REPORTAZH
nga Leonard Veizi
Ç’i do fjalët. Sa
del dielli e duket se na kap vapa, ne të Tiranës e kemi zakon t’ia mbathim me
vrap andej nga plazhi. Dhe më afër se Durrësi nuk ka. Kështu, në ditët
pranverore të fund marsit, për të hequr ca lagështirën e shiut të po këtij
muaji, edhe unë e mendova si antistres vajtjen në Durrës. Fundjavë ndryshe, -
thashë me vete. Ja ku është Durrësi, 35 kilometra larg, ose sipas një shprehjeje
popullore: “një vrap pele”.
Por në fakt rezulton
se antistresi të kthehet në një stres të vërtetë.
Sa del nga
tmerri i rrethrrotullimit të shqiponjës, autostrada të duket birinxhi. Deri te
kthesa e Rinasit nuk e ndan këmbën nga gazi. Makina rrëshqet si mbi gjalpë. Pikërisht
aty mbaron performanca mbresëlënëse e futemi në një situatë që për nga lloji i peripecive
duket e pashpresë. Paralelizmi se kjo autostradë e lodhur tërësisht të duket si
Mali me Gropa, mund të mos jetë në përputhje të plotë, por duket si mundësia e
vetme krahasimi.“Ec mo, - i jap kurajë vetes, - zëre se mbërrite në Durrës, as
20 kilometra nuk janë”.
Dhe ne të Tiranës
e kemi mirë, se jemi afër mbretit, por dhe afër detit. Kështu duhet të ndihen
dhe durrsakët ma do mendja, vetëm se anasjelltas. Shkurt, na ka rënë bixha.
Në krah të
pasagjerit kam bashkëshorten që e ndjek me vëmendje udhëtimin. Nga pas fëmijët as
që duan t’ia dinë për problemet e tua. Kanë vënë kufjet në kokë dhe secili dëgjon
muzikë për qejf të vet.
-Kujdes gropat,
- me tërheq vëmendjen gruaja.
-Nga t’ia mbaj,
- ia kthej.
Makina për djall
nuk fluturon. Por dhe bashkëshortja e ka një të drejtë. Makinën sa e kisha
nxjerrë nga servisi e me gjasa ka mundësi ta fus sërish aty. Fatura e fundjavës
gjithmonë duhet marrë në konsideratë se mund të tre-katërfishohet vetëm për 80
kilometra udhëtim me ndërprerje.
Në majë të
mbikalimit në hyrje të Durrësit isha në mëdyshje. Edhe herën e fundit kisha
preferuar Currilat.
-Po shkojmë këtej
nga plazhi, - i them gruas. – Ta ndryshojmë menynë.
-Si të duash, -
nuk ma prish ajo.
Në 20 vitet e
fundit, në rrugën e plazhit tradicional, aty ku kemi kaluar fëmijërinë dhe
adoleshencën, mund të kem kaluar 3-4 herë jo më shumë. Zona është krejt e paeksploruar
prej meje, gjë e pafalshme për mua që nuk lija rast pa i hipur trenit për të bërë
një ditë plazh.
Megjithatë e kam
më se të qartë se ka ikur koha e “Breshkës”, pistës “Iliria” dhe “Adriatikut” të
vjetër. Prej vitesh jam shtyrë poshtë e më poshtë në pretendimin për të gjetur
pak më shumë qetësi, e pak më shumë pastërti.
Ndalojmë te këmbët
e urës së Dajlanit. Marr kthesën e parë. Stacioni “Teuta”. Në mendje më vijnë
imazhe të vjetra, ndaj tentoj të bëjmë një xhiro buzë detit. Zhgënjim total. Nuk
kam ndër mend ta përshkruaj se ca kohë më parë jam marrë gjatë me detaje të
tilla. Nuk di as ta shpjegoj se çfarë metamorfoze ka ndodhur në këtë segment të
plazhit të vjetër. Deti ka ardhur në afër ndërtesave, platformat e betonit janë
shtuar pa kuptim dhe ndotja ta heq shijen e plazhit menjëherë. Aty këtu
ndesheshe dhe me kolektorë shkarkimesh që nuk arrinin të shtriheshin deri në
det por përfundonin aty, në mes të rërës ku nesër do ngrihen çadrat e
pushuesve. Fëmijët mbledhin buzët. Bashkëshortja gjithashtu. Nuk kemi as nga
kalojmë.
Në Durrësin
tradicional, sezoni turistik kishte marrë fund ende pa filluar. Vetëm nëse “Zana”
me shkopin magjik bën ndonjë çudi.
-Kthehemi se nuk
kemi nga shkojmë, - i them gruas.
-Kthehemi, - miraton
ajo, me një neveri të brendshme.
Çajmë tutje. Rruga
e dikurshme me dy korsi e ndarje në mes, ishte transformuar. Më saktë ishte
ngushtuar. Në pikun e sezonit nuk di si mund t’ia dalësh në një rrugë të tillë.
Por natyrisht as që e marr mundimin të kaloj andej. Kam vite që s’e kam bërë atë
punë. Kalojmë sektorin “Apolonia”, për të mbërritur tek “Hekurudha”, “Iliria”. Dhe
përfundojmë në “Plepa”. Futem në rrugën dytësore te Shkëmbi i Kavajës. Gjëkundi
se gjej qetësi për të ndaluar. Sezoni cilësohet i hapur në 15 maj. Vetëm 45 ditë
na ndajnë nga kjo datë. Rruga ishte dëmtuar rëndshëm. Segmentet e tjera lidhëse
janë ende të pashtruara. Ca me çakull, ca me baltë. Asgjë nuk të bën ta shijosh udhëtimin.
-Siç e ke nisur
do na çosh në Vlorë, - ironizon gruaja.
Unë nuk përgjigjem.
E ç’t’i them. Fëmijët gjithashtu kanë sërish kufjet dhe nuk duan t’ia dinë për
destinacionin.
Nja katër vjet
më parë, në mesin e sezonit turistik, atëherë kur më takuan ca ditë nga leja
vjetore, i skandalizuar nga ajo që gjeta andej nga vendi i quajtur “Mali i
Robit”, shkrova një reportazh me titull “Turizmi mjeran në bregdetin shqiptar”,
i cili u bë viral e u botua nga shumë media. Prej atëherë nuk kisha ndër mend
t’i rikthehesha këtij diskutimi. Por situata në terren më diktoi ndryshe.
Çdo vit më ka
gënjyer mendja se do të gjej një gjë të ndërtuar mirë dhe gjej një gjë të
prishur keq. Dhe asnjëherë nuk e kam kuptuar pse jemi kaq të aftë për të ecur në
kahun e kundërt të asaj që duhet.
Shfryj i
nervozuar dhe eci përpara. Një vit më parë andej nga Golemi kishin filluar ca
investime. Mendova se do ishin mbyllur. Futem
tek stacioni i quajtur “Miami Beach” e dal në Golem. Asgjë e re.
-Ku po na çon,
më pyet gruaja kur sheh që marr të kthej timonin 180 gradë.
-Në Tiranë, - i
them, - në shtëpi.
-Të paktën të
pimë një kafe, - ma kthen, - se na i bëre kokën daulle nëpër gropa.
Ndalova makinën
te bari i parë që më doli përpara.
No comments:
Post a Comment