19 gushti Dita Botërore
e Fotografisë. Pjetër Marubi hap fotostudion e parë në Shqipëri vetëm 30 vjet
pas shpikjes së madhe në Francë
Nga Leonard Veizi
Ajo njihet si magjia e fotografisë. Dhe është vërtet aq magjepsëse. Jo
sepse të sjell para syve një pamje relaksuese malesh me blerim apo mbuluar nga
bora dhe as vetëm perëndimin e diellit mbi det a oqean, por sepse mbi të gjitha
sjell historinë njerëzore. Është vetëm një çast, i shkurtër dhe i
papërfillshëm, që mbi celulozë apo mbi pllakën e hard disc-ut momorizon atë që
nuk e përshkruan dot me fjalë: një gëzim të tejskajshëm apo një hidhërim të
pamasë. Dhe mes këtyre dy skajeve, gjithçka tjetër e fiksuar gjithashtu në një
memorie të pashlyeshme, ka një vlerë të pazëvendësueshme. Aparati, një
mekanizëm në dukje i ftohtë e pa emocion, në duart e një mjeshtri që di ta
shkrepë në sekondën e duhur, prodhon më shumë jetë nga sa mund të mendohet
fillimisht. Shpejtësia e dritës, diafragma dhe vetë kuadrati që futet në
thellësinë e fokusit të xhamtë përbëjnë elementet e asaj që pasi stampohet,
quhet: fotografi...
...19 gushti është Dita Botërore e Fotografisë, e në një botë globale, ku
teknikat e reja digjitale kanë zëvendeësuar me një shpejtësi marramendëse botën
e vjetër të filmit, gjithkush është një fotograf. Në këtë mënyrë, 19 gushti
bëhet padashur një nga ditët me përfaqësimin më masiv, sepse kushdo që ka qoftë
dhe një aparat celulari demode e me pak mega pixel të përqendruar, mund të
gëzojë, duke e quajtur si ditën e tij, dhe të ndajë përvojën e tij në rrjetet
sociale me një foto të bërë qoftë në një vend ekzotik, apo një tjetër që përbën
një shqetësim urban.
Në botë
Ai që e bën historinë më të besueshme se vetë fjala, është imazhi. Që prej
kohës kur francezët, Nicephor Niepce dhe Louis Daguerre bënë zbulimin e madh të
fotografisë, pikëpamjet tona për historinë kanë një qasje të re. “Një foto, sa
një mijë fjalë” është sentenca më e përdorshme kur vjen puna për të bërë
vlerësimin e një fotografie domethënëse.
Në Shqipëri, teknologjia dhe teknika fotografike mbërriti shumë shpejt. Më 1826
Niepce ia arriti që të mbarojë foton e parë të rezistueshme. Sepse para saj ato
nuk rezistonin ndaj dritës dhe prisheshin pas një kohe të shkurtër. Fotoja e
parë në botë tregon pamjen nga dritarja e dhomës së tij. Në Shqipërinë otomane,
fotografia e parë u realizua nga Pjetër Marubi, në vitin 1856, pra vetëm 30
vite pasi në Perëndimin e Evropës ajo kishte shpërthyer. Dhe në këtë mënyrë ajo
eci po aq shpejt dhe me po të njëjtën cilësi sa dhe në vendet e tjera të
Evropës.
Në Shqipëri
Po si është shkruar historia e re shqiptare përmes imazhit? Ajo do të niste në
mesin e shekullit XIX. Pjetër Marubi, i lindur në Piacenza, Itali, mbërriti në
Shkodër, pas ndjekjeve të pushtuesve austro-hungarezë. Ai hapi një studio në
vitin 1856 dhe mendohet se fotoja e Hamza Kazazit është dhe fotografia e parë
shqiptare.
Trashëgimia lënë nga dinastia Marubi është ndër më të njohurat në fushën e
fotografisë evropiane në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe gjysmën e parë të
shekullit XX. Ajo ishte e para në Shqipëri dhe ndër të parat në Ballkan.
Në Shkodër Marubi nis aktivitetin e tij artistik në disa fusha njëherazi si
fotograf, arkitekt, piktor e skulptor. Me “kutinë magjike” më 1858 ai nisi të
fotografojë jetën jashtë studios, ndër to edhe ngjarjet politike të kohës.
Pas vdekjes së mjeshtrit Pjetër Marubi në vitin 1904, Kel Kodheli, i cili mori
dhe mbiemrin Marubi, u bë trashëgimtar legjitim i studios duke e transformuar
atë në një atelie të vërtetë arti. Pas vdekjes së Kelit, më 1940, trashëgimtar
u bë Gega. Ai studioi në Paris, në të parën shkollë kinematografike dhe
fotografike te Lumiere-t, në Francë.
Fototeka “Marubi” në Shkodër përfshin rreth 150000 fotografi, shumë prej tyre
me një rëndësi të madhe historike, artistike e kulturore.
Koleksionet
Por trashëgimia kulturore shqiptare në artin e fotografisë përbën një plejadë
artistësh të talentuar që vazhdon deri në ditët e sotme. Më të shquarit mund të
përmblidhen si më poshtë:
Kol Idromeno, lindi në Shkodër më 1860 dhe vdiq më 12 dhjetor 1939. Ai është
një artist i gjithanshëm, mësoi te Pjetër Marubi fotografinë, gjë që i kthehet
në pasion, si dhe piktura.
Në Shqipëri janë edhe koleksionet e Shan Picit me rreth 70000 foto, të Dedë
Jakovës me rreth 50000 foto e të Raboshtës, të gjitha të lidhura ngushtë me
shkollën “Marubi” në Shkodër.
Koleksione të tjera të rëndësishme të fotografisë së hershme ndodhen në Korçë.
Janë veprat e Petro Dhimitrit i cili filloi si fotograf në vitet 1890; të
Kristaq Sulidhit, i cili mësoi profesionin në Greqi; dhe të Vani Burdës së
Bukureshtit, i cili hapi një fotostudio në Korçë në vitet ‘20.
Me një interes të veçantë është vepra e Kristaq Sotirit në Korçë, student i
Kristaq Sulidhit, i cili mërgoi në Shtetet e Bashkuara dhe punoi fotograf në
Nju-Jork dhe Los Anxheles. Në vitin 1923 u kthye në Korçë dhe, bashkë me
piktorin e njohur Vangjush Mio, hapi fotostudion “Sotiri”. Janë ruajtur rreth
14000 fotografi të këtij koleksioni.
Në vazhdim përmenden koleksionet e Ymer Balit në Tiranë, Mandi Koçit në
Voskopojë, Jani Ristanit në Gjirokastër, Misto Cicit në Pogradec dhe Xhimitiku
në Berat.
Në historinë e fotografisë shqiptare është edhe emri i Gjon Milit, i cili
emigroi në Shtetet e Bashkuara dhe u bë i famshëm si fotograf për revista të
njohura amerikane “Life” dhe “Fortune”.
Sot
Në hisorinë e re të fotografisë shqiptare tanimë rreshtohen shumë emra. Emra të
shquar të fotografisë së kohës sonë janë Besim Fusha, Petrit Kumi, Niko Xhufka,
Ilia Terpini, Roland Tasho, Armand Babani dhe shumë të tjerë.
No comments:
Post a Comment