In memoriam
Regjisor, aktor e pedagog, u nda nga jeta në 13
shkurt 2021, duke lënë pas një galeri karakteresh të realizuara prej tij si
dhe shumë pjesë teatrale të ngjitura në skenë
Nga Leonard Veizi
-“Zotat
nuk duan që unë të ta fal lirinë. Unë tani po iki e dashur dhe po shkoj tek nxënësit
e mij në klasë. Më puth Klea”.
Batutat
e realizuara prej tij me mjeshtëri mbahen mend mirë, jo vetëm në skenën e
teatrit por edhe në kinematografi:
-“Zoti
komandant. Ky spurdhjaku këtu thotë se ky kalë është për zotërinë tuaj”.
Ai
është Andon Qesari, herë në rolin e një filozofi në antikitet e herë në rolin e
një ballisti gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe po aq batutat e tij mbahen mend
gjatë episodit kur ai mbante veshur kostumin elegant të oficerit të kuesturës
fashiste:
-
“Bëhu i arsyeshëm djalosh. Je i ri. U gabove. Ja ta falëm. Por duhet të pohosh
se kishe një minë”...
...Vdekja
e tij kaloi në heshtje. Nuk ishte vetëm heshtje pandemike. Ishte një heshtje që
mbytej prej zhurmës së tallavasë. Dhe kjo nuk është shenjë e mirë hiç. Sepse
një artist, i cili e kalon përmasën e të zakonshmes dhe futet në një tjetër
dimension, duhet të nderohet në të gjallë dhe në vdekjen e tij.
Lajmi
Andon
Qesari u nda nga jeta të shtunën e 13 shkurtit 2021. Ishte 78 vjeç dhe prej kohësh
nuk ishte parë në ambientet artistike dhe as në ato të miqve. Zyrtarisht lajmin
e bëri të ditur djali i tij, Edon Qesari, i cili në rrjetet sociale bënte të
njohur: “Të dashur miq e të njohur. Sot në mëngjes, pas një sëmundjeje të
gjatë, e cila e kishte rënduar dhe sfilitur shumë në vitin e fundit, i dashuri
babai im Andon Qesari u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare. Dashuria e tij e
pamat për ne, familjarët dhe njerëzit e tij të afërt, përpjekjet për të na
dhënë një jetë me dinjitet dhe begati, pasioni i vyer artistik që e shoqëroi
gjatë gjithë jetës dhe shënoi një karrierë të paharrueshme në teatrin shqiptar
dhe studimin e artit, humori i hollë që e spikaste, janë trashëgimia më i çmuar
që na la. Të dua Ba’ dhe mirupafshim në një jetë më të mirë...”
Por
atë ditë, - çuditërisht në fakt, - rrjetet
sociale ishin të zëna. Sepse anë e mbanë vendit po ndodhnin gjëra më të rëndësishme
se kaq. Ca njerëz prisnin të binte bora në Tiranë. Sepse bora është një gjë
shumë e rrallë në kryeqytetin e shqiptarëve. Dhe rënia e saj krijon një
ilaritet foshnjarak. Ca të tjerë po shkërmoqnin deklaratat politike të krerëve
me qëllim që t’i nxirrnin fundit kundërshtarit. Sepse flitej për çështje lekësh,
buxhete të shqyera, probleme matematike me rezultate të gabuara e gjumë të
thelluar mbi minder. Për më shumë se kaq, të nesërmen, akoma më keq, veç borës që
kishte mbuluar pemët, çatitë dhe kofanot e makinave, u shfaq Shën Valentini.
Dhe Shën Valentini është një festë e programuar, jo si vdekja që vjen pa
paralajmërim. Ndaj rrjeti u mbush me gjithfarë fotosh ku Tirana e mbuluar nga
smogu, këtë herë kishte gdhirë e bardhë dhe e vetëpastruar. Ndaj për Andon
Qesarin, dhe ikjen e tij të pakthyeshme, mbeti më pak vend.
In memoriam
Ai
ishte një aktor i shkëlqyer i plejadës së artë të aktorëve shqiptar, regjisor e
pedagog gjithashtu. Një nga emblemat e skenës dhe ekranit. Mjafton të themi se
emri i Andon Qesarit është i lidhur ngushtë me komedinë e famshme “Pallati 176”
si një bashkëregjisor i saj, dhe kujtdo prej nesh do të na shkonte buza vesh më
vesh, e do të mendoheshim ca më thellë rreth aktivitetit të tij artistik. Dhe Andon
Qesari ishte nga ata që kishte një aktivitet fort të pasur, në të tre
dimensionet e tij artistike.
Një
nga studentet e tij të dikurshme, sot një regjisore jo pak e njohur, Elma
Dorezi, në “in memoriam” në i bën mësuesit të saj të dikurshëm shkruan:
- "Sa jemi zënë në akademi o profesor, po aq dhe jemi përqafuar në rrugëtimin tim
.'Gjetjaaa. Nëse nuk ka gjetje nuk ka shfaqje. Vënie në skenë mund ta
bej dhe një student i gjuhëve të huaja. Atmosfera. ' Etj, etj, etj...
Sa herë na i përsërisje. Sa here na tregoje shembuj".
Dhe
kaq duhet për të treguar se si reagonte një shpirt rebel si i Andon Qesarit,
teksa mundohej të jepte më të mirën për ata të rinj që aspironin skenën.
Karriera
Në
jetëshkrimin e tij të shkurtër thuhet se: Andon Qesari, lindi në Qeparo më 27
qershor 1942. Më 1966 u diplomua për aktor në shkollën “Aleksandër Moisiu”. Pas
diplomimit emërohet aktor në teatrin profesionist të Vlorës. Në vitin 1972,
kalon pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Në vitin 1975 rifillon
aktivitetin e tij artistik si aktor, por në Teatrin Kombëtar.
Ka
interpretuar shumë role, duke filluar nga Besniku “Shënomëni dhe mua”, Feni
“Furnalta”, Vurmi “Intrigë dhe dashuri”, Qamil Beu “Epoka para gjyqit”, Aleksi
“Doktori pacient”, Luixhi “Tragjedia e Deas”, Zeusi “Prometeu”, At Kormili
“Monserati”, Kryetari “Vizita e damës plakë”, Ksanthi “Ezopi”, Komisari
“Opertunesku”, Kapuleti “Romeo e Zhulieta”, Berlingu “Vizita e inspektorit”,
Konti “Fernando Krafi më ka shkruar një letër”, etj.
Por
ai ishte i suksesshëm edhe si regjisor, e sidomos në pjesët: “Karnavalet e
Korçës”, “Pallati 176”, “Nën dritat e skenës”, “Në jetë”, “Valsi i Titanikut”,
etj.
Në
kinematografi mbahet mend në të paktën 16 filma: tek “Sekretet”, “Tingujt e
harresës”, “Dashuria e fundit”, “Stolat në park”, “Tela për violinë” etj.
Ndërkohë
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në një nga njoftimet e tij ka bërë të njohur
se Prof. i assoc. Andon Qesari, falë bashkëpunimit me AQSHF, ka botuar dhe
librin: “Unë, Ti dhe Teatri, teatri dje, sot dhe nesër”.
Andon
Qesari është nderuar me titullin “Artist
i Merituar”. Gjithashtu ai dhe mbante dhe urdhrin “Mjeshtri i madh” akorduar nga Presidenti i Republikës.
No comments:
Post a Comment