Friday, February 25, 2022

Shqipja, gjuha që e flisnim si turqit dhe po e flasim si anglezët


Nga Leonard Veizi
 
Ku jemi sot me gjuhën shqipe?
Për ca të tjerë kjo temë nuk ka kurrfarë rëndësi, se pse ata flasin o anglisht, o gjermanisht, o italisht, ose greqisht. Mirëpo ka dhe nga ata që u dhimbset gjuha e nënës, e thonë se në këtë drejtim, - ashtu si dhe në shumë fusha të tjera të jetës, - jemi mysybet. Domethënë, si han pa porta, ku futen e dalin fjalë që jo vetëm s’kanë të bëjnë me shqipen, por si parazitët ia kanë hipur në kurriz e zor t’i zbresin më.
Natyrisht, nëse ingranazhi i instituteve që merren me gjuhën është ndryshkur se është lënë pa grasatuar, do të presim që secili ta zgjidhë vetë mënyrën për të komunikuar me tjetrin, qoftë dhe me gishta, mjaft të merren vesh.
Në kushtet ku jemi, vështirë që fjalët e reja shqipe të zëvendësojnë ato që na kanë mbetur ose nga greqishtja e vjetër, ose nga gjuhët latine. Fjala vjen “dyrrotak” duket si utopi që tanimë ta zëvendësojë fjalën “biçikletë”. Madje kohët e fundit edhe “biçikletë” e ka humbur rëndësinë sepse me shpejtësi është futur nga gjuha anglo-saksone fjala “mautinbajk” që ne e përkthejmë si një “biçikletë malore”. Edhe “nënkresë” e ka të vështirë ta mundi në përditshmërinë e saj fjalën “jastëk”, me përjashtim të rasteve letrare. Ndërkohë ndodhi që u zhduk nga qarkullimi fjala “penxhere” sepse fjala shqipe “dritare” ishte ku e ku më e bukur e tingëlluese. Dhe bëhet fjalë për vitet ’80 të shekullit të kaluar kur Instituti i Gjuhësisë hidhte në vazhdimësi fjalë të përdorimit të përditshëm që ne i quanim të reja pasi nuk na ishte mësuar veshi, por që ishin fjalë të kulluara të shqipes.
Imagjino në ditët e sotme të zallamahisë e tallavasë të mendosh se do të mund të zëvendësosh fjalën “copy-paste” me “kopjo-vendos”.
Në fakt, për gjuhën shqipe dhe problemet e saj, në vazhdimësi të punës time si gazetar, kam shkruar dhe herë të tjera e kam botuar intervista me gjuhëtarë të nderuar, të cilët kanë dëshmuar problematikat. Por këtë herë u motivova mëngjesin e 21 shkurtit ku informacioni i parë me të cilën u përballa që në mëngjes, nuk kishte të bënte me luftën në Ukrainë, por me gjuhën amtare. Në rastin konkret me gjuhën shqipe. Dhe gjuhëtarë profesionistë e mësimdhënës gjuhësie kishin zënë ekranet e po flisnin rreth problemeve si për gjuhën e folur ashtu dhe për atë të shkruar. Sepse, - për të gjithë ata që s’e dinë, -  21 shkurti na qenka Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare. Dhe si e tillë është një ditë ceremoniale e shpallur nga UNESCO me një rezolutë të veçantë që prej vitit 1999.
Duket se është UNESCO ajo që përpiqet më shumë për të mirën tonë, sidomos kur ne e kemi të zorshme të merremi me veten. Kjo me sa duket dhe për shkak të traumës që na ka mbetur me kohë kur fqinjët na akuzojnë o si narcistë, o si patriotë të çartur, ose si shqiptaromëdhenj. Gjithmonë kur lëvdojmë gjuhën tonë, kur mburremi se ajo është nga më të vjetrat në Europë e pastaj kur themi se e flasin nja 10 milion shqiptarë, të shpërndarë nëpër botë.
-Gjuha jonë sa e mirë, / Sa e ëmbël, sa e gjerë, / Sa e lehtë, sa e lirë, / Sa e bukur, sa e vlerë.
Dhe megjithëse nga viti 1908, - kohë kur u zhvillua Kongresi i Manastirit për çështjen e alfabetit, deri para viteve 2000, - për gjuhën shqipe u punua që ajo të pastrohej nga mbetjet e huaja e të pasurohej me prurje të reja, të paktën 20 vitet e fundit tabloja flet krejt ndryshe. Shekulli i ri nuk hyri i mbarë në këtë pjesë të globit, për ca e ca gjëra.
Gjuha po shkatërrohet... Ja ashtu pak nga pak, por me këmbëngulje. Në ballë të punës për shkatërrimin e saj janë politikanët, të dytët që po i vënë shkelmin sa të mundin vijnë gazetarët, dhe pastaj pjesa rinore që duke përdorur “haj tekun” nuk dinë më ku mbaron shqipja e ku fillon anglishtja. Sepse këto dy gjuhë po gërshetohen kaq fort me njëra-tjetrën sa nuk është vështirë që pas disa vitesh të kemi një hibrid.
-Ej, bi, si, di...
Historia përsëritet, sepse edhe nën ndikimin e administratës osmane, nuk dihej ku fillonte shqipja e ku përfundonte turqishtja.
-Na bëj kabull një rixha jurusun efendi, - janë fjalët e Hito Lekdushit para se të ekzekutonte bimbashin e Gjirokastrës sipas vendimit të marrë nga Komiteti për Lirinë e Shqipërisë. Shprehja është e huazuar nga filmi artistik “Liri a Vdekje” me skenar të Vath Koreshit e regji të Ibrahim Muçës e Kristaq Mitros. Brenda fjalisë ka shtatë fjalë ku tre janë shqip e katër osmanisht. Por që në përfundim, sipas zhargonit të kohës quhet një e folur shqip.
Po asokohe të paktën kishim justifikimin, se administrata osmane nuk e pranonte shqipen si gjuhë zyrtare, ndaj në zyrat e sulltanatit flitej turqisht, në shtëpi shqip e në rrugë shqipo-turqisht.
-Elif, be, se, xhim, jazi, hemze... – do t’i recitonte alfabetin komandanti turk i xhandarëve mësonjëse Dafinës, e cila tek filmi “Mësonjëtorja” donte t’ua mësonte vashave gjuhën shqipe.
Sot është edhe më keq...
Duke ndjekur emisionin televiziv “Shqipja e rrezikuar” një prodhim nga “Top Story”, më shumë nga gjithçka më ra në vesh fjalia e një zyrtareje të lartë të shtetit e cila teksa raporton në një komision kuvendor u shpreh tekstualisht:
-...nuk kishte treguesin e likuiditetit, aty si definijshën.., çfarë është për projektin e fërst.., të inshurëns që kemi ne aty...
Besoj u morëm vesh, se kaq rëndë nuk ka qenë as Fatos Nano i cili i kishte pa doganë fjalët e huaja në shqipen e tij.
Pas zyrtarëve e politikanëve - që dalin kohë e pa kohë në televizor e na dhunojnë me fjalorin e tyre, ku mund të dëgjosh si breshëri mitralozi fjalët “abrogoj”,” kontinuitet” “dilit”, “risërç”, “afirmoj”, “evitoj”, “avangardë”, “definitiv” e të tjera pa fund, - vijnë gazetarët. Të lexosh shkrimet e tyre sot është një tmerr i vërtetë. Dhe më së shumti bëhet fjalë për ata të sistemit online që janë krejt të lirë e pa filtra, e bëjnë çfarë t’u dojë qejfi, se nuk u kërkon kush llogari. Sepse gazetarët e gazetave, të mësuar ndër vite me njëfarë disipline, ku redaksitë kanë pasur funksionalë redaktor e korrektor, dhe mundësia për gabime trashanike, por dhe ortografike ka qenë në kufijtë e ulët të saj.
Vetë ky shkrim, i cili ka në thelb të tij mbrojtjen e shqipes, ka një turli fjalësh të huaja, të cilat janë në përdorimin e përditshëm dhe duke qenë se më duhet të mendohem pak për të gjetur përshtatësit, e kam më të lehtë të përdor një mbivendosje të huaj, por që ka marrë qytetarinë.
Por probleme të mëdha ka dhe aty ku në fakt nuk duhet të ketë as dhe një germë gabim. Ato janë aktet zyrtare e të protokolluara. Po të lexosh disa prej tyre, kupton përfundimisht se administrata është e mbushur me injorantë të cilët nuk marrin guximin as të blejnë një fjalor drejtshkrimor për të qenë të saktë në hartimin e teksteve.
Dhe kaq duhet për ta “varrosur” gjuhën tënde me duart e tua. Se në këtë rast nuk na i kanë fajin as armiqtë e as pushtuesit.
Ndaj pa qenë shumë vonë, duhen marrë masa ndaj një gjuhe për të cilën pretendohet sot e gjithë ditën se u ka dhënë të tjerave e nuk ka shumë nevojë të marrë me qëllim që të plotësojë boshllëqet e saj.  Sepse nuk është ndonjë çudi e madhe që për shkak të vjetërsisë së saj shqipja t’u ketë dhënë nga vetja edhe shumë gjuhëve të tjera. Nuk besoj që nga kjo të mbetet me gojëhapur ndokush, për të nisur nga akuzat se: i doli koka muhabetit.
Nga një gjuhë që sot konsiderohet e vdekur, latinishtja, ka dalë italishtja, frëngjishtja, spanjishtja madje dhe rumanishtja.
Kush e njeh historinë e di mirë se si është formuar anglishtja. E që t’i bie shkurt, anglishtja e sotme ka ardhur si produkt i gjuhës britanike të vjetër, gjermanishtes që e sollën anglo-saksonët, danishtes e suedishtes që e sollën vikingët dhe sidomos e frëngjishtes. Gjithçka ndodhi pas tërheqjes së trupave romake nga ishulli dhe vendi u popullua nga fiset e tjera të Evropës veriore.
Po shqipja?
Pa u mbështetur mbi baza shkencore, sepse ky shkrim nuk merr përsipër një gjë të tillë, por me një deduksion të thjeshtë: padyshim, edhe ajo ka dhënë nga vetja e saj, ashtu siç vazhdon të marrë sa nuk i mban kandari.

No comments:

Post a Comment