2 maji që mori
Aleko Prodanin, ishte disi i shkëputur. Por ka qenë fort i trishtuar fillimi i
vitit 2006 për botën e artit. Ata që e mbajnë mend, mund të kujtojnë fare mirë
se u deshën vetëm 45 ditë për të pasur 7 vdekje të njëpasnjëshme.
Të gjithë njerëz
të një race tjetër, asaj të forcës së krijimit, të ndjenjës së saj. Janar dhe
shkurt, asgjë nuk mund të thoshte më shumë se kaq, dhe pastaj homazhe e
kortezhe të përmortshme. Ishte një ndjesi e errët, e mbushur me një emocion të
dhimbshëm, pastaj krejt i zbrazët.
Ndërsa “lajmëtarja
e vdekjeve” nxitonte nëpër rrugët e akullta për të sjellë të vetmin lajm të zi.
Kështu u ndanë nga jeta korifenjtë e artit dhe të letrave shqipe Niko Nikolla,
Ibrahim Rugova, Vath Koreshi, Ibrahim Kodra, Dionis Bubani, Frederik Rreshpja
dhe Kel Kodeli. Ajo që ndodhi me artistët shqiptarë ishte gati-gati… e kobshme.
Vargani i vdekjeve
të paparalajmëruara nisi që në fillim të janarit të ftohtë për të mbërritur po
aq i egër e inatçor edhe në pranverën e lagësht të majit.
Të larguar njëri
pas tjetrit, ata lanë një boshllëk që nuk ishte fort e lehtë për t’u mbushur
nga pasardhësit. Ishin pikërisht ata aktorë, shkrimtarë piktorë, apo thënë
shkurt njerëz të artit, të cilët për vite e vite pune kishin krijuar rreth
vetes galerinë e çmuar të karaktereve, gjë që i çonte drejt përjetësisë.
Prandaj ngushëllimi është sërish aty, në pjesën më të padukshme të tyre, tek
ajo që jeton gjithmonë.
Artistët e kanë
këtë fat…
…A është fitore të
plotësosh një ëndërr jete? Si në rastin e vdekjes në skenën ku ke interpretuar
për vite me radhë. Sa aktorë e dëshirojnë një gjë tillë? Në mënyrë absolute
thuajse të gjithë, përveç aktorëve të paaftë që magjia e skenës u është kthyer
në makth. Sa prej tyre kanë vdekur në skenë duke interpretuar dhe jo se janë
ndodhur aty për nga rastësia? Mbase mungojnë statistikat, por me siguri shumë
pak. Aleko Prodani ishte njëri prej tyre. I lindur për të qenë pjesë organike e
skenës, vdiq po aty, me rolin e tij të fundit.
“…Iku dhe Aleko
Prodani…”
Jemi në ditët kur
artistët po iknin njëri pas tjetrit si në një hemorragji të pakuptimtë. Fraza
ishte e thatë, por e thënë mes një dhimbjeje të heshtur. Për në strehën e
fundit kishte ikur edhe ai, sigurisht. Por fare papritur. Madje, duke u
përgatitur për një vënie të re në skenë. Dhe të mendosh se ishte në kulmin e
pjekurisë së tij profesionale. Plot energji dhe ndoshta me shumë ambicie të
pashprehura që s’mund ta linin asnjëherë në heshtje një aktor si ai.
Ndodhej në skenë.
Dhe frymën e fundit e dha pikërisht aty, në atë vend të shenjtë, ku shumë nga
aktorët tanë të mëdhenj kishin ëndërruar të vdisnin realisht dhe aspak në
shtretër spitalesh, të munduar nga vitet e rënda të jetës dhe sëmundjeve
ndjellakeqe. Në eterin kozmik e të pakapshëm, por dhe në shiritat magnetikë
tokësorë, ruajtur në bobinat e studiove televizive, janë regjistruar shprehjet
e të mëdhenjve, si Kadri Roshi, Violeta Manushi e Tinka Kutri të cilët kanë
thënë se vdekja e një artisti në skenë do të ishte një vdekje e artë dhe e
çmueshme, sigurisht. Të vdesësh në atë vend të cilit i ke kushtuar jetën është
sikur t’i blatosh atij edhe vdekjen, pra gjithçka.
Në këto kushte a
mund të thuash se Aleko Prodani e kishte një fat të tillë, kaq shumë të
kërkuar?
Regjisori i
pjesës, Adonis Filipi, i kishte besuar rolin e bojaxhiut Aldo, një personazh i
krijuar nga Dario Fo për komedinë “Tre burra për një grua”. Ishte prova
gjenerale në skenën e Teatrit të Korçës, dhe fill pas kësaj do të vinte
premiera. Me lojën e tij mjeshtërore deri në gjysmën e shfaqjes i fali publikut
mjaft të qeshura. Por, rreth orës 19:30 është rrëzuar në mes të skenës. Të
gjithë kanë kujtuar se ishte pjesë e rolit të tij, një improvizim i çastit. Por
Aleko Prodani ka rënë për të mos u ngritur më.
Vetëm pak ditë pas
kësaj ngjarjeje të hidhur regjisori Adonis Filipi, gjatë një interviste që më
ka dhënë enkas për këtë rast, ka rrëfyer bashkëpunimin e tij të fundit me Aleko
Prodanin “Tani duket shumë dramatike, por do të kalojnë ditë dhe kohë e do të
kuptohet që çdo artist i madh i rangut të tij apo i kalibrit botëror, do ta
kishte zili, sepse, si të thuash, vallëzoi, fluturoi dhe vdiq në skenë, atje ku
jeta e tij kishte marrë kuptim”. Po çfarë aktori ishte Aleko Prodani për një
regjisor: “Ishte një aktor shumë evropian, me plastikë fine. Tek ai ishin të
gërshetuara temperamenti artistik, kultura e shijes dhe qëndrimi kritik karshi
asaj që bënte. Shumë e rrallë që këto të tria të unifikoheshin” është shprehur
Adonis Filipi në intervistën e 14 viteve më parë.
Ai nuk e kishte
ende atë moshën e njerëzve që presin vdekjen t’u vijë dita-ditës. Ishte vetëm
64 vjeç. Kishte pasur ca probleme me zemrën, por kjo nuk donte të thoshte
asgjë, përderisa ky organ i rëndësishëm i trupit human, edhe pse shumë i
fuqishëm, sërish mundon shumicën dërrmuese të njerëzve.
Por mjekët të
thonë pa frikë se edhe terapitë janë fort të përparuara, ndaj zemra mund të
vazhdojë të punojë pa ndërprerje, edhe kur merr ndonjë goditje të rastësishme.
Por atë që nuk mund të durojë dot një zemër është pikërisht ajo që bënte Aleko
Prodani. Energji e tepruar dhe shumë emocione për të pasur një rol perfekt. Për
të qenë në unisonin e pagabueshëm ai dhe një tjetër bashkë me të. Për më tepër
kur ke të bësh me një spektator sqimatar, siç është ai i teatrit, i cili nuk
duhet të kuptojë asnjëherë se ku ndahet personazhi nga aktori.
Por në 2 majin e
vitit 2006 Aleko Prodani nuk mundi t’ia dilte.
Sot, 14 vite më
pas, teksa e kujtojmë këtë mjeshtër të skenës mes imazhesh filmike dhe përdorim
batutat e tij për t’i dhënë vetes pak më shumë optimizëm, themi me plot gojën:
Aleko Prodani ishte me fat, vdiq në skenë…
No comments:
Post a Comment