Nëse janë informuar në kohë reale, tanimë armiqtë tanë
shekullorë po fërkojnë barkun. Nuk do t’u duhet të shpenzojnë para për të
stërvitur trupa të rregullta që do t’i lëshojnë tej kufirit për një luftë
frontale pushtuese. Edhe nëse ndodh vërtetë, nga pala shqiptare thirrjes “nën
armë” do t’i përgjigjen burra në moshë të cilët ca si zor ta mbajnë pushkën
krahut dhe ta kenë “syrin e pishës” sa të të lënë top në vend që me goditjen e
parë. Le të mendosh se mosha e tretë do të luftojë me tanke, obuz 150 milimetra
dhe raketa tokë-ajër.
Shqipëria po plaket.
Lajmin e gjen në gjithfarë portalesh e faqe gazetash
nga shtypi i përditshëm, ku i referohen një raporti të përgatitur nga Shoqata
“Together for Life” me mbështetjen e Westminster Foundation for Democracy e cila
ka në qendër të vëzhgimit normat e ulëta të lindshmërisë dhe tkurrjen e
popullsisë së Shqipërisë. Sipas statistikave zyrtare, mosha mesatare në vitin
2020 është 37.2 vjeç, por pas 10 vjetësh parashikohet të rritet në 42.1 vjeç.
Shqipëria po plaket.
Alarmi ka rënë në vesh të shurdhët. Askush nuk guxon
të japë udhëzime për t’i kthyer gratë në fabrika të prodhimit të fëmijëve, ku
çdo çift të këtë të paktën tre kalamaj e të mendojë për të ardhmen e
prosperitetin e vendit.
Këtë e bëri një herë e një kohë Byroja Politike, por
me orientim, jo me një vendim të vulosur në të njomë e në të thatë. Gjithsesi,
për gratë që i tejkalonin parashikimet dhe rreshtonin në tavolinën e bukës më
shumë se 7 fëmijë, kishte bonuse. Qeveria komuniste të jepte një lopë, që ta
milje për qumësht e dhallë, dhe një teneqe në formë medalje ku shkruhej
motivacioni: “Nënë heroinë”.
Në vitet ‘80 shoku Enver pretendonte se po e bënte
Shqipërinë “lule”. Kishim dalë nga Lufta e Dytë Botërore nja 800 a 900 mijë
shqiptarë, kush e dinte me saktësi, dhe kur u kap njëmilionëshi aty nga viti
‘45, kaloi pa shumë bujë e festime, sepse nuk e mori vesh njeri. Por që
Shqipëria në vitin 1968 u bë me 2 milionë banorë, kjo u njoftua me saktësi.
Lindja ishte bërë në maternitetin e Bulqizës dhe fëmija ishte një vajzë. Lajmi
iu përcoll me shpejtësi Enver Hoxhës, i cili me cilësinë e komandantit të
përgjithshëm vendosi ta pagëzonte vajzën 2 milionëshe me emrin Drita. Sapo
kishte përfunduar elektrifikimi i vendit dhe nëpër tavolinat e haresë thuhej se
ky ishte emri më i përshtatshëm për një rast të tillë. Komandanti nuk kishte
gabuar.
Tetëmbëdhjetë vite më pas statistikat shënuan një
rekord të ri që tronditën zyrat e Komitetit Qendror. Në 27 shkurt të vitit
1986, në maternitetin e Memaliajt lindi banori i 3 miliontë i Shqipërisë. Ishte
një djalë. Po bëheshim fuqi e madhe. Mosha mesatare ishte 27 vjeç. Kulmi i
energjisë. E paparë në tërë Evropën. Këtë herë emri i pagëzimit i takoi shokut
Ramiz, si Sekretar i Parë i Komitetit Qendror, meqenëse komandanti legjendar na
kishte “lënë triskat” një vit më parë. Dhe ai e gjeti. Djali u quajt Gëzim. Në
ato vite, Shqipëria kishte 65 mijë ushtarë të gatshëm dhe mund të thërriste nën
armë për 72 orë rreth 800 mijë burra e gra. Sa për armatim, fishekë, tritol e
mina s’kishte shtet që na e kalonte. Syri nuk na e bënte tërrt nga armiqtë.
Në vitin 1989 regjistrimi zyrtar njoftonte se
numëroheshin 3.182.400 njerëz brenda kufirit shtetëror. Dhe kështu siç e kishim
nisur i 4 milionti do të na vinte shumë shpejt në derë. Largësia prej 18 vitesh
që na kish munduar nga dyshi tek treshi duhej shkurtuar.
Shqipëria ishte në zenithin e pjellorisë.
Por në vitin 1990 kufijnë u hapën. Ca nga mali e ca
nga deti shqiptarët u lëshuan nëpër Evropë si vaji në lakra. Pak vite më vonë,
në një mungesë të plotë informacioni thuhej vetëm një gjë: Shqipëria po hynte
në ujë. Shqiptarët po e braktisnin me shpejtësi vendin e tyre. Toka kishte
mbetur djerrë dhe ushtria nga 22 divizione kishte përfunduar me nja tre a katër
brigada që nuk e plotësonin dot as organikën.
Në vitin 2011, pas censusit zyrtar, pa asnjë lloj
entuziasmi këtë herë, u tha përmes televizorit se në Shqipërinë e tranzicionit
kishin mbetur 2.831.741 veta. Kishin kaluar 22 vite nga shifra e 3 milionshit,
dhe sipas rritjes së pretenduar demografike viti 2011 duhet të na gjente me të
paktën 4.5 milionë shqiptarë gjithsej. Realisht ata ishin, veç nuk dihej se ku
jetonin. Shumica në Greqi e Itali, por ata më finokët kishin kapur ekstremet e
globit, o në Zelandën e Re, o andej nga Kepi i Shpresës së Mirë. Ku s’i gjen
shqiptarët e shkretë që punojnë e derdhin djersën për investitorët e huaj. Por
dhe për Shqipërinë kujtohen. Reminitancat na mbajnë.
Sot kemi vënë kujën. Shqipëria po plaket.
Veç emigrimit të familjeve të reja faktor tjetër i
uljes së popullsisë janë dhe normat e ulëta të lindshmërisë së popullatës në
vend. Studiuesit thonë se rënia e lindjeve është një pasojë shumë e rëndë
sociale dhe ekonomike për të ardhmen.
Sot në Shqipëri nuk ka mjaftueshëm forca prodhuese. Në
Shqipëri moshat e treta do të rrezikojnë pensionet nëse vazhdohet me këtë
ritëm, sepse në arkën e Sigurimeve Shoqërore nuk hidhen aq para sa të sigurohet
vazhdimësia.
Procesi i plakjes, pohojnë studiuesit, shoqërohet me
rritjen e shpejtë të koeficientit të varësisë së të moshuarve. Nga rreth 20,5
të moshuar për 100 persona në moshë pune në vitin 2019, në rreth 35 të moshuar
për çdo 100 persona në moshë pune në vazhdim.
Shqipëria po plaket. Nuk po e mbajnë më gjunjët.
Statistikat duken të frikshme.
Të paktën specialistët na thonë të vërtetën. Nuk na
ngopin me lugën bosh. Shqipëria po boshohet. Kot flasin konspiracionistët se
“Klubi i Romës” po merr masa për uljen e numrit të popullsisë në botë.
Shqipëria aha, s’ngre kandar hiç. Veç nëse flitet për kalkulime andej nga Kina
dhe India. Se Shqipëria me këtë numër popullsie nuk ka nevojë për “operacione”
speciale. Këtu vetëm nëse shtohet numri i popullsisë në mënyrë artificiale, si
në rastin e ligjit që u jep të drejtë të huajve, të vijnë e të na rrasen këtu
në shtëpinë tonë, e të jetojmë së bashku të lumtur në jetë të jetëve.
Duke vazhduar me shpjegimet e tyre specialistët
njoftojnë se plakja e popullsisë po sjell pasoja në ekonomi, sepse duhet rritur
kapaciteti i kujdesit shoqëror dhe shëndetësor për më shumë persona; shpenzimet
për pensionet rriten, por ulet numri i kontribuesve në skemën e sigurimeve
shoqërore. Dhe si për t’i vënë kapakun të gjithës kësaj vazhdojnë: Shqipëria
është vendi me plakjen më të shpejtë të popullsisë në rajon dhe një ndër vendet
me plakjen më të shpejtë në Europë. Dhe në këtë e sipër propozojnë një
ndërthurje mes politikave të ngadalësimit të emigracionit masiv të popullsisë
së re në moshë, duke rritur cilësinë e sistemit arsimor dhe cilësinë e jetesës
në vend, dhe ndihmës për çiftet e reja, mamatë shtatzëna, kujdesin për rritjen
e foshnjës para dhe pas lindjes.
Hajde kokë hajde. Për të dhënë mend japin të gjithë.
Pse ju kujtoni se qeveritë, që vijnë e ikin, nuk i dinë këto punë?
Dhe qeveritë nuk kanë qëndruar në heshtje, kanë marrë
masa në vazhdimësi. Ca vite më parë njëra nga qeveritë rriti moshën për të dalë
në pension. Se kjo ishte mundësia më e shpejtë për t’i bërë ballë të keqes. Dhe
kjo gjë dihet: përballë dy të këqijave do zgjedhësh atë më të voglën. Sot
një burrë duhet të bëhet 68 vjeç pa të vendosë kapelën mbi sy. Një grua që të
lidhi shaminë në kokë duhet të bëhet 63 vjeç. Por duket se dhe kjo nuk ka dhënë
rezultatet e duhura. Ndaj ideja më gjeniale ishte propozimi tjetër: që burrat
të dilnin 70 vjeç në pension e gratë 65. Pse jo? Kjo tregon vitalitet. Nuk e keni
parë që jetëgjatësia po shkon pas të 80-ave dhe nuk po ndalet as tek 90-tat.
Kush është ai që do të dalë në pension e të marrë gjysmën e rrogës së dikurshme
kur mund të punojë, t’i japi shoqërisë të mira materiale dhe në fund të fundit
ta ketë kuletën plot e të mos i dridhet dora të pijë një kafe. Madje kuleta
plot të ndihmon për një funeral model nëse taksirati e zë duke punuar në zyrë,
ose duke plehëruar tokën me qëllimin e një prodhimi të mbarë.
No comments:
Post a Comment