Nga Leonard Veizi
Proza, kjo mjeshtëri burrash tekanjozë, ashtu si dhe
lufta po për burra, por aspak të tillë, prej kohësh nuk është më monopol i
mbyllur “me kyç” dhe krejt i paprekshëm. E, megjithatë, femrat që i’u imponuan
botës së prozës, por dhe të luftërave shumë kohë më para saj, janë ende pjesa e
pakicës. Po, për fat të mirë, aspak më mediokre sesa burrat, dhe pse jo aq të
vlerësuara sa ata. Ky mund të ishte dhe një perceptim i gabuar, një pyetje e
shtruar jo drejt, ndoshta me tendencë, a ndoshta nga një naivitet i shtirë, por
Mira Meksi thotë se në rastin konkret perceptimi është i drejtë dhe jo e tillë
është ajo që ndodh mes grave dhe burrave në botën e fortë të prozës. Sepse duam
apo nuk duam, maskilizmi ekziston po aq i egër sa dhe në mesjetë, edhe pse në
botën e ashpër mashkullore kanë kaluar zhurmë e rapullnajë lëvizje feministe e
revolucione seksuale, që në një farë mënyre e kanë zbutur atë...
...Pa dyshim, mes çmimeve letrare, e botimit të
veprave të saj nga shtëpi të huaja botuese, ajo ndihet e pakompleksuar dhe
kryelartë për atë çka mundur të arrijë në jetë. Elokuente deri në detajin më të
skajshëm, Mira Meksi vjen në këtë rrëfim për gazetën “Fjala”, si për të thënë
mes të tjerash se me butësinë, a brishtësinë e saj femërore, ka “vënë përfund”
plot burra, ca që rreken të shkruajnë romanet dramatike të shekullit e ca të
tjerë që kanë “privatizuar” juritë dhe dinë aq mirë të ndajnë qoka çmimesh
përmes certifikatave me vulë të patharë institucionesh. E veç kësaj, në debatin
e hapur së fundmi, ku mes një përkthimi të Mira Meksit dhe një tjetri të bërë
nga Robert Shvarci, po për të njëjtin titull, u vendos një peshore farmacie,
ajo di të thotë se përballja midis dy përkthyesve nuk ka asnjë kuptim, debati
është i shterpët dhe nuk ka lëndë dhe as argumente për t’u debatuar. E, për më
tepër, shton se Robert Shvarci ka qenë një përkthyes i jashtëzakonshëm, që ka
sjellë në shqipe autorë të mëdhenj dhe vepra dinjitoze të letrave të botës. E
si për t’i vënë kapakun të gjithë kësaj, Meksi shton se, për shkak të evoluimit
të vazhdueshëm të gjuhës, shumë vepra të përkthyera vite më parë duhen
përkthyer në kushtet e reja gjuhësore, e në këtë mënyrë ajo vetë ka pasur fatin
që të ripërkthejë përkthimin e saj.
Së fundmi, panairi
i librit “Fier 2020” ju ka akorduar për “Diktatori në kryq”, çmimin e romanit
më të mirë. Sa vlen për ju një çmim letrar?
Ndihem e vlerësuar
sigurisht. Çmimet letrare janë instrumente jo vetëm të promovimit të veprave
letrare, por edhe të ndërtimit të sistemit të vlerave në letërsi. Si të tilla,
kanë shumë rëndësi. Madje, kur shoqërohen edhe me një vlerë financiare janë një
ndihmë, sado e vogël, për punëtorët e varfër të letrave. Të tillë i kam
konsideruar që kur, në vitin e largët ‘94, si bashkëthemeluese dhe drejtuese e
të parit fondacion kulturor privat në Shqipëri, “Velija”, krijova çmimet e para
private letrare, të cilat u dhanë për 8 vjet me radhë, dhe mendoj dhanë
kontribut në ndërtimin e sistemit të vlerave në letërsi. Asokohe konkurrimet
dhe çmimet që jepeshin, ndonëse kanë përherë një anë subjektive të
pashmangshme, ishin shumë serioze në të gjitha kuptimet. Ka kaluar shumë kohë
që atëherë dhe panorama e konkurrimeve e çmimeve letrare në Shqipëri ka
ndryshuar krejtësisht. Jo vetëm çmimet që jepen nga Ministria e Kulturës,
shoqatat e botuesve, por, për fat të keq, edhe ato që jepen nga individë
privatë apo institucionet që kanë ngritur, çka është për t’u përshëndetur, kanë
degjeneruar në çmime tarafesh, qokash, interesash vogëlane, nepotizmash,
lidhjesh politike... Juritë e tyre janë mediokre dhe dashakeqe ndaj vetë
letërsisë, janë përherë të njëjtat, të mbyllura brenda një qerthulli mjeran të
paaftësh për të gjykuar letërsinë dhe individësh që nuk marrim as mundimin t’i
lexojnë prurjet letrare të konkurrimit. Kështu ndodh që e çorodisin për tmerr
sistemin tonë të vlerave që mezi mbahet në këmbë. Dhe lexuesi ndihet pastaj jo
vetëm i çoroditur, por edhe i tradhtuar dhe i mashtruar paq, kur sheh se ia
shesin sapunin për djathë. Ende nuk po ndërgjegjësohen këta “veteranët” e
jurive të çmimeve letrare se sa shumë po e dëmtojnë letërsinë shqipe. Ka edhe
anekdota për “juritë”e çmimeve letrare që e kthejnë në tragjikomedi këtë proces
të rëndësishëm për zhvillimet letrare. Një shkrimtar, fjala vjen, të cilin një
gazetare në një shkrim e ka quajtur “një ndër autorët më të njohur shqiptarë të
kohërave të sotme” që ka “korrur” jo pak çmime letrare, madje disa herë të
njëjtin çmim, nuk di të shkruaj shqip. Dhe askush prej këtyre “vlerësuesve” të
çmimeve, apo kritikët letrarë që shkruajnë edhe artikuj lavdërues për të, nuk e
thonë. Njëlloj si fabula e petkave të mbretit: mbreti lakuriq, sa janë përreth
lëvdojnë petkat e tij! Kur e pyetën një zonjë, pedagoge e letërsisë, anëtare e
jurisë së Panairit të Kombëtar të Librit të vitit të kaluar, për prurjet e atij
viti, jo vetëm këputi broçkulla për një roman që as nuk e kishte shfletuar, por
edhe pohoi paturpësisht se juria ku zonja bënte pjesë, gjykonte dhe merrte
vendime nëpërmjet gjykimit të një “bedeli”. Ky ishte një anëtar i jurisë, i
cili, ndonëse nuk linte televizion pa u shfaqur dhe gazetë pa lënë “gjurmët” e
gjykimit të tij për letërsinë apo edhe për politikën, vrasjet etj., gjente
kohën të lexonte gjithë prurjen e librave të panairit dhe të bënte punën e
gjithë anëtarëve të tjerë të jurisë, të cilët shullëheshin ndërkaq në diell.
Sigurisht, në këmbim të një statusi të veçantë që fitonte kësisoj, atë të
anëtarit “veteran” të jurive letrare. Me këtë analizë nuk dua të zbeh asesi
punën e disa anëtarëve të këtyre jurive, personalitete intelektuale dhe të
përkushtuar në detyrën që kanë marrë përsipër, për fat të keq, shumë të rrallë,
dhe as vlerësimin e drejtë të veprave cilësore që ndodh edhe ky rrallë.
Mira Meksi - shkrimtare/përkthyese |
Të gjitha romanet e mia, përveç romanit “Porfida-Ballo në
Versailles”, i cili është i përkthyer, i kam rishkruar në frëngjishte. Por edhe
ky roman do të ribotohet në Francë më 2021, i rikrijuar në frëngjishte nga unë.
Tani përfundoi edhe redaktimi i variantit frëngjisht të “Diktatori në kryq”, i
cili së shpejti hyn në procesin e botimit. Është një punë shumë e vështirë, e
cila më merr vërtet shumë kohë. Është pothuaj sikur i shkruaj nga dy herë
librat e mi. Sepse bëhet fjalë për një rikrijim në frëngjishte, është e
pamundur që shkrimtari ta përkthejë veprën e tij, njëlloj siç mund të bënte me
veprën e një shkrimtari tjetër. Por përfytyroni sa e vështirë është sot të çash
në tregun e madh të librit në Francë. Për dijeni, shtëpia e madhe botuese
Gallimard, pret çdo javë 6 mijë dorëshkrime për botim. Si shkrimtare
frankofone, kam më shumë shanse për t’u botuar. Ishte në të vërtetë propozimi i
botuesit të Editions Persee, kur lexoi një përmbledhje në frëngjishte të
romanit “E kuqja e demave”, që të më botonte si shkrimtare frankofone. Një
ndërmarrje që rezultoi pozitive dhe që vazhdoi me romanet e tjera. Gjithsesi,
lidhja me gjuhën shqipe është aq e fuqishme tek unë, sa nuk besoj se do t’i
shkruaj ndonjëherë drejtpërsëdrejti krijimet e mia në frëngjishte. Versioni
shqip do të predominojë gjithmonë.
Ju keni themeluar dhe drejtuar revistën letrare
"Mehr Licht", e cila sot mungon në treg. A keni një plan të ardhshëm
për të?
“Mehr Licht”, botuar së pari më ’96, u krijua në një kohë
kur mungonin te ne të tilla revista letrare dhe kur ekzistonin shumë pak shtëpi
botuese private. Ideja ime ishte botimi i një reviste a la “Nouvelle revue
française”, një revistë letrare dhe kritike letrare, të cilën e lexoja me shumë
dëshirë, duke e gjetur me vështirësi që në kohën e diktaturës, e krijuar që më
1908 nga një grup shkrimtarësh të rinj, si Andre Gide etj. dhe e botuar nga
Gallimard. Për 16 vjet “Mehr Licht-i”, të cilën e pagëzova me fjalët e fundit
të Gëtes (Më shumë dritë), u bë një lloj enciklopedie e letrave shqipe dhe
botërore, promovoi vlera letrare, ide, filozofi, shkrimtarë dhe përkthyes
letrarë shqiptarë, duke krijuar rubrika të përhershme. Botoi letërsi të
traditës, të harruar, apo letërsi të dënuar nga ideologjitë e kohërave, botoi
krijime, ide dhe eksperimente letrare të krijuesve të rinj shqiptarë, risitë e
tyre letrare. Nxiti zhvillimin e gjinive letrare pak të zhvilluara te ne, siç
ishin eseja letrare dhe kritika letrare, duke krijuar edhe një çmim të
përvitshëm për esenë dhe kritikën letrare. Për fat të keq, sot një revistë
letrare e përmasave të tilla mungon në tregun shqiptar. Edhe gazeta letrare si
Ex-Libris, apo të tjera, ndonëse bëjnë një punë të lavdërueshme, nuk e
zëvendësojnë dot rolin e një reviste si “Mehr Licht-i”. Nuk është punë e lehtë
botimi i një reviste të këtyre përmasave, kërkon jo vetëm mbështetje të
vazhdueshme financiare, por edhe staf të përkushtuar, si edhe bashkëpunëtorë të
jashtëm. Nuk kam asnjë projekt për botim reviste, i jam përkushtuar tërësisht
shkrimësisë, por uroj që ta kemi sa më parë një revistë të tillë letrare.
Shkrimtare dhe përkthyese, në cilin nga dy
shtratet do të ndiheshit më e sigurt dhe cilin do të kishit më prioritar?
Si krijimtari, e dua edhe shkrimësinë, edhe përkthimin
letrar. Ky i fundit më ka dhënë shumë si shkrimtare. Duke qenë përkthyese e
mjeshtrave të mëdhenj të letrave botërore, kam qenë edhe çirakja e zejes së
tyre, më kanë mësuar të shkruaj. Në faza të ndryshme të jetës sime, herë ka
dalë në plan të parë shkrimësia dhe herë përkthimi. Sigurisht, që ndihem më e
çlirët, më komode me shkrimësinë time. Dhe dëshiroj t’i përkushtohem më shumë
krijimtarisë sime.
Duket sikur në raportin femra-meshkuj, në
letërsinë shqipe, prozatoret femra janë më të rralla. Është ky një perceptim i
gabuar...?
Mendoj është i saktë. Në krye të herës kjo mjeshtëri ka
qenë krejtësisht e burrave. Gjithsesi, kjo shoqëria e sotme vazhdon të
dominohet prej burrave. Nuk mendoj se është i rëndësishëm numri i zonjave të
letrave. E rëndësishme është të vlerësohen si duhet. Dhe duhet vlerësuar
individi, jo gjinia. Letërsia është produkt i shpirtit dhe ky s’ka gjini.
Zonjat e letrave janë shumë më pak të vlerësuara në krahasim me shkrimtarët
meshkuj, edhe kur këta të fundit nuk janë në lartësinë e tyre. Dhe më besoni,
kur një krijuese grua arrin të çajë në këtë fushë, me shumë vështirësi duhet
theksuar, kur arrin të ketë lexuesin e saj, kur arrin të vlerësohet prej
tij, ajo vlen vërtet shumë si shkrimtare.
Sa e angazhuar jeni që veç punëve tuaja, t’i
kushtoni kohë dhe leximit të autorëve shqiptarë. Në çfarë nivelesh është
letërsia shqipe, 30 vjet pas daljes nga skema e socrealizmit?
Lexoj pa dyshim letërsi bashkëkohore shqiptare, por jo aq
sa do të dëshiroja. Nuk jam në gjendje të jap një panoramë të plotë analitike
të zhvillimeve bashkëkohore të letrave shqipe, por disa gjëra mund t’i them.
Liria e rigjetur e krijimit, ose siç thoni ju, dalja nga skema e socrealizmit,
nuk solli kryevepra në letërsinë shqipe. Në burgjet komuniste menduam se do të
qenë krijuar ndoshta kryevepra letrare. Por jo, patëm vepra të dhembjes, por jo
kryevepra letrare. Me sa duket, letërsia u bindet të tjera ligjësive. U bënë,
viteve të postkomunizmit, eksperimente letrare të kërkuara, mendoj, nga ato që
bota i pati njohur me kohë, pa ndonjë sukses të madh. Sigurisht që ka zhvillime
të mira letërsia shqipe, ka vepra dinjitoze, ka tregimtarë dhe prozatorë të
mrekullueshëm. Unë kam shkruar për vepra të veçanta që më kanë prekur shpirtin.
Ajo që dua të theksoj fort, është se shkrimtarët shqiptarë, në përgjithësi, pak
punojnë me gjuhën; pak merren me pasurimin, përpunimin, limimin e saj. Ose
aspak. E kam fjalën për shkrimtarët që e përdorin gjuhën thjesht si një
mjet komunikimi, gjuhën për hir të gjuhës, për të rrëfyer histori a ngjarje.
Këta mund të jenë skenaristë të mirë, mund të jenë edhe krijues trillerash
interesantë. Shkrimtarët e vërtetë e përdorin gjuhën ndryshe. Për hir të
poetikës apo simbolikës, por edhe për hir të rrëfimit, ata e zhbëjnë dhe e
ribëjnë thurimën e gjuhës, e përpunojnë dhe e ripërdorin për nevojat e tyre
krijuese, janë mjeshtrat e krijimit të veprave origjinale, të bazuara tërësisht
te fjalët.
Ditët e fundit ka pasur një debat “Meksi - Shvarc”
në lidhje me ballafaqimin e dy përkthimeve të ardhura respektivisht nga këta dy
përkthyes të veprës “Njëqind vjet vetmi” të Markezit. Mendoni se botimit të
vitit 2000 i kanë shpëtuar pasaktësi...?
Në mos gaboj, përkthimi nga Shvarci i romanit në fjalë ka
ardhur përpara viteve 2000, dhe më pas është ribotuar i riparë nga përkthyesi.
Pra ka dy botime nga Shvarci. Në atë kohë janë bërë botime pirate të
Marquez-it; madje edhe “Dashuria në kohërat e kolerës”që unë përktheva nga
origjinali në fillim të viteve 90’, ndonëse u vu në dijeni prej meje vetë
Marquez-i dhe Carmen Balcells-i, që menaxhonte të drejtën e tij autoriale, dhe
u dërguan kopje të përkthimit në Barcelonë, sërish ishte një botim pirat. Duke
qenë të tilla, askush nuk shqetësohej se nga ç’gjuhë vinte përkthimi. Kur Bujar
Hudhri, përpara disa vjetësh, bleu të drejtat e botimit në shqipe të veprës së
Marquez-it, u vendosën edhe standardet dhe rregullat e duhura të përkthimit dhe
botimit. Doemos vepra e Marquez-it do të përkthehej nga origjinali, kusht ky i
padiskutueshëm, dhe agjencia e të drejtave të tij autoriale kërkonte të njihej
me CV e përkthyesit përkatës. Z. Hudhri më propozoi përkthimin e “Njëqind vjet
vetmi”. U mëdysha shumë gjatë. Kisha përkthyer gjer asokohe tri vepra të
Marquez-it, me shumë sukses, dhe e njihja shumë mirë tërë korpusin letrar të
tij; isha shumë e familjarizuar me kolumbianizmat që përdorte në shkrimësinë e
tij shkrimtari i botës, madje kisha marrë edhe këshilla prej tij për
përkthimine e veprës së tij, gjatë takimit me të në Barcelonë. Gjithsesi, qasja
ndaj kësaj vepre ishte tejet e frikshme. Vështirësia përkthimore shumë e madhe.
Cilido përkthyes, edhe me një barrë përvoje, mund të “thyente qafën”. Mendoni
që ky roman konsiderohet si romani më i madh i shekullit XX, dhe pasuria
gjuhësore e tij është e jashtëzakonshme. Kur nisa përkthimin e veprës, i cili
zgjati përmbi tre vjet punë e përditshme, Bujar Hudhri m’u gjend në krah. Jo
vetëm mori përsipër redaktimit e tekstit, i cili bëhej kapitull pas kapitulli
të përkthyer, por nisi të bënte një punë studimore të pazakontë: krahasoi deri
në imtësi kuptimore dhe nuancash kuptimore qasjen ndaj tekstit të Marquez-it të
shtatë përkthimeve në gjuhë të ndryshme. Midis tyre, edhe përkthimin nga
gjermanishtja në shqipe të Robert Shvarcit. Ishte si një lloj misioni i shenjtë
letrar për lexuesin e gjuhës shqipe. Punimi studimor që doli është një prurje e
rrallë në lëminë e përkthimit të krahasuar që vlen të studiohet nga kurrikulat.
Ju më pyesni a mendoj se ka pasaktësi në përkthimin e Shvarcit? Unë nuk e kisha
lexuar më parë përkthimin e tij të “Njëqind vjet vetmi”. Por pyetja se ç’mendoj
unë apo dikush tjetër nuk ka asnjë kuptim, sepse studimi i Bujar Hudhrit mbi të
është i botuar dhe kushdo mund ta shohë; nuk është çështje opinionesh, është
shkencë e pastër, e zezë mbi të bardhë, janë qindra shembuj që ilustrojnë
përfundimin e tij.
Dua t’ju them edhe diçka tjetër që do ta ilustroj me
përvojën time: edhe nëse përkthimi i Shvarcit do të kishte qenë i shkëlqyer,
sërish do të dilte nevoja për ta ripërkthyer veprën e madhe: e para, sepse në
këta njëzet vjet gjuha shqipe është zhvilluar, ka ndryshuar, nuk përdoren më
turqizmat, të cilët në kohën e Shvarcit konsideroheshin nga përkthyesit si
“erëzat” e gjuhës, dhe që tani të rinjtë as që i kuptojnë; dhe e dyta, sepse
normat e reja të botimit kërkojnë përkthimin e veprës nga origjinali. Siç u
shpreha më sipër, unë kam përkthyer “Dashuria në kohërat e kolerës” të
Marquez-it në vitin ’91, pra gati 30 vite më parë. Nga origjinali, dhe
përkthimi asokohe u konsiderua i shkëlqyer. Tirazhi 30 mijë kopje. E pra,
përpara katër vjetësh, pata fatin që ta ripërkthej përkthimin tim, sepse ishte
e nevojshme pikërisht për hir të evoluimit të gjuhës, por edhe të përvojës sime
tani më të madhe në këtë fushë.
Në dijeninë tuaj, a qarkullojnë tituj të ngjashëm
të cilët kanë nevojë për një përkthim paralel?
Nuk gjykoj se duhet folur për përkthime paralele, por për
disa përkthime të një vepre. Bota e njeh mirë këtë përvojë, dhe për vepra të
mëdha ekziston një shumësi përkthimesh nëpër dekada. Fjala vjen, për Don
Kishotin në frëngjishte njihen dhjetëra të tilla, apo për veprën e Shekspirit
etj. Për arsyet që shpalosëm më sipër. Ne, sigurisht, nuk e kemi një luks të
tillë. Gjithsesi, ka pasur dhe ka variante përkthimesh në shqipe të një vepre
të caktuar. Është pasuri e letërsisë. Njihen disa përkthime në shqipe të
poezive të Lorkës, të Pushkinit, të Burns-it etj. Në dijeninë time ka edhe
vepra të Markez-it të përkthyera nga frëngjishtja dhe në mënyrë të pasaktë që
në titull, dhe që janë përkthyer më pas nga origjinali, apo variante
përkthimesh të autorëve të mëdhenj rusë, si Tolstoi etj.
Dhe së fundi një pyetje klishe: Çfarë do të kemi
nga ju në të ardhmen e afërt?
Nuk di sa e afërt do jetë koha e botimit të romanit që
kam në dorë; ka sfond historik, personazh kryesor Mid’hat Frashërin, por edhe
Agatha Christie-n dhe romanin e saj legjendar “Krim në Ekspresin e Orientit”.
No comments:
Post a Comment