Nga
Leonard Veizi
“Thesin aga”...
Krejt e
përciptë, fort e thellë, e tejskajshme... therëse, ironike, lozonjare, por edhe
ndjellëse njëkohësisht. Çfarë duhet më shumë se kaq për të bërë dy fjalë të zakonshme,
të pazakonta. Të gjitha këto, të marra së bashku, bëjnë atë që një batutë, e
përshtatur thjeshtësisht për një skenar filmi dhe e interpretuar në mënyrë
mjeshtërore nga një aktore brilante, jo vetëm të mos humbasë në kohë, por të
kalojë gojë më gojë,edhe në mungesë të transmetimit digjital. Sepse vetëm tri
sekonda duheshin për të kuptuar se në celuloidin e larë, të stampuar e të
transmetuar në ekranin e gjerë, dy fjalë të shkruara nga Teodor Laço ngrihen në
piedestal përmes timbrit të Antoneta Papapavlit.
Dhe pas kësaj
vjen një tjetër sekuencë, nga një tjetër film:
“Liza, dëgjo
mamin ti. Hiqe mendjen nga ai torollak. Të gjen mami një burrë ty...”
Në botën
shqiptare të filmit a kinemasë, ka plot aktorë të cilëve nuk u mbahet mend
ndonjë batutë, edhe kur ata kanë ndjekur me rreptësi gjithçka u kërkohej prej
zbërthimit tekniko-regjisorial, nga mbreti i sheshit të xhirimit. Por në fondin
e Antonetës mund të gjesh pa vështirësi një duzinë të tillash, e ca më shumë.
Antonetën nuk e
takova dot kurrë sa ishte gjallë, edhe pse me emrin tim si autor ekziston një
intervistë e rrallë e saj. I gjeta një mik të fortë, me qëllimin që të kisha
mundësi ta intervistoja në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ishte një merak i madh,
për një aktore shumë më të madhe, e cila nuk po qarkullonte më në ambientet
artistike. Dhe mendova se ajo nuk do t’ia prishte djalit të saj, Albencit. Por,
në fakt, as kjo ndërhyrje spektakolare nuk piu ujë. E ulur në një karrige me
rrota, aspak mirë me shëndetin, kjo zonjë e madhe e skenës teatrore, nuk priste
askënd për vizitë, përveç nja dy mikeshave të saj të vjetra, që nuk e kishin
braktisur asnjëherë. Dhe prej shumë vitesh ishte mbyllur në botën e saj.
E, megjithatë,
kompromisi u arrit. Intervista u bë me korrespondencë, dhe inxhinieri Albenc
bëri intervistën e parë në jetën e tij si gazetar, duke mbajtur shënim ato
çfarë thoshte nëna e tij, Antoneta, mbi pyetësorin që unë kisha shkruar te një
fletë e grisur nga blloku.
Dhe ja çfarë
mësoja prej saj:
Kshtelindur në qytetin e Përmetit, më 17
shkurt të vitit 1938, por që herët, 4 vjeç, ishte shpërngulur me gjithë
familjen në Tiranë. Pasioni për artin, baletin edhe pikturën e kishte shoqëruar
që në moshë të vogël. Gjatë viteve të shkollës së mesme, te “Qemal Stafa”, u
përfshi në grupet e para artistike që kishin nisur të krijoheshin në fundin e
viteve ‘50. Por ajo do të ishte pjesëmarrëse edhe në grupet artistike në
pallatin e kulturës “Ali Kelmendi”, në Tiranë. Në fillim të viteve ‘60 hyri në
shkollën e lartë për aktore, me ndihmën dhe mbështetjen e mjeshtrave Tef Pali, Pjetër Gjoka e Pandi
Stillu. Pas përfundimit të studimeve u emërua aktore në Teatrin Popullor
Tiranë. Nga stafi konsiderohej si një femër e talentuar dhe tepër logjike në
interpretim. Gjatë viteve ‘60 - ‘70 interpretoi role të shumta, por,
fatkeqësisht, këto nuk janë regjistruar. Me hapjen e kanalit të vetëm televiziv
në Shqipëri, u bë i mundur regjistrimi i disa dramave, të cilat gjenden edhe
sot në arkiv, si “Karnavalet e Korçës”, “Lumi i vdekur”, “Luiza Miller” dhe
“Arturo Ui”. U largua nga skena për shkak të sëmundjes së këmbëve, të cilat nuk
kishin më forcë të mbanin trupin e saj. Nuk ishte më e aftë të qëndronte për
një kohë të gjatë në këmbë. Kështu vendosi të dalë në pension të parakohshëm,
që në moshën 50 vjeç. Ishte viti 1988 kur u shkëput tërësisht nga aktiviteti.
Në mes të viteve ‘80 ishin dy role të saj në teatër: “Shtëpia me dy porta” dhe
“Pallati 176”. Dhe duhet pasur parasysh se spektatori njeh përmes ekranit,
kastin e aktorëve me të cilët komedia e njohur e Adelina Balashit vënë në skenë
nga Alfred Bualoti e Andon Qezari, u regjistrua nga Televizioni Shqiptar. Por
pakkush e di se rolet e Lirisë dhe Vanit kanë qenë të dubluara me aktorët
Antoneta Papapavli dhe Mërkur Bozgo, një dyshe po aq e suksesshme sa dhe Pavlina
Mani e Roland Trebicka. Këto dy komedi ishin rolet e fundit. Ndërsa në këtë
periudhë kishte xhiruar në kinostudio filmat: “Si gjithë të tjerët”, “Hije që
mbeten pas”, “Apasionata” dhe “Nxënësit e klasës sime”. Edhe pse me probleme
shëndetësore, ka pasur shumë propozime për role në teatër, si në rastin e
ofertës nga regjisori Kiço Londo, të cilat ka qenë e detyruar t’i refuzojë. Në
karrierën e saj artistike ajo numëron të paktën 130 role në skenë dhe kinema.
“Erdhi Ollga,
Ollga e Stefanit e s’e pashë unë, që s’më shpëton asgjë... Sërish një tjetër
batutë e saj nga një film simbol i viteve ’80.
I impresionuar
nga intervista e saj dhe nga ato çfarë më përcolli djali i saj, Albenci, lidhur
me sëmundjen e aktores dhe mepërpjekjen titanike që ajo bënte çdo ditë për ta
ruajtur portretin e saj, po aq të bukur sa dhe kur ishte aktive në skenë, u
motivova për të shkruar një introduksion. Dhe ja si u konceptua hyrja e
intervistës së saj, botuar në 9 marsin e vitit 2011.
***
Ëndrra e saj e
përnatshme e çon në të njëjtin vend, me një shpejtësi të tejskajshme, të
paimagjinueshme disi skizofrenike dhe fare të përbindshme. Nuk duhet veç gjysma
e sekondës, a mos më pak dhe befas ajo gjendet atje, mes errësirës dhe në
dritë, rrethuar nga imazhe partnerësh të vjetër dhe me rekuizita që ndryshojnë
papritmas. Ndërsa ajo në vorbullën e një amalgame të pafundme përndritjesh, me
një magji që vazhdon e s’ndalet, qëndron drejt, pa u mbajtur kund. Nuk ka
nevojë për karrocë invalidësh, e as për paterica paraplegjikësh nuk do t’ia
dijë. Habia është zhdukur dhe vetë dyshimet e ngritura si piramidë rrëzohen
njëherazi. E ndërsa skenat ndërrohen vazhdimisht, ajo interpreton mbi to e nuk
ndien lodhje. Zëri rrëshqet mbi koka spektatorësh në plate... dhe ajo vazhdon
të luajë, të luajë, të luajë... Është po e njëjta Antonetë; pak “Luizë”
dramatike, a ndoshta “Afroviti” tekanjoze, diku një Klea e dashuruar dhe herë
tjetër gjysmorientalja Hatixhe. Por e gjitha kjo është veç një ëndërr, imazhi i
së cilës përsëritet atëherë kur do dhe kur nuk ia ka ngenë sigurisht. Antoneta
Papapavli, kjo aktore e magjishme e skenës dhe e kinemasë shqiptare, prej më
shumë se 20-vjetësh jeton veç ëndrrën e saj. Është tërhequr nga skena dhe,
teatrin nuk ka mundësi ta ndjekë nga pas, as si spektatorja e radhës së fundit.
Ndaj vetëm kënaqet me ekranin televiziv, teksa pulti kërkon pareshtur mes
zhurmës aksion e thriller hollivudian, të ngujohet në stampën e njohur të
vjetër, e pak të dalë boje, “Kinostudioja Shqipëria e Re”. Ndoshta kjo dhe jo
vetëm... por dhe ca gjëra të tjera që ajo i ka përjetuar dhimbshëm e plot
kurajë, gjatë këtyre viteve të vështira, e kanë bërë atë të jetë më e mbyllur
dhe thuajse pa kontakte përtej mureve që e rrethojnë. E, padyshim, ajo nuk do
më, në pakujdesinë e saj shfrenuar që dikush ta shqetësojë, me një tringëllimë
telefoni, a një të trokitur dere. Veç ndien hapat e djalit të saj në shkallë,
çelësin teksa lëviz në bravë dhe vazhdon të qëndrojë e patrazuar në pozicionin
që ka zgjedhur për t’u çlodhur. E këtë qetësi të palëvizshme, të ngurtë e të
ngujuar njëherazi ka munduar ta shprishë veç këtë herë, për t’iu përgjigjur
pyetjeve të një gazetari, i cili nuk pati fatin të kthehej nga rruga si të
tjerë. E pas kësaj tabuje të thyer, ndoshta ka ardhur çasti që pas kaq vitesh
heshtjeje, ajo të vazhdojë të jetë po aq publike, për të gjithë ata që e mbajnë
mend nga pelikula e kinemasë, apo shiriti elektronik i kamerës televizive.
***
Kjo ishte
Antoneta Papapavli, e cila pasi u njoh me materialin e botuar, si rrallëherë
kishte ndodhur, kërkoi ta priste gazetarin në shenjë mirënjohjeje. Vetëm se
kërkoi që ky takim të bëhej në një kohë më të të përshtatshme, në ditët e
ngrohta të pranverës, kur do të kishte mundësi të trukohej e t’i lyente flokët
me bojë, dhe të këndellej sado pak që ta sajdiste mikun që do t’i vinte në
shtëpi, edhe pse vetë ndodhej mbi një karrige lëvizëse. “Ajo nuk do të jetë më
publike, sepse kërkon që njerëzit ta mbajnë mend ashtu, një zonjë grua, të
bukur, aktore profesioniste dhe, mbi të gjitha, një fisnike në shpirt. Nuk do
që njerëzit që e njohin, ta shohin në karrocë”, m’u shpreh Albenc Papapavli
asokohe. Dhe unë prita që përveç miqve të saj Mimika Lucës, Edi Luarasit, Besa
Imamit, Marika Kallamatës, Pëllumb Kullës, Vladimir Priftit, Ali Begës e ndonjë
tjetri, që e kalonin pa vështirësi pragun, në radhën e vizitorëve të isha dhe
unë. Por kjo mundësi nuk u gjet dot, derisa në 3 shtator të vitit 2013 u
njoftova për ikjen e saj nga kjo botë. Sot mund të ngushëllohem me intervistën
që më dha 9 vjet më parë për gazetën “Telegraf” dhe këtë portret modest të
cilin e kam shkruar për gazetën “Fjala”.
No comments:
Post a Comment