drejt zemrës time. Vrasësi nuk kishte punë me Martinin. Më ishte turrur mua.
Në fragmentin e dytë u njoha me dëshmitë e Kristinës dhe Agentinës, dy zonjave që e kishin ndihmuar për ta çuar drejt urgjencës spitalore të Traumës ku të dyja përmendën të njëjtin fakt: Martini me puls të dobët, herë blu dhe herë i bardhë në fytyrë, u përmend dhe kërkoi nënën e tij.
-O ma...
Por nëna nuk ishte aty. Veç protagonistja që shpejtonte me timon në dorë do t’i jepte fort kurajë duke iu drejtuar: - O bir!
Duhet të tregohesh i fortë në një çast të tillë e të mos e humbësh toruan, sepse destinacioni është ende larg. Por ti duhet ta përmbushësh misionin. Duhet ta çosh djaloshin e gjakosur gjithandej të marrë ndihmë jetësore.
-O ma...
Padyshim kushdo prej nesh në një çast të vështirë do t’i drejtohet nënës për ndihmë, sepse vetëm ajo mund ta kuptojë dhimbjen e birit të vet.
Tehu i thikës më kishte ndarë në dysh kraharorin.
Detaji i tretë shkonte edhe më tej. U raportua që fjalët e fundit të Martinit, në një çast kthjellimi e force që i dha pak çaste drite, paskan qenë: “Më fal o ma…” Dhe kjo e tejkalonte dramën e deri atij çasti. Ishte vetë tragjedia. Sepse dikush që kërkonte ta interpretonte po mundohej të shpjegonte se atë çast të fundit para syve në Martinit kanë kaluar plot pamje nga jeta e tij por dhe këshillat e nënës sidomos ato që kishin të bënin me mbarëvajtjen në shkollë me mësuesit dhe nxënësit e tjerë.
-Më fal o ma...
Tronditëse.
Hyjnore.
-Ku ta gjej unë djalin tani, - qante nëna dhe puthte pareshtur fotografinë e tij. Një foto ku Martini mbante veshur bluzën blu të ekipit të Dinamos.
Thika më kish prekur zemrën. Paraliza kishte nisur.
Gjatë detajit të katërt u njoha me një foto shkëputur nga një video 3 sekondëshe, ku Martini qëndronte në krevatin spitalor me kokën lart e sytë nga qielli dhe duart e vendosura mbi njëra-tjetrën, gjë që tregonte se ai tashmë kishte marrë rrugën e amëshimit. Ndoshta midis tij dhe Zotit kishte filluar komunikimi. Ndoshta atë çast atje tej... ishin hapur dyert e Parajsës.
-Ik i qetë Martin! Do t’i mungojmë njëri-tjetrit. Ti do na mungosh ne në Tokë dhe ne ty atje në Qiell. Por ja që duhet ta mbajmë peshën që na bie mbi shpatulla. Ndryshe s'ka se si.
Thika ngulej më shumë në zemrën time. E ndjeja se ajo po copëtohej. Ndaj psherëtiva plot dhimbje.
-Më fal o djalë... o bir, që nuk kisha asnjë rrethanë për të qenë aty afër teje, të mund të të shpëtoja, a qoftë të të jepja ca frymë nga fryma ime.
A do të marrë fund ky makth?
Sepse më pas një tjetër video e publikuar në rrjetet sociale do ta shtjellonte edhe më shumë mendjen time të turbulluar. Skena ishte një fushë futbolli. Një arkëmort i bardhë me trupin e Martinit vendoset në mes të saj. Shokët e ekipit pasi i hedhin një top që prek anësoren e arkëmortit, turren për ta mbuluar me trupat e tyre. Qanin. Duartrokisnin. Të gjithë 14-vjeçarë që nuk donin të ndaheshin prej shokut.
“Rest in peace Martin”.
Qirinjtë e ndezur, kurora dhe sidomos posterat me pamjen e tij sportive, i ndesh kudo nëpër ambientet rreth shkollës 9-vjeçare në mes të Tiranës. Dhe mbi bankën tek klasa e tij një mal me lule të bardha.
Por askush nuk mundi ta ndihmonte tek binte i pafuqishëm në tokë. Veç Luisit, që e kishte shok të ngushtë, e që grushtonte në emër të tij duke marrë gjithashtu thika të një pas njëshme.
Erdhi dhe dita e shtatë pas krimit. Sentenca magjike se: “çudia më e madhe tre ditë zgjat”, këtë herë nuk funksionoi. Dhimbja vazhdonte njëlloj. Herë e njëtrajtshme, herë me kulminacione.
“Kam vdekur nënë”, ishte letra prekëse kushtuar Martinit nga një shok i tij, e cila u bë e njohur para kamerave televizive. “Nënë mos qaj për mua. Unë tani nuk ndjej më dhimbje...”
Unë gjithashtu mendova se duhet të shkruaja diçka, gjithçka të përjetuar ta hidhja në letër, sepse haluçinacionet po më mbysnin. Dhe vetëm kështu mendova se ndoshta do të qetësoj shpirtin e trazuar nga absurdi i kohës që jetojmë.
Isha obsesuar pas tragjedisë, pas Martinit, fytyra engjëllore e të cilit më shfaqej gjithandej, pas sportistit të vogël e plot talent që nuk zbriti dot në fushat e stadiumeve të mëdha të Evropës. Dhe si Ronaldo, idhulli i tij nuk u bë dot. Martini nuk arriti të rritej. Nuk e lanë të rritej. Ai do të mbetet përherë 14 vjeç.

No comments:

Post a Comment