Jeronimi nuk jetoi në epokën e kibernetikës, dhe as në atë të “internetit pa kufij” përndryshe me siguri do të kishte zënë faqet e para të mediave sociale, të cilat do të ishin marrë gjatë me jetën e tij sentimentale. Fjala vjen, një debat i mundshëm do kishte të bënte me “Këngët e Milosaos”. Përse e shkroi, në çfarë kushtesh depresivo-emotive dhe kujt ia kushtoi?
Por në fakt, Jeronim De Rada u lind më
shumë se 200 vite më parë, në një fshat arbëresh të quajtur Maki, për të cilin
thuhet se origjinën e kanë nga Mati, por që flisnin një dialekt të vjetër toskë.
Dhe për më tepër, Jeronimi në familjen e tij ishte edukuar me një frymë fetare
e konservatore, sa që dhe jeta e shfrenuar në Napolin e atyre viteve nuk e
tunduan dot. Kështu që mundësia që ai të ishte në një qendër thashethemesh,
sigurisht do të ishte “0”.
Jetues mes dy kulturave, dy kombeve e
për më tepër mes dy gjuhëve, shqip dhe italisht, atij iu renditën aq ide brilante
në kokë, sa dhe jeta e gjatë prej 89 vitesh nuk do mund t’ia shteronin dot.
Ishin ide të mëdha për moshën e tij ende të re.
Shëndetlig, por me një fuqi të madhe, ai
kërkoi t’i shkonte deri në fund projektit të tij madhor: zhvillimin e gjuhës, që
do të çonte më pas në formimin e një shteti të qëndrueshëm shqiptar. Në të vërtetë,
edhe pse i cilësuar si njëri prej ideatorëve më të mëdhenj letrarë e kombëtarë,
Jeronim De Rada nuk e njihte vendin e tij të origjinës, madje nuk e pa kurrë atë
në 89 vitet e jetës së tij. E megjithatë, kjo nuk ia lëkundi besimin se
projekti për të cilin ai kishte filluar të punonte çdo ditë do të mund ta
zhvillonte vetëdijen dhe krijimin e një populli kulturor si kusht për krijimin
e vetë shtetit.
Të gjitha këto dhe shumë më tepër se
kaq, bëhen akoma më tërheqëse nëse përmblidhen në një seancë të vetme të
quajtur: dokumentar.
Pikërisht "Hieronymi, Arbëreshi i
Italisë", është një dokumentar që i kushtohet Jeronim De Radës, me autore
gazetaren e mirënjohur Beti Njuma. Ai u shfaq premierë në sallën UNESCO të
Muzeut Historik Kombëtar e ku si pjesëmarrës ishin të ftuar edhe nxënësit e
shkollës 9-vjeçare "Jeronim De Rada" në Tiranë. Sipas autores së
dokumentarit, kjo mënyrë prezantimi kishte të bënte me dëshirën e saj që
"Hieronymi, Arbëreshi i Italisë" fillimisht të shfaqej për një brez të
ri më pak të rrahur nga imazhi i figurave të tilla, se sa për qarqet letrare apo
akademike të cilët e njohin prej kohësh veprimtarinë e këtij mendimtari të
shquar të Rilindjes sonë Kombëtare.
Dr. Dorian Koçi, drejtori i Muzeut
Historik Kombëtar, në fjalën e tij të përshëndetjes para se dokumentari të
shfaqej për të pranishmit, do të vlerësonte autoren Beti Njuma, si një
studiuese që i ka dhuruar historiografisë shqiptare 15-20 realizime cilësore, e
ku shumica e tyre kishte të bënte me shtetformimin. Për sa i përket figurës së
Jeronim De Radës, Dr. Dorian Koçi do të shtonte se: Letërsia para Rilindjes
Kombëtare në pjesën më të madhe të saj ishte një letërsi me tematikë fetare ndërsa
De Rada është shkrimtari i parë që në mënyrën të dukshme e të vetëdijshme, me
veprat e tij artistike shkëputet prej saj.
Vetë autorja Beti Njuma do të shprehej se,
synimi i dokumentarit nuk ishte vetëm vepra e De Radës me të cilën nis dhe letërsia
moderne shqiptare, por të shpërfaqej dhe jeta e tij në çdo dimension njerëzor.
Dokumentari "Hieronymi, Arbëreshi i
Italisë" erdhi për publikun me pamje ekskluzive të operatorit Vladimir
Grori, regjistruar në vendlindjen e poetit, fshatin e vogël Maki i Kozencës,
fare pranë me Shën Mitër Korona. Pjesë e dokumentarit, që vinin me trajtimin e
jetës dhe veprës së themeluesit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ishin dhe zëra
të njohur të kulturës sonë si studiuesit: Matteo Mandala, Klara Kodra, Moikom
Zeqo, Lili Sula, Francesco Altimari e Shaban Sinani.
Nëpërmjet tyre dhe të vetë narratores
Beti Njuma, brenda një kufiri kohor prej 60 minutash, u transmetua e plotë
gjithçka mund të thuhej e të mbetej në kujtesë për një figurë të ndritur si ajo
e Jeronim De Radës. E ndërkaq një kolonë muzikore me këngë arbëreshe shoqëronin
sfondin me imazhet e Shën Mitrit e Maqit dy fshatrave të njohura arbëreshe të
Jugut të Italisë, si dhe të vetë shtëpisë së vjetër e të plasaritur të Jeronim
De Radës.
Ka qenë mjaft e gjerë krijimtaria
poetike e De Radës. Biografia e tij liston deri në 43 vepra, të gjitha të
ndryshme nga njëra-tjetra për nga gjinia. Ai nisi të botojë që herët, por
krijimi që i solli famën si poet me talent të shquar, është poema lirike-epike
“Këngët e Milosaos”, e cilësuar si e vepra e parë e letërsisë sonë me vlera të
mëdha artistike. Më pas ai do të vazhdonte me botimet: "Një pasqyrë e
jetës njerëzore", "Serafina Topia", "Skënderbeu i
pafan", etj.
Por Jeronim De Rada kaloi një jetë të vështirë.
U përball me fatkeqësi të rënda familjare ku shënohet si më tragjikja, vdekja e
gruas dhe e djemve. Por duket se as këto fatkeqësi nuk e mposhtën poetin, i
cili vazhdoi deri në fund të jetës me projektin e tij madhor të zhvillimit
gjuhësor të shqipes. E megjithatë po kaq tragjike ishte edhe vdekja e tij, në
varfëri e vetmi të plotë.
Të gjitha këto, dokumentari
"Hieronymi, Arbëreshi i Italisë", realizuar nga Beti Njuma, do t’i
sillte të zbërthyera më së miri, duke ngritur edhe një herë Jeronim De Radën në
piedestalin e ideatorëve më të mëdhenj letrarë e kombëtarë të Rilindjes
Shqiptare.
Botuar në:
No comments:
Post a Comment