Nga
Leonard Veizi
Sot, vendi i “mbretit” të letërsisë
shqiptare është i zënë. Pretendenti hipi në fron qysh më herët dhe tanimë duhet
një “revolucion” për ta rrëzuar prej andej. Por konkurrentët e tij më të fortë
për sa ishin gjallë, tanimë nuk jetojnë. Ndaj ai është i lirë të mbretërojë.
Dhe mbretërimi ka koston e vet, të cilën duhet ta mbajë mbi shpinë me të
drejtën e “liderit”.
Prej kohësh Ismail Kadare shijon suksesin e të qenit në majën e toplistës së
shkrimtarëve shqiptarë. Zyrtarisht është thënë, - në qarqet letrare dhe nga maja e
piramidës drejtuese, - se ai është më i miri ndër letrarët që janë ende
aktivë. Edhe pse në botën e artit në përgjithësi e në atë të shkrimtarëve në
rastin konkret, të gjithë janë gjeni por të pazbuluar ose të pakuptuar në kohën
e tyre. Por disa zëra më të thelluar kritikësh letrarë bëjnë me dije se Kadare
i ka eklipsuar edhe ata që bënë epokën e letrave shqipe, pararendësit e tij.
Pra, duke marrë për bazë këto lloj analizash, dhe prapashtesat që i shtohen
shkrimtarit për të treguar kapacitetin e tij, dilet në përfundimin se ai është
më i miri i të gjithë trevave dhe i të gjitha kohërave, për sa u përket atyre
që i përkasin mentalitetit shqiptar.
Sa e mirëqenë mund
të merret kjo? Cili është “kandari” i përdorur si njësi matëse për të vlerësuar
në kilogram talentin e një shkrimtari, dhe a ka peshore që mund t’i japë atij
në mënyrë të patjetërsueshme sasinë e bindjes për të mbretëruar, qoftë dhe pa
kurorë?!
Ky është një abuzim fund e krye, pasi pesha e talentit është e vështirë për t’u
krahasuar, dhe etalonet në art nuk janë të qëndrueshme. Ajo çka është e mirë
për një njeri nuk është e mirë për dikë tjetër. Një shkrimtar i vlerësuar si i
patalentuar sot mund të jetë një gjeni nesër, po si shkrimtar. Thjesht
ndryshojnë kohët dhe qasja ndaj llojit të letërsisë.
Duke iu përmbajtur metodologjisë së vjetër, jemi mësuar me idenë që
shkrimtarët, - ashtu si dhe piktorët, - ta marrin famën pas vdekjes. Madje të
bëhen edhe të pasur pasi e kanë lënë botën e të gjallëve. Padyshim, kjo është
një teori e tejkaluar tashmë. Pasi në kohët e sotme, mund të jesh po ti që i
shijon frytet e punës tënde për sa je gjallë mbi dhé. Duhet veç një agjent
letrar që të gjejë tregun dhe pak marketing, që me fjalë të thjeshta do të
thotë: dalje në gazetë e televizor. Dhe mund të jetosh në profesion të lirë. Si
askush shkrimtar tjetër Kadare e ka të kompletuar prapavijën e tij, duke iu
dhënë dhe shansi i madh për të qenë i lirë në profesion.
Por cila është kostoja që shkrimtari të mbajë edhe staf? Pra të ketë në
dispozicion njerëz që i shërbejnë makinerisë së tij.
Në rastin e Kadaresë ka qenë vetë shteti i cili ka marrë në dorë fatin e tij.
Në kohën e diktaturës së egër po se po, por jo pak dhe në vitet e demokracisë
liberale. Ndaj ai është nga ata autorë që po i shijon frytet e punës së
mundimshme, për sa kohë është gjallë, pikërisht falë edhe këtij ingranazhi të
vënë në punë qysh herët.
A është një veprimtari e suksesshme kjo që meriton termin “Pakt me Djallin”??
Dhe se ky “pakt” e ka ndihmuar atë të hipë dhe në “fron”???...
Kur shkroi “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” Kadare, me siguri nuk e dinte se
shkrimtarët e tjerë bashkëkohës, dashur pa dashur ranë në kurthin e letërsisë
së tij. Sepse “Gjenerali...” - edhe pse sprova e parë e rëndësishme në prozë që
ishte botuar prej tij, - qëlloi të ishte një kryevepër. Këtë sigurisht ai nuk e
bëri me kast për të ngritur çarkun. Pasi për një 27 vjeçar, i cili ende nuk e
dinte se ku do ta nxirrte udha e jetës, ishte ende herët të futej më labirintin
e logaritmeve për të ardhmen. Por padyshim më pas do të ishte ai iniciatori i
ngritjes së çarqeve, e do të bëhej një mjeshtër “kurthesh” e “leqesh”.Por si
arriti ta bënte këtë?
Do të ishte ai që do të sprovonte publikun me tema të mëdha të aktualitetit,
duke guxuar madje t’i jepte një bojë fytyrës portretit të diktatorit, gjë që
për hir të së vërtetës për shkrimtarët e tjerë ishte krejt tabu. I vënë në
qendër të kritikave të herëpashershme, për shkak të lënies në hije të
strategjisë socrealiste në një vepër letrare, Kadare mori një kthesë dhe
zgjodhi të merrej me temat historike dhe mitet. Shtrirja e gamës kohore dhe e
vetë temave të përzgjedhura, bëri që ai të merrte copën më të madhe dhe më të
mirën natyrisht të tortës, për të lënë në tavolinën letrare copëza e më shumë
thërrime. Këto ishin kurthet e tij të reja, por këtë herë jo rastësore, por të
përllogaritura mirë.
Askush pas tij nuk do të guxonte të shkruante romane me të njëjtat tema. Shkaku
ishte i thjeshtë. Kadare e kishte ngritur goxha lart stekën. Të kapërcejë mbi
këtë limit duhet të kishe vërtet stofin e gjeniut. Për të kaluar poshtë stekës
ishte shumë më e lehtë, por kjo nuk do t’i jepte askujt medaljen e Heroit.
Kadare i ka futur të gjithë në kurth, shkrimtarë të vjetër e të brezit më të
ri. Por dhe ata që nuk kanë qenë gjallë në majën e lavdisë së vet, sërish i çuan
drejt këtij kurthi.
Kjo e rriti dimensionin e tij, qoftë dhe në mënyrë artificiale.
Por një gjë e tillë kishte dhe një risk, ndoshta të paparashikuar, i cili
prodhoi dhe një defekt kryesor. Sepse bota letrare shqiptare sot ecën mbi
paterica, ku njëra prej tyre mban emrin e Kadaresë.
Ai vazhdon të cilësohet si autori më i mirë shqiptar, më i përkthyeri dhe më i
kërkuari në treg. Dhe nëse ai është kampioni, ende nuk dimë të kemi një
nënkampion apo qoftë dhe një sfidant. Ai është i vetëm atje në majën e Olimpit.
Dhe natyrisht mund të mbretërojë, qoftë dhe i pakurorëzuar.
Ndërkohë, që mes përkëdheljeve dhe anatemimeve mediatike, të cilat i janë bërë
shkrimtarit në vazhdimësi, - pjesë e kostos së mbretërimit, - është thënë se
shkëlqimi i shkrimtarit në tregun perëndimor të letërsisë, ishte një dhuratë e
pushtetit të kaluar, i cili për shkak të interesave të ngushta, i vunë në
dispozicion gjithçka që i duhej për ta marrë këtë shkëlqim. Mbi të gjitha ai
pati luksin të kishte një përkthyes të jashtëzakonshëm nga frëngjishtja dhe
agjentë marketingu që ditën të vendosnin marrëdhënie me botues të ndryshëm në
emër të shtetit. Dhe kjo tashmë nuk është më “top secret”. Ndoshta këtu qëndron
dhe kleçka e të bërit “Pakt me Djallin”.
Por po aq në dijeni është dhe fakti se sistemi politik i para viteve ’90 të
shekullit të kaluar, hodhi në tregun Perëndimor, po aq dhe në Lindje, edhe disa
shkrimtarë të tjerë shqiptarë, por që lexuesi përtej kufijve nuk i kapërdiu
dot. Rezultoi se në tregun e ashpër të një marrëdhënie kapitaliste, ku nuk pyet
njeri për shokun, mikun e partinë, vetëm vepra e shkrimtarit Kadare arriti të
rezistojë madje duke pasur një tërheqje maksimale.
Padyshim ai diti ta shfrytëzojë mirë situatën konjukturale dhe vetë dhuratën që
i bëri shteti deri në vitet ‘90, sepse me rënien e regjimit rrugët u mbyllën
dhe shkrimtarët mbetën “jetim”. Tanimë një shkrimtar shqiptar të botohet në një
gjuhë të huaj i duhet të kalojë në stërmundime dhe sërish të mos ketë suksesin
e garantuar.
Gjithsesi, përçapjet e tij për të krijuar një disidencë artificiale post
diktaturë nuk kanë pasur ndonjë rezultat për t’u marrë parasysh. Dhe po aq e
panevojshme ishte pompimi i shkrimtarit Kadare si një armik ndaj regjimit
komunist...
Letërsia e tij ka arritur të thyejë me sukses rregullat strikte të realizmit
socialist dhe t’i japë botës së mbyllur të shqiptarëve një dritare nga ku
kushdo lexues mund të shihej përtej. Dhe kjo ishte e mjaftueshme për ta nxjerrë
atë nga vatha e shkrimtarëve dogmatikë.
Kadare, përveçse një shkrimtar i mirë do të ishte dhe një hero, nëse vërtet do
të ishte përplasur ashpër me regjimin aq sa të vihej në diskutim liria e tij,
gjë që nuk rezulton. Por duket se kompromisi, apo “pakti me Djallin”, e ka
kompromentuar jo pak.
Ndoshta edhe pse për këtë shkak nuk e arrin dot “Nobel”-in e shtrenjtë, ai
sërish mbetet në majën e letrave shqipe.
Nje ese TJETERLLOJ ku duket qarte edhe "Pakti me djallin" edhe hijet qe le pas takimi me te. Nje skanim i plote per shkrimtarin Kadare. Nje konstatim te tille e kam lexuar edhe ne nje shkrim Hans Joakim Lanksc, ndjese paste. Urime Leonard per kete ese plot vlera!
ReplyDelete