Leonard Veizi dhe Gjovalin Paci |
nga Leonard Veizi
Me
pak mustaqe, mjekër të shkurtër, flokë të rrallë, e krejt i shpenguar. Tipik shqiptar
në pamje të parë. Gdhë e i paturpshëm njëkohësisht.
A
thua të jetë ky...?
Gjykim
idiot.
Por
nëse të thotë se në dejet e tij rrjedh një gjak i përzierë, italian i pleksur
me malësorët e Shkodrës, por gjithsesi ADN-ja vjen nga gadishulli Apenin, nuk të
duket më aq ballkanas. Fillon e dyshon në linjën e tij. Hollë-hollë, nuk të
duket as gdhë, e as i paturpshëm. Madje është fort i zgjuar. Filozof në të
artikuluar dhe i ndrojtur me raste.
Tipik
intelektual.
Vështirë
se ky lloj të jetë nga ata shqiptarët e vërtetë, pak kaçak me thikë e kobure në
brez që pi duhan Taraboshi. Po t’i vendosësh një shall rreth qafës, vete-ç’vete,
të ngjan po aq italian sa dhe piktorët e tjerë që shkarravisin në rrugët e
qyteteve të mëdha të perëndimit.
Por
nëse në delir e sipër, atij i ikën truri, e i shkrepet të thotë se origjina e
tij është franceze, sërish do ndryshosh mendim. Do të të duket po aq elegant sa
një parisien dhe asgjë më pak se kaq edhe nëse do ta trashte lojën e të të
thoshte së në të vërtetë ishte nga Londra.
A
është kjo një lojë nervash...?
...apo
çështje perceptimi?
Mjafton
të dish kujt race i përket. Se nuk është çudi që po të të thotë se është nga
Labëria, shallin e qafës do të mund t’ia zëvendësosh me gunën prej leshi dhe
penelin me një kërrabë bariu. Dhe vetëm kështu do të të duket safi lab.
Me
Gjovalin Pacin njihem prej vitesh, ndoshta që në fillim të mbërritjes së tij në
Tiranë. Fillimisht ka lënë pas Razmën, megjithë natyrën e saj piktoreske.
Pastaj është larguar nga Shkodra e papame. Dhe tanimë nuk është çudi që të lërë
Tiranën e zhurmshme për t’u kthyer atje ku kanë jetuar të parët e tij, në
Firence, ndoshta në Milano, por pse jo dhe në Romë.
Ç’rëndësi
ka.
Ore..,
vërtet italian të jetë ky apo bën snobin?
Jo,
se unë për vete kam pirë raki Boboshtice me të, kemi ngrënë dhe kërnacka Korçe.
Ç’ne ky nga Firence. Ndonjë iluzion optik apo... mendor.
Me
siguri!
Leonard Veizi dhe Gjovalin Paci |
Në
rrugëtimin e tij të pazakontë, mes telajosh, bojërash, dhe një trekëndëshi të
vetëm që quhej kavaletë, Gjovalin Paci më ka befasuar gjithmonë. Ai vazhdimisht
ka sjellë një atmosferë pikture thuajse të pangjashme. Ka dhe një filozofi interesante
në atë çka thotë, e cila padyshim është përcjellë dhe në tablotë e tij herë
abstrakte e herë krejt absurde. Me të njëjtën filozofi ai ka bërë shkëputjet e
tij të mëdha. Nga Shkodra erdhi në Tiranë me rrobat e trupit. Nuk e mori
mundimin të thërriste një kamion taksi, ku do të paketonte kostumet, këmishët
dhe kravatat, të paloste dhomën e gjumit, të çmontonte portmontonë e korridorit
dhe për më tepër, të zbriste shkallëve kolltukët e rëndë të dhomës së ndenjës.
“Ma
vaffanc...”
“Të nxjerrësh dhjam nga pleshti”, i thonë
kësaj. Gjovalini nuk e njeh këtë lloj kategorie. Ai është nga ata që vazhdimisht kërkojnë diçka
të re. Për të nuk kanë pasur asnjëherë rëndësi dërrasat e mobilieve, as
gardëroba ku çorapet kalkulohen të ndërthuren me ngjyrën e kopsave të këmishës.
Për të rëndësi kanë pasur telajot e përfunduara, bojërat, penelat dhe mjetet e
tjetra të punës. Vetëm kaq i duhej që kryeqytetin e egër ta mbërthente për
gryke.
Dhe
ia doli.
Vite
më pas ai ishte ndër të paktët piktorë, për të mos thënë i vetmi, që mbante
familjen vetëm duke shitur piktura. Koleksionistët gjuanin së largu ekspozitat
e tij. Dhe kështu ai vazhdimisht shiste. Pastaj blinte komplete të reja
bojërash, kanavacë, shkollonte fëmijët dhe... padyshim i mbesnin para edhe për bukë
me djathë. Por ai refuzoi të bënte dhe një punë tjetër, shofer taksie, apo një
hierark në zyrat e shtetit. Ai, thjesht ishte një piktor. Një tjetër kolege e
tij, që rastisi një paradite të ndodhej mes nesh, shpjegoi me plot pasion se
veç 8 viteve të Liceut Artistik dhe Akademisë së Arteve për pikturë, kishte bërë
dhe një kurs parukerie, dhe se falë kësaj kishte mundur të merrte një ambient
me qira ku do mund të bënte manikyr e pedikyr për nuset që do martoheshin.
Gjovalini i hodhi një vështrim zhvleftësues dhe foli: Të paktën mos thuaj më që
je piktore. E turpëruar ajo kërkoi mbështetjen time, se në fund të fundit për
shkak të artit nuk mund të sakrifikohej stomaku, e për pasojë as zorra e trashë
që bën të mundur daljen e tepricave në WC. “Nuk marr vesh nga zanati, - ia
ktheva për të shpëtuar nga situata, - unë vete jam teknik lavatriçeje,
maksimumi mund të shtrëngoj vidat”.
-Si
është kjo puna e origjinës? - e pyeta një herë. - Kam dëshirë ta shkruaj në
gazetë.
Për
të nuk kishte rëndësi në shkruaja në gazetë apo e doja për konsum personal. Unë
e kisha të nevojshme të dija historinë e familjes, ndërsa ai të domosdoshme ta rrëfente.
Nuk kishte më sekrete.
-
“Historia është e gjatë, e duket e pabesueshme, por ajo ka ndodhur, - rrëfeu thjeshtësish
Gjovalini. - Mbiemri ynë origjinal është
Pacaj, që në italisht merr kuptimin “të marrët”. Pacajt ishin familje e madhe
në mesjetën fiorentinase, ishin bankierë. Por kishte një rivalitet me familjen
akoma më të madhe, Mediçët. Kjo u shfrytëzua nga papati dhe Pacajt bënë një
vrasje nën bekimin e Papës. U vra i madhi i Mediçëve. Por mëkati më i madh
është se vrasja u bë në ambientet e një kishe. Mediçët u organizuan dhe iu
kundërvunë Pacëve, i vranë e i përndoqën, aq sa meshkujt e pakët që mbetën nga
familja morën rrugën e mërgimit. Për rreth 60-70 vjet nuk dihej vendndodhja e
tyre. Por diku mes viteve 1720-1730 nëpërmjet rrugëve që kontrollonte Venediku
ata u futën si tregtarë në Shkodër. Në Razmën e atëhershme me 5-6 mijë banorë,
si dhe kishën e Shën Premtes që ishte ndërtuar rreth vitit 1200, Pacajt blenë
truall në pjesën e pabanuar të vendit. Ishin të huaj, por thuhej se kishin
sjellë shumë pasuri me vete. Ndërtuan një shtëpi me gurë e dërrasa, me një
teknologji të lartë, të panjohur nga vendasit. Ajo shtëpi ekziston dhe sot. Në
derën kryesore vendosën një gur që e kishin sjellë nga Firence. Ai gur, që
tregon origjinën e tyre, ka të gdhendur me daltë një kryq, të vendosur
horizontalisht dhe koka e kryqit është e drejtuar nga perëndimi. Pak kohë më
pas ata janë dekonspiruar dhe Mediçët që ishin vigjilentë, dërguan mercenarë.
Pacajt u zunë në pusi. U qëllua mbi shtatë meshkujt e mbetur gjallë nga
familja. U vranë 6 prej tyre, por për fat i fundit mbijetoi i plagosur. Në
kushtet e reja ai u kthyet të bëjë jetën e një shqiptari dhe u martua me një
shqiptare. Mbiemri ynë u transformua në Paci dhe pasardhësit u pagëzuan me emra
katolikë, por të shqiptarizuar. Në Razëm një lagje ende quhet “Gil Pacaj”. Them
se vrasja e bërë në një institucion si kisha mori nga pas dhe mallkimin e vetë
institucionit. Pacajt e kanë vuajtur një gjë të tillë për breza me radhë. Të
paktën për 250 vjet vetëm një nga Pacët meshkuj jetonte. Tjetri, më i vjetri,
vdiste nga shkaqe të ndryshme. Vonë Pacajt filluan të shumohen”.
Mbeta
pa frymë.
Histori
brilante. Horror fare. Për gazetë, roman, e subjekt filmi. Ja të hedh ca reshta
se si dihet asnjëherë: Ata morën rrugën për të ikur larg, shumë larg, aty ku
shpata s’i arrinte dot, por as plumbi s’mund t’i gjente. Armiqtë ishin aty
pranë. Nuk mbanin xhubletë e as kësulë mbi kokë, madje nuk ishin as malësorë të
krisur, por pinjollë të një prej dyerve më të mëdha të veriut italian. Pacët
gjendeshin në gjak me Mediçët. Historia, në plan të parë kaq e madhe, ishte
shndërruar në një hakmarrje mesjetare. Ishin vitet 1500 dhe Evropa ende nuk
kishte kufij. Në Apenine e Iberik latinët vazhdonin të ishin zot në tokat e
tyre, por Ballkani sundohej nga jeniçerët e Portës së Lartë. E megjithatë
Shqipëria dukej një vend ideal nga ku mund t’i shpëtoje çdo lloj represioni.
Tanimë edhe pse kanë thuajse qindra vjet që janë shkëputur nga rrënjët e
Firences, gjurmët e të parëve i ndjekin edhe sot. Është ajo pemë gjenealogjike
që ka përvijuar në dejet e të gjithë brezave të familjes Paci, përmes gjakut që
vlonte nga sakrificat, vështirësitë dhe shpërfilljen për shkak të historisë që
mbarte vetë trungu. Janë copëza jete të cilat s’mund të harrohen lehtë.
Përkundrazi, pinjollët e kësaj familje të madhe janë përndjekur për shkak të
vijës së origjinës së paraardhësve të tyre, aq sa dhe sot duket se fati i tyre
ka qenë shkruar i tillë.
Këto
dhe ca të tjera i botova para do kohësh në gazetën “Shekulli”. Me siguri ka
ende për të eksploruar.
-Ore,
të vërtetë e ke gjithë këtë histori?
Besoj,
po aq sa jam skeptik.
-Po
nuk besove eja të shkojmë në Razëm, - më bën një ofertë Gjovalini. - Shohim shtëpinë.
Kam dhe ca dokumente të tjera që do të të bindin.
-Çfarë
thua o Gjovalin, - ia kthej unë. - Të na nxjerrësh ndonjë rrugë fiorentinase
vij me vrap. Razmën ua kemi lënë të huajve për verim.
Gjovalini
qesh shpenguar. Ai është artist në të gjithë dimensionin e tij. Megjithëse thotë
se nuk është e lehtë të marrësh një titull të tillë. Dhe shton:
Leonard Veizi dhe Gjovalin Paci |
-“Unë
them se jam me fat që kam lindur në Razëm, në zonën e Shkrelit. Vij prej një
vendi që është shumë i bukur, ku kam kaluar një pjesë të jetës. Atje kushdo që
të shkojë, e që merret me art, ka se çfarë të krijojë. Në Razëm kam përjetuar
të gjitha gojëdhënat, fantazitë, peripecitë e familjes. Jam ngarkuar me ato
pjesë negative dhe pozitive që më vonë kanë ndikuar për mirë tek unë. Kam pasur
një gjyshe që vdiq shumë e vjetër dhe ajo tregonte histori nga më të çuditshmet
për familjen, njerëzit, për vendin ku jetonim, për kuçedra, përbindësha,
gjarpërinj me dy koka. Kjo tek unë ka ndikuar edhe në pikturë, tek jeta apo
vazhdimësia e formimit tim personal. Këto detaje janë përfshirë në pikturat e
mia, herë si simbol, herë si elemente përbërës. Janë ato simbole që i kam
dëgjuar, i kam perceptuar dhe vazhdoj t’i perceptoj. Vetë piktura ka një
strukturë të tillë ku gjendet mes tokës dhe qiellit. Formohen tre dimensione
iluzive. Nuk ekziston figura as në tokë dhe as në qiell, por diku mes të
dyjave. Është imagjinata që ka mbetur brenda meje si strukturë e pa ndërtuar.
Ajo qëndron e ftohtë në një zonë ku është e vështirë ta prekësh”.
Ai
ka hapur ekspozita të çuditshme. Ka sjellë krijime në të gjitha gjinitë e
pikturës, kompozim e portret. Punon në disa lloj teknikash si akrilik, vaj,
tempra, guashe dhe teknika të tjera grafike, bardh e zi. Paci është i pari dhe
i vetmi piktor shqiptar, që ka arritur të ekspozojë veprat e tij në Galerinë e
Komisionit Evropian në Bruksel, ku është prezantuar me punime të realizuara me
teknikën e akrilikut të pjekur. Gjithashtu ai është ndalur në disa kryeqytete
evropiane, mes te cilave edhe në Frankfurt, duke ekspozuar në galerinë
gjermane, "Arti në shtëpinë blu".
Së
fundmi Gjovalin Paci vjen me një ekspozitë të titulluar “Skënderbeu” “Heroi ynë
kombëtar është dhe një nga njerëzit tanë më të mëdhenj, strateg ushtarak, por
edhe diplomat klasi, kalorësi i lirisë dhe simbol i bashkimit. Por ai është dhe
një figurë komplekse. Ndaj jam munduar ta sjell si një njeri në tokë”, - thotë piktori.
Më
parë se kaq, me rastin e 100-vjetorit të Nënë Terezës, Gjovalin Paci gjithashtu
ndërtoi një ekspozitë enkas për këtë rast.
“Nënë
Terezën e kam parë në ëndërr, - më thotë. - Mund të duket disi qesharake, por
kjo është e vërtetë. Ëndrra ishte e tillë: M’u duk sikur Nënë Tereza ishte e
varrosur dhe më thotë: Më jep dorën. Dhe unë i jap dorën e djathtë. Atëherë ajo
më flet sërish: E ke të bekuar këtë dorë. Kjo ishte një ëndërr që nuk do më
shuhet asnjëherë nga kujtesa. Pastaj kisha dhe mbresa të jashtëzakonshme nga
vizita e saj kur erdhi në Shkodër. Atëherë pash një grua të imët, me një veshje
të bardhë e shirita të kaltër, që nuk ecte, por fluturonte. Çudia ishte kaq e
madhe sa thosha me vete: Ku qëndron forca e këtij njeriu? Ajo ishte një grua në
moshë, jo më e bukur, por ishte si një engjëll. Ajo ishte vërtet një nënë, me
duar me rrudha, me fraktura. Por ajo që më bënte përshtypje ishte se ajo dukej
sikur nuk takonte me tokën kur ecte. Pastaj kam lexuar shumë libra mbi jetën e
saj dhe korrespodencën, por kam studiuar karakterin dhe nëpërmjet shumë fotografive.
Ky është i gjithë inspirimi. Më pas krijova një seri portretesh të saj që
mbajnë firmën time”.
-A
mund të të bëj dhe unë një portret “të paautorizuar”, - i them duke qeshur.
-Përnjëmend
e ke, - ma kthen Gjovalini. – Ti autorizimin e ke gjithmonë në xhep. Bëj ç’të
duash. Portret a intervistë. Arti është i lirë. Mendimi gjithashtu.
Orjona Tresa, Gjovalin Paci, Gjyliana Paci dhe Leonard Veizi
Botuar në
|
No comments:
Post a Comment