Degradimi
i një pjese të shoqërisë shqiptare, -
pezhorativiteti i së cilës vjen kur konsiderohet e gjithë shoqëria në të
njëjtin nivel, – është parë prej kohësh
në horizont. Po këtë gjë ne, herë nuk e dallojmë dot nga miopia, - që tek e
fundit është një lloj sëmundje e cila i bashkëngjitet degradimit, - por dhe
bëjmë sikur nuk e shikojmë, se duke u krekosur si gjeli majë plehut, nuk na
vjen mirë as të na quajnë dhe as të vetëquhemi të degraduar.
Tani
është kthyer në modë që kohë pas kohe, - relative dhe elementi kohë - titujt
nëpër gazeta e portale plasin me germa të mëdha: “Është rritur niveli i krimit
për motive të dobëta”, “Është rritur numri i aksidenteve”, “Është rritur numri
i krimit brenda familjes”... Dhe bordet, - jo si ai që përcakton çmimin e
naftës, - po shoshitin kërkesën që tani e tutje kësaj mega rubrike t’i shtohet
edhe një nënrubrikë tjetër: “Rritet kriminaliteti në radhët e policisë”.
“Polici
vrau policin”. Është e njëjta gjë që është thënë kaherë: “Shqiptari vrau
shqiptarin”. Se nuk jemi në luftë me askënd që ta motivojmë nxjerrjen e kobures
dhe shkrepjen e këmbëzës.
Ne
nuk heqim dorë nga zakoni unë i vjetër, ta vrasim tjetrin në pije e sipër, si
gjakrat janë nxehur pasi kemi bërë një copë herë muhabet rëndshëm e kemi hapur
në tavolinën e rakisë zorrët e barkut.
-Më
gjakftohtë mo Arif, më gjakftohtë!
-Po
më shau o, hajvani i derrit.
Batutat
janë shkëputur nga një film i njohur i Kinostudios së dikurshme, që tek e
fundit tregon në një segment kohe se si shqiptarët luftonin me njëri-tjetrin më
shumë se me armikun. Realiteti i sotshëm është më i ashpër se kaq.
Para
pak kohësh, tek isha përqendruar të ndiqja lajmet e mbrëmjes në televizor, u
mjaftova vetëm me dy informacionet dhe të parat, se pastaj i dhashë karar: më
mirë të shihja “I teti në bronz” dhe dyluftimin e mistërnikut Arif me Sali
Protopapën e xhandarmërisë që e mësoi të ishte nishanlli mbi kokën e gjelit. Në
fund të fundit ngado ta ktheje kanalin, vrasjet ishin përfundimi i temës.
Lajmi
i parë: Pasi konsumuan alkool, shoku vrau shokun se e shau “malok”.
Lajmi
i dytë: Kushte të reja për të paraburgosurit, do punësohen edhe 80 policë të
rinj.
-
Po hë, ndonjë lajm të tretë s’ke?
-
Edhe atë do ta gjejmë. Mos u merakos!
Shqiptarët
po vriten mes njëri-tjetrit. Ky nuk është ndonjë term i ri. Por shokues mbetet
sërish. Sidomos kur në gjaknxehtësi e sipër nxjerrim koburet dhe nën avujt e
alkoolit nxjerrim thikën. Dhe nuk është se vritemi për gjëra madhore, por për
ato krejt elementare. Shumë herë fare banale.
Dhe
a bëhemi pishman pas kësaj...?
-Si
qeni.
Por
ç'e do, se lëkurën e tjetrit e çon po për dhjamë qeni.
Ne
thjesht nuk duam që tjetri të na cenojë krenarinë. Ne pranojmë që shteti në
emër të ligjit të na e lërojë para e mbrapsht, por kur vjen puna për një
gërvishtje makine, për një vend në parkim, për një karikus celulari apo ritmin
e muzikës në mejhane, ne mund të shuhemi dhe me fis e me farë. Ore luftë
frontale hapim, në istikame e me vezme fishekësh rreth brezit. Se nuk durojmë
dot.
-Na
keni fyer në dinjitetin kombëtar...
Ku
ma gjen. Kjo po, është një arsye për t’u vrarë e për t’u shpallur hero. Por jo
se tjetri në pije e sipër, kur mezi thotë fjalët e nuk çohet dot nga karrigia,
të thënka epitetin: malok. Pse kaq e lirë qenka jeta, sa mund t’ia marrësh një
burri për një fjalë goje. Që t’i mbyllësh derën një familje. Që t'i thash lotët
një nëne. Të lësh pa baba fëmijët. Edhe gruan pa burrë.
Pastaj
vjen rasti tjetër: Më shau qorr. Drang tjetri koburen e s'e bën dysh. Pse me
sytë e gjete të tallesh. Ti më shan por unë t'i fus kokërdhokët brenda.
Ç’prazet xhepaneja dhe tjetri i jep lamtumirën kësaj bote sepse dikujt nuk i
mban kandari fare.
-Po
thellohu more djalë... thellohu!
Dhe
nuk dua të zgjatem te çështja e dytë pasi dihet që për shkak të problematikave
shteti ynë shqiptar nga një shtet ushtarak një herë e një kohë, tanimë është
kthyer në shtet policor. Sepse ky shtet mbledh kufomat e lëna rrugëve dhe ruan
pas hekurave të arrestuarit e shumtë. Dhe ata shtohen përditë. Një herë se
pijnë e dehen dhe ia shkelin gazin dërrasë të makinës me vlerë 200 mijë euro, e
nuk dihet kë marrin përpara. Pastaj shahen e sherrosen dhe zgjidhjen më të
shkurtër dhe efikase e kanë të pavetëdijshme, kur dora u shkon në brez.
-Epo...
jemi apo s’jemi burra?
Ndaj
dhe na duhen policë, vazhdimisht na duhen policë të rinj. Duket zgjeruar në
kapacitet dhe Akademia që të mund t’i trajnojë. Se po i more nga rruga, u dhe
nga një kobure në dorë dhe nga një kapele në kokë, ata si shqiptarë të vërtetë
që janë të bëjnë gjëmën.
Tek
e fundit koburja nuk mbahet në brez si mjet zbukurimi, apo thënë ndryshe: si
aksesor.
No comments:
Post a Comment