Wednesday, April 10, 2024

Doktor Zhivago/ Çmenduritë e jetës së re në Rusinë Bolshevike

 


Nga Leonard Veizi

Ndarje epokash në një shtetit të madh, – në vitet e para të shekullit të XX, – kalimi nga ajo që e njohim si Rusia cariste në Rusi Bolshevike, kaloi nëpër trazira të shumta. Revolucioni dhe vetë Lufta e Madhe ndryshoi shumë gjëra. Qoftë dhe në faktin se një vilë dykatëshe ku jetonte familja e një mjeku u përshtat për të strehuar 14 familje të tjera. Kjo ishte dhe forma e parë e kolektivizimit. Dhe vetë mjeku jetonte nën terror edhe pse kishte një vëlla drejtues të lartë të Shërbimit Sekret të Rusisë revolucionare.
Këtë praktikë ndoqën dhe komunistët shqiptarë që vilat e borgjezëve, të cilët ca ishin të lidhur me italianët dhe gjermanët, ca ishin indiferent, por dhe të tjerëve që ndihmuan në ecurinë e Luftës Nacionalçlirimtare, i shtetëzuan dhe i ndanë, ku në bodrume futën pronarët e në katet e sipërme pushtetarët. Ata të rinjtë që tundnin armët duke u mburrur se kishin luftuar për Atdhe e duke thënë se tanimë kishte ardhur koha e tyre. Të gjitha këto dhe ca më shumë se kaq janë sjellë në një libër, i cili u anatemua në periudhën komuniste, por që u trumpetua fort në perëndimin kapitalist, i cili nuk u mjaftua me botimin e romanit, por mbi tematikën e tij realizuan një nga filmat epope të kinemasë botërore, dhe që mban për titull po atë që kishte dhe vetë romani i shkruar nga Boris Pastërnak: “Doktor Zhivago”...

…Doktor Zhivago, i vetmi roman i shkrimtarit rus Boris Pasternak, u botua për herë të parë në vitin 1957, në Itali. Kjo ndodhi pikërisht sepse Moska e anatemoi veprën, duke e klasifikuar si disidente dhe në kundërshti me normat e letërsisë socrealiste.
Romani mban emrin e protagonistit të tij, Juri Zhivago, një mjek dhe poet gjithashtu, dhe ngjarjet i zhvillon midis Revolucionit Rus të vitit 1905 dhe Luftës së Dytë Botërore.
Është një rrëfim epik që tregon efektet e revolucionit rus mbi familjet borgjeze të kohës. Doktor Juri Zhivago, – i konsideruar si alter-egoja e shkrimtarit Pasternak, –  është një mjek, poet e filozof, natyra e butë e të cilit dhe shpirti artistik e bëjnë të ndjeshëm ndaj brutalitetit të kohës. Romani eksploron idealizmin e protagonistit të tij, i cili është në kontrast me realitetin brutal të luftës. Vepra artistike është gjithashtu një traktat filozofik mbi jetën, fenë dhe artin siç shprehet protagonisti i saj. Por jeta e Jurit u ndërlikua nga lufta dhe nga dashuria e tij për dy gra, për Tonian dhe Laran. Kjo e fundit, për njëfarë kohe ishte e martuar me një bolshevik agresiv që vinte vërdallë me një tren personal nëpër stepat e Rusisë e vriste pa mëshirë ata që i konsideronte kundërshtarë.
Për shkak të qëndrimit kritik të autorit ndaj Revolucionit të Tetorit, Doktor Zhivagos iu refuzua botimi në Bashkimin Sovjetik. Me nxitjen e Xhakomo Feltrinelit, – një gazetar italian i Radio Moskës, – dorëshkrimi u kontrabandua në Milano dhe u botua në vitin 1957. Vitin pasardhës Pasternak u nderua me Çmimin Nobel për Letërsinë, një ngjarje që turpëroi dhe tërboi Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. I detyruar nën presionin e fortë të autoriteteve sovjetike, një vit më vonë Pasternak e refuzoi çmimin Nobel.
 
Përfshirja e CIA-s
Shërbimi Sekret Amerikan, CIA , u përfshi në botimin e romanit në gjuhën ruse, pasi Akademia Suedeze tha se Çmimit Nobel nuk mund të jepej për asnjë autor që nuk ishte botuar në gjuhën amë. Në këtë pështjellim të paparë deri atëherë, CIA gjeti çelsin e zgjidhjes. Me ndihmën e agjentëve të saj romani u botua në rusisht në shtator të vitit 1958. Dhe kështu u arrit që kjo kryevepër të vlerësohej me çmimin “Nobel”.
Lara Preskot, një autore amerikane e letërsisë fiksionale,  tek libri i saj “Were We Here Here” rrëfen se si CIA përdori romanin e Boris Pasternak si një mjet propagandistik gjatë Luftës së Ftohtë. Preskot tregon historinë se si CIA kontrabandonte kopje të romanit klasik të Boris Pasternak, “Doktor Zhivago” në Rusi. Preskot nisi të shkruajë romanin e saj pasi lexoi dokumente të deklasifikuara në lidhje me përfshirjen klandestine të CIA-s në botimin rus dhe përhapjen e “Doktor Zhivago”.  Një nga dokumentet e deklasifikuar zbuloi se kreu i divizionit të CIA-s argumentoi në vitin 1958: “Mesazhi humanist i Pasternak – që çdo person ka të drejtën e një jete private dhe meriton respekt si qenie njerëzore, pavarësisht nga shtrirja e besnikërisë së tij politike apo kontributi për shtetin – paraqet një sfidë themelore për etikën sovjetike të sakrificës së individit ndaj sistemit komunist.”
 
Në shqip
“Doktor Zhivago” shumë shpejt u bë një best-seller ndërkombëtar. Pas botimit të romanit në gjuhën ruse në vitin 1958, libri dhe vetë shkrimtari morën vëmendjen e mediave globale. Shumë shpejt veç rusishtes romani u përkthye dhe në 25 gjuhë të tjera të botës. Në shqip jo. As që bëhej fjalë. Se kur vinte puna për komunizmin Shqipëria ishte më agresive se Rusia. Ose siç thuhet ndryshe: “më katolike se Papa”
Në Shqipëri “Doktor Zhivago” u botua fillimisht nga shtëpia boturse “Onufri” në vitin 1994.
Në vitin 2002 Shtëpia botuese “Uegen” e solli në shqip përmes përkthimit të Jorgji Doksanit.
Ndërsa në vitin 2018 Doktor Zhivago erdhi i përkthyer nga Xhemile Zykaj përmes shtëpisë botuese: “Fan Noli”
 
Filmi i 1965
Romani u bë film në vitin 1965 dhe që atëherë është përshtatur dy herë për televizion, dhe në vitin 2006 si mini-serial për Televizionin Rus. Që prej vitit 2003 romani “Doktor Zhivago” është pjesë e kurrikulës së shkollës ruse, ku lexohet në klasën e 11-të.
“Doktor Zhivago” është një film romantik-historik-epik i vitit 1965, i drejtuar nga David Lean me një skenar të Robert Bolt, bazuar në romanin e vitit 1957 nga Boris Pasternak.
Lufta e Parë Botërore dhe Revolucioni Rus i 1917 formojnë sfondin e historisë së dashurisë midis mjekut dhe poetit Yury Zhivago, luajtur nga Omar Sharif dhe Lara nga Xhuli Kristi. Xheraldine Çaplin, Tom Kërtni, Rod Staiger, Alek Gines, Ralf Riçardson, Shaben Mekena dhe Rita Tashingam luajnë role dytësore.
Ndërsa ishte jashtëzakonisht i popullarizuar në Perëndim, libri i Pasternakut ishte i ndaluar në Bashkimin Sovjetik për tre dekada. Meqenëse filmi nuk mund të realizohej në Rusi, ai u filmua kryesisht në Spanjë. Ishte një bashkëprodhim ndërkombëtar midis Metro-Golduin-Mayer dhe producentit italian Karlo Ponti.
Në ndarjen e 38-të të Çmimeve të Akademisë, “Doktor Zhivago” fitoi pesë çmime Oscar: Skenari më i mirë i përshtatur; Rezultati më i mirë origjinal; Kinematografia më e mirë; Regjia më e mirë artistike dhe Kostumografia më e mirë. Ai u nominua për pesë të tjerë – përfshirë filmin më të mirë dhe regjisorin më të mirë, – por humbi katër nga këto pesë në The Sound of Music. Ai gjithashtu fitoi pesë çmime në çmimet e 23-të të Golden Globe, duke përfshirë filmin më të mirë – dramë dhe aktorin më të mirë – film dramatik për Sharif.
Që nga viti 2022, ai është filmi i tetë me fitimet më të larta të të gjitha kohërave në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Është gjithashtu një nga dhjetë filmat kryesorë me fitimet më të larta në mbarë botën. Në vitin 1998, ai u rendit nga Instituti Amerikan i Filmit i 39-ti në listën e tyre “100 Vjet… 100 Filma”, dhe nga Instituti Britanik i Filmit vitin e ardhshëm si filmi i 27-të më i mirë i të gjitha kohërave.
 
Seriali britanik
“Doctor Zhivago” është gjithashtu një serial dramatik televiziv britanik i vitit 2002 me regji nga Xhakomo Kampiotti dhe me protagonistë Hans Matheson, Keira Naitli dhe Sem Neill. Shfaqja televizive e Endrju Deivis bazohet në romanin e vitit 1957 me të njëjtin titull nga Boris Pasternak. Ajo është vendosur kryesisht në sfondin e Revolucionit Rus të 1917 dhe Luftës Civile Ruse pasuese të 1917-1923. Në thelbin e saj është Lara Guishar Antipova, një grua e re nga Moska e cila ka një ndikim të thellë te tre burra që dashurohen me të.
Seriali është përshtatja e dytë e librit në ekran në gjuhën angleze, pas filmit artistik të vitit 1965. Është prodhuar nga Televizioni Granada, me bashkëfinancim nga stacioni amerikan PBS WGBH Boston dhe kompania gjermane E-vision. Ai u transmetua për herë të parë në ITV në Mbretërinë e Bashkuar, duke filluar më 24 nëntor 2002. Në Shtetet e Bashkuara, ai u transmetua si pjesë e Teatrit Masterpiece më 2 dhe 9 nëntor 2003
 
Prodhimi rus
Në vitin 2005, më në fund Rusia xhiroi versionin e saj televiziv të “Doktor Zhivago”. Oleg Menshikov, një nga aktorët kryesorë të Rusisë në rolin e Juri Zhivagos dhe Çulpan Kamatova në rolin e Larës. Prodhimi u drejtua nga regjisori Aleksandër Proshkin, me skenar të Juri Arabov e Boris Pasternak. Rusët u shprehën se portretizimi i Sharifit nuk ishte autentikisht rus.
“Miniseriali rus me Doktor Zhivago është një histori për inteligjencën ruse,” u shpreh regjisori Aleksandër Proshkin. “Roli i intelektualit rus ka nevojë për instinkt dhe mister njerëzor. Kjo është forca e Olegut.”

No comments:

Post a Comment