Thursday, February 11, 2021

E vërteta e gënjeshtërt apo e vërteta tragjike?!


Nga Leonard Veizi


E vërteta në vetvete është diçka tragjike. Aspak ajo që e mendojmë si stereotip. Madje është krejt agresive dhe fort depresive njëherazi. Prandaj askush nuk e do atë. Nuk e do edhe kur e kërkon. Që do të thotë se bën sikur e kërkon. Pas të vërtetës “fshihet” shumëçka tjetër. Edhe, është pikërisht kjo “diçka” e panjohur, trazuese, vrastare e cila vë në dyshim ekzistencën e qëndresës tonë.
E gjitha kjo të çon tek një sentencë e modifikuar por që mbetet po aq bazike sa dhe origjinali: “E vërteta është qyrk që s’e vesh njeri”. “Faji është qyrk... ”, në fakt, por që ka shumë sens kur fjala “faj” zëvendësohet me “e vërteta”, që i përshtatet po aq mirë. Sepse askush nuk e pranon të vërtetën, po aq sa dhe fajin.
Jemi në botën e mospranimit dhe të mbulimit, edhe pse kudo flitet parimisht për të kundërtën: pranimin dhe zbulimin. Faji dhe e vërteta.
Refleksion i papërshtatshëm...
Në plan të parë kjo duket si tollovitje fjalësh, apo siç rëndom kërkojmë t’i japim më shumë vlerë një gjëje me jo aq shumë vlerë, duke e quajtur ndryshe edhe: filozofi. Tjerrje fjalësh, domethënë.
Sepse kur do t’i ikësh të vërtetës do të gjesh një mekanizëm për të arritur qëllimin. Dhe një lumë fjalësh për ta zvarritur vëmendjen nga pika “A” në pikën “ZH” është një mekanizëm më se i përshtatshëm.
Por a jemi ne në gjendje të përballemi me të vërtetën? Të vërtetën tonë, atë që na lidh drejtpërdrejt apo me të vërtetat e mëdha globale që na grishin kureshtjen?
Nëse e vërteta ka kosto shumë më të madhe nga sa e kemi menduar, duhet të jemi në gjendje dhe ta mbajmë mbi shpatulla. Sepse pesha e saj mund të na thyejë në mes.
Pesha dhe masa, dy koncepte që ngatërrohen shumë në përditshmërinë tonë. Po të jetonim në Hënë, e vërteta do të peshonte 6 herë me pak edhe pse më të njëjtën masë. Por fatkeqësisht jetojmë në Tokë.
Çështje graviteti.
“Gënjemë po përkëdhelmë”, thotë një tjetër shprehje urbane. Sepse në planin e përgjithshëm njeriu kërkon të dëgjojë atë që ka dëshirë, edhe pse e di mirë se ajo është vetëm një mashtrim i përkohshëm. Dhe zakonisht, dëshira e tij është larg të vërtetës.
Çfarë kuptimi merr e gjitha kjo?
E vërteta shpeshherë është aq e zezë sa përballja me të, të zhgënjen më shumë se ajo që kishe menduar në rastin më ekstrem. Ajo që ndodh e është vakt i kryer, ka gjithmonë një efekt surprize. Sepse e vërteta është e drejtpërdrejtë, e mprehtë e therëse deri në mizori. Madje nuk ka as amortizatorë zbutës, as frena dhe as airbag. Nëse do që e vërteta të vijë tek ty, ajo vjen me shpejtësi skëterre dhe një fuqi dërmuese.
Përse ngjarjet e rëndësishme, ato lokale dhe botërore gjithashtu, mbeten pa u zbardhur? Kur themi pa u zbardhur do të thotë se mbeten në errësirë. Vrasja e Kenedit, rrëzimi i kullave binjake, pandemia Covid... apo: Trazirat ’97, ato ’98, 21 janari... Çështje vdekjesh në përgjithësi... Sepse vetë njeriu është i prirë për të mos e marrë vesh të vërtetën, por për të krijuar derivate të tjera rreth saj. Faji nuk ishte nga ana e djathtë e murit por nga ajo e majta. Dhe anasjelltas. Prandaj kemi të bëjmë me të “vërteta” alternative, ekuilibruese, justifikuese. Të vërteta çliruese.
Dhe faji mbetet pa ndëshkim.
Të vërtetat, mund të mos ekzistojnë më. Sepse ka kaq shumë satelitë që vërtiten rreth saj dhe e rivalizojnë, sa shumë më shpesh merr vlerë e pavërteta e cila ngrihet në mit.
“Na kanë vjedhur historinë”, thonë serbët për shqiptarët. “Na kanë vjedhur historinë”, thonë grekët për shqiptarët. “Na kanë vjedhur historinë”, thonë shqiptarët për grekët dhe për serbët bashkë.
Secili ka ngritur një të vërtetë alternative, sepse ajo e vërteta e kulluar është ngjeshur në errësirën e shumë viteve të lëna pas. Askush nuk guxon të rrëmojë në katakombe. Sepse askush nuk e di se çfarë del prej andej. Ndaj është më e thjeshtë të formulojmë një histori të re, në bazë të kushteve të reja.
Çështje historish.
Këto ishin nga ato të vërtetat e mëdha, sepse ka dhe nga ato të voglat, personale, që kanë të bëjnë me njeriun, qelizën e shoqërisë në bazë të performancës së të cilës merr vlerë i gjithë sistemi. Prej aty fillon gjithçka. Te mashtrimi i vogël i vetvetes, te mospranimi i të vërtetës për veten. Sepse vetja në përballje me pasqyrimin është gjithmonë e trukuar, e rafinuar dhe e mbështjellë me një tis verbërie. Askush nuk arrin ta shohë veten krejtësisht nudo, pa kozmetike dhe pa tymnajën që të deformon vështrimin.
Çështje perceptimi.
Prandaj duhet psikologu. Jo se është ndonjë gjë e zgjuar e di ta ndajë “shapin nga sheqeri”. Por thjesht se ka durim të të pyesë e për më tepër të të dëgjojë në gjithfarë broçkullash. Të shkuarit tek psikologu ka të bëjë me ngacmimin deri në thellësi me pyetje të formuluara rishtazi për të zbërthyer deri në gjenezë problematikën që shoqërojnë individin. Në këtë mënyrë, duke zbrazur gotën që nuk mban më asnjë pikë uji më shumë, vetë pacienti shkarkon energjinë negative, duke shkuar drejt të vërtetës. Dhe në fakt kjo e lehtëson atë. Por që të vijë ai çast duhen seanca të gjata psikoterapie. Sepse njeriu gjithmonë vazhdon të jetë i papërgatitur për t’u përballur me të vërtetën, me atë që nuk e di apo me atë që e mban ndrydhur thellë në nënndërgjegje.
Nëse gjithçka do ishte e vërtetë punët do ishin më të thjeshta. Por në fakt ne vazhdojmë jetojmë në një botë të gënjeshtër. “Toka është e sheshtë jo sferike”; “Fluturimet kozmike janë mashtrim”; “NASA na gënjen me photoshop”. Teoritë konspirative gjejnë terren për t’u lartësuar në një terren ku e vërteta mbahet në errësirë. Gjithçka vihet në dyshim për të ardhur tek heretizmi i thelluar: “Ku është Zoti? Pse nuk del në shesh e të na i thotë ca gjëra?”
Këto janë pyetjet madhore për të mbërritur te skutat e errëta të gjithsecilit. Sepse pikërisht aty qëndrojnë strukur gjithfarë perversitetesh që na mbajnë të mbledhur në të keqen tonë.
E vërteta nuk mund të jetë e tejdukshme, por nuk mund të qëndrojë gjatë gjithë kohës në errësirë sado e tmerrshme të jetë ajo. Edhe çfarë na duhet si këshillë, ta marrim dhe ta japim, e në fund të bëjmë sikur e kuptojmë: Duhet t’i njohim dhe t’i pranojmë dhimbjet negative, në të kundërt do të vuajmë shumë në jetën tonë.
Prej këtu do ta rinisim sërish nga fillimi: Na pëlqen më shumë e vërteta e gënjeshtërt...

No comments:

Post a Comment