Pandemia po na tund e po na shkund. Po na shkund tani që po e përjetojmë, por ka marrë masa për të ardhmen e saj, që ta kemi në vëmendje edhe shumë vite më pas. Sepse gjurmët që po lë tani nuk do të mund të shlyhen aq lehtësisht, thjesht me një vaksinë dy-dozëshe mbi llërë.
Pandemia ka avaze shumë. Mos kujtoni se do ta shkulim me Pfizer-in amerikan, as me AstraZeneca-n britanike dhe as me Sputnik-un rus. Pas do ta kemi tërë jetën.
Përditë njoftohemi për fatalitete në jetët njerëzore, kolaps të sistemit mjekësor, bukosje të ekonomisë, por dhe asfiksi të arsimit. Nëse nuk ndihen fort sot se jemi në valën e luftës për mbijetesë, do të ndihet nesër kur të jetë nënshkruar armëpushimi dhe të fituarit të dalin më të fituar, ndërsa humbësit si gjithmonë më të humbur.
Por të ndalemi tek arsimi.
Sepse disa klishe të vendosura nëpër mure shkollash na mësojnë se: “Shkatërrimi i arsimit çon në shkatërrimin e popujve!” Nga njëra anë kjo duket si parullë armiqësore. Po varet kush e ka thënë, se për arsimin kanë folur plot burra të mençur. Gjithsesi, nga arsimi varen shumë e shumë gjëra.
Një herë e një kohë, kur njerëzit merrnin 5-mijë lekë rrogë, kishin halle shumë e mezi hidhnin muajin, detyroheshin ta bënin shkollën në mbrëmje: një ditë po e një ditë jo. Pra arsim tre herë në javë.
Me sakrifica vëlla... me sakrifica.
Ca vite më vonë doli moda e korrespodencës. Gjende mirë. Sa pa hiç. Shkoje në sezon dhe jepje provimet dhe nuk stërmundoheshe nga ora 16.00 e pasdites deri në orën 21.00 të mbrëmjes.
Sot jemi në kohë moderne, ka dalë moda online dhe e testeve të shpejta. Investimi më i madh në familje është: ose një laptop me procesor të fuqishëm e harddiske shumëgigësh, ose një celular me të njëjtat të dhëna. Rri këmbëkryq në minder dhe vendos “lodrën” përpara. Në ekran të shfaqet pyetësori. Fjala vjen: “Kur mbërriti Skënderbeu në Krujë, më 1440, 1443, 1800 apo 2010?”. Ai që teston njohuritë vendos një kryq ku t’i mbushet mendja dhe sikur të mos e ketë dëgjuar kurrë emrin e Heroit Kombëtar. Po i ra shansi ta vendosë aty ku duhet merr 10 me yll. Por nuk lodhet e të vrasë mendjen aspak e të shkruajë jo po si u motivua Skënderbeu për t’u kthyer në atdhe, jo po si e braktisi fushën e luftës kundër Janosh Huniadit, jo po me sa kalorës rendi drejt Dibrës,... e ca yçkëla të tjera si këto. Ne që u shkolluam me kurrikulat e shkollës lindore hoqëm keq, e shkruanim nga katër faqe fletoreje në një provim. Tani gjërat janë thjeshtëzuar, se dhe kohë nuk ka shumë. Njerëzit janë me punë.
Statistikat thonë se pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri kishte 80 përqind analfabetë.
Domethënë, det hesapi.
Por 10 vjet më pas, në vitin 1955 u pretendua se çdo shqiptar nga mosha 40 vjeç e poshtë, të paktën dinte shkrim e lexim. Sa të lexonte gazetën ku flitej për vendimet e Plenumit. Enveri na nxori nga analfabetizmi dhe këtë për çudi e pranojnë dhe kundërshtarët e tij më të betuar. Ju bëftë dita njëmijë, jarebi...
Por sot mundësitë janë edhe më të mëdha. Për korrupsionin e kam fjalën...
Në Tiranën e atyre viteve të hidhnin një sy shtrembër nëse thoshe se të mesmen po e vazhdoje në mbrëmje, te shkolla e cila mbante emrin “Konstandin Kristoforidhi”. Se kështu tregoje veten që nuk ishe aq i suksesshëm me rezultatet sa prindërit të ta bënin kabull, të hiqnin rriskun nga goja, vetëm e vetëm që të të bënin me shkollë dite. Në të kundërt, të kishin plasur të punoje si punëtor pa kategori, që do të thoshte se nuk mund të merrje dot më shumë se 4 mijë lekë të vjetra në muaj. Hamallëk demek.“Je bërë si shkollë nate”, ishte një sentencë fyese e që shkaktonte humor në ato vite. Sepse mendohej gjithsesi që të rinjtë që kishin një lloj standardi në familje, pra kishin rroga që rrotulloheshin te 7-8 mijë lekëshi, ta ndiqnin shkollimin në mënyrë lineare: 8-vjeçare, shkollë e mesme, universitet, - të gjitha ditën dhe pa i shtrënguar këpuca, pasi siç thuhej në atë kohë: Fëmijët sot i kanë tërë të mirat prandaj tërbohen.
30 vite pasi fituam demokracinë e ndryshuam mënyrën e jetesës, zëvendësuam dhe kurrikulat demode të lindjes me sistemin e Venecias, të gjithë i janë kthyer shkollës me korrespodencë. Online domethënë. Ose siç thuhej në zhargonin e dikurshëm: shkollë nate. Këtu nuk ka faj Qeveria, se mos ma merrni për jangëllësh. Jo or jo, këtu fajin na e ka Pandemia.
Po mbushet viti ku fëmijë e të rritur po zalisen rrugëve e lokaleve, sepse shkollave u është vënë dryni. Dhe shumica absolute e fëmijëve atë duan, të mos shkojnë në shkolla. Rroftë pandemia.
Ndërkohë që janë larguar nga jeta sociale, e duken më shumë si eremitë. Tanimë nuk njohin më as mësuesit, as pedagogët dhe as shokët e klasës apo të kursit. Periudhë kalimtare, do thoni ju. Padyshim, tranzicion brenda tranzicionit. Boshllëqe dhe hendeqe sa të duash, por do t’i mbushë koha. Se koha është ilaçi i gjithë të këqijave.
Tani, po të zuri do ta heqësh. Se Pandeminë nuk e shpikëm ne, thjesht e kemi në paketë: full opsion. Por mos u çudisni kur disa vite më vonë, këta që do të marrin diplomat e “shkollës së natës” do të marrin dhe gazin bashkë me frenat e shtetit në dorë, mjekësinë, arsimin, drejtësinë. Ndaj shteti siç ka vajtur këto 100 vjet, serish rrakapjerthi do shkojë. Se ata që dëftesat i kanë marrë ditën e kanë nxënë ca, po e mbajnë frymën në Gjermani e Kanada.
Ndërsa këtu do të mbeten vetëm ata që s'kanë shkollë hiç e s'kanë ku venë, ose ata... me shkollë nate?!
No comments:
Post a Comment