Friday, February 11, 2022

Qejflinjtë shqiptarë, nga 14 shkurti në 14 mars aheng çingiesh


Nga Leonard Veizi
 
"Ti më marsh të keqen/ ti m’u bëfsh kurban/ se me burri isha/ me jaranin jam." Ja kjo është një simfoni e vërtetë dashurie që ia vlen të këndohet me altoparlant publik si prelud i 14 shkurtit, ditës së shënuar të të dashuruarve, që njihet ndryshe dhe si Shën Valentini.
Gaz e hare paçim gjithmonë!
Kur vjen puna te festat, shqiptarët, - dhe jo vetëm mos keqkuptohemi, - e kanë lugën në brez. Por çuditërisht ne na pëlqejnë më shumë festat e importuara. Fjala vjen festën e Pavarësisë apo atë të Çlirimit, e shtymë me bukë e djathë në tavolinë, apo dhe me fasule në rastin më të mirë. E kush e vë ujët në zjarr për datat e simboleve kombëtare?! Por për 14 shkurtin i shkundim xhepat për të prenotuar një lokal me emër të mirë e jo derë bakalli, ku këndohen live sidomos jare dashurie. Fjala vjen: "Një djalë dhe një çupë gjezdisin dynjanë". Le pastaj kënga e Mahmudies. Bukur këndon ajo e bekuara Qerime, e sidomos ai tenor Llaqi.
Kong dashnie mo... Do, s’do të shkrep në mendje për ca dyzen.
Historia thotë se për priftin italian që ka jetuar në shekullin e III-të asgjë nuk dihet me siguri, veç faktit që quhej Valentin dhe se vdiq më 14 shkurt te rruga “Flaminia” në veri të Romës. Kjo është nga ato lloj festash ku gëzohet e hidhet valle mbi ditën e ekzekutimit të një njeriu, që në rastin tonë ka qenë prift.
Po edhe prifti njeri është...
14 shkurti edhe pse një festë e ritit katolik, tek ne e festojnë të gjithë, katolikë, ortodoksë, myslimanë e bektashinj... edhe protestantët, mos t’i harrojmë. Se dashuria nuk njeh fe e profetë, demek. Kështu të gjithë shqiptarët, - katundarë e punëtorë, që nga Shkodra deri në Vlorë, - i ke xhiro, o nga diga e Liqenit Artificial, o te Lungomare. Me tullumbace të kuqe në duar, e çokollata në formë zemre. Selfie në çdo hap për të dokumentuar dashurinë në instastory.
Rroftë dhe ai i gjati që na bëri me shëtitore, se do kishim mbetur ferrave.
Pas kësaj vjen 14 marsi. Këngë e hare që në pikë të mëngjesit. Erdhi pranvera. Shyqyr që çdo muaj e ka nga një datë 14.
14-ta është ditë e shënuar se ndan kalendarin nga “alla turka” në “alla frënga”. Të keqen o baba sulltan, se na vaftise e na mbeti në qafë guri që na vare. Se s’ka burrë që t’i mbushi mendjen shqiptarit se ekuinoksi pranveror, shkencërisht, është në 21 mars. Dhe kjo po, ka pse të festohet.
Në axhanset me shumicë që gëlojnë në internet na bëhet e ditur se 14 marsi është festë pagane, e festohej që këtu e yhyyyy..., në lashtësi. Mos e dhëntë Zoti! Me këtë duan të na mbushin mendjen se 14-ta ka të bëjë me paganizmin. Domethënë, para vitit zero kur lindi Krishti e nisi epoka e monoteizmit. Që do të thotë prej kohës së pellazgëve. Por meqenëse asokohe nuk kishte zyra noterie që ta certifikonin me vulë të thatë e firmë të njomë, këtë ditë feste e hareje të parët tanë e lanë me amanet që brez pas brezi që 14 marsi të festohej.
Në fakt, për Ditë Vere, sidomos në Veri të Shqipërisë me dimër të egër, ne njohim 6 majin, - që është dhe Dita e Shën Gjergjit sipas kalendarit ortodoks, - kur dielli shndriste e bora niste të shkrinte vende-vende. 14-ta e marsit si zor të ketë lidhje me paganizmin tonë. Por ka një bazë logjike: se kalendari i vjetër alla turka njeh për datën 1 datën 14. Që do të thotë se ne edhe sot e kësaj dite 14-tën e njohim për Njësh.
Ja u zgjidh problemi.
Megjithatë historia na thotë se Dita e Verës kremtohej me 1 mars sipas kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri, por që sipas kalendarit Gregorian, bie më "14 mars".
Ehuuu...
Po të mos kishin ardhur osmanët të na administroni e të na mbanin defterët, edhe ne shqiptarët e vonë do vazhdonim të festonim 1 marsin e dikurshëm sipas kalendarit Julian, e jo me “hixhra-n” të cilin mësuam më vonë.
E ja kështu, historia mbërriti në ditët tona ku festën e datës 14, Tirona me qenësinë e më të fortit, kërkon t’ia rrëmbejë Elbasanit, e cila ka qenë dhe mbetet flamurtare e kalendarit alla turk. Atje o vëlla, në 14 mars luan qeni i kallajxhiut. Se në këto anë or tungjatjeta 14 marsi është festuar denbabaden, është pirë shurupi i trëndafilit dhe “asht hang nji ballakum”, e pastaj gocave të vogla - por që janë kandidate për burrë - u hidhnin nga një duvak mbi kokë. Jo, këtë nuk e thashë unë, por na është fiksuar nga një skenë filmi e realizmit socialist që titullohej “Përtej mureve të gurta”.
Këtë festë, deri dje me ndikim lokal, Komisioni i Festave bëri rixha e na e shënoi me të kuqe në kalendar. Pra ditë pushimi.
Aferim u qoftë.
Se po të jetë puna për pushim ne si popull me prirje turkoshake jemi kahil të festojmë dhe ditën kur Osmani me ferman të veçantë shpalli Perandorinë.
E nuk mbaron këtu kjo çështja e datës 14.
Në 14 maj është Dita e Nënës. Jo e gruas, se mos e merrni jangëllësh.
Në 14 korrik është dhe festa e Francës. Por kjo nuk është se na hyn shumë në punë.
Dhe pastaj si qershia përmbi tortë vjen 14 shtatori. Këtë e kemi puro prodhim shqiptar. Alamet date e shënuar. Festë ore festë, jo shaka. Për ata që s’e sjellin në kujtesë, është ajo dita kur me kallashnikov e antitank desh i bëmë përshesh institucionet. Këtë e mbajnë mend mirë ca e ca. Prandaj e festojnë fshehurazi, se festa nuk është zyrtare. Si në kohën e Xhaxhit, kur tespiqet, bakllavat e byrekët, çoheshin para ose pas festave fetare për t’u pjekur, “se edhe një laknor lakuriq i dërguar pa kujdes në furrë të padiste”. Por me pak përpjekje, nuk është çudi që dhe 14 shtatorin e lavdishëm, ta shpallim festë kombëtare, e të hamë e të pimë... e ta bëjmë pushim. 

No comments:

Post a Comment