Nga Leonard Veizi
Me një përdorim novator të dritës dhe
hijes, ai e shndërroi pikturën në një gjuhë emocionesh, ku çdo fytyrë, çdo
vështrim dhe çdo detaj rrëfen një histori. Sepse gjithmon e kurdoherë ka
artistë që dinë pikturojnë botën ashtu siç duket dhe ka të tjerë që arrijnë të
zbulojnë atë që fshihet pas saj. Rembrandti ishte ndër këta të fundit. Për
kohën ku jetoi, arti i tij ishte një hap i guximshëm drejt një realizmi të ri,
që i parapriu zhvillimeve moderne të pikturës evropiane....
...Më 15 korrik 1606 lindi në qytetin Leiden
të Holandës Rembrandt Harmenszoon van Rijn, një nga piktorët dhe grafistët më
të mëdhenj në historinë e artit botëror. Ai konsiderohet figura më e shquar e
Epokës së Artë Holandeze, një artist që revolucionarizoi pikturën përmes
mënyrës së veçantë të përdorimit të dritës dhe hijes, realizmit të thellë dhe
aftësisë për të depërtuar në botën shpirtërore të njeriut.
Që në moshë të re, Rembrandti tregoi talent
të jashtëzakonshëm për vizatimin dhe pikturën. Pasi u formua në Leiden, ai u
vendos në Amsterdam, ku fitoi shpejt famë si portretist dhe mori porosi nga
tregtarë, fisnikë dhe institucione të rëndësishme të kohës. Me penelin e tij ai
nuk synonte vetëm të riprodhonte pamjen fizike të njerëzve, por edhe
karakterin, emocionet dhe historinë e tyre.
Gjatë karrierës së tij krijoi mbi 300
piktura, rreth 300 gravura dhe mijëra vizatime. Veprat e tij përfshijnë
portrete, autoportrete, peizazhe dhe skena biblike e historike. Ndër krijimet
më të njohura janë "Roja e Natës" (The Night Watch), e konsideruar
një nga kryeveprat e artit perëndimor, si edhe "Mësimi i Anatomisë i Dr.
Tulp", një vepër që dëshmon mjeshtërinë e tij në kompozim dhe në
paraqitjen dramatike të dritës.
Rembrandti realizoi më shumë se 80
autoportrete gjatë jetës së tij, duke dokumentuar në mënyrë të pazakontë
kalimin e kohës, ndryshimet e moshës dhe përjetimet personale. Këto vepra
përbëjnë një nga dëshmitë më të pasura artistike dhe psikologjike të historisë
së pikturës.
Megjithëse arriti kulmin e suksesit në mesin
e shekullit XVII, jeta e tij u shënua edhe nga tragjedi personale. Humbja e
bashkëshortes Saskia, vdekja e disa prej fëmijëve të tij dhe vështirësitë
financiare e çuan drejt falimentimit në vitin 1656. Megjithatë, ai nuk e
ndërpreu krijimtarinë. Përkundrazi, veprat e periudhës së fundit fituan një
thellësi emocionale dhe një forcë shprehëse edhe më të madhe, duke dëshmuar
pjekurinë e tij artistike.
Rembrandti u nda nga jeta më 4 tetor 1669 në
Amsterdam, por trashëgimia që la pas mbetet e pavdekshme. Veprat e tij ruhen në
muzeumet më prestigjioze të botës dhe vazhdojnë të frymëzojnë artistë, studiues
dhe dashamirës të artit. Emri i Rembrandtit mbetet simbol i mjeshtërisë,
humanizmit dhe i një arti që arrin të prekë shpirtin e njeriut edhe pas më
shumë se katër shekujsh.

No comments:
Post a Comment