Wednesday, January 15, 2020

“Shtëpia me Gjethe”, një shtëpi lindjesh që u kthye në... Shtëpi Torturash

“Panoptikoni”, një burg ideal
Gjithçka ishte në përgjim. Te kopsa e një palltoje ishte montuar gryka e një aparati fotografik, në çantën e një gruaje gjithashtu. Dhe ti nuk dyshoje kurrë te bashkëbiseduesi që të kishte ngritur një kurth. Çimkat vendoseshin kudo. Madje edhe në murin e shtëpisë, ku dy punonjës të Sigurimit të Shtetit të hapnin derën me një çelës kopil, të hapnin murin me trapano, të montonin çimkën, dhe largoheshin prej aty pa lënë as shenjën më të vogël ku mund të dyshoje. Dhe gjithçka përgjohej. Madje dhe vetë ata që bënin përgjimet, përgjoheshin gjithashtu nga një strukturë më sipër tyre. Askush nuk kishte më besim tek asnjeri. Ndërkohë që përgjimit nuk i kishte shpëtuar as telefoni i Enver Hoxhës, natyrisht “për arsye sigurie”.
Filozofia e reformatorit anglez, Jeremy Bentham, mbi “burgun ideal” edhe pse dështoi në Perëndim, u përshtat më së miri në vendet e kampit socialist të Lindjes. “Panoptikoni” – ishte vendi nga mund të shihej dhe dëgjohej gjithçka. I konceptuar dhe ideuar rreth 200 vite më parë “Panoptikoni” i erdhi për shtat diktaturës komuniste. Dhe ai gjeti zbatim të plotë, pikërisht tek Shtëpia me Gjethe. Ndërtesa në fjalë, nisur nga pamja e jashtme, ishte ndoshta më e bukura në Tiranë. Por ajo ishte dhe më e mistershmja njëkohësisht në brendësi të saj. Pakkush e dinte se çfarë ndodhte në dhomat e saj.
Fillimisht “Shtëpia me gjethe u përdor për zyra hetuesie dhe vend torturash. Ishte koha kur Koçi Xoxe në krye të Ministrisë së Brendshme me ndihmën e ushtarakëve jugosllavë bëri spastrime, mënjanime dhe eliminime pa kriter dhe në mënyrë të dhunshme. Fill pas pushkatimit të tij me damkën e “armikut të popullit”, vendin e oficerëve të pashkolluar e me “gjysmë opinge”, rekrutuar nga brigadat partizane, filluan ta zinin “ustallarët” e ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Përveç këshilltarëve ushtarakë ardhur nga Stepat e Uraleve, që u shtruan këmbëkryq në Ministritë e Mbrojtjes e atë të Brendshme, nga akademitë e mëdha të Moskës nisën të vinin kontingjentet e parë të ushtarakëve gjitharmësh diplomuar në “Voroshillov” e “Frunze”. Në të njëjtën kohë erdhën të kollarisur e me brilantinë mbi flokë edhe oficerët e Ministrisë së Brendshme, modeluar sipas përvojës së frikshme të ÇEKA-s, që mësimet ekstra për mbajtjen e pushtetit me çdo kusht, i morën në auditorët e akademisë së famshme e cila mbante emrin e një renegati gjysmë polak siç ishte Feliks Xherxhinski.
Ecur në gjurmët e KGB-së,  konfigurimi i Sigurimit të Shtetit ishte një miniaturë e ndërmarrjes së madhe që drejtoi me fanatizëm Jenrik Jagoda, Nikollai Jezhovit e Lavrenti Beria. E megjithatë në kampin shqiptar, ishte po aq i frikshëm sa dhe KGB-ja në Bashkimin Sovjetik. “Shtëpia me gjethe” ishte bërthama ku përpunoheshin të gjithë informacionet, ku përgjohej gjithçka e mundur, për të gjetur: Armikun e Popullit.


SPECIALE/ Me drejtoreshën Etleva Demollarin në një guidë te Muzeu Kombëtar i Përgjimeve

“Shtëpia me Gjethe”, një shtëpi lindjesh që u kthye në... Shtëpi Torturash

Nga Leonard Veizi
Sa ngjit ato pak shkallë të jashtme dhe hedh një hap brenda saj, gjithçka e humb magjinë e deri atij çasti, gjelbërimit në oborr dhe tullave të kuqe që reflektojnë shkëlqimin diellor. Në brendësi drita natyrale mezi gjen të çara për të depërtuar në korridorin si labirinth, ndërsa llambat e Edisonit nuk arrijnë ta zëvendësojnë kurrsesi rrezatimin e diellit energjik. Tek ndjek rrugën për të shkuar tek dera ballore ku shkruhet “Only Staff” ndihem në ankth. Gjethe të zeza vizatuar në mure më kanë shoqëruar nëpër shkallë, ndërsa në korridorin e katit të dytë të ndërtesës bobinat me shirita regjistrimi ma shtojnë më shumë ankthin. Për çudi nuk jam te Radio Tirana, dhe as në korridoret e ndonjë televizioni, edhe pse prej dyerve të hapura nga të gjitha anët syri më zë gjithfarë objektesh televizivë; kamera, aparate fotografikë dhe disa pajisje që të ngjasojnë aq shumë me miksera regjie. Pak më tutje duken aparatura me fisha që lidhin bisedat mes telefonash manualë. Por as te Posta Qendrore me kabina gjysmë hermetike nuk jam. Në një prej mureve më tërheq vëmendjen një citat i shkruar me germa të zeza: “Sigurimi i Shtetit është arma e mprehtë dhe e dashur e Partisë tonë, sepse ajo mbron interesat e popullit dhe shtetit tonë socialist, kundër armiqve të brendshëm dhe të jashtëm”. Firmëtari, vetë Enver Hoxha. Në këto kushte nuk do të dëshiroja që askush të më thoshte “mirëserdhe”. Sapo isha përballur me peshën e parë plot rëndesë të botës misterioze që mban brenda vetes “Shtëpia me Gjethe”...
...Nëse ka hije a fantazma, shpirtra që enden nëpër terr e nuk gjejnë qetësi, ato duhet të jenë aty, strukur diku në bodrum a nën çati, për të bërë ritualin e tyre të zakonshëm vetëm atëherë kur personeli largohet e nëpër korridoret e ftohta nuk ka më njeri. Mbuluar me gjethe që i japin një gjelbërim gati të përhershëm, tanimë ajo nuk është më një Shtëpi Lindje, ashtu siç ishte ideuar që në themel të saj nga i famshmi doktori obstetër-gjinekolog, Jani Basho. E ndërtuar në një vend kyç, pranë qendrës së kryeqytetit, ndërtesa u licensua si maternitet nga Ahmet Zogu, asokohe me kurorën e monarkut mbi kokë. Destinacioni i saj u shndërrua fill pasi Qeveria Komuniste e Enver Hoxhës, në nëntorin e vitit 1944, hyri në Tiranë. Për nevoja të ngutshme të shtetit, Shtëpia e Lindjes u kthye në... Shtëpi Torturash.


Intervista
Ajo më pret në zyrën e saj të mobiluar thjeshtë, ku të bie në sy veç një kompjuter mbi tavolinë. E ndërsa kudo ndihet një ambient i zymtë, e vetmja që transmeton energji pozitive është drejtoresha e këtij institucioni. “Është një muze prekës” thotë ajo që në krye të herës, si për të më dhënë të kuptoj se duhej të kisha pirë të paktën dy kafe të shkurtra e të mblidhja zemrën, për të përballuar presionin që të jepte ambienti dy katesh i “Shtëpisë me Gjethe.” Drejtoreshë prej ditës së hapjes së saj më 23 maj 2017, Etleva Demollari tregohet e gatshme të më njohi me të dhënat e Muzeut, duke bërë njëkohësisht dhe një guidë në të gjitha skutat e saj.  Që në hyrje, në një pankartë ku bëhet e ditur se tanimë ndodhemi në territorin e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve, një tjetër slogan na bënte të njohur se: “Muret e kësaj Shtëpie kanë dëgjuar shumë, tashmë ata kanë filluar të flasin...”

Ka filluar të flasë vërtet?
Po. Kemi plot dokumentacione që flasin. Ato do të freskohen herë pas here dhe sipas mundësisë. Janë dhe paisjet, sigurisht. Kemi nënshkruar një bashkëpunim me Autoritetin e hapjes së Dosjeve dhe në këtë kuadër kemi marrë disa dosje.

“Shtëpia me Gjethe” sapo ka marrë një çmim akorduar nga Këshilli i Evropës. Sa i rëndësishëm është ai?
Është një vlerësim shumë i madh dhe një arritje jo vetëm për Muzeun Kombëtar të përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” por për gjithë muzeologjinë shqiptare. Ky është çmimi më jetëgjatë dhe më prestigjioz në sektorin e muzeve në Evropë. Ky çmim, i krijuar i rreth vitit 1977, promovon risitë e reja, ekselencën në fushën e shërbimit të publikut, në sektorin e muzeve. Zakonisht janë 44-45 muze që marrin pjesë në garë, por këtë vit konkurruan 60 të tillë. Çmimi në fjalë përmban një statujë të punuar nga skulptori Jean Miro, të cilët do ta ekspozojmë për një vit, diplomën si dhe 5000 euro.

Çfarë e bën të veçantë këtë muze?
Ajo që juria ka vlerësuar është trajtimi dhe përballja e një muzeu të vogël me plagët e të shkuarës komuniste. Tematika që trajton muzeu është përkujtimi i dhunës psikologjike dhe kontrollit të ushtruar  ndaj qytetarëve shqiptarë gjatë regjimit komunist përmes Sigurimit të Shtetit.

Cili është trendi i vizitorëve të Muzeut....?
Prej ditës së hapjes Muzeu është vizituar nga rreth 47 mijë vizitorë, 20 mijë prej tyre janë vendas dhe 27 mijë të tjerët të huaj. Duhet të saktësoj se vizitorët vendas janë përgjithësisht nxënës dhe studentë. Ne punojmë shuam me brezin e ri. Ne organizojmë programe edukative dhe thërrasim shkollat duke u dhenë mundësinë ta shohin falas muzeun. Kjo bëhet pikërisht për të ndërgjegjësuar të rinjtë për periudhën e komunizmit. Në kemi pasur shumë aktivitete edukative. Kemi dy programe të cilat i bëjmë në mënyrë sistematike çdo javë që titullohen “Kujtojmë për të mos harruar” dhe “Mbresa”.

Impresioni juaj, si u ndjetë ditën e parë kur u futët në këtë shtëpi-muze?
Të them të vërtetën kisha emocion dhe gati-gati frikë. Shtëpia më dukej shumë e mistershme. Madje gjithçka e ideuar dhe projektuar nga grupi i punës i është përmbajtur kësaj ideje, për t’i lënë hijen e misterit.

Çfarë strukture ka sot “Shtëpia me Gjethe”?
Shtëpia me Gjethe në fillim ka qenë shtëpi lindjeje. U ndërtua më 1931 si klinikë obstetrike, me nismën e mjekut të shquar Dr. Jani Basho dhe e drejtuar prej tij. Tanimë, kjo godinë dykatëshe me 31 dhoma është ndarë në 9 seksione dhe është modeluar si një Muze, që i kushtohet atyre njerëzve të cilët u përgjuan dhe u torturuan nga regjimi komunist.

Për çfarë qëllimesh u përdor kjo Shtëpi?
Gjatë viteve të para të pasluftës, gjer në 1948 kur u prishëm me Jugosllavinë, Shtëpia me Gjethe u përdor si qendër hetuesie, pra edhe si vend ku bëheshin tortura. Ato u janë ngarkuar ndikimeve jugosllave dhe të ashtuquajturve agjentë titistë në policinë politike. Duke filluar nga vitet ‘50, funksionet e kësaj ndërtese ndryshuan. Këtu u instalua selia e degës tekniko-shkencore të Sigurimit, e cila merrej kryesisht me përgjimin elektronik, me kontrollin e telefonave dhe me kontrollin postar, përveçse edhe selia e një dege që merrej me ndjekjen e të huajve. Kanë vazhduar gjer në shkrirjen e Sigurimit, më 1991.

Po pas rënies së komunizmit...?
Nga viti 1991 e deri në vitin 2003 "Shtëpia e Gjetheve" është përdorur për zyra nga administrata e Shërbimit Informativ Shqiptar. Pas vitit 2003 ajo mbeti e braktisur dhe ishte në degradim e sipër deri në vendimin e vitit 2014 të qeverisë shqiptare për ta kthyer në muze.

Çdo shtet ka shtëpinë e tij të “Gjetheve”. Përse iu dha kaq prioritet në Shqipëri?
Problemi është se si përdoret një “Shtëpi përgjimi”. Në Shqipëri nuk është përdorur për interesa të shtetit, fjala vjen për t’u mbrojtur nga terrorizmi, por thjesht për kundërshtarët politikë.

Detyra kryesore e Shtëpisë me Gjethe ishte përgjimi i ambasadave të huaja?
Sipas strukturës së Sigurimit të Shtetit këtu ishte “Dega kundër të Huajve në Shqipëri”. Por realisht ajo u përdor për të përgjuar gjithçka. Kemi një urdhër të Mehmet Shehut, kur ai ishte ministër i Brendshëm, ku thuhet: “Me marrjen e këtij urdhri, për gjithë elementët e dyshimtë të juridiksionit tuaj që do të udhëtojnë për në qytetin e Tiranës, nuk do të njoftoni si deri tani degën e Tiranës, por direkt Degën e VIII (tetë) të kësaj Drejtorie, për survejimin e tyre...”
Dega VIII presupozonte Shtëpinë me Gjethe?
Po. Fillimisht është quajtur Dega VIII e më pas Dega V, sipas riorganizimit.

Në një prej dyerve lexova shënimin: “Kujdes! Kjo dhomë është e përgjuar”...?
Po, disa nga dhomat janë të përgjuara. Në dhomën 27 dëgjohet gjithçka thuhet. Ideatorët e menduan të instalonin përgjuesit me qëllim për t’i dhënë çdo vizitori të kuptojë se si do ndihet dhe se si do sillet ai ndërkohë që e di që është i përgjuar.

Çfarë mund të na thoni në përmbyllje të kësaj guide?
Muzeu përmbledh pikëpamje e këndvështrime të ndryshme. Kemi këndvështrimin e Sigurimit të Shtetit nëpërmjet dokumenteve, dosjeve, pajisjeve etj, kemi pikëpamjen e viktimave nëpërmjet intervistave, historive gojore që janë realizuar nëpërmjet videove, ndërsa qëndrimi që mban muzeu vetë jepet nëpërmjet objekteve që ka ekspozuar. Por ky qëndrim thellohet dhe nëpërmjet disa citimeve të shkruara në muret e muzeut ku thuhet: “E shkuara nuk vdes kurrë. Madje ajo as ka kaluar” nga Ëilliam Faulkner. Kemi shprehjen e Hannah Arendt: “Në atë masë që e kaluara vërtet mund të ‘kapërcehet’, kjo arrihet vetëm duke rrëfyer çfarë ka ndodhur”. Si dhe kemi një shprehje tjetër nga Amik Kasoruho: “Atëherë ndoshta nuk e kuptoja, por më vonë e kam menduar se paskan pasur një kurajë të pacipë këta njerëz që nuk kanë kërkuar falje…”
ÇMIMI I MADH: “Muzeu i Këshillit të Europës 2020”
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve "Shtëpia me Gjethe" arriti të fitonte Çmimin e madh: "Muzeu i Këshillit të Europës 2020" ndërmjet 60 muzeve të nominuar nga Forumi Europian i Muzeve. Në garë për titull ishin muze prestigjiozë si: “Muzeu i Spiunazhit Gjerman”, Berlin, “Shtëpia e Ana Frankut”, Amsterdam “Muzeu i Pushtimit dhe i Lirisë”, Tallin, Estoni “Muzeu i Kujtesës Hebreje”, Poloni, etj.
Sipas përfaqësuesit të Komitetit për Çmimin e Muzeve, Roberto Rampi: "Ne duhet të mbështesim dhe inkurajojmë muzetë më të vegjël dhe me më pak burime që përballen haptazi me plagët e së shkuarës. "Shtëpia me Gjethe" është një muze shumë prekës që drejtohet me një buxhet shumë të vogël nga një staf entuziast. Sot, shoqëria përballet me përdorimin e gjerë të pajisjeve të teknologjisë së lartë dhe me kërcënimet e përgjimeve masive përmes njohjes së fytyrës, qasjes ndaj të dhënave private, etj. Ky muze evokon ditët më të errëta të së kaluarës, të cilat nuk duhet të harrohen”.
Fituesit e fundit të çmimit kanë qenë respektivisht Muzeu i Komunikimit në Bern, Zvicër (2019), Muzeu i Fëmijëve të Luftës, në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë (2018), dhe Qendra Karaibeve e Shprehjeve dhe e Memories së Tregtisë së Skllevërve dhe Skllavërisë, në Guadeloupe, Francë (2017).

DETAJE
Sipas Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e Sigurimit ekzistojnë 212.145 dosje, 250.000 kartela individuale, 15.000 dosje hetimore gjyqësore, 21.000 dosje të gjyqeve politike, 16.000 regjistra nga periudha 29 Nëntor 1944- 2 Korrik 1991. Kjo masë përbën 32 milionë faqe të hartuara nga Sigurimi i Shtetit. Nuk dihet saktë sa dosje janë asgjësuar.
Sipas Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e Sigurimit numri i bashkëpunëtorëve të Sigurimit arriti 120.000 vetë. Çdo punonjës sigurimi kishte deri në 15 informatorë. Në muzeun e ri të "Shtëpisë së Gjetheve" janë paraqitur edhe dosje origjinale të bashkëpunëtorit të Sigurimit dhe viktimës së ndjekur prej tij.


GUIDA MES SEKTORËVE MUZEALË

Sektori i Parë: Këtu prezantohemi me historikun e ndërtimit të kësaj shtëpie. Mjeku Jani Basho ishte nismëtari i ndërtimit të një klinike obstetrike. Si fillim, më 1930, ai i bëri kërkesë Kryeministrisë që këtë pronë shteti t’ia shiste për klinikën. Më pas, mbreti Zog miratoi kërkesën e mjekut me një dekret ligjor. Por në sektorin e parë vizitorët njihen nga afër me cilësitë e pajisjeve të përgjimit si p.sh: mini aparate, kamera, regjistrues, video-projektorë, pajisje incizimi, aparate për përgjimin e telefonatave, regjistrues dhe riprodhues audio, aparat matës, detektor transmetuesish, etj. Ndër këto pajisje spikat çimka, si një përgjuesi i lehtë-transportueshëm dhe i lehtë-montueshëm falë funksionimit të tij nëpërmjet valëve dhe përmasave të vogla.

Sektori i dytë: Një statistikë e paraqitur në një prej dhomave të muzeut tregon për katër kategoritë e bashkëpunëtorëve, numrin për secilën kategori ndër vite etj. Bashkëlidhur kësaj statistike vizitorët do të njihen me dokumente të deklasifikuara për disa nga bashkëpunëtorët me pseudonime: ‘Bufe e madhe’, ‘Artisti’, ‘Mali’, etj. Dosjet përkatëse të tyre tregojnë mbi formën e rekrutimeve të agjentëve, të infiltruarve dhe zbulojnë se shpesh ata kanë qenë bartës çimkash në biseda provokuese për viktimën e radhës.









Sektori tretë: Në dhomat e këtij sektori, vizitorët do të njihen me disa nga proceset gjyqësore më të bujshme të diktaturës komuniste shoqëruar me foto të realizuara gjatë seancave. Njëra nga dhomat i dedikohet listës së gjatë të njerëzve të pafajshëm, të cilët për motive politike u burgosën apo u vranë. Të burgosur për motive politike rezultojnë rreth 18.000 ndërsa të ekzekutuar me ose pa gjyq  rreth 5.500 persona.


Sektori katërt: Kontrolli i shtetasve të huaj si dhe përgjimi i trupave diplomatike ka qenë një nga funksionet e Shtëpisë me Gjethe. Në këtë sektor paraqitet një filmim ilegal i zhvilluar nga punonjësit e teknikës-operative të Sigurimit të Shtetit. Materiali filmik demaskon të huaj jugosllavë të cilët zhvillojnë tregun e zi në Shqipëri.
Një dhomë tjetër paraqet përshkrime të dokumentuara të shtrirjes së kabllove të përgjimit në zona të ndryshme të Tiranës kryesisht pranë hoteleve, apo planimetritë e pajisjeve tekniko-televizive të vendosura në bllokun ambasadave. Hartë e vendosur në qendër të kësaj dhome zbulon dhe arsyet pse kjo shtëpi u kthye në shtëpi përgjimesh.

Sektori i pestë: Në këtë sektor vizitorët mund të shohin një dhomë pritjeje të improvizuar, tipike të viteve ’70, me mobilie autentike të kohës.


Sektori i gjashtë: Vizitorët mund të shohin faksimile të një liste kontrolli telefonik. Në Tiranën e viteve ’70 kishte rreth 1500 telefona familjarë, që jepeshin me autorizim të posaçëm. Kryesisht u jepeshin familjeve të Nomenklaturës apo atyre që kryenin shërbime të veçanta urgjence. Muzeu ka të publikuar një Raport-Propozim për vitet 1973-1975 ku 105 familje u duhej vënë telefoni nën përgjim. Këtu janë dhe disa emra të njohur si: Petro Marko, Pranvera Bekteshi, Fatos Lubonja, etj.

Sektori i shtatë: Janë zëra të kapur dekada më parë me përgjim elektronik. Në një nga dhomat tregohet modeli i zbardhjes së një përgjimi të kryer nga punonjësit e Sigurimit te Shtetit.
Dhoma 27 në zhargonin e sigurimsave quhej “kloni”. Kjo ishte një dhomë “top secret” ku përgjohej me tre turne. Këtu bëheshin dhe lidhjet me disa nga dhomat kryesore të hoteleve të Tiranës si: Dajti, Tirana, Arbëria, etj.

Sektori i tetë: Tek dhoma 29, laboratori i dikurshëm i klinikës që përdorej për të kryer analizat mjekësore u përdor më pas për larje filmash e për prodhim çelësash që të hapnin dyer dhe kasaforta. Këtu kryhej hapja ilegale e zarfeve ose e materialeve të tjera që dyshoheshin se mund të ishin shkruar me bojë të padukshme. Laboratori përdorej edhe për kontrollin kimik të materialeve të shtypura që i vinin udhëheqjes nga jashtë dhe që dyshoheshin se mund të përmbanin lëndë helmuese biologjike ose radioaktive.


Sektori i nëntë: Në këtë sektor vizitorët do të mund të ndjekin një kolazh intervistash të personave që janë dënuar e persekutuar gjatë regjimit komunist.

No comments:

Post a Comment