A
duhet ta përmbysim gjuhën e sotshme të njësuar, me të cilën komunikojmë e
shkruajmë dhe të formojmë një tjetër të normuar? Në 30 vitet e fundit, gjuhës
shqipe, asaj që cilësohet si “standard”, i është rënë në qafë vazhdueshëm.
Debati hapet e rihapet sapo në shtyp ndonjë individ apo grupim i caktuar më
shumë se sa një ankesë rreth saj, hedh një frymë mllefi dhe kërkon tryezë për
zgjidhje. Debati ashpërsohet, madje bëhet fyes, kur prononcohet ndonjë zë i
fuqishëm që dhe rezonancën e ka më të lartë.
Këtë
herë u bë shkak botimi nga ana e grupit mediatik “Fjala” i një fragmenti
interviste dhënë nga Ismail Kadareja, për revistën “Hylli i dritës”, ku mes të
tjerash shkrimtari i përgjigjej një pyetjeje rreth njësimit të gjuhës dhe
drejtshkrimit. Edhe pse shumë i ekuilibruar në përgjigjen e tij, Kadareja
sërish u bë objekti i shënjestrës. E si gjithmonë në kësi rastesh, ca shanin e
mbronin shkrimtarin e ca të tjerë shanin e mbronin standardin e shqipes. “Thembra
e Akilit” që ngriti sërish mllefin e vjetër është se, sipas disa zërave,
standardi i sotshëm me bazë dialektin toskë, i ka rënë në qafë gegnishtes.
Specialistët
më të mirë të gjuhës, që janë marrë drejtpërdrejt me këtë punë, ca me origjinë
nga Jugu i Shqipërisë e ca të tjerë më shumë se kaq nga Veriu, nuk e pranojnë këtë
formulë, sepse, sipas tyre, parimi organizues i standardit të sotëm është të
ruhet sa më e plotë struktura fonetike e morfologjike e fjalës shqipe.
Tentativa
e parë për ta shprishur standardin dhe për të krijuar një hibrid të ri, ishte
ajo e vitit 1992, ku katedra e Gjuhës Shqipe të Universitetit të Shkodrës
“Luigj Gurakuqi” shtroi për diskutim: A qe shkencërisht e drejtë zgjidhja e
Kongresit të Drejtshkrimit? Pas kësaj pati një deklaratë që sipas krerëve të kësaj
nisme u nënshkrua nga jo pak, por 420 gjuhëtarë shkodranë. Pak si shumë
specialistë për një qytet, kur një fakt kishte dhe një grupim tjetër gjuhëtarësh
që nuk ishin aspak dakord me atë çfarë parashtronin nënëshkruesit e së parës.
Gjuhëtari
i njohur Xhevat Lloshi, dikur delegat në Kongresin e Drejtshkrimit, thotë se po
të ndodhë kjo, pra nëse do të ketë ndërhyrje në bazën e gjuhës, pështjellimi do
të ishte i përhershëm në sistemin tonë arsimor, duke nisur që me abetaren, por
sidomos duke ua çoroditur mendjen mësuesve dhe duke i kërkuar Ministrisë së
Arsimit shpenzime marramendëse për t’i rikualifikuar arsimtarët dhe gjithë të
tjerët.
Deklarata
e gjuhëtarëve të Shkodrës nuk pati ndonjë sukses, edhe pse një tullë e rëndë
mbi mur u vendos nga Arshi Pipa, që ato ditë ndodhej në qytet dhe ishte i ftuar
në tubim. Madje, për t’i dhënë vlerë pyetjes së parë që ishte shtruar për
zgjidhje, në diskutim ishte hedhur dhe një pyetje e dytë: Cili qe roli i
partisë-shtet dhe personalisht i Enver Hoxhës në këtë proces?
Në
tryezën e rrumbullakët, ideuar enkas për këtë rast, u përfaqësuan dy rryma, ku
e para ishte radikale në mosnjohjen e Kongresit të Drejtshkrimit dhe e dyta e
moderuar, që kërkonte përmirësime të cilat do ta bënin standardin të pranueshëm
nga të gjithë.
“Në
fillim me ngut, u shpreh kërkesa për t’i përmbysur vendimet e atij forumi
mbarëkombëtar dhe nëpërmjet një kongresi tjetër, të kalohej edhe te një anarki
gjuhësore. Dëshmia më e qartë është e ashtuquajtura Deklaratë e gjuhëtarëve të
Shkodrës më 1992. Në veçanti duhet vënë në dukje, se u gjet një grup i vogël
njerëzish edhe në Prishtinë, i cili ishte i gatshëm ta shkallmonte frymën e
Konsultës aq vendimtare të Prishtinës të vitit 1968 dhe të hapte rrugën për
realizimin e synimeve serbomadhe të kahershme për ta përçarë kombin shqiptar
edhe nëpërmjet sajimit të dy gjuhëve të ndryshme”, është shprehur në një
interviste Profesor Xhevat Lloshi, të cilën e kam botuar gushtin e vitit 2015
me titullin "Këshilli Ndërakademik, “jeniçeri” me prapavijë politike që
kërkon shkatërrimin e shqipes standarde”.
Çështja
e gjuhës së njësuar, që favorizon një dialekt dhe lë në hije një tjetër, me të
drejtë ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm. Por gjithsesi, vështirë që një
patformë e madhe, siç ishte ajo e njësimit të gjuhës, të dy dialektet bazë të përfaqësoheshin
“50% me 50%”.
Gjuhëtari
nga shkodra, Davit Luka, në një shkrim të botuar prej tij shkruan se
“Toskërishtja ka qenë bërthama fillestare e shqipes standarde” dhe kjo ishte publikuar në veprën e Xhenet Bajron botuar në vitin 1976. Por ky pohim ishte kundërshtuar prerazi nga Androkli Kostallari që ishte dhe kreu i përgatitjes së punimeve të Kongresit të Drejtshkrimit.
“Toskërishtja ka qenë bërthama fillestare e shqipes standarde” dhe kjo ishte publikuar në veprën e Xhenet Bajron botuar në vitin 1976. Por ky pohim ishte kundërshtuar prerazi nga Androkli Kostallari që ishte dhe kreu i përgatitjes së punimeve të Kongresit të Drejtshkrimit.
Por
Kongresi i ‘72-shit, dhe vendosja e toskërishtes në bazën e gjuhës së njësuar,
i atribuohet Enver Hoxhës, si një ndërmarrje gati personale e tij, po aq
inspirues e organizator. Dhe kjo i vendos palët në një konflikt që rrëshqet nga
rrafshi shkencor dhe futet në debatin politik. Ndërkohë “standardi” rezistoi 18
vite i qetë në regjimin komunist, dhe gati dy herë më shumë në kohë, edhe pse i
trazuar, gjatë viteve të pluripartitizmit. Megjithatë, duhet thënë se ndikimi i
toskërishtes në fakt “hyri në fuqi” që prej vitit 1945.
Gjithsesi,
Kongresi i Drejtshkrimit, nuk ka qenë akti i parë normativizues në historinë e
standardizimit të shqipes. Ai ka pasur pararendës.
Çështja
e standardizimit të gjuhës nuk është se ka nisur pas Luftës së Dytë Botërore,
me ardhjen e komunistëve në fuqi. Këtë çështje e ka pasur në fokus edhe mbreti
Ahmet Zogu, pavarësisht se nuk pati mundësinë për ta përfunduar këtë proces. Gjatë
monarkisë nuk pati ndonjë aktivitet shkencor që të merrej me standardizimin e
shqipes, por shkresat e administratës shkruheshin në gegnisht. A priori kjo
donte të thoshte se nëse do të arrihej një marrëveshje për standardizim, ajo do
të bëhej mbi bazën e gegnishtes.
Pra,
çështja e të pasurit të një gjuhe të unifikuar nuk është se lindi në vitin 1967
dhe u sanksionua në ’72-shin. Në vitin 1916, periudhë që i përket Luftës së Parë
Botërore, nisi punën “Komisia Letrare e Shkodrës”. Sa për saktësim kjo Komisi
ishte një nismë e Akademisë së Shkencave të Vjenës dhe nën mbrojtjen e trupave
austro-hungareze që kontrollonin territorin e Shkodrës. E meqë austrohungarezët
ishin dhe “kumbarë” të shtetit shqiptar, ishin të interesuar që Shqipëria të
kishte dhe një gjuhë zyrtare administrative. Kështu hidhet edhe një hap tjetër
i rëndësishëm për standardizimin e gjuhës shqipe.
Albanologu
i njohur austriak, Maksimilian Lamberci, i cili u mor gjatë me dialektet e
shqipes, në një studim të tij shkruan: Ndërtimi i dy grupeve dialektore,
gegërisht e toskërisht, nga pikëpamja fonetike, morfologjike e sintaksore është
kaq homogjen, sa në të vërtetë vetëm suvaja e dy pjesëve të kësaj ndërtese
është e ndryshme.
Thënë
ndryshe, të dyja dialektet ishin të barazvlefshme për të qenë baza e standardit
të ardhshëm. Por meqenëse ai që nisi të drejtojë shtetit pas vitit 1945 ishte
nga Jugu, për bazën e standardit u mor toskërishtja, ashtu si para vitit 1939,
ku gjuha zyrtare, ajo e administratës, kishte bazë gegnishten. Në të dyja
rastet, si Ahmet Zogu edhe Enver Hoxha, vepruan sipas logjikës së Luigjit XIV:
“Shteti jam unë”.
Por
nuk janë të këtij mendimi specialistët të cilët thonë se afrimi i formës së
shkruar të dy dialekteve kishte nisur që në vitin 1916, ku Komisia Letrare,
pjesa më e madhe e misëve të së cilës qenë gegë, mori disa vendime, ndër të
cilat mospasqyrimi i gjatësisë së zanoreve në shkrim dhe kufizimi i pasqyrimit
të hundorësisë do t’i afronte edhe më variantet e shkruara me njëra tjetrën.
Nuk
dua t’i futem fare debatit se përse ekipi që punoi zgjodh të punonte mbi një
dialekt jugor.
Ne
shqiptarët, qoftë ai që është lindur e rritur në skajin më jugor të vendit qoftë
ai në skajin më verior të tij, por dhe të gjithë ata që duan e kërkojnë të
flasin shqip, që të merren vesh lehtësisht me njëri-tjetrin duhet ta nxënë atë
që njihet si varianti i prestigjit e që vitet e
fundit ne jemi mësuar ta cilësojmë standard. Pastaj kur secili kthehet në
qytetin e tij, në fshatin e tij apo në shtëpinë e tij mund të flasë si t’ia dojë
qejfi. Madje, brenda shtëpisë mund të merresh vesh edhe me një gjuhë tjetër që
nuk është shqip.
Unë,
ashtu si shumë të tjerë, jam partizan i shqipes standarde vetëm për një fakt të
thjeshtë, sepse atë gjuhë mësuam në shkollë, atë njohim dhe, pa dyshim i
përmbush nevojat tona komunikative në të gjitha sferat e jetës.
Sa
për atë që standardi ka nevojë për përmirësime, nuk besoj se ka njeri që e
kundërshton tanimë një gjë të tillë. Veç, vendimet e një kongresi mund të hidhen
poshtë me vendimet e një tjetër kongresi, jo me muhabete tavolinash e kafenesh.
E në këtë prizëm, kur gjuhëtarët të dakordësohen për vendimet dhe përmirësimet,
për futjen e paskajores gege apo heqjen e “ë”-së në disa trajta fjalësh, le të
mbledhin Kongresin e Dytë të Drejtshkrimit. Në 30 vitet e fundit fjalë, debate
e akuza ka pasur plot, por aksion aspak, për të mos thënë që dhe ato nisma që
janë ndërmarrë, kanë dështuar.
No comments:
Post a Comment