nga Leonard Veizi
Si popull kemi
treguar trimëri të rrallë pikërisht atëherë kur si na e kanë shtrënguar litarin
sa na kanë dalë sytë kokërdhokë, në përpëlitje e sipër ia kemi dalë të
mbijetojmë. Atëherë po, sa e kemi hequr lakun nga qafa, me sy të errur prej zemërimit,
kemi marrë gjithfarë armësh në dorë, kobure, kosore, qysqi e ndonjë mitraloz dy
këmbësh nga ata që ftohen me ujë, e kemi hedhur në tokë ç’na ka dalë përpara. Gëzhojat
kapicë. Gjaku po deri në gju. Thoni “jo”, po deshët.
Por sa për
protestat, atje ku kërkohen të drejta me paqe të nënkuptuar e presion të
zhurmshëm bashkë, me pankarta, banderola e thirrje orale kundërshtuese, nuk
para i kemi aplikuar. Madje kohët e fundit termi “protestë” na ka rënë në
fundin e këmbëve, si puna e brekëve. E kemi mbetur fare pa to. Ndaj gojët e
liga thonë se pikërisht tani, LGBT-ja ka
gjetur terren e po na vërtitet nëpër shalë. Por ca të tjerë thonë se ne si shqiptarë,
kryelartë e kokëderra, e kemi pasur për turp të dalim si delenxhinjtë nëpër rrugë, të kërkojmë ndonjë të drejtë që dhe po nuk e patëm në fund të fundit, s’na prish ndonjë punë
të madhe. Se burrat maten në luftë or lum miku, nuk ka këtu tërrci-vërrci. O ta
fus, o ma fut plumbin. Rrugë të mesme nuk ka.
Këto i themi
mëngjeseve nëpër klube ne, deri andej nga dreka. Por në darkë kur mblidhemi në
shtëpi, hesapi na del ndryshe. Një e drejtë e humbur këtu, dhe një tjetër atje,
një të drejtë na e marrin nga e hëna e një tjetër na e rrëmbejnë nga e premtja,
kur vjen dita e pushimit shohim se nuk na ka mbetur një dyshkë në xhep, jo për
drekë nga bregu i detit, por as për kafe të lagjja. E kur vete puna deri këtu
nuk të bën derman as pushka. Se klasikët, të cilëve iu referuam 45 vite me radhë
e kanë lënë një llaf: Revolucion me barkun bosh nuk bëhet.
Atëherë s’na
mbetet gjë tjetër vetëm të ngremë sytë nga qielli e t’i lutemi Zotit, jo pesë
herë në ditë, por dhe ca më tepër. Se vetëm ai na bën derman këtu ku jemi
katandisur.
E me sa duket,
Zoti, këto lutjet tona gjysmë fetare e gjysmë ateiste, do t’i ketë dëgjuar nga
ndonjë vesh. Se ka ndritur shansi dhe për fakirët. Ja, kohët e fundit teknologjia na
ka ardhur në ndihmë ne shqiptarëve që të mos mbetemi prapa shoqërive të tjera.
Të paktën të jemi aty-aty me fqinjët, se vështirë ta hedhim çapin më larg, të
kaptojmë kufirin e, jallah, të futemi në Evropë.
Po bereqaversën
dhe me kaq.
Tani kemi gjetur
një mënyrë të re: shfryhemi në Facebook. Çfarë nuk shkruajmë, çfarë nuk themi, çfarë nuk shajmë mor aman. Ta ka ënda t'i lexosh a t'i dëgjosh nga ndonjë tjetër. Flasim për ngritje taksash, e shtrëngim të rripit të mesit. Flasim për mungesë
të ndërgjegjes qytetare dhe ngritje të frymës së protestës. Por në protestë
meazallah se sheh këmbë njeriu. Bulevardi plot vetëm për raste festash. O për 14 shkurt, o për 14 mars. Aty-këtu, vetëm partitë politike arrijnë të mbledhin
ca militantë për t’i futur nëpër çadra, fiks si ato që kemi parë te filmi
Skënderbeu, ku shëlleheshin azapët e ushtrisë osmane. Por sindikatat…, aha, s’ia
thonë fare asaj ane. E me sa di unë, kur flitet për punë rrogash, pensionesh,
taksash e ndonjë gjë tjetër të këtij kallëpi, lëvizjet kanë frymë sindikaliste.
Po sindikatat këtu te ne janë tretur si kripa në ujë. E vetmja që rezulton se
po funksionon është ajo e artistëve që mbron Teatrin Kombëtar.
Po a thua
ndreqim ndonjë punë duke sharë në Facebook, për më tepër kur kësaj agjencie
gjigante po i bien kreditet rëndshëm pas skandalit ruso-amerikan të zgjedhjeve presidenciale? A dëgjohet në botë zëri i shqiptarëve, aty në oqeanin e madh të
shfryrjes masive të Facebook-ut, të cilët shajnë Qeverinë për taksën e rrugës
së kombit dhe LGBT-të që do japi leksione nëpër shkolla?
Mbase dhe
dëgjohet.
Ja, ca e ca
besojnë se qeveria mund të tërhiqet nga çështja e koncesionit për Rrugën e
Kombit, madje dhe të disa rrugëve të tjera të cilave u janë kopsitur dosjet. E në këtë
vazhdë ndryshimesh LGBT si shoqëri e margjinalizuar nuk do të shkojë nëpër
shkolla për të treguar historitë e trimërive rreth heronjve të tyre. Dhe po u
arritën të zgjidhen këto dy çështje madhore, padyshim që meritat do t’i marrin
ata që ishin në vijën e parë të sulmit, zërat anonimë që kanë sharë vënçe në
Facebook, me libër e prag shtëpie. Se janë pikërisht ata që kanë ngritur një kauzë përmbi tjetrën.
Sa për protestat
qytetare...???
...e në fund të
fundit, për çfarë t’i duam. Kohët kanë ndryshuar. Armët e protestës,
gjithashtu. E këtu nuk di pse papritur më vijnë në mend dy vargje të Frederik
Shilerit nga drama “Vilhelm Tel”: “E
vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re lulëzon gërmadhash”
...çfarë
iluzioni absurd...
No comments:
Post a Comment