6 gusht 1908 –
13 gusht 1980
Në të gjitha
rastet, kur duhet folur për gjuhën shqipe, referenca e parë merret prej
punimeve të tij shkencore, referenca e fundit gjithashtu.
Nga Leonard
Veizi
Emri i tij vazhdon
të mbetet si një mur i lartë dhe i pakapërcyeshëm, ndërsa vepra e tij e shkruar
edhe më e lartë se kaq. Në të gjitha rastet, kur duhet folur për gjuhën shqipe,
referenca e parë merret prej punimeve të tij shkencore. Referenca e fundit
gjithashtu...
...Eqrem Çabej u
lind në Eskisehir të Turqisë së sotme, në 6 gusht të vitit 1908, dhe u nda nga
jeta në Romë, në 13 gusht 1980. Në një mënyrë profetike, a rastësore, apo e
kalkuluar nga forca e pakonceptueshme që ne e quajmë Perëndi, mund të themi se
ishte muaji gusht ai që i dha jetën dhe ia mori 72 vite më pas. Gjuha shqipe
mund të kishte nevojë ende për të, por ndoshta ai dha gjithçka kishte pikërisht
për gjuhën shqipe.
Jetëshkrimi
Në jetëshkrimin e
tij të zakonshëm e të kudogjendur thuhet se mësimet e para i mori në
Gjirokastër, por për të vazhduar studimet u dërgua në Austri, në qytetin
universitar me emrin Grac. Dhe atje shkëlqeu. Ndoqi mësimet e Paul
Kretschmer-it, Karl Patsch-it, Nikolai Trubetzkoy-it dhe Norbert Jokl-it. Madje,
nën drejtimin e Jokl-it, Çabeji filloi të kishte interes të madh në zhvillimin
historik të gjuhës shqipe. Në vitin 1933 ai dorëzoi disertacionin e
doktoraturës mbi Italoalbanische Studien, “Studime Italo-Shqiptare”. Dhe
ky ishte fillimi. Pas kthimit të tij në Shqipëri ai do të punonte edhe si mësues
në shkollat e mesme edhe si pedagog i fonetikës historike. Por në vitin 1972 u
bë anëtar themelues i Akademisë së Shkencave.
Botimi
Edhe pse jo me një
formim akademik në gjuhësi, e ndieja të domosdoshme që përveç një serie veprash
që kisha në bibliotekë ku “Fjalori i Gjuhës Shqipe” dhe ai i “Drejtshkrimit” ndodheshin
aty prej vitesh, isha i inetresuar të kisha si pjesë të saj dhe veprën e plotë
të Eqrem Çabejt. Dhe mendoj se këtë duhet ta ketë çdo shqiptar ose, të paktën, çdo
njeri që kërkon të flasë e të shkruajë shqip.
Kur më erdhi vepra
e plotë “Studime gjuhësore” e Eqrem Çabejit, veç gëzimit që ndjeva, sepse në
bibliotekën familjare po vendosja një gur themeli, ndjeva dhe një trishtim të
lehtë e disi të habitshëm tek e fundit. Dhe jo sepse u surprizova. Mund të them
vetëm se zhgënjimi ishte thelluar, ngaqë botimi në fjalë ishte realizuar nga
“Rilindja” e Kosovës, dhe jo nga “Naim Frashëri” në Tiranë. Dhe kjo nuk është
se kishte ndonjë rëndësi të madhe, pasi, tek e fundit, librat flisnin shqip dhe
ishin botuar nga shqiptarët, por thjesht antenat nuk më kapnin përgjigjen e një
pyetjeje të cilën e kisha vazhdimisht në kokë: Tirana që kishte botuar me kapak
kartoni special, veprat e shokut Enver, të shokut Hysni, të shokut Mehmet,
madje edhe ato të shokut Gogo Nushi, që kishte porositur të botoheshin në Kinë me
letër e kapak special vëllimet e para të librit “Yje të Pashuar”, kishte lënë
pas dore, një nga veprat më të mëdha që kanë vlerë për këtë komb, pas “Historia
e Shqipërisë”, atë të Eqrem Çabejit, “Studime gjuhësore”. E meqenëse Tirana
ishte fort e zënë me botimin e veprave të plota të udhëheqjes politike, dhe përkthimin
e tyre në frëngjishte e ca më tej kontinentit, këtë vakuum e plotësoi me shumë
kujdes Prishtina, duke dhënë edhe një leksion njëkohësisht.
Ato çaste, tek shfletoja
nxitueshëm, a thua se kolana me 6 vëllime do të kthehej andej nga kishte
ardhur, dhe pa u menduar thellësisht, e para gjë që më shkoi në mendje ishte arsyetimi:
Dega e Albanologjisë në Prishtinë e kishte më të vlerësuar punën e studiuesit Çabej
për çështjen e shqipes. Domethënë kur them “e kishte më të vlerësuar”, nuk kam
parasys se po botohej për herë të parë në Prishtinë, thjesht Prishtina kishte
ndërmarë një nismë për ta pasur të gjithë veprën e tij në të njëjtën kolanë, më
të organizuar dhe me një kopertinë luksi që të linte pa mend dhe që ua kalonte
librave të shokut Enver, të Hysniut, Mehmetit, e të Gogo Nushit. Ndërsa
Instituti i Gjuhësisë në Tiranë, ç’është e vërteta, do ta merrte shumë vite më
vonë këtë nismë dhe, gjithsesi, nuk do të arrinte që teknikisht të kishte një
botim aq solid sa ai që kishte ardhur nga Kosova, botuar që më 1986.
Përmbajtja
Studimet gjuhësore
kanë gjashtë vëllime: dy të parat përmbajnë studimet etimologjike në fushë të
shqipes të kryera gjatë dyzet vjetëve të punës intensive të prof. Çabejt; vëllimi
i tretë ngërthen: Hyrjen në historinë e gjuhës shqipe, Parashtesat dhe
prapashtesat dhe Shumësin e singularizuar në gjuhën shqipe; vëllimi i katërt përfshin
gjithë ç'u shkrua nga Çabej mbi historinë e brendshme e të jashtme të gjuhës
sonë; vëllimi i pestë u rezervohet vëzhgimeve dhe studimeve të kryera prej Çabejt
mbi Buzukun dhe gjuhën e tij, ndërsa i gjashti përmbledh shkrimet e Çabejt mbi
folklorin, letërsinë, biseda për gjuhën shqipe, fjalë kujtimi për Aleksandër
Xhuvanin, Maksimilian Lambercin, për Norbert Jokl-in, Angelo Leotti-n,
diskutime rreth kumtesave të kolegëve të tij në kongrese e bashkëtubime të
tjera për probleme të gjuhësisë ballkanike, të albanologjisë e të onomastikës.
Fjalori Enciklopedik 1985
Çabej u njoh si
autoritet shkencor edhe në rrafshin ndërkombëtar
Pesë vjet pas
vdekjes së tij, Akademia jonë e Shkencave arriti të botojë Fjalorin
Enciklopedik Shqiptar. Faqja me germën “Ç” nis me emrin “Çabej Eqrem”. Dhe më
poshtë vijon ky vlerësim:Eqrem Çabej, figurë
e shquar e shkencës, e arsimit dhe e kulturës shqiptare, anëtar i Akademisë së
Shkencave dhe i Presidiumit të saj, Mësues i Popullit. Studimet e larta
filologjike i bëri në Austri, duke u specializuar në gjuhësinë krahasuese
indoevropiane. Për afro një gjysmë shekulli punoi sistematikisht për shkollën e
studimet shqiptare, duke i dhënë ndihmesa të rëndësishme veçanërisht arsimit të
lartë dhe gjuhësisë shqiptare. Veprimtaria e tij kërkimore mori përmasa të
gjera dhe u ngrit në një shkallë të lartë pas çlirimit. Dha mësim në Institutin
Pedagogjik (1946), më pas në Universitetin e Tiranës dhe punoi në Institutin e
Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Hartoi tekstet e disa lëndëve kryesore, ishte
bashkautor në një varg veprash kolektive. Veprimtaria e tij shkencore u
shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri edhe jashtë saj, sidomos në folklor,
etnografi, histori të letërsisë. Fusha themelore e tij ka qenë historia e gjuhës,
e vështruar në aspektet e problemet me të ndryshme të saj. Vendin qendror e zënë
studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, por mjaft peshë kanë edhe
fonetika e gramatika historike e shqipes, historia e përgjithshme e shqipes me
problemet e prejardhjes së saj, të marrëdhënieve me gjuhët motra indoevropiane,
me gjuhët ballkanike e me gjuhë të tjera, po ashtu edhe gjuha e autorëve të
vjetër e botimi filologjik i veprave të tyre. Ndihmesa me rëndësi ka dhënë Eqrem
Çabej edhe për dialektologjinë e osmanistikën, si edhe për kodifikimin e gjuhës
letrare. Ndër veprat më kryesore të tij janë: Studime etimologjike në fushë të
shqipes I, II, III; Hyrje në historinë e gjuhës shqipe (1947, 1958), Fonetika
historike e shqipes (1958), botimi kritik i veprës “Meshari i Gjon Buzukut”
(1958), bashkë me Aleksandër Xhuvanin hartoi dy trajtesat “Parashtesat” dhe “Prapashtesat
e gjuhës shqipe” (1956, 1962). Qe bashkautor i “Fjalorit të gjuhës shqipe”
(1954), po ashtu ndër hartuesit e udhëzuesve drejtshkrimorë që u punuan pas Çlirimit
deri në “Drejtshkrimin e gjuhës shqipe. (1973). Mori pjesë gjallërisht në përpunimin
e terminologjive të shumë degëve të shkencës e të teknikës. Eqrem Çabej
argumentoi në mënyre bindëse prejardhjen ilire të gjuhës shqipe e të popullit
shqiptar, autoktoninë e këtij në trevat ku banon sot, vuri në dukje rolin dhënës
të shqipes ndaj gjuhëve me të cilat ra në kontakt dhe unitetin e kulturës
materiale e shpirtërore shqiptare. Si përfaqësues i shquar i gjuhësisë
shqiptare, u njoh si autoritet shkencor edhe në rrafshin ndërkombëtar.
No comments:
Post a Comment