Nga
Leonard Veizi
I
shkujdesur në lëvizjen time, por me instinktin e pazbehur për t’u hedhur një sy
gazetave që vareshin te banaku i një kioske, u ndesha me një titull që si
rrallëherë zgjoi kureshtjen time. “Mungon klima miqësore mes krijuesve të
Tiranës dhe Prishtinës”. Ç’është e vërteta, u trondita, sepse nuk më ka shkuar
as tangjent ndonjë mendim i tillë. Se që të thuash “nuk ka frymë miqësore”,
është një hap larg nga supozimi i të thënit se “ka frymë armiqësore”.
Tek
e fundit, krijuesit nuk është se kanë ndonjë klimë miqësore edhe brenda të
njëjtit qark letrar apo artistik, kështu që dhe pretendimi nuk është se m’u duk
shumë i arsyeshëm në pamje të parë. Por është e kotë të flasësh në të thatë.
Çështja duhej parë konkretisht…
Mora
një gazetë “ExLibris”, u ula në kafe, dhe nisa të lexoja me nge. Ishte një
bashkëbisedim mes dy shkrimtarësh, Virion Graçit që fliste nga Tiranë dhe Adil
Ollunit që këtë gjë e bënte prej Prishtinës.
Të
kujdesshëm të dy për të mos rënë as në shtresën sipërfaqësore të banalitetit,
gjë që jo rrallëherë është lehtësisht e prekshme, sidomos kur flitet për tema
të mprehta. Ç’është e vërteta, nisur nga titulli, mendova se shkrimtarët do të
kishin nxjerrë pakënaqësitë e tyre për klimën e munguar mes krijuesve nga të dy
anët e kufirit shqiptar. Dhe që të jem realist, nuk mendova për një klimë të
munguar miqësore, por për një klimë armiqësore, larg qoftë.
Por
nuk ishte kështu. Paragraf pas paragrafi, herë te fjalët e njërit e herë te
mendimet e tjetrit, nuk është se po e gjeja atë që isha përgatitur të gjeja.
Përplasje rreth një miqësie të munguar apo një armiqësie të improvizuar. Se
letrarët, qëllojnë dhe të armiqësohen me njëri-tjetrin, kjo nuk është ndonjë
gjë e pazakontë. Ishte një dialog i kujdesshëm mes intelektualësh, ku më së
shumti flitej për një vendosje më të mirë bashkëpunimi mes krijuesve që u përkasin
dy kryeqendrave, të poshtmes dhe të epërmes.
Me
shkrimtarët e Kosovës, me ata që njoh sigurisht, unë kam marrëdhënie shumë
miqësore. Kjo nuk do të thotë që titulli i “ExLibri”-t nuk qëndronte, sepse ky
është vetëm një rast. Më ka qëlluar të jem në një miting letrar me Ibrahim
Kadriun, Xhevdet Bajrajn, Gazmend Bytyçin dhe veç miqësisë kam marrë ndjesi të
rralla letrare. Por jemi shtruar të ndajmë mendime të përbashkëta dhe me
Faredin Shehun e Albatros Rexhajn. Përmenda vetëm këta, se po të shkoj më tej,
radha bëhet e gjatë. Shkrimtarët e Tiranës kanë marrë çmime në Prishtinë dhe
anasjelltas. Edhe dy panairet e mëdha funksionojnë si sahat, ndaj unë nuk kam
ndër mend të zhbiriloj situatat e botuesve pas kuintave përderisa fasada ma jep
atë që dua të marr. Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për kryeqytetet, sepse
mitingje kulturore e letrare ka dhe në qytete të tjera të rrafshit
Shqipëri-Kosovë. Edhe shitje librash ka pasur mjaft. Pavarësisht se botuesi nga
Kosova me emrin letrar “Armagedon” i cili ka mbajtur shënime, thotë se: “Ne
blejmë mbi dy milionë euro libra nga botuesit e Shqipërisë gjatë një viti, e
ata nuk blejnë as pesëdhjetë mijë euro”. Raport i zhdrejtë. Kjo është një
statistikë e munguar, ndoshta dhe e dyshimtë, por në nënvete aspak miqësore. Sepse
sipas kësaj logjike, Tirana na paska marrë skeptrin e të plotfuqishmit, e
Prishtina qenka shndërruar në vasal.
Unë
nuk besoj se është kështu.
Mirëpo
një gjë të tillë si për inat ma konfirmoi gjatë një interviste Abdullah Zeneli,
kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, teksa m’u shpreh troç e pa doreza:
“Ka dhe një paradoks, teksa bibliotekat e Kosovës blejnë jo pak libra të
botuesve të Shqipërisë, kjo nuk ndodh me botimet e botuesve të Kosovës në
Shqipëri. A thua Tirana zyrtare pret Beogradin të na i blejë neve librat që
dergjen depove? Ky është një dështim institucional”.
Këtu
ngecem disi, e më duhet të rishikoj gjithçka kam shkruar.
Normal
që është një dështim institucional, përderisa prej shumë vitesh as bibliotekat
në Shqipëri nuk furnizohen me libra, sepse nuk ka një zë të tillë në buxhetin e
Ministrisë së Kulturës. Por, gjithsesi, nuk kemi të bëjmë me një xhelozi
botuesish e as shkrimtarësh, por me një keqadministrim. Dhe dihet që shqiptarët
poshtë kufirit, përgjithësisht e kanë keqadministruar shtetin e tyre në 108
vitet e ekzistencës së tij, ndërsa Kosova në shumë më pak vite si institucion i
pavarur shtetëror na ka treguar se di ta bëjë këtë punë më mirë. E pra,
shqiptarë ne, shqiptarë ata.
Por
unë po vazhdoj ta analizoj këtë defekt në një tjetër aspekt, sepse gjithmonë e
në çdo kohë ka një qasje ndryshe të problemit:
Kur
Albatros Rexhaj, botoi “Edith” dhe erdhi në panairin e Tiranës, u prit më me
interes se Hashim Thaçi. Lexuesit e kërshëruar u vunë në radhë, hapën qeset dhe
nxorën paratë me të cilat blenë nga një ekzemplar. Ndërsa shkrimtari Albatros,
edhe pse iu lodh dora duke dhënë autografe, rezistoi deri në fund dhe nuk u ankua
se i mbaroi boja e stilolapsit. Por nuk ma merr mendja se ndokush mbajti
shënime dhe u bë xheloz se sa para i mori Tiranës Albatros Rexhaj nëpërmjet
shitjes së librit. Se paratë i mori “cash” dhe kaloi doganën apo i transferoi
përmes ndonjë llogarie bankare. Dhe tek e fundit a do të rimbursohej Shqipëria,
të paktën me shitjen e librave të Kadaresë apo të Kongolit.
Ama,
muhabet burrash është ky?
Puna
e shitblerjes në një treg të hapur ka të bëjë me faktin e thjeshtë: çfarë më
ofron. Dhe nëse nuk më ofron atë që kërkoj, nuk kam pse shpenzoj. Nëse
shitblerja ka të bëjë me patriotizmin, apo me një nder të ndërsjellët, po vihem
në radhë të blej ca libra nga botuesit e Kosovës, edhe pse ca të tjerë i kam
blerë tashmë.
Së
fundi, mund të them se atmosfera mes Tiranës dhe Prishtinës është mjaftueshëm
miqësore. Tek e fundit shkrimtarët nuk janë si këngëtarët, që bashkëpunimin e
shohin të lidhur më ngushtë, aq sa t’i japin njëri-tjetrit borxh edhe makinat e
luksit që përdoren në sfondin e videoklipeve. Dhe kjo nuk është për t’u marrë
shumë në konsideratë. Shkrimtarët tek e fundit nuk është e nevojshme të jenë
“vëllezër” me njëri-tjetrin, aq sa të “vdesin” për të jetuar nën të njëjtën
çati dhe të hapin zorrët e barkut në tavolinat alkoolike të mitingjeve letrare.
Tek e fundit ata janë shkrimtarë.
Botuar në:
No comments:
Post a Comment