Nga Leonard Veizi
– "Kohë të keqe
gjete për dasmë, o Safa Ymeri. Atë defekun tim ku e kam?"
Kjo batutë nga filmi
“Malet me blerim mbuluar” më erdhi vetvetiu teksa shihja në lajme se kryeministri
Edi Rama i bënte ciceronin në zyrën e tij një këngëtari amerikan me nam të keq,
që po mirëpritej në Tiranë, duke i treguar ca miniatura pikturash të ngjitura
në mure, sikur aty po vendosej fati i kulturës botërore.
Ndërkohë, jashtë atij
universi të vetëkënaqësisë, bota – bashkë me një pjesë të mirë të shqiptarëve –
ishte ngjitur pas ekranit për të ndjekur nga stadiumi i Majamit një përballje
që kishte gjithë shijen e një derbi botëror. E quaj derbi, sepse shtylla e
Norvegjisë, Erling Haland, edhe pse përfaqëson vendin e të atit, ka lindur në
Lids të Anglisë dhe është produkt i futbollit anglez, pasi është rritur me
"Premier League" në gjak. Një duel që e kishte pushtuar opinionin
sportiv.
Mirëpo, ndërsa bota po
përgatitej të shihte futboll, ne shihnim guidë turistike në një zyrë
qeveritare. Sepse pikërisht atëherë, në Tiranë, dikush mendoi se ngjarja e
ditës nuk mund të ishte ndeshja që priste bota, por shëtitja ceremoniale e një
këngëtari, të cilit shumë stadiume ia kanë mbyllur derën prej kohësh, ndërsa
propaganda po përpiqej ta shiste si fenomen epokal, duke i ndërtuar dhe një
stadium portativ. Me pak fjalë, ndërsa të tjerët shikonin "dasëm", ne
na ftonin të shkonim për "shkarpa". Se po afron edhe dimri, jo për
gjë.
Lëre pastaj që nga ana
tjetër kishim edhe protestën e flamingove.
Hajde ç'vete, hajde.
Në fund të fundit, kjo
është edhe filozofia e spektaklit tonë publik: sa herë realiteti prodhon një
ngjarje të madhe, dikush kujdeset të prodhojë një zhurmë edhe më të madhe. Edhe
nëse duhet të fryjë me pompë biçiklete një tullumbace artistike të rrymës "vari
leshtë", derisa ta bindë veten se po mban në duar qendrën e universit.
Ndërsa Kejni Uest
hungërinte në periferi të Tiranës, andej nga Mëzezi a Kashari, mesfushori
brilant i Anglisë, Xhud Belingam, shënoi dy herë ndaj Norvegjisë në një ndeshje
shumë të komentuar. Ndërkohë, dy sulmuesit e ekipeve, Herri Kejn dhe Erling
Haland, çuditërisht nuk ishin protagonistët e mbrëmjes.
Gjithsesi, Anglia kaloi në
gjysmëfinalet e këtij Botërori, ku pritet të ndeshet me Argjentinën e Mesit.
Dhe thirrjet “It’s coming home” varrosën si me lopatë zhurmën që vinte nga ai
vendi në jugperëndim kryeqytetit që ndan Tiranën në: periferi fshatare dhe
qendrën urbane.
Epo, kështu e ka futbolli.
Edhe muzika, sigurisht.
.png)
No comments:
Post a Comment