Nga Leonard Veizi
Një ditë të butë dimri e për më tepër me diell mund ta kalosh edhe në Zvërnec. Vendi është një atraksion turistik ku mund të relaksohesh në ditët e pushimit fundjavor. Veshi nuk të vritet nga zhurmat, veç atyre që bëjnë shpendët mbi det, ndërsa ndotja e ajrit është gati inekzistente...
...E gjithë zona është një perlë natyrore të cilës i ka ardhur në ndihmë me ca modifikime dhe dora e njeriut. Fjala vjen: me kishën në ishullin e vogël mes lagunës dhe pasarelën e drurit që lidh dy brigjet, nuk ka punë natyra. Por sa për mënyrën e funksionimit të habitatit, mes gjelbërimit të pemëve, kaltërsisë së detit dhe shpendëve gjithfarësh, - apo thënë ndryshe florës dhe faunës, -këtu padyshim ka qenë dora e nënës natyrë, për ca e ca, ndërsa për pjesën tjetër është vetë Perëndia.
Rrugëtimi
Guida të tregon se nga qendra e kryeqytetit deri në Zvërnec Qendër janë gjithsej 162 kilometra asfalt, të cilat me një shpejtësi mesatare udhëtimi prej 80 kilometrash në orë të bëjnë të mbërrish në destinacion për 2 orë e 11 minuta.
Ndërsa nga qendra e Vlorës qytet për në qendër të fshatit Zvërnec janë 11.5 kilometra rrugë, që përshkohen për rreth 20 minuta. Që të mbërrish në Zvërnec duhet të kalosh mes përmes pyllit të vjetër të Sodës, dhe pranë fshatit të Nartës.
Tek rrethrrotullimi i parë i madh në hyrje të Vlorës, një tabelë në të djathtë të orienton se destinacioni mban emrin Zvërnec, ndaj mund ta kthesh timonin e të mos futesh në qytet. Por nëse të pret puna dhe ke pirë një kafe andej nga Lungomare, mundësia e dytë është më e drejtpërdrejtë, sepse tek rrethrrotullimi i Sheshit Pavarësia, një tjetër tabelë të orienton po drejt Nartës dhe Zvërnecit, ku fillimisht duhet të vozitësh përmes rrugës Kosova. Po e njëjta guidë të informon se deri në ishull janë 13.4 kilometra. Si ke kaluar rrugën Kosova do të marrësh rrugën e quajtur “Sazani”, e cila kalon nëpër pyllin e Sodës, për t’u lidhur me rrugën e Pishave, që në segmentin e fundit cilësohet “Rruga e Zvërnecit”. Pra është një rrugë por me katër emra të ndryshëm, sipas segmenteve. Dhe kështu ke mbërritur në destinacion.
Ishulli
Pamja që të shfaqet përballë është mbresëlënëse.
Për njohuri të përgjithshme, bazuar mbi faqen zyrtare, na duhet të themi se Zvërneci, së bashku me Nartën aty pranë, është një zonë në Shqipërinë, jugore apo në veri të Vlorës. E gjithë zona me lagunën dhe detin, përbëjnë një ekosistem shumë interesant dhe tërheqës për turistët. Dhe turistë aty mund të gjesh në vazhdimësi e sidomos fundjavave.
Makinën mund ta parkosh në anë të rrugës dhe të nisësh turin tënd turistik, që nuk është se të ha shumë kohë. Përballë gjendet ishulli i Zvërnecit. Manastiri dhe kisha dallohen lehtësisht prej bregut. I mbuluar nga pishat e larta, në ishullin e vogël arrin përmes një ure druri, apo pasarelë, e cila nuk është më ajo e vjetra që ishte e drejtë si vizore, por një më e re e që gjarpëron në 270 metra gjatësi. Mbi këtë pasarelë mund të bësh një set fotosh të papara, sepse po këtë objekt zgjedhin dhe plot çifte që martohen, të cilët kanë dëshirë të bëjnë dhe videoklipe me dron.
Kodra e ishullit kap kuotën e rreth 30 metrave mbi nivelin e detit. Ndërsa vetë ishulli ka një sipërfaqe rreth 9 hektarësh.
Manastiri
Që pa bërë hapin e parë mbi pasarelë, një tabelë që mban vulën e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Vlorës të informon se je në territorin e Manastirit dhe Kishës së Shën Mërisë Hyjëlindëse. Ndërsa një tjetër tabelë, por këtë herë në fund të pasarelës, shkruan se je në territorin e shenjtë “Fjetja e Hyjëlindëses”. Ky vend përveçse i shenjtë është i certifikuar zyrtarisht edhe si një monument kulture.
Manastiri padyshim që është një prej objekteve të kultit më të njohur bizantinë të krejt rajonit duke qenë në këtë mënyrë dhe një nga veprat më mbresëlënëse të trashëgimisë kulturore e fetare. Në enciklopedi thuhet se ndërtimi i tij mendohet të ketë ndodhur mes shekujve të XII-XIII. Në manastirin që mban emrin e Shën Mërisë, çdo 15 gusht kremtohet sipas kalendarit liturgjik si dita e gruas që lindi Krishtin.
Në varrezat e manastirit të Zvërnecit që prej vitit 1932 ndodhet dhe varri i Marigo Pozios, gruas që qëndisi flamurin me të cilin u shpall Pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912.
Epilogu
Dhe pasi ke bërë këtë guidë të shkurtër çlodhëse dhe shumë interesante, në një fundjavë të butë dimri dhe plot diell, mund të vazhdosh me rendin e ditës: Të shkosh në Vlorë ku mund të flesh në një prej hoteleve bregdetarë, apo të kthehesh në Tiranë e të shtrihesh në krevatin tënd.
No comments:
Post a Comment