Muntaz Dhrami: Ju
rrëfej Sali Vranishtin, luftëtarin dinamik që do të derdhim në bronz
Nga Leonard
Veizi
Sinergjia
që përcjell përmes shputash, gishtash dhe mollëzave fort të ndjeshme, ngjesh
baltën e pajetë që edhe pse jo e njëtrajtshme, herë amorfe e herë kokëfortë,
gjithsesi shkon atje ku ai për së fundi i jep rifiniturën plot delikatesë. Është
një sforco të ethshme që shkon deri në stërmundim e që sërish kthehet pas për të
ridhënë të njëjtën energji...
...Luftëtari
ka marrë jetë. Hipur mbi një shkëmb me mauzer në dorë, kobure në brez, vezmet
me fishekë mbi gjoks, mustaqe e mjekër të dendur e flokët e paprerë që gati i
bien mbi supe, ai është gati për aksion. “Për mëmëdhenë” mund të jetë një
thirrje poetike, por Muntaz Dhrami kërkon që ajo të duket e dalë nga goja e
bronztë e një luftëtari të madh e me vështrim burrëror, Sali Vranishtit. Prej
gati 8 muajsh Dhrami po punon me këtë projekt, i cili tashmë është tre metra i
lartë, ende i pavendosur mbi bazament. Për gazetën “Fjala” ai thotë:
Si u motivuat për
të realizuar monumentin e Sali Vranishtit?
Këtë
vit është 100-vjetori i Luftës së Vlorës dhe, në këtë kuadër, pas një propozimi
të shoqatës “Labëria”, u mendua të ngrihet monumenti i Sali Vranishtit,
Muratit, një nga luftëtarët e shquar të kësaj lufte. Ai ka luftuar kundër
serbëve, grekëve, ka qenë shok me Çerçiz Topullin dhe të gjithë luftëtarët e e
tjetër të Rilindjes. Ishte një luftëtar i shquar për Pavarësinë. Ka mbetur vetëm
një fotografi e tij nga vitet e luftës, mbi të cilën jam bazuar. Më vonë ai u
inkuadrua në mbrojtje të qeverisë së Vlorës dhe, me propozimin e Ismail
Qemalit, u vu në krye të Forcave të Armatosura për të mbrojtur Pavarësinë.
Nga ana
artistike, a u jep dorë një figurë e tillë?
Është
një figurë historike, e bukur, që të jep dorë për t’u trajtuar. Kjo është në
vazhdën e krijimtarisë sime të monumentit të Drashovicës, vazhdimi i monumentit
të Pavarësisë në të cilin jam pjesëmarrës. Por nga zhvillimet e ngjarjeve,
trupëzimi i kësaj figure duket se do t’i bëjë mirë qytetit të Vlorës, krahas
figurave të tjera që mund të ngrihen në monumente për atë ngjarje aq të madhe.
Unë kam punuar gati 7-8 muaj me këtë figurë. Kanë ardhur shokët e mi dhe e kanë
parë. Kanë bërë vërejtje. Vazhdoj të jem në proces. Puna do të derdhet në
allçi, pastaj në bronz dhe do të vendosim se ku do të bëhet bazamenti i tij në
Vlorë, pasi ende nuk e kemi piketuar vendin. Janë disa propozime, por do ta
shikojmë më vonë këtë punë.
Cilat kanë qenë
detajet ku jeni specifikuar më shumë në këtë vepër?
Kryesorja
në këtë vepër është ana dinamike e kompozimit. Unë e kam si kriter këtë që
skulpturat duhet të kenë siluetë të fuqishme. Edhe këtu Saliu është në çastin e
fillimit të një beteje. Çasti kur ai thërret bashkëluftëtarët e tij që t’i
bashkohen. Madje, në kondakun e pushkës unë kam gdhendur një shqiponjë dhe
fjalët “Për mëmëdhenë”, idealet për të cilat ata luftuan. Shumë ekspresiv është
portreti i Saliut. Kemi një bust të realizuar nga Besim Tabaku që është bërë
nga ish-studenti im dhe ndodhet në Vranisht. Por është vetëm bust. Ndërsa këtu
figura zhvillohet më tepër, duke marrë parasysh që e kemi një figurë komplete
në dinamizmin e ngjarjeve dhe në dinamizmin e lëvizjes së atyre viteve.
Vitet e fundit,
sidomos në skulpturë, vihet re një tendencë modernizmi kur hiqet dorë pak a
shumë nga karakteri dhe dinamizmi, dhe vishet heroi me elemente të tjera
spektakolare…
Unë
mendoj që në figurat konkrete nuk duhen bërë eksperimente. Çastet për të
shprehur lëvizjen e formave, për të shprehur vëllimet abstrakte për t’i dhënë
një lloj ekspresiviteti skulpturës, ato mund të jenë eksperimente që mund t’i
bëjë çdo artist. Edhe unë kam bërë nga këto gjëra. Por kur vjen puna në
trajtimin e figurave konkrete, njerëzit duhet të shohin kush është Saliu, kush
është Ismail Qemali. Domethënë, individualizimi i figurës nuk mund të trajtohet
me forma abstrakte. Eksperimente me figura konkrete nuk bëhen. Edhe në botë,
kur ka ardhur puna për të bërë Uashingtonin apo Pompidunë, është punuar me
realizëm, pasi janë figura konkrete. Pjesa tjetër janë interpretime që mund të
bëjnë artistët. Pastaj varet se sa e gjejnë vendin këto trajtime në mjediset
social-kulturore. Një monument që vendoset në një shesh duhet të krijojë
emocione të caktuara, në mënyrë që të bëhet pjesë emocionante e të gjithë
spektatorëve që do ta shohin atë. Në qoftë se një spektator shikon ca forma të
përçudnuara në monument, ai nuk e gjen figurën që kërkon. Në një rast të tillë
ne duhet t’u shkojmë në takim emocioneve dhe atyre ndjenjave që ka spektatori,
që ka populli për këtë figurë. Domethënë, këto figura duhen trajtuar në forma
realiste. Ekspresioni i formave mund të jetë i ndryshëm; trajtimi i palave, i
portretit, mund të jetë ekspresiv, mund të jetë jo natyralist, jo skolaresk, jo akademik. Në
këtë drejtim varet pastaj nga mjeshtëria e artistit se sa është i zoti që të
trupëzojë në forma ekspresive një portret të caktuar të një njeriu.
Puna juaj
përshkohet fund e krye nga dinamizmi. Është ky dinamizëm ajo çka zbërthen
skulpturën?
Ajo
zbërthen figurën, se ai nuk ka qenë një njeri i ngurosur në forma akademike, në
pozicione statike. Ka qenë njeriu i betejave, njeriu i luftës, dhe si i tillë
ai nuk mund të trajtohet në forma të ngurta. Unë jam munduar që figura të ketë
një lloj siluete ekspresive nga të gjitha anët. Mendoj që interpretimet e
figurave konkrete mund të jenë të ndryshme. Unë e kam trajtuar në këtë formë,
një tjetër mundet ndryshe. Edhe unë brenda këtij kompozimi mund të gjeja një
kompozim tjetër. Unë e gjeta një tjetër, më të natyrshme, vendosjen në një
shkrep mali të kësaj figure, i gatshëm për t’u hedhur në beteja kundër atyre që
cenuan pavarësinë e Shqipërisë.
Botuar në FJALA
https://fjala.al/2020/05/20/ju-rrefej-sali-vranishtin-luftetarin-dinamik-qe-do-te-derdhim-ne-bronz/
No comments:
Post a Comment