Wednesday, April 2, 2025

Shuhet Val Kilmer, Morisoni i Dytë

Nga 
Leonard Veizi
 
Një nga figurat më enigmatike të kinemasë, Val Kilmer, i ka dhënë lamtumirën botës duke lënë pas një trashëgimi të pavdekshme. Për shumëkënd, ai do të mbetet i njohur si piloti i "Top Gun" apo Batman-i i vetëm i një epoke. Por për një kategori të caktuar artdashësish, ai do të jetë gjithnjë Xhim Morisoni i dytë. Jo vetëm për ngjashmërinë fizike dhe interpretimin e tij në filmin biografik të Oliver Stounit, “Doors” apo "Dyert" – një prodhim i vitit 1991 – por edhe për shpirtin rebel, përzierjen mes gjenialitetit dhe dhimbjes, mes suksesit dhe vetmisë...
 
...Jeta e Val Kilmerit ishte po aq komplekse dhe interesante sa karriera e tij në kinema. Ai ishte një artist që jetoi me intensitet dhe shpesh mbante një profil misterioz, duke u larguar nga skenat e zakonshme të Hollivudit. Val Kilmer lindi më 31 dhjetor 1959 në Los Anxhelos, Kaliforni. Ai përjetoi një humbje të madhe që në moshë të re: vëllai i tij i madh, Uezli, vdiq tragjikisht kur Val ishte vetëm 17 vjeç. Kjo humbje e ndikoi thellësisht dhe e drejtoi atë drejt artit dhe introspeksionit.
Kilmer ka pasur disa lidhje të njohura me figura të famshme të Hollivudit. Ai ishte i martuar me Xhoan Ualëin, një aktore britanike me të cilën luajti në filmin "Uilou", në vitin1988. Ata u ndanë në 1996 dhe kishin dy fëmijë së bashku. Ai gjithashtu ka qenë i lidhur me emra të njohur si Sher, Sindi Krouford dhe Anxhelina Xholi. Në autobiografinë e tij "Jam Hakëlberri yt", ai pranoi se Sher ishte një nga njerëzit më të afërt me të gjatë betejës së tij me kancerin.
 
Val dhe Xhim
Në interpretimin e tij të ikonës së rokut, Kilmer nuk e luajti Morisonin – ai e përjetoi atë. Val Kilmer e realizoi figurën e Xhim Morisonit në filmin "Doors" me një dedikim ekstrem dhe një metodë tërësisht transformuese. Gjatë xhirimeve, ai u zhyt aq thellë në rol saqë miqtë e tij nisën të shqetësoheshin për shëndetin e tij mendor. Diktimi i fjalëve, lëvizjet, qëndrimi, madje edhe kënga – të gjitha u bënë një me trupin dhe shpirtin e tij.
Në filmin “The Doors” Val Kilmer interpreton disa nga vargjet më të fuqishme të Xhim Morrisonit, të cilat përshkruajnë natyrën e tij të trazuar, shpirtin poetik dhe filozofinë e jetës.
 
"Anuloni abonimin tim për ringjalljen
Dërgojini kredencialet e mia në dhomën e paraburgimit
Kam disa miq brenda..."
 
Kilmer studioi me imtësi lëvizjet, qëndrimin dhe sjelljet e Morisonit në skenë. Ai shikoi qindra orë materiale arkivore për të përvetësuar mënyrën se si Morison këndonte, ecte dhe sillej. Ai kaloi muaj të tërë duke mësuar të imitojë zër-in e Morisonit deri në perfeksion. Në fakt, në shumicën e këngëve të filmit, është vetë Kilmer që këndon dhe shumë nga ish-anëtarët e "Doors" nuk mund ta dallonin ndryshimin mes zër-it të tij dhe atij të Morisonit.
Për t’u futur plotësisht në mendjen e Xhim Morisonit, Kilmer lexoi të gjitha poezitë dhe shënimet e tij, si dhe u njoh me filozofitë dhe shkrimtarët që kishin ndikuar tek ai, si Fridrih Niçe dhe Uilliam Blejk. Ai jetoi për një periudhë si Morison, duke e imituar mënyrën e tij të të jetuarit – duke shkuar në të njëjtat vende ku këngëtari kalonte kohën, duke dëgjuar të njëjtën muzikë dhe duke u shoqëruar me njerëz që e kishin njohur atë.
 
"Ky është fundi, shoku im i bukur
Ky është fundi, shoku im i vetëm, fundi..."
 
E interpretuar në film nga Val Kilmer kjo këngë e fuqishme e kënduar nga Morison përçon një ndjenjë të pashmangshme të përfundimit dhe vdekjes.
 
Epilogu
Por siç ndodh shpesh me artistët që digjen nga brenda, edhe Kilmer u përball me demonët e tij. Kanceri i fytit ia mori zër-in, por nuk ia rrëmbeu shpirtin luftarak. Në vitin 2015, Kilmer u diagnostikua me kancer të fytit, dhe pas trajtimeve të gjata, përshirë kimioterap-inë dhe një trakeotomi, ai humbi pothuajse plotësisht aftësinë për të folur. Pavarësisht kësaj, ai nuk hoqi dorë nga arti dhe komunikimi. Ai përdori teknologji për të sintetizuar zër-in e tij dhe vazhdoi të shkruante dhe të merrte pjesë në projekte filmike, si dokumentari "Val" i vitit 2021, i cili tregon jetën e tij nga një këndvështrim shumë personal.
Dokumentari "Val" na e tregoi atë ashtu siç ishte: një njeri që nuk hoqi dorë nga arti, një burrë që, edhe pa zë, kishte ende diçka për të thënë. Ai largohet duke lënë pas jo vetëm role të paharrueshme, por edhe një imazh që do të mbetet gjithmonë i ngulitur në kujtesën kolektive: ai i një Morisoni të rilindur, një zjarri që ndriçoi fort dhe u shua shumë shpejt.
 
"Vdekja na bën të gjithë engjëj
Dhe na jep krahë
Aty ku kishim supe
Të lëmuara si kthetra korbi."
 
Dhe këto vargje nga filmi “Doors” të interpretuara nga Val Kilmer janë një reflektim i thellë mbi vdekjen dhe transformimin shpirtëror.
Val Kilmer nuk ishte thjesht një aktor. Ai ishte një legjendë. Dhe legjendat nuk vdesin kurrë.

No comments:

Post a Comment