REFLEKSION/ Përtej një lajmi
Nga Leonard Veizi
“Gjithkush
e ka një çmim”. Fraza është thënë e stërthënë në gjithfarë versionesh, madje
duket aq e konsumuar e bajate, sa nuk ia vlen as ta përsëritësh, duke marrë dhe
të drejtat e autorit. E, megjithatë, është një shprehje që të vjen në kujtesë
rëndom, pasi jo rrallë ndeshesh me fenomenet ku dashur padashur të kalon nëpër
mend si meteor. Dhe ai që më sjell më së shpejti në mend frazën krejt të
pahijshme, por krejt të saktë gjithashtu, është një episod i filmit hollivudian
“Indecent Proposal”.
“Gjithkush
e ka një çmim”.
Kjo
frazë më ka ardhur vazhdimisht në vëmendje gjatë gjithë ditëve kur flitej me
tension për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar e ndërtimin e një të riu.
Kur në kauzën e mbrojtjes së godinës së vjetër, herë në tryeza bisedimesh e
herë në një podium të improvizuar, hynin e dilnin aktorë me emër. Por trupa nuk
mbeti asnjëherë e njëjtë. Vazhdimisht kishte hemorragji.
Në
ditë të vështira, Diana e filmit apo Demi Moore si aktore, e lëshon veten në
krahët e një burri tjetër për një milion dollarë. Tha se nuk mund të blihej.
Por, në fakt, kaq ishte çmimi i saj. Dhe duhet të themi se ishte vërtet një
çmim i lartë. Shumë të tjera do ta kishin bërë për shumë më pak para. Qoftë dhe
me një pozicion të mirë pune.
Diana
naive mendonte se ndjenjat nuk mund të bliheshin, por miliarderi Xhon, luajtur
nga Robert Redford, vërtetoi të kundërtën. Pas një propozimi vërtet të
paturpshëm nga ana e tij, ai arriti ta blejë Dianën e patundshme, madje në kundërpeshë
edhe bashkëshortin e saj, duke paguar, as më pak dhe as më shumë, por një
milion dollarë, me një kontratë të rregullt noteriale.
“Gjithkush
e ka një çmim”.
Kështu
më duket tani ku beteja në mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar mori fund.
Ishin shumë më tepër aktorë në fillim. Por rrugës nisën të fironin pak nga pak.
Kush e merrte çmimin e vet, dilte nga skena. Mbetën në podiumin e luftës
veteranët. Dukeshin stoikë në mbrojtje të kauzës, por askush nuk e di se çfarë
ka ndodhur më pas dhe me ta, a u është ofruar edhe atyre një “çmim”, ashtu si
Dianës së filmit nga miliarderi Xhon? Sepse pas deklarimeve patetike për
kalimin e fadromave mbi trupat e tyre, se nuk do të lëviznin as nga dera
kryesore e godinës dhe nga skena, në fakt nuk ndodhi. Kur ata “u zgjuan” nga
gjumi, fadromat kishin mbaruar punë, dhe makinat e tonazhit të rëndë po hiqnin
inertet e mbetura si një mal.
Teatri
ra, dhe pasojat domino pas tij nuk mund të parashikohen lehtë. Por ajo që mund
të themi sot është se në rrëzimin e tij morën pjesë më shumë aktorë nga sa mund
të mendohet. Ca me dëshirë, ca me indiferencën e tyre dhe të tjerë me mbylljen
e njërit sy.
Ky
mund të jetë një gabim imi, por kam qenë e jam i bindur se kujtdo që do t’i afrohej
një çmim, do ta lëshonte podiumin. Jeta e ka treguar në vazhdimësi një gjë të
tillë. Ngjarjet e fundit gjithashtu. Atëherë, në optikën time dhe jo vetëm
besoj, nuk ishte më e nevojshme të përdoreshin ruspat e buldozerët që të mund
të rrëzonin godinën e Teatrit Kombëtar. Ajo në të vërtetë kishte për të rënë
vetë, me një të shtyrë.
Ajo
çfarë do të ndodhë pas kësaj ka shumë më pak rëndësi, sepse ajo që duhej
mbrojtur nuk ekziston tashmë.
Botuar në FJALA
No comments:
Post a Comment