Bota
është futur në ankthin e shpërthimit të një lufte bërthamore. Dhe e gjitha kjo,
sepse Vladimir Putin, ka ngritur në gatishmëri detashmentin e forcës bërthamore
ruse.
Por,
a do të ndodhi kjo?
Thuhet
se ushtria e Federatës Ruse ka një arsenal të frikshëm armësh gjithfarësh që ta
shfarosin njerëzimin e të mos lënë pemë në këmbë. Por kjo nuk është ndonjë gjë
e re. Sepse që prej vitit 1949 Rusia, si bërthama e Bashkimit të Republikave
Sovjetike, ka nisur armatimin e saj me mbushje bërthamore, përveç sofistikimit
të armëve të tjera: aviacionit, armës së tankeve, nëndetëseve dhe anijeve të
tjera mbiujëse.
Më
verën e vitit 1949, Bashkimi Sovjetik testoi bombën e tij të parë atomike.
Prova u bë një poligon i Kazakistanit verior. “RDS-1”, ishte emri i koduar i
bombës atomike 22 kilotonësh e cila shpërtheu mëngjesin e 29 gusht të vitit
1949, në rajonin Semipalatinsk të Kazakistanit.
Epoka
e garës atomike kishte nisur. Sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një
avancë 4-vjeçare, e kishin provuar bombën e tyre atomike jo më në poligonet e
shkretëtirës së Nevadës, por drejt e mbi një qytet të populluar.
Shpërthimi
parë ndodhi mëngjesin e 6 gushtit të vitit 1945, pasi një avion i flotës
amerikane, bombarduesi B-29 Superfortress, hodhi mbi qytetin japonez të
Hiroshimës bombën e mbushur me uran, nën emrin e koduar "Little Boy".
Tri
ditë më pas do të vinte katastrofa e dytë bërthamore. Këtë herë mbi qytetin
japonez të Nagasakit do të shpërthente një bombë me plutonium e koduar “Fat
Man”.
Japonia,
e fundit aleate e boshtit Romë – Berlin – Tokio, u dorëzua. Dhe Lufta e Dytë
Botërore, përveç Evropës, mori fund edhe në Azinë e Largët.
Gjithsesi
fundi i Luftës pati një pasojë të tmerrshme, sepse për shkak të dy shpërthimeve
gjetën vdekjen mbi 210.000 njerëz, kryesisht civilë, rreth 140 mijë në
Hiroshima dhe të paktën 74 mijë në Nagasaki. Shumë të tjerë mbeten me plagë dhe
sëmundje tjera të shkaktuara nga jonizimi e që ishin të pashërueshme. Vetë
vendet ku shpërthyen bombat mbetën për një kohë të gjatë nën ndikimin e rrezatimit vdekjeprurës.
Megjithëse
u vërtetua plotësisht se sa shkatërruese ishte një bombë bërthamore, dhe
megjithëse organizma të fuqishëm ndërkombëtarë u munduan ta frenonin këtë garë
armatimi, përgjatë këtyre viteve shumë shtete nuk reshtën për të prodhuar
mbushje të reja, më të sofistikuara.
Sot
jemi para të njëjtit kërcënim.
Në
ditët e para të luftës Rusi- Ukrainë, të paktën dy herë Vladimir Putin, - si
zyrtari më i lartë i Moskës, - në një mënyrë apo në një tjetër, ka aluduar për
një luftë bërthamore. Herën e parë, indirekt, kur, më 24 shkurt 2022, duke
shpallur vendimin për t'i hapur luftë Ukrainës, ai tha: "Kushdo që
përpiqet të ndërhyjë ... ose të krijojë kërcënime për vendin dhe popullin tonë,
duhet ta dijë se ne do të reagojmë menjëherë dhe rrjedhimisht do të jetë diçka
që bota nuk e ka parë kurrë”.
E
dyta, më shprehimisht, ishte më 27 shkurt, - pra tre ditë më pas, - kur citoi
"deklarata agresive" të paspecifikuara të vendeve të NATO-s dhe
urdhëroi që forcat bërthamore ruse të viheshin në gatishmëri.
I
çekuilibruar mendërisht apo në ekuilibër normal, inteligjent në shkallë
sipërore apo aspak i tillë, tanimë Putin na bën me dije se e do ta hapë
kapakun, aty ku pulsanti qëndron në gatishmëri. Sepse ai e ka në dorë fatin e
mëtejshëm të shumë jetëve njerëzore.
Këto
deklarata të tij nuk mund të merren më lehtë, sepse Rusia, me gjithë një
çarmatim të caktuar e të kryer në dekadat e fundit, është ende e pajisur me një
arsenal bërthamor të frikshëm, ndoshta edhe më të madh se ai i Shteteve të
Bashkuara, i cili, të mos harrojmë, shpenzon të paktën dhjetë herë më shumë se
Rusia në fushën e mbrojtjes e të armatimit.
I
referohem mediave serioze të perëndimit, pasi tanimë shumë nga faqet online të
sistemit rus nuk janë me të aksesueshme. Informacionet nga Moska janë “Top
secret”
Sipas
të dhënave më të fundit, pra ato të siguruara nga Federata e Shkencëtarëve
Amerikanë, - e cila është një organizatë jofitimprurëse e krijuar për të dhënë
një kontribut shkencor në shqyrtimin e problemeve të mëdha ndërkombëtare, -
Moska mund të ketë 4477 koka bërthamore efikase, plus 1500 të tjera të cilat
janë të çmontuara ose në proces çmontimi, por në çdo rast të papërdorshme. Nga
4,477 koka luftarake efikase, vetëm 1,588 janë tashmë në dispozicion të
garnizoneve të ndryshme, ndërsa 2,889 të tjerat mbahen në rezervë. Nga ana
tjetër, 1,588 mbushje të dislokuara tashmë, janë të ndarë midis ICBM-ve me bazë
tokësore 812 copë, nëndetëseve reaktore 576 copë dhe bombarduesve 200 copë.
Siç
shihet, një aparat luftarak mbresëlënës i të cilit duhet theksuar edhe një
aspekt tjetër. Raketat, nëndetëset dhe bombarduesit formojnë të ashtuquajturën
"treshe bërthamore". Të paktën kështu thonë disa agjenci nga më prestigjiozet e informimit.
Duke
filtruar informacionet që vërshojnë lumë përqendrohem tek ato që janë më afër
realitetit, në mos po janë krejt të sakta: Rusia ka tre baza të afta për të
lëshuar raketa me kokë bërthamore dhe janë në një pozicion strategjik: në
Rostov - juglindje të vendit, në kontakt të ngushtë me Donbasin dhe Ukrainën, -
në Shën Petersburg dhe sidomos në Kaliningrad. Këtu janë instaluar raketat të
tipit 9M729, ato që e shqetësojnë më shumë NATO-n. Ndryshe nga raketat
balistike, të projektuara për të fluturuar në distanca më të shkurtra, këto
mbulojnë një distancë maksimale prej 2500 kilometrash, praktikisht të gjithë
Evropën, deri në Spanjë dhe në Irlandë.
Por
fusha në të cilën Rusia ka shkuar më tej, sërish në lidhje me armët atomike,
është ajo e të ashtuquajturave “raketat hipersonike”, testuar që në vitit 2018,
të cilat janë të afta për të fluturuar me shpejtësi 7 Mach, pra gati 8600
kilometra në orë. Raketa hipersonike “Kinzhal”, ka një rreze prej më shumë se
2,000 kilometra.
Dallimi,
në krahasim me raketat "tradicionale", nuk është aq në shpejtësi - pasi një raketë balistike, kur bie drejt
tokës, mund të arrijë edhe 17 Mach, - por në manovrim. Për të mos folur pastaj
për sistemet e tjera të armëve si: Avangard. Avioni të cilën NATO e ka koduar
si “Avangard”, është i aftë të fluturojë me mbi 20 herë shpejtësinë e zërit në
shtresat e dendura të atmosferës, dhe është në gjendje të ndryshojë papritmas
trajektoren dhe lartësinë e tij të fluturimit.
Pak
a shumë si puna e UFO-ve...
Në
terma thelbësorë, është një lloj glideri hipersonik i aftë të udhëtojë në
dhjetëra kilometra lartësi në shtresat e dendura të atmosferës dhe më pas të
rrëshqasë papritur mbi objektivin duke mbajtur një bombë atomike e cila, në
rastin konkret të arsenalit rus, mund të jetë katër herë më e fuqishme se koka
më e fuqishme e një mbushje amerikane. Për të paktën disa vjet, rusët kanë
punuar për t’u pajisur me sistemin “RS-28 Samat”. Më 24 dhjetor 2019, gjatë
ekspozitës së sistemeve moderne të armëve në Qendrën Kombëtare të Menaxhimit të
Mbrojtjes, u raportua se Sarmat është i aftë për një "fluturim nën-orbital
35,000 kilometra".
I
gjithë ky përparim i skajshëm i armatimit luftarak, është bërë në periudhën e
pushtetit të Vladimir Putinit. Sot, në ditët e luftës me Ukrainën, ai mund të
ndihet krenar për arritjet e shkencës ruse në favor të armatimit luftarak. Ndaj
dhe merr guximin e çmendur për ta kërcënuar botën me shpërthime bërthamore.
Ndaj gishtin e ka vendosur mbi pulsantin e kuq.
...ta
shtyp, mos e shtyp...
Nuk
është më një lojë fjalësh
Por
me siguri, nuk është dhe aq i çmendur sa ta shtypi e të nisë raketat për
vetëshkatërrim.
No comments:
Post a Comment