Friday, April 12, 2024

“Dita e Librit” të gjetur, në Shqipërinë e librit të humbur


Nga 
Leonard Veizi
 
Si mund të jetë libri në ditën e shënuar të tij? Pra në njëfarë mënyre, në ditën e ditëlindjes? Çka? Mirë? Apo, shumë mirë? Apo shumë keq, në fakt? Kjo e fundit ka më shumë gjasa t'i afrohet të vërtetës.
Prilli ka një ditë të shënuar, Ditën Ndërkombëtare të Librit që zyrtarisht njihet si “Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit”. Nga UNESCO, - akronimi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën - kjo ditë përkujtohet e festohet për të promovuar kënaqësinë e librit dhe të leximit. Kështu thuhet zyrtarisht, të paktën. Një ditë e tillë libri përkujtohet në shumë vende të botës pikërisht për të inkurajuar dhe ndërgjegjësuar njerëzit që jo vetëm të lexojnë por dhe të botojnë libra.
Po pse pikërisht në Prill?
Dita Botërore e Librit u festua për herë të parë më 23 prill të vitit 1995. Ideja origjinale u konceptua në vitin 1922 nga Viçente Klavel, drejtor i shtëpisë botuese “Cervantes” në Barcelonë, si një mënyrë për të nderuar autorin Miguel de Servantes dhe për të rritur shitjet e librave. Ajo u festua për herë të parë më 7 tetor 1926, që përkonte me ditëlindjen e Servantesit, përpara se në vitin 1930 të transferohej në datën e vdekjes së tij, që është 23 Prilli.
Në vitin 1995, UNESCO vendosi që Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit do të festohej pikërisht më 23 Prill, pasi e njëjta datë është gjithashtu e lidhur me përvjetorin e vdekjes së Uilliam Shekspir.
Pra u bënë dy shkrimtarë gjenialë, të vdekur në të njëjtën datë, por jo në të njëjtën ditë, të kuptohemi. Ndërkohë që ka dhe shkrimtarë të tjerë më pak të njohur që me datën 23 Prill kanë të lidhur ose ditën e lindjes ose atë të vdekjes. Por në botë ka shumë shkrimtarë, por asnjë nuk ka madhështinë e Shekspirit dhe as të Servantesit. Kështu që Dita e Librit merr emrin e tyre.
Deri këtu sqaruam historinë e kësaj dite unike.
Po sot? Çfarë po ndodh me librin?
Libri po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Njerëzit po lexojnë gjithnjë e më pak. Futja vrullshëm e teknologjisë së lartë stopoi leximin fizik dhe i futi njerëzit në botën virtuale. Smartfonët dhe disa platforma të mëdha online futën një edukim të ri, përthithje me anë vizuale që është shumë herë më e lehtë dhe e shpejtë. 30 sekonda jo më shumë për të thënë një idiotësi. Nuk e vret mendjen, nuk lodhesh, dhe së fundi argëtohesh.
Prej vitesh, libri ndodhet në krizë. Dhe kjo ka të bëjë me rrafshin global. Në Shqipëri tashmë është bërë modë. Libri po del gjithnjë e më shumë nga moda. Megjithatë bota e qytetëruar ka gjetur mekanizma për ta mbajtur lexuesin të lidhur me librin fizik.
Por si e bëjnë këtë?
Së fundmi takimet letrare po bëhen të njohura në Nju Jork. Rregulli i vetëm? Të fikësh celularët dhe të hapësh librat. Ky trend u nis nga mediat sociale por edhe “#booktok”, një trend që po revolucionarizon tregun e botimeve dhe vetë publikimin. Janë video që synojnë të informojnë dhe sugjerojnë librat e të gjitha llojeve për të apasionuarit pas leximit. Pas këtij fenomeni është formuar një komunitet shumë i fortë, aq sa shumë nga libraritë më të famshme në mbarë botën kanë krijuar hapësira të dedikuara, si brenda dyqaneve të tyre, ashtu edhe në tregtinë elektronike, për librat më të njohur. Hashtagët e lidhur me këtë trend janë të shumtë. Por kjo ndodh në Nju Jork.
Po Shqipëria?
Ne kemi organizma modeste, - për të mos thënë joefikase, - për t’i dhënë jetë projekteve të cilat do të ngushtonin hendekun midis librit fizik dhe lexuesit. Por nuk mund të themi se nuk ka ide. Ato gjenerojnë kohë pas kohë. Por përsëri mbeten sipërfaqësore. Dhe në fund të fundit produkti përfundimtar shumëzohet me zero. Pra nuk ka impakt. Sepse ndoshta do të ishte më mirë që impakti të mos kërkohet nga projektet individuale apo çfarë mund të ofrojnë shtëpitë botuese, por të niste mbi të gjitha nga kurrikulat e arsimit parauniversitar, të cilat duhet të disiplinojnë nxënësit me leximin. Një listë librash pra, që jo domosdoshmërish duhen blerë, nëse funksionojnë bibliotekat.
Por dhe kjo ka një rrezik të madh, sepse ndodh rëndom që lista me libra të detyrueshëm për lexim mbushet me autorë mediokër, dhe Shekspiri me Servantesin të lënë pas liste marrin vlerë vetëm se i kanë dhënë emrin “Ditës së Librit”.
Kohët e fundit vetëm Tirana ka humbur një nga libraritë më emblematike të saj. Sepse megjithëse kishte të gjithë titujt e mundshëm, gjithmonë e më shumë në kohë hynin të blinin libra gjithmonë e më pak njerëz. Për rrethet e tjera nuk bëhet fjalë. Libraritë janë një luks i shmangshëm. Dhe librat shiten në kinkaleri bashkë me lapsat, gomat, vizoret dhe... çamçakëzat.
Po Panairet?
Vitet e fundit publicitetin më të madh e marrin vetëm Panairet e Librit që zhvillohen: Njëri në fillim të Qershorit në Prishtinë e tjetri në mesin e muajit Nëntor në Tiranë. Janë ditë të mira për librin dhe pse në të dy panairet gara është tek shitjet dhe jo tek përmbajtja. Pra, Panairi është parë më shumë si një tezgë supermarkate se sa një institucion për shkëmbim idesh e kontrata botimesh cilësore. Por më së shumti Panairi është përdorur si një arenë për shou fotosh e selfiesh nga të apasionuarit që postojnë gjithçka mundin në rrjetet sociale.
Por kemi të mirën që ne i përkujtojmë të gjitha ditët që kanë të bëjnë me librin e shkrimtarët. Dhe OKB-ja bashkë me UNESCO-n kanë përcaktuar jo pak ditë të tilla përgjatë vitit. Se ka ditë edhe për poetët, edhe për shkrimtarët, edhe për librin. 
...turli festash.
Sot, në Shipëri, kemi plot shkrimtarë që shkruajnë e botojnë. Nuk mund të qahem për këtë. Pyetja që shtrohet në këtë rast është: për kë shkruajnë dhe deri ku shkojnë botimet e tyre?

No comments:

Post a Comment