Leonard Veizi
Sot,
më shumë se kurrë, njerëzit jetojnë me një ndjenjë të përhershme ankthi e një
pyetje të pashprehur: Kur do të vijë radha ime? Nuk është fjala për armët e
shkatërrimit në masë që mund të përdoren nëse nis një Luftë Globale. Është
fjala për një armik shumë më të madh se një drejtues shteti që mban gishtin
tregues mbi pulsantin e kuq që lëshon raketën bërthamore.
Në
labirintin e jetës moderne, kjo fantazmë qëndron mbi të gjithë ne, një diagnozë
që pëshpëritet në dhomat e pritjes, me dridhje zëri. Është fjala për kancerin,
këtë armik të pamëshirshëm të jetës njerëzore. Dikur një mallkim i rrallë, tani
ai hedh hijen e tij mbi miliona jetë njerëzore.
Vërtet
jetojmë në një epokë ku teknologjia dhe njohuritë mjekësore po përparojnë me
hapa të mëdhenj, por, paradoksalisht edhe frika për jetën tonë po shtohet.
Kanceri është shndërruar në një nga sëmundjet më të frikshme të kohëve moderne,
duke u bërë një burim i vazhdueshëm ankthi. Për disa, kjo frikë është aq e
pranishme sa jeta e tyre shndërrohet në një lojë paranoje, ku çdo simptomë e
vogël mund të perceptohet si një paralajmërim i tmerrshëm.
Prej
kohësh ka lindur shprehja: Kanceri është bërë si gripi. Por a po e minimizojmë
kaq shumë këtë sëmundje, apo thjesht po pranojmë realitetin e masivitetit të
saj?
Kjo
frikë kolektive përforcohet nga bisedat e përditshme, nga historitë e të
njohurve dhe nga informacioni që përhapet me shpejtësi përmes mediave. Çdo rast
i ri i diagnostikuar, çdo histori humbjeje nga kjo sëmundje, na bën të ndjejmë
se jemi një hap më afër këtij rreziku.
Kanceri
është bërë si gripi???
Por
a është kanceri një pandemi?
Pyetja
mund të marrë përgjigje, sidomos kur njihesh me të dhënat statistikore të cilat
thonë se kanceri mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 9.6 milionë
njerëz humbin jetën çdo vit si pasojë e kësaj sëmundjeje, duke përfaqësuar
afërsisht 13% të të gjitha vdekjeve globale.
Në romanin e
tij “Dimri i Vetmisë së Madhe”, Ismail Kadare përshkruan vizitën e
Xhemal Strugës, shoqëruar nga djali i madh, Besniku, tek onkologu: “Vizita po
vazhdonte vërtetë gjatë. Besniku qëndroi përsëri përballë gazetës së murit.
Rubrika - kanceri nëpër botë. Ç'është nevoja që revistat dhe gazetat e murit të
mbushen me kuriozitete të tilla? Gjashtë milion të sëmurë nga kanceri në vit.
Ah, lajm i bukur fort për njerëzit. Mund të jetonin edhe pa këtë njohuri
kulturale. Besniku ndezi cigaren me nervozizëm”.
Meqenëse
romani flet për vitin 1960, kjo do të thotë se asokohe kjo ishte një statistikë
botërore, 6 milionë të prekut në vit. Sot kemi rreth 10 milionë të vdekur në
vit. Padyshim popullsia është shtuar së tepërmi, por numri i të prekurve shumë
më tepër.
Në
Shqipëri, sëmundjet tumorale janë shkaktari i dytë i vdekjeve. Në vend të parë
vazhdon të jetë mbreti ende i pashkurorëzuar: sëmundjet kardiovaskulare. Këto
statistika theksojnë rëndësinë e ndërgjegjësimit, diagnostikimit të hershëm dhe
trajtimit efektiv të kancerit për të reduktuar ndikimin e tij në shëndetin
publik.
Të
paktën të bëjmë atë që kemi në dorë.
Sepse, gjithsesi, shkenca ka bërë
përparime të konsiderueshme në luftën kundër kancerit, duke sjellë risi dhe
qasje të reja si në diagnostikim ashtu dhe në trajtimin e saj. Këto
zhvillime tregojnë se shkenca po përparon në mënyrë të vazhdueshme drejt
gjetjes së trajtimeve më efektive dhe, potencialisht, një kure përfundimtare
për kancerin.
Por përsëri jemi larg mposhtjes totale.
Dhe deri sa të gjendet një kurë përfundimtare, ne të gjithë mbetemi viktima të
supozuara të armikut tonë më të madh.
Frika
ndaj kancerit buron pjesërisht nga fakti se, pavarësisht përparimeve
teknologjike dhe shkencore, ende ka shumë aspekte të tij që nuk i kuptojmë
plotësisht dhe nuk mund t’i parandalojmë. Kjo na bën të ndihemi të pafuqishëm
përballë diçkaje që mund të na ndodhë në çdo çast. Njerëzit përpiqen të ndjekin
një stil jetese të shëndetshëm, të bëjnë kontrolle të rregullta mjekësore, por
ankthi nuk largohet plotësisht.
Në
njëfarë mënyre, mund të thuhet se po përjetojmë një pandemi të frikës ndaj
kancerit, njësoj siç përjetuam pandeminë e COVID-19 disa vite më parë.
Industria ushqimore e mbushur me substanca të panjohura, jeta sedentare dhe
ndotja e mjedisit kontribuojnë në perceptimin se jemi të ekspozuar ndaj një
kërcënimi të vazhdueshëm.
Është
kanceri, ky armik i padukshëm.
Dikur,
shumë njerëz vdisnin nga kanceri pa e ditur as vetë diagnozën. Ndërgjegjësimi
nuk ishte kaq i zhvilluar dhe rastet mbeteshin të padokumentuara. Sot, për
shkak të përparimit të mjekësisë dhe diagnostikimit të hershëm, numri i rasteve
të njohura është më i lartë, duke krijuar idenë se sëmundja është më e përhapur
se më parë.
Jetojmë
me frikë. Kanceri është më keq se lufta.
Frika
e përhershme për shëndetin ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në
produktivitetin, pasionin dhe krijimtarinë tonë. Ankthi na mbush mendjen me
pasiguri dhe e bën të vështirë përqendrimin në synimet dhe projektet personale.
Kur frika kontrollon jetën tonë, ajo na pengon të shijojmë çastet e lumturisë.
Jeta
jonë duket se është kthyer në një proces të pandërprerë testesh, vizitash
mjekësore dhe analizash. Dikur, njerëzit shkonin tek mjeku vetëm kur kishin
simptoma serioze; sot, kontrollet e vazhdueshme janë bërë pjesë e përditshmërisë.
Kjo qasje krijon një paradoks: sa më shumë përpiqemi të garantojmë shëndetin me
teste, aq më shumë rritet frika jonë.
Ti
del nga vizita diagnostikuese gjithë shënd e verë, sepse mjeku të garanton se
je i pastër e asgjë nuk të rrezikon. Por sapo kapërcen pragun, pyetja lind
vetvetiu. Çfarë do të ndodhë deri vizitën e ardhshme? A do jem i kërcënuar? Dhe
kjo nuk të le të qetë të bësh jetën tënde.
Një
përqasje e shëndetshme ndaj kësaj frike është të pranojmë pasigurinë si një
pjesë të natyrshme të jetës. Gjithsesi, kujdesi ndaj shëndetit duhet të jetë i
ekuilibruar dhe i mençur, pa lejuar që ankthi të na dominojë mendjen.
Përqendrimi tek e tashmja, mbajtja e një stili jetese të qëndrueshëm dhe
ndërtimi i momenteve me vlerë janë strategjitë më të mira për të përballuar
ankthin modern të sëmundjeve.
No comments:
Post a Comment