Friday, June 16, 2023

Kur të pyesin “ç’punë bën” dhe përgjigjesh krenar: Në administratë!


Nga 
Leonard Veizi
 
Më çudit pa fund realiteti shqiptar dhe nuk jam në gjendje të kuptoj: jemi ne të përveçmit në këtë botë, apo e gjithë bota është kështu dhe jemi ne që kemi një perceptim të gabuar?
Po ju tregoj rastin e fundit. Sepse edhe shkrimet e mija po i ngre mbi baza dëshmish të padeklaruara, por që ngrenë fenomenin e një problemi shoqëror.
Kërkova nëpër rrjetet sociale, jetëshkrimin, apo “cv”-në e dikujt që kishte marrë një pozicion jo pa rëndësi në administratë, por si me thënë: me kohë të pjesshme. Dhe këtu ngeci grepi.
Sapo isha ndarë nga një mik, me të cilin para do kohësh kisha punuar në të njëjtin front. Bashkëbisedimi ynë ishte i thjeshtë. Unë kisha kohë sa të duash, por ai shpejtonte. “Bëji të fala drejtorit”, i them para se të ndaheshim, meqenëse drejtorin e tij e kisha mik të vjetër dhe ai vetë kishte marrëdhënie shoqërore me të. “Nuk e ke marrë vesh”, m’u kthye. Unë shqeva sytë. Thashë mos ka ngarkuar mushkat e na kishte lënë triskat. Se që pas kovidit po dëgjojmë qametin e zi. Të keqen e periudhës së pandemisë. “Drejtorin na e shkarkuan, por na kanë sjellë një drejtoreshë”. U lehtësova. E mo, punë administrate, thashë me vete. “Ç’është kjo?”, e pyeta për inerci dhe jo se kisha ndonjë interes vërtet të dija se si një burrë u zëvendësua nga një grua. Tjetri ngriti supet. “Femër”. Unë gjithashtu u ç’orientova ca. Se që ishte femër e mora vesh, po ç’të keqe kish???. “Rob i grindur?”, pyeta për të thelluar interesin tim të painteresuar. “S’di të ta them, - ma ktheu tjetri duke ngritur supet. – S’e njoh dhe s’e kam parë asnjëherë”. Ouuuu... Punonjës që nuk njohin drejtorin dhe drejtor që nuk njeh punonjësit... Çështje administrate, vazhdova me vete. “Epo ka nja tre drejtori në vartësi. E komanduar. Sa të zgjidhen drejtorët e vërtetë”, u dha shpjegim miku im pyetjeve të pabëra nga unë.
Ja dhe një qyfyr tjetër. “Qyfyre nga regjimi qyfyr” ka qenë një rubrikë në revistën satirike “Hosteni”, ku shpesh vihej në lojë administrata e Qeverisë së Mbretërisë së dikurshme shqiptare. Duket se rubrika duhet kthyer sërish, edhe pse “Hosteni” mungon si revistë periodike.
Demek drejton tre institucione?
-Po qenka e zonja o pse s’thua!
-E, është ca, kështu thonë.
S’di pse atë çast mu fanitën para syve ca imazhe të njohura të një filmi.
-Vitin e parë bëra tri kurse: një për fizarmonikë, një për mundje dhe një tjetër për balet.
-Balet??? Ti më atë trup?
-Po u thash a derëbardhë po u mbushet mendja atyre. Dhe Kiu fiu nga një kurs në kursin tjatër.
Pyetjes time se si ka mundësi që një njeri drejton 3 drejtori të ndryshme, sugjeruesi im më tha: “Po deshe të dish më tepër kërkoje online se aty e njeh më mirë”. Dhe iku.
Kureshtja nuk më la. Të gjithë jemi bërë nga pak vuajaristë. Deri dje shihnim nga vrima e çelësit. Sot s’ka nevojë se çelësin e ke në dorë mjafton të hapësh derën dhe i sheh të tëra. Meqë kafen po e pija e vetëm e po rrija si pasha, hapa celularin. E gjeta tak-fak. Personi në fjalë kishte një kurrikulum qëëëëëë, ç’të të them. Kishte 12 vende pune, të gjitha në administratë. Në të gjitha lëmet. Mo po drejtoreshë, këshilltare... e ku ta di unë.
-Bukur shoqja Shegë, bukur! Talente të reja.
Eh sa si Kiu-fiu ka administrata jonë, që marrin detyra të mëdha e s’bëjnë asgjë.
Dhe pas kësaj m’u mbush mendja që vërtet jam i paaftë. Domethënë që punoja në sektorin privat, dhe jo në administratë ku të bëja kokrrën e qejfit. Madje mund të bëja dhe karrierë.
Nga një drejtori në tjetrën, ky model i shoqërisë sonë nuk kishte lënë ministri e drejtori pa shëtitur. Dhe t’i kish rreshtuar të gjitha një e më një. Demek si partizanët qëmoti:
-Kam marrë pjesë në betejën e Mushqetasë, në atë të Mezhgoranit, në luftën e Tiranës, në atentatin e...
E jo a derëzi se rrëzë mullarit me bar ke qenë.
Shkurt, nga ndërzimi artificial tek amerikanët në Vietnam. Dhe Kiu sa mbaronte një kurs fiu në një kurs tjatër.
-Do jesh ndonjë kokërr dembeli ti Kiu?!
-Jo ore, për nder! Po vet o më çojnë. Ik ti Kiu se na prish më pak punë. Tani, ndonjë punëtor i madh nuk jam, po dhe ndonjë punë e bëj.
Ca vite më parë doli një batutë që qarkullonte rëndom e që thumbonte administratën: Ku punon? Në kryeministri. Çfarë pune bën? Vlonjat.
Herën e dytë kur e dëgjova sërish të njëjtën batutë i kishin bërë një revizionim andej nga fundit, se kishin rrjedhur ca ujëra: Ku punon? Në kryeministri. Çfarë pune bën? Skraparlli.
Çudi, si është harruar Tepelena në këtë mes. Veç në qoftë se e mbulon Vlora si qark.
Tek e fundit nuk është ndonjë gjë për t’u marrë shumë parasysh. Sa drejtorira ka administrata. Dhe për më tepër ka drejtori që nuk ia var kërkush e nuk i prish punë askujt.

No comments:

Post a Comment